BBC-ja njoftoi disa ditë më parë se shkencëtarët evropianë krijuan bashkarisht një dorë bionike, e cila i jep mundësi njeriut (invalidëve) të ndjejnë sendet që prekin me gishtërinjtë e saj.
I pari që e përdori këtë dorë ishte Denis Abo nga Danimarka. Ai humbi një pjesë të dorës së tij ndërsa punonte me mjete piroteknike 10 vjet të shkuara dhe kishte mbetur dorac. Gjatë operacionit që u krye në Itali, kirurgët i ngjitën atij dorën e re me fundin e nervave të dorës së vjetër dhe, gjatë provave laboratorike, dora e re punoi për mrekulli. Ai përcaktoi symbyllur formën dhe fortësinë e materialit që i jepnin mjekët, për të provuar ndjeshmërinë e dorës artificiale.
Rezultatet e eksperimentit shkencor në të cilin morën pjesë specialistë të sektorit të roboteknikës nga Italia, Gjermania dhe Zvicra, u botuan në revistën “Science Translational Medicine”.
Në një konferencë për shtyp, Silvestro Miçera, pedagog në Institutin Politeknik të Lozanjës, një nga pjesëmarrësit kryesorë të eksperimentit, deklaroi: “Është herë e parë që një njeri me dorë të amputuar ndjen me gishtërinjtë artificialë sendet që prek, fortësinë dhe përmasat e këtij sendi. Proteza janë përdorur edhe deri tani, por ato vetë kanë qenë të “vdekura”, nuk kanë ndjerë, kurse tani, dora e amputuar është një pjesë e vërtetë e trupit të aksidentuar. Kryesorja në këtë protezë, natyrisht, nuk është ajo vetë, por sistemi elektronik që i çon sinjale trurit dhe e ndihmon dorën të ndjejë”. Grupi i krijuesve kanë vendosur në protezë sensorë të aftë për të marrë dhe për të dhënë informacione. Sapo dora prek diçka, lajmërohet truri dhe ai e merr vesh sakaq se ç’është objekti, nga se përbëhet etj. Shkencëtarët, me ndihmën e algoritmeve kompjuterike, kanë arritur t’i shndërrojnë sinjalet elektronike në impulse të kuptueshme nervore.
Pas operacionit, Abo kaloi një muaj nën kujdesarinë e mjekëve. Ai pohon: “Me të marrë diçka në dorë, pa e parë, unë e kuptoja me çfarë materiali kisha të bëja dhe ç’formë kishte ai, pa patur nevojë fare për dritë”. Dora bionike, tani për tani, është ende në fazën e eksperimentit dhe si masë sigurie, nga dora e Abos janë hequr sensorët. Pjesëmarrësit e ketij projekti tani po bëjnë përpjekje për të hequr nga duart e të sëmurit telat e shumtë, elektroda të ndryshme dhe detaje të tjera elektronike, në mënyrë që kur të dalë nga spitali, as të mos dallohet nga larg se ai ka “dorë të vënë”. Sipas mendimit të shkencëtarëve, do të kalojnë të paktën edhe dhjetë vjet për të arritur që duart bionike të mund të vihen kudo, në çdo klinikë kirurgjike. Edhe një problem tjetër: Teknologjia është e ndërlikuar dhe duhet bërë çmos për ta liruar sepse tani për tani, jo çdokush i ka mundësitë fnanciare për të përballuar shpenzimet e mëdha që ka ky lloj operacioni…
Advertisement