Pas një operacioni plastik të dështuar për heqjen e kolagjenit sintetik nga zona e buzëve, shkrimtarja e njohur greke, Katerina Ploumidaki për pak humbi jetën.
Mësohet se ndërhyrja është kryer nga një kirurg plastik grek në Florida, i cili iu rekomandua si specialist me qindra klientë nga e gjithë Amerika e Veriut dhe ajo Latine.
Prej atëherë Katerina mundohet të korrigjojë sa të mundet pamjen e saj aktuale aspak të zakontë, me problemet e shumta dhe komplekse, pasi edhe ujin e pi vetëm me pipëz, por nga ana tjetër pret ditën kur ajo do të mbarojë një sërë procedurash ligjore që ka nisur tashmë me avokatët e saj në Amerikë.
Sipas Katerina Ploumidaki, ishte nëntor i vitit 2020, kur në një udhëtim njëditor që kishte shkuar me bashkëshortin e saj, me të cilin jeton përgjithmonë në Hjuston, takoi rastësisht mjekun grek, i cili kryen ndërhyrje në Florida:
“Ndërsa po ecnim rrugës dhe flisnim greqisht, dikush na pret bisedën dhe prezantohet si kirurg plastik grek. Ai po më shikonte intensivisht dhe brenda pesë minutash pa i dhënë asnjë leje më pyeti “Çfarë i ke bërë buzëve?”
E vërteta është se 30 vjet më parë kam bërë një injeksion kolagjeni. Buzët i kisha të holla dhe doja t’i rrisja pak, asgjë më shumë”, rrëfen Katerina Ploumidakis, e cila njihet edhe për lidhjet farefisnore me familjen Mitsotakis.
Gjatë bisedes së shkurtër të tyre, mjeku grek i plastikës, nga një familje e njohur në Athinë, u përpoq ta bindte se për të hequr atë produkt të injektuar nga buzët e saj ishte një operacion rutinë.
Në operacionin e parë, rezultatet nuk ishin ato që i kishte premtuar doktori dhe makthi sapo i kishte trokitur në “derë”.
Kështu, ndërsa ajo shkoi në Florida për një javë dhe do kthehej pasi do të ishte shëruar nga operacioni, ajo përfundoi duke bërë 7 operacione dhe mbi 40 javë injeksione.
Ajo që kishte ndodhur ishte se mjeku i kishte hequr shkrimtares një pjesë të madhe të buzës së sipërme gabimisht bashkë me kolagjenin e vjetër.
Shkrimtarja dhe bashkëpunëtorja e gazetës greke “Ethnikos Kirikas” dhe asaj angleze “The National Herald” rrezikoi të humbte jetën:
“Nga nekroza ishemike e lëkurës dhe e muskujve të buzës së sipërme, pavarësisht antibiotikëve 4 muaj, ekzistonte një rrezik i madh i dëmtimeve në tru dhe një rrezik i fortë i endokarditit nga qarkullimi i mikrobeve në gjak.
Sipërfaqja e madhe e demtuar ishte në rrezik të vazhdueshëm infeksioni pavarësisht trajtimit me antibiotikë”, ka deklaruar ajo.