Banja me avull është përdorur nga popujt e vendeve të ftohta shumë herët, të paktën që në shekullin e pestë. Ajo përdorej për higjienën personale, por edhe si rit i rëndësishëm në ceremonitë fetare, duke shfrytëzuar, sipas tyre, dy nga forcat më të mëdha të kësaj bote, zjarrin dhe ujin. Më vonë, edhe gjatë ndërtimit të banesave ishte si rregull të ndërtoheshin banjo para përfundimit të banesës, në mënyrë që vetë shtëpia të inagurohej më një banjë të mirë me avull. Banjat me avull, edhe sot e kësaj dite, preferohen shumë, madje me njëfarë nderi për avullin që ngroh së brendshmi edhe pastërtinë e trupit e të lëkurës. Banjot me avull u jepnin njerëzve energji. Është shpjeguar edhe shkencërisht se gjatë një banjoje me avull, përshpejtohen deri në 40 % më shumë, të gjitha proceset jetësore… Banjat me avull e pastrojnë trupin së brendshmi nga helmet e skorjet dhe së jashtmi nga mikrobet, duke çmpirë muskujt dhe duke shpejtuar qarkullimin e gjakut. Veç të tjerave, vlerat e banjos i shtojnë degët e pemëve që përdoren për t’u fërkuar. Ato, në kontakt me ujin e nxehtë, lëshojnë vajra të ndryshme eterike që janë shumë të dobishme për organizmin. Kështu, për shembull, për fërkimin e trupit gjatë banjave me avull përdoren degët me gjethe të dushkut, mësheknës, eukaliptit, etj. Vetë fërkimet me këto degë pemësh luajnë rolin e shparsës së masazhit, stimulojnë nxjerrjen e djersës (së bashku me të, dalin edhe skorjet dhe lëndët toksike), duke stimuluar proceset biokimike të organizmit, sidomos veprimtarinë e mushkërive.
Përveç kësaj, degët e pemëve që përdoren në banjat me avull, mund të ndihmojnë në shërimin e sëmundjeve reumatizmale, në disa sëmundje të muskujve, të kyçeve dhe ushtrojnë një ndikim qetësues kundër lodhjes nervore, pagjumësisë etj.
Natyrshëm lind pyetja: Po nga ç’burim del ajri i ngrohtë? Zakonisht, në banjat me avull ndizet një zjarr me shkarpa dhe vendosen atje gurë e dërrasa gurësh që nxehen deri në atë masë saqë kur spërkaten me ujët nga “fshesa me degë pemësh”, prodhohet avull… Në këtë proces, kur degët nxehen dhe “prodhohet” avulli, me ato “fshesa degësh”, ashtu të nxehta si janë, fërkohen të gjitha pjesët e trupit… Në disa vende të ftohta, si në Finlandë, për shembull, banjat me avull alternohen me banjo në ujë të ftohtë, apo me akull dhe me dëborë… Për këtë lloj banje duhet një parapërgatitje e posaçme sepse njeriu i pamësuar mund të bllokohet nga ndryshimi i papritur i temperaturës në mushkëri, apo në pjesë të tjera të trupit.