-Klarisa, do donim një prezantim më të detajuar për veten që edhe lexuesi të të njohë më shumë…!
-Përshëndetje! Unë kam lindur dhe jam rritur në Malësinë e Madhe, me ngrohtësinë e një familje që u kujdes të përçonte tek unë vlerat njerëzore dhe traditat historike që kjo zonë mbart. Njihen si njerëz mikëpritës, të besës, që flasin pak e saktë e s’u bie fjala në tokë, e jam munduar shumë që këto ti përvetsoj dhe si pjesë të karakterit tim. Gjimnazin e kam kryer në qytetin e Shkodrës, ku me krenari ja dola të isha një nxënëse ekselente e maturës së gjimnazit “Hasan Riza Pasha”.
Që në atë kohë e kisha ëndrrën e madhe të studioja në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ëndërr që me punë ja dola ta realizoj e sot jam Mjeke Stomatologe e sapo diplomuar me rezultate shumë të larta.
-Pse zgjodhe Stomatologjinë?!
-E dua profesionin tim! E kam zgjedhur me shumë dëshirë që ta ushtoj me etikë të lartë profesionale e me përkushtim në kujdesin ndaj pacientëve të mi. Punoj çdo ditë pa u mërzitur dhe mendoj që çelsi i suksesit qëndron në faktin që kam kthyer në profesion pasionin tim, atë të përkujdesit karshi shëndetit njerëzor.
Nuk ka kënaqësi më të madhe se të shikosh buzëqeshje rrezëdhitëse në fytyrat e atyre që janë ulur në karrigen tënde të punës. Buzëqeshje plot dritë në kuptimin e plotë të fjalës jo atë metaforik, pasi këtë bëj çdo ditë.
-Çfarë po ecën me hapa galopantë në Stomatologji?
-Dita ditës njerezit prirën te kenë kërkesa dhe pritshmëri shumë të larta estetike dhe kjo është fusha e stomatologjisë që po merr vëmendjen kryesore ndaj dhe po përgatitem të vazhdoj studimet e mia te specializimit në këtë fushë jashtë Shqipërisë. Kurrsesi për të qëndruar por për t’u kthyer të punoj e të jetoj ne vendin tim e t’i shërbej me përkushtim njerëzve të mi. Nuk është idealizëm por besimi se dhe Shqipëria do te arrijë një ditë të ketë mundësi si vendet e tjera të Europës!
-E ndërkohë edhe angazhimi yt në politikë nuk është më i paktë apo jo?
-Vitet e mia studentore i kam kaluar në protesta e në angazhim politik e social pasi kam besuar fort se rinia është motori që sjell ndryshimet e mëdha në shoqëri.
Drejtoj një grup të rinjsh vullnetarë “12MuajAktivizëm” ku të gjithë sëbashku po bëjmë një projekt social ku çdo muaj bëjmë një nisëm me karakter social e humanitar.
Kemi zgjedhur data të shënuara për të dhënë mesazhe të bukura sensibilizuese se të rinjtë janë vital, kreativ e të dobishëm për shoqërinë.
-E faktikisht pse je angazhuar në politikë, nga buron dëshira?
-Më pyesin shpesh përse angazhohesh në politikë. Me krenari e them se vij nga një familje e përndjekur politikisht e me tradita të djathta. E dardha bie nën dardhë! Ne të rinjtë jemi ata që mund të ndryshojmë faqen e historisë e angazhimin e kemi detyrim qytetar. Flas shumë për ndryshimin si koncept por nuk duhet harrurar se ndryshimet në vetvete janë vendime politike të cilat i kanë në dorë njerëz të zgjedhur.
Përmes këtij angazhimi synoj që një ditë të kem mundësi të punoj në fushën e shëndetësisë e të implementohen politika sociale të cilat nuk po funksionojnë siç duhet në vendin tonë!
Në këtë mënyrë gërshëtoj në përditshmëri të gjithë dimensionet e mia si qenie njerëzore.
E besoj fort se me punë e pamundura bëhet e mundur!
-Nisma juaj më e re është gjithëpërfshirëse dhe me synim të qartë për të forcuar dëshirën për të lexuar shqip…
-Nisma e fundit ka qenë kjo e muajit nëntor “Dhuro një libër në gjuhën shqipe” e të gjithë librat e dhuruar do të dërgohen në trevat shqipfolëse të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë si dhuratë simbolike e unitetit kombëtar e pse jo të sjellim në kujtesë rëndësinë e librit e cila po lëkundet në këtë botë të digjitalizuar.
-Nismat e tjera kanë qenë të natyrave të ndryshme apo jo?
-Nisma të tjera kanë pasur në fokus shëndetin e gruas e ofrimin e kontrolleve shëndetësore falas për zonjat me pamundësi ekonomike në 8 mars, ofrimin e shërbimit dentar falas për fëmijët autik në 2 prill e shumë të tjera që do pasohen nga shumë të tjera më tej…!
-Motoja që të shoqëron gjatë jetës tënde…!
-Përgjatë jetës kam mësuar se mundësitë duhen krijuar me punë e jo duke pritur, e me punë konsistente e pamundura bëhet e mundur, kjo është motoja që më shoqëron gjithmonë.