A – Arritje
Cila është ajo arritje për të cilën je veçanërisht mirënjohëse sot?
– Arritjet? Në këtë pikë do veçoja arritjet kardinale të aspektit personal, për të cilat më është dashur të përballem me sfida të jashtëzakonshme dhe të paimagjinuese në këtë jetë, të cilat më kanë çuar në ndërtimin e një Uni më unik dhe të fortë, në ndërtimin e një stabiliteti shpirtëror dhe emocional. Jam transformuar në një grua më të fortë tek e cila nuk kanë më vend frikërarat apo fjala dorëzim……të gjitha këto shndërrime të unit më kanë bërë të ndihem dhe jem më e lirë, ta perceptoj botën dhe jetën një vend sfidash tip regjizure teatri, kjo nuk do të thotë që nuk vuaj më apo nuk dhembin gjërat brenda meje, por do të thotë se nuk i marr më gjërat personale edhe nëse ato janë të tilla, i shoh në këndvështrim objektiv dhe të ftohtë për të kuptuar ku jam dhe ku mund të shkoj pas kësaj sfide apo momenti të caktuar. Rritja e vetbesimit, menaxhimi i emocioneve, ruajtjen e mirëqenies fizike dhe shpirtërore….të gjitha këto kanë bërë të gjej versionin e gruas më të mirë dhe më të fortë me vetveten dhe rrjedhjmisht duke qënë mirë me veten, reflekton pozitivitet dhe je më e mirë dhe me botën dhe cilindo që të rrethon. Përsa i përket arritjeve personale, secili nga ne investon gjithë hapsirën e jetës për të gdhendur emrin në një fushë të jetës, për të cilën do mbahet mend edhe pas largimit nga kjo botë fizike, dhe me gjithë hoshilacionet e karrierës, investimi profesional nuk mbaron kurrë për sa kohë Uni kërkon të rritet profesionalisht dhe të motivohet e ngrihet në më të mirën e tij. Arritje profesionale dhe në karriere ndër vite kam pasur disa, për të cilat ndihem krenare, e megjithatë ende nuk është stadi i jetës sime për një kulm të tyre, pasi jam ende në ekzaltim të ngjitjes së lartësive, ku momenti kulmor uroj të jetë diku dikur kur unë të arrij të jem e plotësuar me veten dhe të kem sfiduar aspektet më të rëndësishme profesionale. Arritje thelbësore-njerëzore dhe si grua, si dhe investimin më të bukur që kam bërë ndonjëherë dhe nuk do resht së bëri gjithë jetën time, është lindja, rritja, përkushtimi, edukimi dhe kujdesi ndaj 5 fëmijëve të mi, në mënyrë që të jenë 5 individ të vlefshëm dhe të realizuar për vetveten në të ardhmen dhe të jenë një bekim dhe mirësi për shoqërinë dhe kudo ku ato do shkojnë, jetojnë apo investojnë në të ardhmen e tyre. Sido që të jetë, në punë je një njeri i zëvendësueshëm. Si prind, jeni i pazevendësueshëm gjatë gjithë jetës suaj.

B – Besimi
Në ç’moment besimi në veten tënde ka qenë themeli i një kthese të rëndësishme në jetën tënde?
– Besimi se ka një fuqi Hyjnore mbi jetën tonë dhe duhet me bindje dhe vullnet të plotë ta pranojmë. Kur shpirtin e ke vendosur më lart se çdo gjë dhe lutjet bëhen mburoja jote dhe Zotit të Gjithëpushtetshmit ja drejton me besim të plotë. Besimi në vetvete ka qenë gjithnjë i lidhur me besimin dhe lidhjen me Zotin. Çdo sprovë dhe sakrificë e kësaj jete, vjen për një motiv dhe përveç bekimeve, kam mësuar të vlerësoj dhe sprovat e kësaj jete. Besimi ne vetvete? Në vitin 2010 kur u diagnostikova me tumor në kokë dhe do i nënshtrohesha një operacioni shumë të vështirë, aty e ndjeva fundin shumë pranë…. Ishin ditë dhe netë pa fund dhe plot makth e ankth, në të cilat nuk dija nëse do mund të isha banor i kësaj toke të nesërmen. E megjithatë, në asnjë mënyrë nuk e jepja veten, madje kisha një sjellje moskokëçarëse me nuanca humori, para familjarëve të mi, e veçanërisht para mamasë sime.
– Një ditë në taracën e dhomës së hotelit ku ishim akomoduar 1-2 ditë para ditës së operacionit, kthej kokën drejt qiellit dhe i drejtohem Zotit: “Zot, pse më ke kapur me shpulla kaq fort në këtë jetë….?” Dhe menjëherë më pas reflektova në nënvetëdijen time duke u drejtuar: “Zot më fal, ti e di më mirë dhe kam lënë veten, jeten time dhe çdo gjë në dorën Tende. Ti ma ke dhënë jetën dhe Ti e di kur m’a merr.” Kur u ngrita nga “krevati vdekjes” dhe ndjeva se po jetoja sërish, kur ndjeva që kisha dhe kam Zotin pranë vetes në çdo hap, u ngrita një tjetër Selvi. Ky ka qenë momenti kur besimi në vetvete më është rikthyer fuqishëm dhe ka qënë një kthesë mjaft e rëndësishme në jetën time kur luftova dhe fitova mbi tumorin me forcën e besimit në vetevete dhe mbi të gjitha në Zot.
D – Diplomacia
Çfarë të ka mësuar diplomacia për njerëzit dhe për veten?
-Diplomacia është art më vete, në vetvete njihet si arti marrëveshjes, mirëpo, në të ka dimensione dhe degëzime të pafundëta. Është një labirinth njohjesh dhe misteresh, është një botë e jashtëzakonshme dhe shumëdimensionale, të cilën e kam dashuruar që në momentin e parë kur nisa studimet, në gjithë periudhën që e kam kryer si detyrë, dhe ende e dua si profesion, pasi e ndiej që më plotëson dhe gjej vetveten në të gjitha sfidat dhe dimensionet që përcjell ky profesion. Është profesion dhe fushë jashtëzakonisht sfiduese, por që përcjell fuqinë e kombeve, të popujve, kulturave, mendësive dhe suksesin ose mossuksesin e negocimeve. Çdo ditë e më shumë kuptoj se të ecësh i gjallë dhe të jesh vetvetja nuk është e mundur. Prandaj miti prej të mënçuri që e shikon të vërtetën lakuriq, mendoi ta kthente kokën nga diplomacia, pasi është e vetmja fjalë që të çon realitetin që po frymojmë. Diplomacia për veten dhe njerëzit në thelb, më ka mësuar që; po aq seriozisht sa mund t’i marrësh marrëdhëniet e përditshmërisë ose jo, mes njerëzve nëpërmjet negocimit dhe relatave të ndryshme, nëpërmjet të qenurit korrekt dhe serioz, dashamirës dhe njerëzor, në objektivat dhe marrëveshjet jetësore që i vendos qëllim vetes, po aq me sportivitet dhe në mënyrë jo lënduese duhet të reagosh në një moment kur jo gjithçka është në dorën tende, apo kur të dalin gjërat jashtë kontrollit dhe parashikimit. Çdo gabim apo difekt i një momenti X ka gjithmonë një kohë dhe hapsirë të dytë për t’u rregulluar, mirëmenduar dhe vënë në jetë apo në zbatim. Kurrë nuk është fundi dhe çdo dështim duhet të të shërbej për një ringritje të radhës. “Suksesi nuk është përfundimtar,Dështimi nuk është fatal, ajo që ka rëndesi është guximi për të bërë përpara.” Winston Churchill. Pra, Diplomacia është një det i thellë që po ti hysh në këmbë, mbytesh në të nëse nuk je notar profesionist dhe në të kundërtën, nëse di të zhytesh dhe je mjaftueshëm notar i mirë, arrin të ekspolrosh gjithë bukurinë dhe misterin nënujor.

F – Familja
Si është të jesh nënë e pesë fëmijëve dhe njëkohësisht grua që krijon, udhëheq dhe shkruan?
– Familja është gjeneza e shoqërisë dhe investimi më i bukur që mund të bësh në jetë. Të jesh nënë e 5 fëmijëve do të thotë çdo vakt të vendosësh në tryezë të paktën 5 gota, 5 pjata 5 çdo gjë…më pas 5 palë detyra, 5 palë uniforma, veshje, minimalisht 5 lloje sportesh apo kursesh…… 5 probleme të ndryshme në të ardhmen për të qenë aty me ta apo për t’u bërë mbështetje e tyre…..Fëmijëve ju duhet dhënë inkurajim, duke ju vënë në pah motive pozitive dhe sjelljes e veprimtarive të tyre, ju duhet përcjellë aftësi komunikuese dhe inkurajuese për të zgjidhur problemet dhe të kenë sjellje pozitive që të lënë mbresa dhe gjurmë të mira kudo ku do jenë. Por më e rëndësishmja, fëmijëve ju duhet dhënë një model jete të lumtur, të dashur e të përgjegjshme. Është sfidë e jashtëzakonshme, është përgjegjësi dhe investim shpirtëror pa fund. Dua që kjo trashëgimi imja të jetë një investim i bukur për botën dhe shoqërinë dhe kudo ku fëmijët e mi të jetojnë apo punojnë, njerëzit të mund të bekojnë shpirtin dhe jetën e tyre, dhe të mund të më përcjellin urata dhe mua për 5 mrekullitë që do i lë trashëgimi botës, si dhe njerëzit e jashtëzakonshëm që do i lë kësaj shoqërie dhe jete në të ardhmen. Kjo mendoj se do jetë kulmi i bekimeve dhe arritjeve të mia në tërësinë jetësore. Fuqia më e madhe e gruas Shqiptare është shpirti i saj i pathyeshëm, një përzierje e forcës, urtësise dhe dashurisë që lind në përballje me jetën, dhe që vazhdon të lartësohet, pavarësisht gjithçkaje. “Kalimi i kohës me femijët ështe kundërhelmi më i mire që kam zbuluar ndaj sfidave me të cilat të përball padrejtësia, frika apo pikëllimi.” – Michelle Obama
G – Gratë
Cila është fuqia më e madhe që ka një grua sot, sipas teje? Po gruaja shqiptare konkretisht?
– Fuqia më e madhe e një gruaje është forca e saj të krijojë jetë dhe të rrisë kombe. Kjo gjë ekziston brenda çdo gruaje dhe është në themel të esencës së saj. Megjithatë disa gra nuk mund ta përjetojnë gëzimin dhe kënaqësinë e mëmësisë dhe qoftë kur fati nuk i bekon apo qoftë dhe me dëshirë dhe vullnetarisht kur ato heqin dorë nga të qenurit nënë, mirëpo në çdo rast forca e brendshme e gruas ekziston në çdo qelizë të saj, si bijë, motër, hallë, teze e dikujt dhe ndikimi apo investimi dhe përkushtimi i saj si në familjen e madhe të gjenezës, apo në atë që krijon vetë më pas, le gjithnjë gjurmë për ndjesinë e një shoqërie më të mirë. Sfida e përditshmërisë për mirërritjen dhe edukimin e brezave që përkthehen në kombet e së ardhmes, forca e të qenurit grua, nënë, bashkëshorte, sipërmarrëse, vendim-marrëse, gjithçka në këtë qenie delikate dhe të fortë njëkohësisht. Karakteri i ndërthurur me inteligjencën shton vlerat në çdo grua. Gruaja shqiptare eshtë zemra e shtëpisë, forca e heshtur që mban në kembë një brez të tërë. Ajo nuk flet gjithmonë me zë te lartë, por zëri i saj ndjehet thellë. Nuk kërkon gjithmonë duartrokitje, por meriton botën. Kriza, që përjeton gruaja e sotme, dhe sidomos gruaja shqiptare është kriza e IDENTITETIT dhe ajo ekonomike. Ajo detyrohet të mohojë pjesë te thelbit te saj, nëse do të arrijë qëllimet e saj. Pavarësia ekonomike dhe nënshtrimi ndër vite që i është bërë gruas shqiptare, “barra” rëndë kryesisht e familjes dhe mbarevajtjes së saj duke mos i lënë hapsira të përkushtimit personal dhe vetjak, ende ben te degjohet rëndom: “Nuk mendoj për veten se me duhet te mendoj per ata…femijet, familjen…”. Mirëpo nëse nuk je mirë me veten, nuk mundesh kurrsesi të arrish objektiva dhe për më tepër të jesh në gjendje të bësh të tjeret të ndihen mirë me ty. ”Veshja” më tërheqëse për një grua do të jetë gjithmonë vetëbesimi, një sens i mirë humori, dhe mungesa e frikës nga të qenit e pavlerë. Kjo nuk del kurrë nga moda.
J – Jeta jashtë Shqipërisë
Cila është ajo gjë që ke mësuar për veten duke jetuar larg vendit tënd?
– Duke jetuar jashtë Shqipërisë që në moshën 17 vjeçare në Zvicër, direkt në maturë me anglishten që kisha mësuar në shkollë dhe kurse private, në konvikt ku vetëm unë isha gjimnaziste, dhe gjithë të tjerët të rritur, ku midis shumë njerëzve pozitiv dhe dashamirës ishte dhe një zonjë rreth të 65-tave që kujdesej shumë për mua dhe ishte shumë besimtare, quhej Esther!

Gatuanim në një kuzhinë të përbashkët dhe ndërmjet ambjenteve të tjera të përbashkëta, kishim një frigorifer të përbashkët! Esther shikonte ushqimet e mia, të cilat nuk arrinin nivelin minimal! Gatuante për vete dhe shumë herë më linte gatimet e saj në një stol para derës sime të dhomës me shënime mbi to! Nuk do ja harroj kurrë mirësinë! Drejtori i shkollës David Brooks dhe zonja tij Jane, që kujdeseshin për mua dhe më merrnin në shtëpinë e e tyre shpesh fundjavave. Me ta njoha një pjesë të mirë te Zvicrës, me ta kam qënë në opera për herë të parë, në kinema etj. Mësova gjithçka për një vit, mësova të isha e pavarur, mësova të mbijetoja dhe ndryshe nga gjithë bashkëmoshatarët e mi, bëja rrugën në këmbë mes borës për 40 minuta nga konvikti në shkollë! Mësova të paguaja qeranë, të shkoja në markete larg për të gjetur ushqime me çmime më të lira afër afatit të skadencës….! Arrita të fitoj respektin e të gjithëve si në shkollë dhe jashtë saj dhe të fitoja gjysmë bursa në USA. Për madhështinë njerëzore të znj. Esther, në shenjë mirënjohje, i vura emrin njërës nga vajzave të mia, Ester. Përsa ju përket periudhave në Vjenë dhe Stamboll ishin në Misionin e Përhershëm Diplomatik të Shqipërisë në OSBE si edhe Konsullatë. Këtu përveç aspektit njerëzor dhe rritjes sime si individ, jam skalitur dhe rritur shumë dhe profesionalisht. Ndërsa në 4-5 vitet e fundit si emigrante në Cambridge, patjetër që kam pasur ulje – ngritjet e një jete plot me sfida dhe dhimbjen e madhe që Shqipërisë dhe Shqiprarëve nuk ju sosën kurrë “hallet” e emigrimit dhe ndarja për së gjalli mes njerëzve.

K– Kujtimet
-A ka një kujtim fëmijërie që vazhdon të të ndriçojë brenda, edhe në ditët më të zëshme?
-Vazhdimisht kam ndriçim brenda meje prej kujtimeve të fëmijërisë ku nuk shuhet drita e ndriçimit dhe prej atij ndriçimi marr forcën për të vazhduar më tej. E kam si rebus, si orakull që më ndriçon dhe dikton vazhdimin e jetës. Jam me fat nga prejardhja dhe familja që kam, pasi fëmijëria përcakton shtyllën më të fortë dhe të qëndrueshme të ndërtimit të karakterit, nga ku gjithë nyjet dhe fijet e jetës ose të koklaviten dhe komplikohen, ose të lehtësohen dhe të japin shtysën dhe vizionin e gjësë së bukur që duhet të ndjekësh duke mundësuar te ecësh në hapa të sigurtë dhe të palëkundur për të ndërtuar një të ardhme më të bukur e të begatë, nisur nga rrënjët dhe bekimi që ke marrë në ditët dhe vitet e para të jetës tënde. Një moment kulmor i fëmijërisë sime që më ndezi dritën e shpirtit dhe prej asaj drite kam marrë forcë gjithnjë dhe do vazhdoj deri sa të kem frymë, është që deri në moshën 9 vjeçare kam qënë vajzë e vetme dhe kur prindërit më bënë dhuratën më të bukur që mund të më bënin ndonjëherë, ardhjen në jetë të tim vëllai, kuptova që Zoti të do fort kur të sjell pjesë të jetës tënde Ëngjëj në formë njerëzore që të mbushin shpirtin dhe të ndriçojnë rrugën në çdo moment, edhe në ato ditët më të zëshme që thoni ju. Formësimi i karakterit në fëmijëri dhe themelet e forta të mirërritjes, gdhendin gjithmonë njeriun e së ardhmes.
L – L si “Letra”
-Ti ke zgjedhur fjalën dhe letrën si mjet shprehjeje. A ndodh që ndonjëherë letra të të kuptojë më mirë sesa njerëzit?
Letra ku hidhen fjalët, por the telajo është një formë tjetër “letre” ku hedh copëza të shpirtit qoftë në formë letrare apo dhe në design apo pikturë. Nuk ndodh ndonjëherë, por ndodh shpesh që letra ka forcën të kuptojë thellësinë e brendësisë sime, pasi me këto forma komunikimi jam unë dhe vetja ime, flas lirshëm dhe çliroj forcën e ndjesive dhe mendimeve që ndonjëherë gëlojnë pa fund dhe mënyra e forma më e mirë për t’u çliruar nga zhurmat e tepërta apo qoftë dhe nga heshtja e rëndë, është letërsia, krijimi, piktura dhe ndërthurja e vargut apo rrjeshtit për të shprehur atë që jo gjithkush do dinte të më kuptonte. Vetmia është e rëndë, por jo rrallë vetmia dhe heshtja të ndihmojnë të takosh vetveten. Dhe në takimin me veten, jo vetëm që zbulon brendinë tënde, por arrin të gjesh dhe formën apo mënyrën sesi ta shprehësh atë, për t’i lënë kështu një “testament” botës dhe dikur – diku edhe ata që nuk ditën të kuptojnë kurrë, të perceptojnë ndjesinë tëndë nëpërmjet copës së letrës që ke lënë pas, por që brenda ka forcën e fjalës dhe të shpirtit.
M – Mërgimi
Mërgimi, mall i gjatë, plagë e heshtur, zgjedhje apo një urë për njerëzit që s’ndalen së krijuari?
Kjo fjalë do të doja mos të ekzistonte fare në fjalor, po fare, fare. Të gjithe ne jemi banorë të kësaj bote, dhe kësaj toke, pavarësisht ku kemi lindur apo çfare nacionaliteti zotërojmë, individi duhet të jetë i lirë të zhvillojë jetën ku ta gjej veten dhe ku mendon se i përshtatet ai vend. Të jetosh, punosh, studiosh…duhet mos ketë kufij dhe limite. Emigrimi sidomos për shqiptarët është një plagë që kullon ndër vite dhe vazhdon të jemi epiqendër e gjithë kësaj dhimbje ulëritëse. Nuk gjen aktualisht një familje shqiptare që nuk kam një plagë të hapur emigrimi. Mall i gjatë e përvëlues që ndau njerëzit për së gjalli dhe dhimbje e pashuar e stërmundim njerëzor i stërzgjatur. Do ishte shumë bukur që siç thashë më sipër secili prej nesh të kishte mundësinë e zgjedhjes së vendit ku do jetonte dhe në këtë mënyrë lëvizja të shërbente si mundësi eksplorimi për të gjithë ato kategori njerëzish që duan të jetojnë në vende të ndryshme dhe si rrjedhim do ishte shumë bukur që largësitë të shërbenin si ura komunikimi dhe krijimi për gjithë ata që nuk ndalen së krijuari dhe që duan aventurën, sfidën, që urrejnë monotoninë dhe duan të gjejnë të bukurën kudo nëpër botë.
Sido që të jetë, edhe në rast zgjedhje për një jetë më të mirë, në të gjitha dimensionet ke marrë rriskun për tu ndarë me dhimbje nga njerëzit e tu të shtrenjtë, nga vendi ku je lindur dhe je rritur dhe nga gjithçka e jotja e dashur që të mungon fort dhe që ke investuar jetën në të deri ditën që vendose të largoheshe.
N – Nëna
Në cilin moment e ke ndier më fort se kurrë rëndësinë dhe bukurinë e të qenit nënë?
Më fort se kurrë e kam ndjerë bukurinë dhe rëndësinë e të qenurit Nënë, që në ditën e parë të fëmijës sim të parë. Pas operacionit të vështirë në kokë, në 2010, mjekët në Pisa, Itali ma bënë gati të pamundur mundësinë time të të qenurit Nënë në këtë jetë, dhe mrekullia jo vetëm ndodhi me vajzën e parë, por me 5 bekime në jetën time. Te qenurit nënë është bukuria e brendshme e të qenurit grua, është ekzistenca jote e përditshme, është investimi i shpirtin dhe mendjes tënde tek një krijesë e vogël që rritet para syve të tu dhe që ti e do më fort se veten, e që do jepje botën per ta. E ndiej këtë rëndësi dhe përgjegjësi çdo ditë të jetës sime, por forcën e saj dhe bukurinë e jashtëzakonshme e ndjeva kur bekimi Perëndisë e theu parashikimin e mjekëve.
P – Poezia
Kur shkruan poezi, ku e vendos shpirtin, në fjalë, në heshtje, apo në ndjesi?
-Poezia është një mënyrë per të folur me veten, personalisht do e quaja luks për t’u zhytur në ndjesitë më të thella të unit, kur bota bëhet e zhurmshme, por edhe për t’i dhënë botës një copëz shpirti të ndershëm e të zhveshur. Poezia percillet dhe transmetohet Ne ndjesi, sepse çdo fjalë eshtë si një damar që pulson nga brenda: dashuri, dhimbje, mall, shpresë… janë gjaku dhe indi i poezisë.Ka libra që të tregojnë atë që ti e ndien po nuk e ke shkruar dot dhe ka libra që të tregojnë atë që ty nuk të emocionon e as të vë në mendime. Shpirti kryesisht prek dimensionin e ndjesive, mirëpo shtrihet edhe përgjatë heshtjes dhe sigurisht transmetohet në forcën e fjalës. Dhe kur shpirti ndërthuret në masën më të madhe të krijimit, atëherë vepra mbetet për gjatë si në mendjen e lexuesit ashtu dhe në rezistencën ndaj kohës dhe viteve që kalojnë duke u përçuar në shumë breza.

Rr – Rrënjët
Sa rëndësi kanë për ty rrënjët e prejardhjes dhe si i mban gjallë tek fëmijët e tu?
-Rrënjët e prejardhjes nuk janë thjesht e shkuara, por ato janë themeli mbi të cilën ndërtohet e ardhmja e një individi. Ti njohësh, ti ruash dhe ti respektosh ato do të thotë të jesh më i lidhur me vetveten. Njohja me rrënjët i jep individit një ndjenjë historie dhe vazhdimësie, veçanërisht në kohë sfidash. Ato ofrojnë një strehë ku individi ndjen siguri dhe qëndrueshmëri, sidomos kur bota përreth shfaq paqëndrueshmëri. Rrënjët janë lidhja me historine e individit, lidhja me paraardhësit dhe me tokën e vendin ku është ndërtuar e para shtëpi, është hedhur hapi parë dhe është folur fjala e parë. Pa to, do të ndihesh si një pemë pa tokë në dukje e fortë, por e lëkundur brenda. Zakonisht kur përballem me sfida, kthehem tek rrënjët. Tek kujtimet e gjyshërve, tek guximi i prindërve, tek historia e popullit tim. Aty gjej kurajën që ndoshta nuk e gjej dot askund tjetër…Ndërsa te fëmijët rrënjër e prejardhjes arrij t’i mbaj gjallë nëpërmjet gjuhës amtare, rrëfimeve familjare, traditave dhe zakoneve, kultures artistike etj.
T – Tranzicioni
Si e ke përjetuar kalimin nga Shqipëria në vendet ku ke jetuar më pas? A të ka ndryshuar?
Tërësisht, rrënjësisht, në shumë dimensione… Unë kam lindur në Shqipëri, por jeta në vende të ndryshme si: Zvicra, Austria, Turqia, Anglia etj për vite me radhë më kanë ndryshuar dhe më kanë sfiduar në shumë dimensione duke më sprovuar forcën e brendshme dhe durimin, mirënjohjen dhe përkushtimin, skalitjen e karakterit dhe madhështinë njerëzore……shumë dimensione jetësore. Në vetvete jam një person që e dua shumë artin dhe muzikën, natyrën, pikturën, fotografinë, dizajnin, poezinë, madje së fundmi jam shndërruar në një koleksioniste filatelie ku numëroj më shumë se 10.000 pulla poste nga e gjithë bota. Në çdo vend ku kam jetuar, i kam shtuar koleksionit të shpirtit dhe jetës sime gjithmonë diçka të re. Më pëlqen të udhëtoj dhe të zbuloj kultura të reja, të njoh popuj dhe kombe të ndryshme, të kap imazhe, të vizitoj muzetë, kështjellat dhe kap magjinë e botës kudo mund të ndodhet. Kam mësuar të kuptoj se midis tranzicioneve duhet jetuar si një i plotë dhe të eksplorosh veten duke eksploruar botën dhe të ndihesh banor i botës kudo ku jeta të jep mundësinë e radhës të jetosh.
S – Selvi
Emri yt ka një simbolikë të veçantë. A ndihesh e lidhur me të?
Së pari jam e lumtur që mbaj emrin e gjyshes , mamasë së babait. Së dyti, pema e selvisë është pemë me trung të drejtë e të gjatë, me gjethe të holla përherë të gjelbra, qiparis, e ka trupin si selvi, të hedhur, të drejtë e të hijshëm. Ndihem e lidhur me të për sa i përket simbolikës që ka, por paralelisht dua të jem e drejtë në këtë jetë në kuptimin e drejtësisë fizike dhe hyjnore, që mos i hyj në hak askujt, mos bëj padrejtësi që ditën kur nuk do jem më në këtë botë fizike, të lë ndjesi pozitive tek ata të cilët jeta më kryqëzoi udhën, i kisha apo i kam përgjatë rrugës së jetës, apo qoftë dhe individët të cilët erdhën e ikën si mësim jete për mua. Dhe ashtu si pema e selvisë që gjithmonë është e gjelbër, do doja që “gjelbërimi” i copëzave të shpirtit tim të mbetet në këtë botë dhe t’ju shërbejë sado pak në përmirësimin e jetës së dikujt që mund të gjej frymëzim nga unë në çdo aspekt të mundshëm.

V – Vargu
Cili është një varg yt i dashur që do doje ta lexonte çdo lexues shqiptar?
-Vargje të dashura dhe kuptimplotë për lexuesin shqiptar janë disa dhe nga autorë të ndryshëm, por do veçoja “Në Mundsh” të Rudyard Kipling. Është e gjatë, por do shkëpus rrjeshta…për mua janë vargje shumë të dashura nga fillimi në fund.
“Në mundsh ta ruash arsyen kur bota humbet fillin,
E fajin ty ta hedh – dhe vetes ti besosh,
Sa herë tek ty dyshojmë e s’të përfillin,
Por edhe dyshimet drejtë t’i giykosh.
Në Mundsh të rrish në pritje, në pritje pa u lodhur,
A, kur te urrejnë, urrejtje mos të ushqesh
Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur
Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh……Etj etj dhe përfundon me:
….. Në mundsh t’i mbushësh ti minutat, që të rënda me veprat që peshojnë, dije dhe mos ke asnjë dyshim,
se e jotja do jete bota me gjithë ç’ka brenda, dhe BURRË do t’jesh o biri im.”
“Në Mundsh” siç thotë Kipling, do të thotë je i fituar në këtë jetë.
Z – Zëri i brendshëm
Kur gjithçka hesht, çfarë të thotë zëri yt i brendshëm?
Zëri im i brendshëm më thotë që kjo botë ështe kalimtare dhe sa hap e mbyll sytë do përfundojë roli ynë në këtë skenë gjigande të quajtur jetë. Do të vij një ditë kur të gjithë njerëzit do të jenë prezent përpara Zotit të Madhërishëm ku do të japin llogari për veprimet e tyre! Jepi botës më të mirën tënde!
