Intervistoi: Fabjola Kuburi
-Malvina, kjo është hera e parë e ftuar në Intervista.al dhe si e tillë çfarë duhet të dijë lexuesi për ty?
-Përshëndetje e nderuar Fabjola! Faleminderit për intervistën tuaj e për mundësinë për të qenë sa më afër lexuesve të revistës intervista.al! Unë jam Malvina Tafçiu Kaloshi, një vajzë e nuse dibrane, nënë e 3 fëmijëve të vegjël, bashkëshorte e teologut Neki Kaloshi, vajzë e dy prindërve të cilët mes shumë vëshitirësive rritën 6 fëmijë duke sakrifikuar gjithçka për të më shkolluar. Studimet e larta I kam kryer në UT, dega gjuhë-letërsi shqipe, ku edhe pasioni për gjuhën amtare u kurorëzua me marrjen e titullit shkencor “Doktore shkencash” në disiplinën e onomastikës shqiptare, po në UT. Jam lektore në universitete publike e jopublike, duke u bërë pjesë e jetës akademike që në vitin 2010, kur sapo kisha kurorëzuar studimet pasuniversitare, si studente ekselente. Që aso kohe e çdo ditë deri sot ia kam kushtuar lektorimit dhe dashurisë pa kusht që kam ndaj “gjuhës së shpirtit” siç profesor Gj.Shkurtaj cilëson. Dashuria e pasioni për dijen, mësimdhënien, lektorimin, ka startuar që kur isha në gjimnaz kur fillova studimet në shkollën pedagogjike në Dibër, Peshkopi në vitin 2001-2005, e çdo ditë sa vjen e rritet dëshira për të dhënë çfarë unë kam mësuar e di, e për te edukuar brezat e së ardhmes. Çdo gjurmë e jona në këtë drejtim, është një “gur themeli e ndërtimi” në të ardhmen e ndritur e të shumëdëshiruar prej nesh. Por, kohët e fundit po realizoj disa projekte tjera që I kam vendosur vetes, siç është mësimdhënia e fëmijëve me aftësi të kufizuar. Një drejtim krejt ndryshe e larg mësimdhënies është edhe fusha e biznesit (të vogël) ku jam fokusuar po ashtu këtë vit, me qëllimin e krijimit të një brandi unik për vajzat e gratë në karrierë.
-Synimet e tua qasen në disa drejtime, mësuesi, lektore, mësuese për nxënësit me Ak, pedagoge me shami, mami me 3 fëmijë të vegjël ndërkohë që po merr edhe titullin shkencor Doktore Shkencash, si ia del të jesh kaq aktive dhe si e balancon kohën?
-Kjo është pyetja që më bëhet sapo të tjerët prezantohen me impenjimet e mia. Unë nuk mund të tregoj ndonjë sekret apo çelës për këtë, vetëm se them që për mua ka qenë e mbetet një sakrificë e madhe që unë bëj për të realizuar objektivat, dëshirat e pasionet e mia. Normale që nuk mund të realizohen të gjitha këto me një shkop magjik ashtu në formën më të mirë të realizueshme, porse jemi ne që bëhemi shkopi magjik i jetës sonë. Pra duhet luftuar e shfrytëzuar çdo çast i jetës për të vënë në jetë dëshirat e pasionet e tua, sigurisht duke mos harruar vendosjen e prioriteteve në këtë mori gjërash që ke për të bërë. Gjej rastin të falenderoj edhe ato pak njerëz që kanë zgjatur dorën e ndihmës që unë të gjej kohë për të gjitha këto, e mbi të gjitha për të qenë një grua, vajze, nënë, femër që do dëshironte të ishte në të ardhmen e saj, pra, një imazh për t’u ndjekur.
-Tek cili drejtim je më e fokusuar, cili është ai që përmbush atë që gjithmonë ke dashur në jetë?
-Nuk janë shumë gjërat me të cilat unë merrem e shpenzoj kohën time, gjëra të tilla që ti bëj me pasion e dashuri. Ndoshta shumë pak mund të jenë të tilla, ku ndër to do të vecoja: e para që më përmbush shpirtin tim është të qenurit praktikante e fesë muslimane, gjë që e bën më të fortë lidhjen time me Krijuesin e Gjithesisë. Mandej ajo që më përmbush sërish shpirtërisht e më mban në jetë janë 3 të vegjëlit e mi, që mezi pres çdo ditë t’i përqafoj sapo kthehem nga puna edhe pse në moshën që i kam fëmijët unë (7 vjeç, 5 vjeç e 10 muaj e 2.3 vjec) përveç këtij përmallimi për to, më nevojitet edhe pak qetësi për çlodhje, gjë që kam disa vite që nuk ia kam humbur kuptimin. Së treti, jo më pak të rëndësishëm, do të veçoja mësimdhënien si oksigjenin e domosdoshëm për të jetuar. Aty e ndiej që jam në formën më të mirë, duke ndjekur ëndrrën e pasionin tim për dijen e shkencën në përgjithësi, e për të realizuar sërish një obligim që Zoti ia ka obliguar femrës: të edukojë fëmijët për një shoqëri të shëndetshme. E pra, edhe nxënësit apo studentët e mi, nuk kanë asnjë ndryshim nga fëmijët e mi, pasi ashtu si çdo fëmije eshte drite syri per prindërit e vet, ne këndvështrimin tim çdo nxënës është amanet që prindërit ma kanë besuar e unë me çdo kusht duhet ta mbaj amanetin. Së fundmi, pasioni për të bukurën, për krijimin e një stili unik për çdo femër, e më specifikisht çdo grua në karrierë, më ka bërë ti futem edhe rrugës së biznesit të vogël që e kam patur një pasion që në fëmijërinë time. Me krijimin e një faqeje online @Earta_store e së shpejti shpresojmë edhe të një dyqani fizik tonin (pasi momentisht po bashkëpunojmë me disa miq shqiptarë e turq) në këtë fushë për veshjet që ofrojmë, shpresojmë të kemi suksesin e dëshiruar edhe në fushën e biznesit.
-Të është shtuar dhe një tjetër sipërmarrje, biznesi yt me veshje të stiluara pjesërisht nga ty dhe pjesërisht të stiluara jashtë vendit. Si po shkon puna?
-Earta_store ka qenë një ndër impenjimet e mia së fundmi ku jam fokusuar, krahas mësimdhënies. Sic e preka më sipër, kjo sipërmarrje ka ardhur si e tillë (krahas dëshirës së hershme) nga nevoja e vajzave e grave për t’u veshur bukur, duke patur një trupin e tyre veshje komode, cilesore e po aq me rëndësi edhe me një kosto të përballueshme bazuar pagave qesharake të shumicës së shoqërisë, pagë e cila nuk të mundëson gjithmonë, e jo të gjithë, që vajzat të krijojnë atë stilin e tyre të dëshiruar. Ndaj ia obligova vetes të sjell për këtë shtresë veshje të tilla që të kenë cilësi dhe kosto të përballueshme së pari edhe prej meje, e për të gjitha gratë. Normale që e mira nuk ka fund e ka veshje ende me të mira se këto që ofroj unë, por të mos bëhemi si dhelpra me rrushte e saj: të marrim atë që e arrijmë.
Të gjitha veshjet vijnë nga Turqia, një pjesë e mirë, sidomos kostumet, skicohen nga një grup pune në Turqi që përzgjedhin materialin e modelin e që fatkeqësisht krijohen imitacione, thujse identike, në Shqipëri. Në faqen Earta_store vijnë për vajzat edhe veshje që I kam ideuar vetë, nga nevoja vetjake për të qenë brenda normave të veshjes islame e për t’u dukur bukur, kryesisht fundpanonat apo këmisha të caktuara të cilave ua ndërroj modelin fillestar duke krijuar “new look” me po të njëjtën veshje.
-A ka kërkesë në rritje për veshje të posaçme për myslimanët?
-Çdo ditë e më tepër mua personalisht, por sigurisht këtu edhe kolegeve të mia në biznes, ju vijnë të tilla kërkesa të posacme për të qenë e kompletuar dhe kuruar jo vetëm në stilin e tyre, në performancën e tyre me anën e jashtme, por së pari duke qenë në rregull dhe e plotësuar edhe në aspektin fetar, pra që veshja e grave të jetë e tillë konform predispozitave e urdhëresave islame. Kam patur kërkesa të tilla për hijab, nikab, fustane të gjata me copa të plota e të gjera, ndërsa gratë në punë më zyrtare si mësuese, juriste drejtoresha etj., kanë patur interes për kostume me xhaketë të gjatë dhe pantallona të gjera, veshje që percjellin fisnikëri, dinjitete, intelektualitet pra veshje që flasin në “gjuhën e tyre” për atë çka ti je e përcjell.
-Ti ishe një nga stilistet e sfilatës “Lumturo dhimbjen” çfarë solli në jetën tënde kjo sfilatë?
-Për mua, ishte hera e parë që merrja pjesë në sfilatën e bukur e përplot mesazhe të ideuar nga zj. Brixhilda Muça, që gjej rastin ta falenderoj publikisht. Mora shumë emocione atë natë gjatë sfilatës, sa për një çast mendova që auditori me 120 studente nuk ishte asgjë para atij momenti, për shkak të përgjegjësise që ndieja atë natë për atë që do të përfaqësoja me modelet e përzgjedhura. Përveçse njoha nga afër disa stiliste, zonja të nderuara në fushën e tyre, përveç emocionove që përjetova e mesazheve të përcjella në këtë sfilatë, ajo që më “dhuroi” sfilata ishte edhe afirmimi si brand i ri i biznesit tim, por ishte edhe dalja ime e parë në këtë “skenë” tashmë si Malvina pjesë e Earta_store, new businesswoman, përveçse si profesore Malvina.
–Çfarë ka në projektet e tua afatshkurtra dhe afatgjata?
-Unë si tip nuk jam ai person “që fluturon në ajër – do të thoshte populli, – porse me këmbë në tokë”. Ndoshta edhe profesioni, por më së shumti karakteri im, është I tillë që unë të bëj për vetë plane konkrete e të realizueshme. Ashtu sic për studentët e mi hartoj objektiva të matshme e konkrete, ashtu edhe trurit I jap komanda të tilla për jetën time që të jenë të realizueshme, përpos dëshirës që cdo njeri ka për të kapur majën e ajsbergut e me një levizje të gishtave të ndryshonte jetesa e tyre. Unë këtë gjë nuk e dua për jetën e fëmijët e mi. Më e rëndësishmja që kam për veten e për tju lënë si pasuri fëmijëve është: të qenurit njeri e të kenë “turp” pasi një njëri që nuk ka turp është I aftë të bëj gjithcka. Kur them turp këtu e kam fjalën për main e bukur e të mirë që të fitojnë kënaqësinë e Zotit, e mbi të gjitha për të realizuar qëllimin e ardhjes në këtë botë: atë të adhurimit të Krijuesit, e shijimit të jetës brenda kornizave e predispozitave të fesë sonë të bukur. Pra nuk kam qëllim tju lë fëmijëve e të luftoj për vete për pasuri monetare përveçse për atë pasuri me esenciale: shpirtërore.
Së dyti dëshiroj e luftoj me veten, për të qenë një grua apo njeri në shoqërinë shqiptare, e tillë “që të mos parazitojë apo të ndosë ambjentin” me parazitlliqet e saj, porse duke I ofruar shoqërisë një model jete e individi, një shembull për t’u ndjekur e për të dhënë maksimumin e të mirave nga vetja ime. Nëse ne sot do të kemi një shoqëri të tillë që të mos jetojë këtë tranzicion vlerash shumëdimensionale ku vesi vlerësohet e përkrahet, e virtyti necmohet, shkelmohet e përbuzet, është edhe mungesa e ngritjes së zërit apo ofrimi dhe promovimi në shoqëri I modeleve e shembujve që e cojnë shoqërinë përpara në llogjikë të shëndetshme e në ndërtimin e një të ardhme të ndritur për fëmijët tanë. Ndaj gjithsecili prej nesh, përveçse duhet të japë më të mirën e mundshme nga vetja e tij, duhet të “detyrojë” të tjerët me sjellje të bukur ta “ndjekin” duke u bërë bazë për shoqërinë e “civilizuar” e të bukur që duam, e jo kjo shoqëri që kemi që të civilizimit sheh “zhveshjen” në të gjitha kuptimet e fjalës.
Pra projekti im afatshkurtër e afatgjatë është të jem e dobishme për veten, familjen , shoqërinë duke luftuar edhe “kundra dëshirave të mia” vetëm e vetëm që të jem një shembull pozitiv për t’u ndjekur nga të rinjtë e sotëm.
-Në fund çfarë lamë pa thënë?
-Ah interesante kjo pyetja. Unë e dashur Fabiolë, sot ju kam ofruar lexuesve të intervista.al një Malvinë shumëdimensionale, një Malvinë që bën maksimalen për të qenë këtu ku është sot, që privohet e lë pas edhe dëshirat e saj për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme, një Malvinë ku secili prej nesh ka detyrime për shoqërinë që jeton për të dhënë maksimumin e vet, me më të mirat e tij, duke mos e ndotur ambientin e Shqipërisë me parazitlliqe, porse duke kryer detyra porosinë, profesionale e shoqërore të dobishme, që shoqëria të ecë përpara e të rinjtë të kenë shembuj plot për të ndjekur. Në kuadër të kësaj të fundit, kam kohë që po përpunoj në trurin tim të vogël një plan, që nëse është i hajrit, lus Zotin të ma realizojë e të na mundësojë atë “detyrë madhore” ku të mos rrëmbehemi as një çast nga forca e pushtetit, porse të mendojmë për të mirat e popullit e të shoqërisë përpara benifiteve tona personale. E kam fjalën këtu për dëshirën time për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e për t’ju futur “telasheve” të politikëës me nijetin e dobishmërisë e frikës ndaj Zotit në çdo çast. Pra dua të jem kandidatja e me pas deputetja e parë, zonja e parë deputete me mbulesën islame në trup e shpirt.