Përsëri ndryshime të Kshtetutës së Republikës. Si do të jetë forma e re e qeverisjes? Republikë parlamentare, presidenciale, gjysmë presidenciale, apo një miks i tipit alla shqiptarçe që, në fund, përfundon në monarki. Do të jetë një “Republikë Prokurorësh”, bananesh, gështenjash, apo si kuvendet e burrave në kulla?
Për këtë ka punuar me kohë “dyshja” e vendit, Rama dhe Berisha. Dyshja dhe partitë që u shkojnë nga pas, edhe kur zihen para perdes, por edhe kur puthen pas perdes, kanë patur e kanë të njëjtin objektiv strategjik: të siguronin për vete pushtet absolut përmes një shteti egocentrist, të fortë deri edhe diktatorial. Nga ndryshimet kushtetuese të bëra disa herë prej tyre, hartimi i ligjeve të zgjedhjeve në çdo fushatë zgjedhore, si dhe ndryshimet e vazhdueshme të statutit të partive që ata komandojnë, lind pyetja: kujt i kanë shërbyer ato? I kanë shërbyer forcimit të demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe qarkullimit të pushteteve, apo të kundërtës? Një analizë e ftohtë na thotë se këto ndryshime i kanë shërbyer një pushteti të shfrenuar të dy liderëve, një shteti të kontrolluar vetëm nga ata, një diktaturë të re.
Edhe ndryshimet e fundit të Kushtetutës së Republikës që janë hedhur në treg, ndoshta për tatim pulsi, janë në fakt, sulm ndaj demokracisë. Të dy ata që iniciojnë këto ndryshime, Rama dhe Berisha, konvergojnë në një pikë: njëri kërkon pushtet absolut dhe të përhershëm edhe si kryeministër edhe si president i vendit, ndërsa tjetri, në kushtet e pleqërisë së thellë dhe i mbytur në akuza për krime të rënda, synon të bëhet kryesenator. Edhe për këto ndryshime është hedhur një pluhur trukesh, fasadash, preçedentësh demagogjikë, diversionesh psikologjikë e deri anketime për të tërhequr vëmendjen e publikut nga e vërteta tronditëse e rrënimit dhe mosfunksionimit të demokracisë në vend.
Koha ka vërtetuar se pas çdo ndryshimi të kushtetutës, apo pas reformash institucionale e ligjore në emër të forcimit të demokracisë, demokracia veçse është goditur keqazi, sepse pas tyre, autoritarizmi në drejtimin e shtetit është kthyer në normë. Sa më shumë flitet për demokracinë liberale, aq më shumë është shfaqur një monizëm i egër, i maskuar me terminologji demokratike, por në përmbajtje neodiktatoriale. Është pak të thuash që këto e kanë zbehur funksionin e demokracisë. Në fakt ato e kanë goditur këtë funksion, e kanë ngushtuar dhe vulgarizuar hapësirën e veprimit të saj, kanë acaruar luftën mes forcave politike. Thjesht, autoritaritarizmi ka marrë natyrë sundimi.
Kështu u bë kur, pa kaluar as edhe një vit nga koha e hartimit të Kushtetutës së Parë demokratike në vitin 1994, u kërkuan nga Berisha ndryshimi i saj. Referendumi popullor i mbajtur në vitin 1995 nuk i miratoi ndryshimet e kërkuara, sepse ato mbanin erë diktaturë, ku pushtetet përqëndroheshin në dorën e diktatorit me emrin Berisha, sepse nga ato ndryshime kërcënoheshin liria dhe të drejtat e njeriut, shpërfillja e institucioneve, goditja e opozitës së vendit, duke e kthyer formën e qeverisjes në një mbretëri të pashpallur.
Por, atë që populli e hodhi poshtë me referendum, pikërishja “dyshja” e sotme e realizoi në vitin 2009, duke i dhënë një goditje akoma më të rëndë shpirtit të demokracisë, lirisë së zgjedhjeve, ku deputetët emëroheshin nga kryetarët e partive. Ajo goditje shkallmoi përfundimisht sistemin e vlerave në kultivimin e elitave.
Si të mos mjaftonin këto ndërhyrje antidemokratike me Kushtetutë, dyshja ka thirrur në skenë edhe korpusin e ligjeve mbi të cilat janë bërë zgjedhjet në Shqipëri. Për fat të keq, edhe pse fushatat zgjedhore janë paraprirë nga ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve, asnjera prej tyre nuk i ka shërbyer demokracisë dhe lirisë së zgjedhjeve. Në të gjitha rastet, me ligj është shenjtëruar vetëm autoritarizmi dhe pushteti i liderit duke i dhunuar haptazi parimet themelore të demokracisë: kandidatin për deputet e emëron dyshja, jo zgjedhja demokratike.
Edhe normat e brendëshme të partive, më tepër kanë rritur autoritetin, të drejtat dhe pushtetin e njëshit mbi partinë, duke e mbytur deri në mosekzistencë zërin e antarëve dhe forumeve të partisë.
“Dyshja” është e dashuruar me përjetësinë në pushtet. Të dy bashkë a veç e veç janë vënë në kërkim të gjetjes së një qeverisjeje sa më autoritare, egocentriste, të komanduar e të drejtuar vetëm nga ata. Kur vjen puna te pushteti, opozita i fik fare motorrët: dyshja ecën me të njëjtën makinë!
Ndryshimi mes tyre qëndron vetëm dhe thjesht te shkalla dhe ashpërsia e hipokrizisë së fjalorit që përdorin kundër njeri-tjetrit. Ndyshimi shfaqet në formë: njëri e synon pushtetin me metoda bajraktarizmi, tjetri me metoda ultraliberale e populiste; njëri deklarohet si armik i lirisë dhe pushteteve të pavarura, ndërsa tjetri, në dukje si mik i lirisë, vetëm se përgjërohet për të; njëri që përdor hapur Kanunin e Lekë Dukagjinit, tjetri si dashnor i kartave Europiane të lirisë por vetëm kaq, se në zbatim është thjesht një nëpërkëmbës i tyre; njëri si diktator mesjetar, tjetri si diktator i kohëve moderne që di të përdorë fjalën dhe jo koburen.
Përgjërohemi aq shumë për demokracinë, dhe sa më shumë që e bëjmë këtë aq më pak e duam, dhe akoma më pak e zbatojmë. Kjo nuk lidhet me natyrën e shqiptarit, as me traditat e munguara demokratike, as me shpirtin liridashës të popullit shqiptar. Koha po tregon se kanë qënë programet politike të partive dhe lufta e elitave partiake për pushtet absolut ajo që ka nxitur rebelimet shoqërore, grushtet e shtetit, tradhëtinë kombëtare, shkeljen e sovranitetit dhe sigurinë kombëtare, e deri edhe destabilizimin e vazhdueshëm të vendit.
Shajmë monizmin. Në fakt, monizmi i kohës së shkuar e kishte shpallur me ligj ndalimin e pluralizmit. Ndërsa monistët e kohës së sotme janë më agresivë ndaj pluralizmit politik, pasi ata, edhe pse e njohin ligjin e pluralizmit politik, në praktikë nuk lënë shpikje kushtetuese e ligjore pa bërë për ta dështuar si sistem politik.
Tashmë “dyshja”, pasi e kanë vendosur formën e re të Republikës, duhet të skicojnë edhe formën e emblemës mbretërore, gradat, nishanet e simbolet që do të zbukurojnë kostumet e tyre mbretërore.
“Le roi est mort, vive le roi!” – thanë mileti kur vdiq Mbreti Charles VI dhe i biri, Charles VII u bë menjëherë mbret, pra institucioni i monarkisë vijoi pa ndërprerje. Në fakt, shprehja kërkon të tregojë vijim sovraniteti, sepse mbreti nuk vdes kurrë në kuptimin ligjor dhe politik.
Ishte kohë monarkish, jo demokracish. Atëherë, çfarë i mbetet zgjedhësit në Shqipëri? Vetëm të dalë edhe ai në rrugë e të bërtasë: “Poshtë mbreti, rroftë mbreti”.






