-Anila, menduam ta nisim me një pyetje rreth politikës. Ti ke qenë shumë e angazhuar në këtë fushë, pasi jo pak herë të kemi ndjekur në media. Miqtë e Intervistës na kanë treguar se rrugëtimi yt në politikë apo angazhime të tjera ka nisur që me ardhjen e demokracisë në Shqipëri. A mund të na tregosh diçka më shumë, se si nisi atëherë dhe çfarë ndodh sot me Anilën dhe politikën?
-Meqenëse familja ime i përkiste vokacionit të majtë, kisha një qasje për t’i besuar kësaj force politike. Nuk e di përse më vinte një zë nga brenda për të. Duke pasur parasysh fillimet e demokracisë, figurat e asaj partie më dukeshin më interesante dhe më të besueshme sesa figurat që pretendonin se po sillnin demokracinë. Dukeshin shumë autoritarë, shumë larg turmës e popullit. Disa nga figurat kryesore të asaj kohe që përfaqësonin Partinë Socialiste kanë qenë pedagogët e mi në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Duke i njohur edhe nga afër apo nëpërmjet mësimdhënies, më dhanë besim. Angazhimi im nisi me zgjedhjet e para shumëpartiake, ku mora pjesë në të gjithë organizimet që zhvillonte Partia Socialiste për t’u votëbesuar nga populli Shqiptar. Edhe pse ishte një përmbysje e madhe e një sistemi, figurat që e përfaqësuan arritën të kishin sukses të pabesueshëm, duke marrë parasysh edhe ato çaste historike në të cilat ndodhej kombi. Unë kam qenë përherë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste. Ruaj shumë kujtime nga vitet kur kjo forcë pati sfidat e saj. Nuk po i rreshtojmë vitet e qëndresës apo sfidave, por e majta ishte dhe mbetet përherë bindja ime politike. Sot jam pak më e distancuar. Mbase ndihem pse jo dhe pak e zhgënjyer. Por kjo ndodh në çdo vend të botës. Një forcë politike vjen në pushtet për shkak të angazhimit të njerëzve të saj më të besuar e më të përfaqësuar. Unë ndoshta nuk arrita të kem përfaqësimin tim politik, por vazhdoj të kem një përfaqësim modest në administratën shtetërore. Nga politika nuk heq dorë. Jam pjesë e përditshme e saj. Mbase edhe pse nuk jam aktive, lexoj dhe jam e përditësuar mbi të rejat. Shpesh, mbaj qëndrimin tim nëpërmjet publikimeve në rrjete sociale.
–Në pyetjen e parë përmenda Shqipërinë në demokraci. Jemi shumë kuriozë të dimë angazhimet e Anilës përpara viteve ‘90!
-Studimet e ciklit të mesëm i kam ndjekur në gjimnazin “Qemal Stafa”, ku kam qenë goxha e angazhuar, dhe pse jo herë pas here mbaja edhe rolin e protagonistes në aktivitete të ndryshme që zhvillonte shkolla. Ashtu siç funksiononte sistemi asokohe, pasi përfundova arsimin e mesëm, e drejta e studimit më doli në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës, në degën “Planifikim për Industrinë”. Ishte një degë që mua më pëlqeu dhe më tërhoqi. Parapëlqehej më së shumti nga vajzat, e gjithashtu ato që përfundonin studimet në këtë degë kishin mundësi më të mira punësimi. Fundi i studimeve të mia të larta përkon me zhvillimet e para demokratike në vend. Pavarësisht se nuk mora pjesë aktive në demonstratat e para që zhvilloheshin në Qytetin Studenti, e kam ndjekur me shumë interes dhe me shumë entuziazëm për arsye edhe të disa problematikave që kemi pasur në biografi, familjarisht. Besuam dhe shpresuam për një përmbysje të regjimit që absolutisht nuk ishte në bindjet e mia.
-Je një vajzë e lindur dhe e rritur në Tiranë, mirëpo mbiemri yt na drejton nga Gjirokastra! Cilin qytet do më shumë Anila dhe pse?
-Tirana është qyteti ku jam lindur, rritur, shkolluar, martuar dhe kam lindur fëmijët e mi. Por Gjirokastra mbetet një nga dashuritë e mia, që edhe sot ka interes dhe një vend të veçantë në zemrën time. Është qyteti ku kam kaluar jo pak kohë të fëmijërisë sime, në shtëpinë e gjyshërve tek lagja “Palorto”, shumë pranë me shtëpinë e diktatorit, të cilën unë në atë kohë e shihja si një ndërtesë mjaft mbresëlënëse. Kaloja shumë herë përpara saj, sa herë më duhet të bleja bukën apo të çoja tepsitë me gatimet e gjyshes sime në furrën e të madhit, këngëtarit të muzikës polifonike Gjirokastrite, Xhevat Avdalli. Xhevatin nuk e shihja si furrxhi, por si një këngëtar që rastësisht duhet të përgatiste dhe tavat e shkëlqyera për Gjirokastritët, me mikpritje, përkujdesje fantastike, e dashuri të jashtëzakonshme. Nuk harroj festivalet folklorike, që për mua ishin një ngjarje e veçantë, e rrallë dhe kanë lënë shumë gjurmë ne kujtesën time. Ishin një festë, dhe shtëpitë e Gjirokastritëve nuk ishin hotel, por shtëpi për gjithë pjesëmarrësit nga Shqipëria anembanë. Megjithatë, babai im është nga Nepravishta, një fshat i jashtëzakonshëm i qytetit të Gjirokastrës, dhe ky fshat për mua sigurisht zë një vend të veçantë.
-Si është Anila në familje dhe si është Anila në ambientin e punës?
-Në pamje të parë, të jap përshtypjen e një gruaje autoritare dhe shumë të rreptë. Por në të vërtetë, në familje kam qenë nëna e përkushtuar. Jam treguar shumë e dashur me fëmijët e mi, dhe kam komunikuar me ta që kur ishin të vegjël, si të ishin personazhet e përrallave apo si të ishin të rinj që konsiderohen shokë shumë të afërt. Këto dy qasje për mua kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer në rritjen, arsimimin dhe edukimin e tyre. Janë tre djem që më kanë bërë krenare dhe nuk ndaj asnjë nga njëri-tjetri. Madje ngaqë dy djemve u fillojnë emrat me K, dhe njërit me E, u them që Ju për mua jeni ai “KEK”-u i ëmbël i mamit (qesh)… përgatitur me dashuri nga mami (qesh). Në punë kam parapëlqyer të mbaj një profil të ulët. Jam munduar të jem e saktë në detyrat që kryej. Puna që bëj kërkon shumë përkushtim dhe shumë ndershmëri, sigurisht edhe saktësi. Besoj se të treja i kam. Cilësitë e mia profesionale më kanë shpërblyer me respektin që kanë krijuar ata që kanë punuar me mua ndër vite.
-Ke jetuar në tre periudha të ndryshme të shoqërisë Shqiptare: periudhën socialiste, tranzicionin, dhe kohët e sotme kur themi se kemi një demokraci të konsoliduar. Do ta drejtojmë pyetjen tek funksionimi i shoqërisë. Ti çfarë vëren diçka ndryshe midis këtyre kohëve, dhe a ka diçka që do të vlerësoje nga secila?
-E them me bindje që filozofia jonë nuk ndryshon. Është e njëjtë per periudhën socialiste, tranzicionin dhe sot. Për demokracinë e them me bindje që duhet shumë kohë për t’u konsoliduar. Madje unë në shumë raste them se ende nuk janë hedhur hapat e parë të saj. Besoj se jemi larg. Kjo nis që nga individi dhe nga mënyra se si funksionon shoqëria shqiptare. Pastaj kalojmë tek politika! Kur nuk respektojmë lirinë dhe të drejtat e njëri-tjetrit, ta harrojmë se politika do ta bëjë apo do të ketë sjellë ndryshimin e funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Në periudhën Socialiste vërej ndryshimin e mënyrës së shkollimit dhe punësimit. Në tranzicion dhe në demokraci po të njëjtën gjë. Nuk di të ndaj apo të vlerësoj diçka ndryshe midis këtyre tre etapave.
-Po ashtu na kanë thënë se kolegët më të rinj se ty të thërrasin “Mami”, në sajë të këshillave dhe përkrahjes që ti u jep. Cila do të ishte këshilla jote për brezin e ri?
-Po, është e vërtetë! Në institucionet ku kam punuar, të rinjtë janë pjesa më e dashur dhe më e parapëlqyer nga unë. I dua dhe i vlerësoj! Vlerësoj përpjekjet e tyre për shkollim, dhe një etje për t’u rritur profesionalisht apo për t’u mbiaftësuar në punën e tyre. Ato kanë parë tek unë, që në përshëndetjen e mëngjesit, dashurinë e nënës. Kanë parë në sytë e mi atë dashuri e përkrahje që kam për brezin e ri. Dua që të ecin dhe të kenë mundësi të shumta në Shqipëri. Dua të kenë mundësi në të gjithë shkallët e përfaqësimit, si në administratë, politikë, biznes apo kudo ku kanë mundësinë të shprehin talentin apo dijen e tyre. Këshilla ime për brezin e ri është që ta shohin të ardhmen në vendin e tyre. Të besojnë fort tek e ardhmja dhe të duan e të respektojnë njëri-tjetrin. Nëse ata do dinë të ndërtojnë marrëdhënien njerëzore, të respektojnë njëri-tjetrin, kolegët, shokët e bashkëpunëtorët e tyre, atëherë kanë nisur mbarë dhe ecuria e tyre dhe përparimi do të jetë i sigurt. Çdo gjë nis nga dashuria!