Ka kohë që ekologëve dhe biologëve u ka dalë problemi i ndotjes së deteve me grimca plastmasi në dimensione të vogla (nën 5 mm). Këto grimca plastmasi, që mbulojnë tanimë sipërfaqe të tëra të deteve, “thithen” nga qeniet e gjalla detare dhe vijnë në pjatat tona me ushqimin nga produktet e ndryshme të këtyre deteve. Grimcat e plastmasit janë ndotjet më të përhapura në dete dhe përbëjnë 60-80 % të masës së përgjithshme të ndotjeve që kërcënojnë jetën e qenieve të gjalla ujore dhe nënujore. Shumë qenie të gjalla në det e marrin këtë masë ndotjesh si ushqim dhe e “konsumojnë” atë. Sipas Qendrës Kombëtare të Sintezave dhe Analizava Ekologjike të Universitetit të Kalifornisë, grimcat e plastmasit deri në një milimetër gjatësi, e keqësojnë seriozisht gjendjen shëndetësore (madje mund të sjellin edhe ngordhjen) e atyre qenieve. Sipas tyre, grimcat e plastmasit dëmtojnë rëndë të gjithë faunën detare… Një eksperiment interesant kanë kryer në lidhje me këtë problem edhe shkencëtarët finlandezë të Institutit Ekologjik të Helsinkit. Ata “shënuan” me lëndë fluoreshente një sasi grimcash poliesteroli me diametër deri në 10 mikrometër dhe ndoqën hap pas hapi rrugën e tyre nëpër dete, duke vëzhguar edhe rastet kur ata futeshin në zinxhirin e ciklit ushqimor të zooplaktoneve, deri në atë të krimbave, me të cilët ushqehen peshqit dhe pastaj e studionin këtë peshk si mundësi konsumimi për njerëzit. Rreziku nga grimcat plastike shtohet po të mbahet parasysh se me plastmas, shpesh mbështillen ilaçe dhe lëndë të tjera që janë në vetvete helmuese dhe ato i shpëlajnë në det të gjitha lëndët toksike që kanë thithur nga malli i mbështjellë me to. Nga shkojnë këto grimca në dete? Në breg të çdo deti të botës do të shikoni shishe bosh plastmasi dhe qeska ushqimesh, por ajo që duket është vetëm maja e këtij ajsbergu gjigand. Afro 10 % e 260 milionë lënde plastike që prodhohet çdo vit, në fund të fundit, përfundon në ujërat e oqeanit botëror. Gotat e zakonshme plastike, qeskat e kikirikëve dhe të kokoshkave s’janë veçse një pjesë e tyre… Një sasi e madhe lëndësh plastike dhe lëndësh të tjera aktive kimike vjen në det edhe nëpërmjet lumenjve. Gjithë kjo lëndë plastike, përfshi këtu edhe shishet e vogla të kremit që përdorin gratë, pasi udhëton deteve dhe oqeaneve, na vjen në pjatën e gjellës së bashku me peshkun dhe produktet e tjera të detit. Po si mund të pastrohen detet dhe oqeanet nga këto ndotje të rrezikshme? Këtë, as vetë shkenca nuk e ka shumë të qartë. Ekologët kanë vite që po u bien kambanave gjithmonë e më fort, por rezultatet kanë qenë të pamjaftueshme. Të paktën të arrijmë në çdo vend që ta mbajmë nivelin e ndotjes në nivelin që është megjithëse edhe kaq, paraqet mjaft rreziqe. Dhe, masa e parë që duhet të merret është: Secili t’i hedhë enët plastike jo ku dhe kur i mbaron lënda që ato kanë, por në vende të caktuara!
Advertisement