Fabjola Kuburi: Monografia shkencore “Edi Rama: Neuroestetika e një artisti”, e sapo botuar gjendej edhe në stendat e Panairit të XXVII-të të Librit: “Tirana 2024”, çfarë ju shtyu për të shkruar këtë monografi?
Advertisement
Ph.D. Oltsen Gripshi: E vërtetë, monografia shkencore “Edi Rama: Neuroestetika e një artisti” botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”, është tashmë në duart e lexuesve shqiptarë e jo vetëm, pasi ajo është shkruar në dy gjuhë: shqip dhe anglisht, si një mënyrë për të rrokur e depërtuar edhe tek lexuesi ndërkombëtar. Pikëtakimi im i parë me emrin e artistit Edi Rama ka ndodhur në vitin 2002, gjatë lëndës së teorisë së ngjyrave kur asokohe studioja për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura “G.B. Cignaroli” të Veronës. Në leksionin e tij, Prof. Massimo Caiazzo, rreth dhe mbi teorinë e ngjyrave, nisi të shpjegonte se si një artist me emrin Edi Rama,kishte shndërruar pamjen e fasadave të pallateve të qytetit të tij nëpërmjet prekjes pikturike dhe befas, më drejtohet duke më thënë: “ Ky artist është nga vendi nga i cili vjen edhe ti.” Menjëherë pas mbarimit të leksionit, futem në kërkim të artistit për të cilin sapo Prof. Caiazzo na kishte folur. Kjo do të ishte “njohja e parë” virtuale me artin e artistit Rama. Një njohje, e cila hapi një dritarëz për të njohur më mirë veprën e tij dhe vlerësuar më shumë artin pamor shqiptar, që falë pikturës së Ramës, kishte arritur të studiohej edhe në auditoret e akademive të arteve të bukura në Itali. Në këtë fushëpamje para katër vitesh, falë edhe pjekurisë profesionale në lëmin e historisë dhe kritikës së artit, nisa të shkruaj radhët e para për analizimin e krijimtarisë së tij të ndërthurur midis pikturës dhe qeramikës. Radhë të cilat falë punës së gjithanshme kërkimore, do të formësonin këtë monografi shkencore që kodifikon, jo vetëm estetikën pasbashkëkohore me të cilën artisti ngjiz dhe konkretizon nënvetëdijen brenda vetes në imazhe të preceptueshme nga të gjithë, por edhe e vendos veprën e tij. Vepër e cila është pjesë e një kontributi të pamohueshëm, dhe të pashmangshëm për historiografinë e artit pamor bashkëkohor shqiptar.
– Sa kohë ju është dashur t’i kushtoni për ta shkruar këtë studim shkencor?
–Ph.D. Oltsen Gripshi: Koha për të shkruar një monografi shkencore, e veçanërisht kësaj kushtuar Edi Ramës, kërkon së pari një pjekuri profesionale dhe një mirëzotërim të historisë dhe kritikës së artit, e për rrjedhojë, një punë kërkimore e hulumtuese specifike, për ta lexuar e analizuar veprën me shumë kujdes në aspektin e të resë stilistike dhe qasjes përmbajtësore. Gjatë hulumtimit jam gjetur përballë disa pyetjeve herë retorike e herë empirike si: Çfarë të reje sjellin këto imazhe? Cili është regjistri semiotik që artisti kërkon të komunikojë, midis dy përmasave, brenda vetes dhe botën jashtë qenies së tij? A ka analogji krahasimore abstraksionizmi i tij lirik, apo është një tërësi embrionale vetëm e artistit Rama? Pyetje të cilat të udhëheqin detyrimisht, për ta vendosur veprën e tij përballë së përgjithshmes gjithëpërfshirëse që shkon përtej kontekstit territorial, social-kulturor dhe antropologjik të Shqipërisë. Kjo, pasi fuqia e artit të tij, flet me një gjuhë që ngjizet nga realiteti shqiptar, por hapet duke tejkaluar kufijtë e një territori konvencional për të mbërritur universalen e fenomenologjisë pasbashkëkohore që është bërthama fuqiplotë e një universi të pashtershëm në zbulimin dhe shpërfaqjen e stinëve të nënvetëdijes brenda vetë artistit. Kemi të bëjmë me një revolucion stilistik, që ngre si çështje të qenësishme lirinë interpretuese të artistit. Jemi përballë një teorie të re artistike ku tërësia e ndërlikuar e qenies njerëzore, mbizotëron dhe bëhet udhërrëfyese e qenies artist, duke marrë një përparësi absolute në krijimtarinë artistike të artistit Edi Rama. Ndaj koha ka qenë një vlerë relative, ku pesha e saj ka qenë fluruese, ndonëse janë dashur katër vite për të mbërritur në këtë monografi shkencore që mbajmë sot ndër duar.
– Kryeministri Rama a është njohur me këtë monografi shkencore tuajën kushtuar tërësisht krijimtarisë së tij artistike?
– Ph.D. Oltsen Gripshi: Monografia hapet me një shprehje timen, e cila përbën thelbin e tërësisë së saj që është: “Piktura e Edi Ramës mishëron materien ekzistencialiste si pararendëse të imagjinatës së përbërë nga kohë-hapësira, pasi ky hulumtim shkencor nuk i përket piktorit, por pikturës së tij, sepse Ai është vetë ky libër…”. Një shprehje kuptimplotë, pasi kjo monografi nuk i kushtohet një kryeministri, por një ARTISTI.
– Çfarë keni pasur parasysh në punën tuaj studimore?
– Ph.D. Oltsen Gripshi: E theksova edhe më sipër, njohja me artistin Edi Rama, ka ndodhur vite më parë kur isha student në akademinë e Veronës, si subjekt studimor në lëndën e kromatologjisë dhe nuk mund të ndodhte ndryshe…E gjithë puna ime kërkimore shumë vite më vonë do të përqendrohej e do të nxitej nga tingujt e ngjyrave që artisti përdor për të konkretizuar të padukshmen brenda nënvetëdijes së tij. Një këndvështrim ky që ka udhëhequr qasjen time për hulumtimin dhe shpërfaqjen e një estetike të re stilistike që vepra e tij na dëshmon, e cila të shpie më pas në një qasje të re perceptuese-konceptuale. Qasje që kthehet në një bërthamë lëvizëse në gjetjen e përgjigjeve, të cilat njëkohësisht legjitimojnë edhe një përkufizim të ri, që në krijimtarinë e Ramës, është psikologjia. Duke e parë në këtë këndvështrim, në shkruarjen e kësaj monografie kam patur parasysh, jo vetëm analizimin stilistik dhe kodifikimin e veprës si pjesë e historiografisë së artit pamor shqiptar, por mbi të gjitha, vendosjen e lexuesit për ta lexuar e zbërthyer krijimtarinë artistike të Ramës në aspektin teorik, përballë një fenomenologjie pasbashkëkohore të interpretimit të realitetit përmes ndjesive psikologjike. Përballë një psikologjie, e cila ndërton një marrëdhënie të ngushtë mes shpirtit dhe materies, duke identifikuar një ekuacion estetik-konceptual të tillë që në përmbajtjen e vet modelohet dhe formësohet me stimulin fizik dhe ndjesinë psikologjike të artistit krijues.