Prej 12 vitesh pjesë e ansamblit “Mirdita”, me një sukses të jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe përtej kufijve, ku dëgjohet muzikë e mirë, ansambël i vlerësuar si “Mjeshtër i madh”, Pavlin Kola vjen në një rrëfim për hapat e sigurtë nëpër muzikë, për pasionin e madh që e bëri këngëtarin të kthehej në vendlindje, për të vijuar atë që kishte nisur që në fëmijëri. I rritur në një familje, ku të bëhej muzikë ishte gjë fare e zakontë, ku këndohej nëpër gëzime familjare, po jo vetëm, i njohur me traditën dhe kultivues i saj, Kola tregon për mënyrën se si e nisi udhën e gjatë drejt artit, për të kulmuar me atë që është sot. Pjesëmarrja në koncerte përtej kufijve e ka bërë këngëtarin të zotëroj edhe nga magjia e vlerësimit të atyre që nuk dinë shqip. Ndalimi aktiviteteve kulturore i lë ende në izolim artistët, ndaj për Pavlinin kjo është e padrejtë. Megjithatë, ai shpreson se e nesërmja do të jetë ndryshe, mjafton të kemi besim dhe të jemi optimist. Sa i përket produksioneve të reja, këngëtari thotë se është duke punuar për ti sjellë sa më shpejtë ato.
Pavlin, si fillim a mund të na tregoni si keni hyrë në botën e muzikës? Një prezantim të shkurtër për lexuesit tanë.
Unë kam lindur në një fshat të Lezhës, Kashtnjet dhe aktualisht po jetoj me gjithë familjen prej 20 vjetësh ne Lezhë. Gjithë kohës e kam pasur pasion muzikën. Kam kënduar që në fëmijëri. Jam lindur në një familje, ku është dëgjuar dhe kënduar shumë. Udha drejt muzikës nisi që kur këndoja bashkë me kushërinjtë e mi nëpër gëzime familjare, me çifteli. Gjithë kohës më shtynin familjarët, që të merresha me muzikë. Ata më thonin shpesh se e kam zërin brilant dhe se duhet ta vazhdoja këtë rrugë. Pastaj në vitin ’97 emigrova në Greqi. Disa vite qëndrova jashtë, sa atje, sa në Itali megjithatë mendjen e kisha pas. Madje aq shumë e doja muzikën sa u dhashë porosi disa familjarëve të mi t’ma sillnin çiftelinë atje ku isha. Jam gjithashtu nip i rapsodit të njohur të popullit Ndue Shytit, që ka sjellë në Shqipëri gjerdanin e artë nga Franca, Kina, ku dhe ka pikasur për talentin e jashtëzakonshëm.
Këto 10 vite që je i angazhuar me shumë në aktivitete dhe në organizime familjare, e ndjen muzikën më pranë teje?
Padiskutim që po. Pas kthimit nga emigracioni kam vijuar me këngë rapsodike. Në 2008 bashkë me dy kolegët e mi kemi bërë një këngë “Shega lezhiane” me Agron Bardhin dhe Petrit Dushin, me të cilën patëm shumë sukses tek “Maratona e Këngës Popullore”. Kam bërë pas saj disa këngë të tjera, të cilat po ashtu kanë rezultuar të suksesshme. Që prej asaj kohe më kërkojnë në të gjitha gëzimet familjare jo vetëm në vend po edhe përtej tij, aty ku dëgjohet, po ashtu muzika e mirë në Kosovë dhe Maqedoni.
Çfarë i bën muzikën dhe Pavlinin të pazgjidhshëm?
Ndjeshmëria e thellë dhe pasioni i jashtëzakonshëm që kam ushqyer për gjatë gjithë jetës për muzikën. Gjithmonë e kam parë si diçka që më përmbushte shpirtërisht. Duket ndonjëherë sikur ditët rrëmbejnë nga ne atë përkushtimin për gjërat që duan, megjithatë jam i lumtur, që i jam dedikuar gjësë që kam dashur të bëj, që në fëmijëri.
Ke marrë pjesë në “Maratonën e Këngës”, e ndërkohë pandemia ka ndërprerë të gjitha aktivitetet muzikore, madje edhe muzikën mbrëmjeve vonë. Mendon se do mbijetojë muzika në këto kushte?
Këtë verë muzika është penalizuar. Parë nga këndvështirim im kjo rrugë e zgjedhur për ndalimin e aktiviteteve kuturore është e gabuar. Muzika në fund të fundit është art, nuk lidhje me gjërat e tjera, përpos të shijuarit nga njerëzit. Nuk dua të hyj në detaje apo ta kthej çështjen në politikë, megjithatë njerëzit fare lehtë mund të infektohen dhe në ambiente si markete apo ku ka flukse njerëzish, nëse nuk ka masa mbrojtëse, pse ky vendim duhet të merret vetëm për muzikën? E gjykoj të padrejtë, megjithatë lutem që të mbaroj sa më shpejt kjo gjendje, të kthehemi në normalitet dhe të jemi mirë.
Një rapsod në fillesa e tani një këngëtar i pëlqyer nga të gjithë për të kënduar në ditët e tyre të veçanta. Çfarë risie sjellë në muzikë?
Po të kthehemi në folklor e të qëmtojmë në histori, patjetër që do kujtojmë se në kohët kur njerëzit nuk kishin shumë mundësi u drejtoheshin rapsodëve, qoftë edhe për të mësuar shkrim e këndim. Ata gjithmonë jam mbajtur si të zotë për memorizimin e vargjeve. Sot, përmes muzikës që kam zgjedhur të bëj dua të ruaj me fanatizëm të shkuarën, traditën, po dhe atë që nesër do të trashëgohet nëpër breza. Padyshim që muzika që bëj i jep shumë publikut. E bën nostalgjik dhe i hap shtigje të reja mendimi e kënaqësie. Unë kam dalë edhe në aktivitete ku ka shqiptarë, kryesisht në Europë, Itali,Greqi, Gjermani, Belgjikë dhe Francë. Kam qenë disa herë i ftuar nëpër koncerte. Më kanë mirëpritur kudo me ovacione. Jam munduar që këto kohë, sidomos përgjatë periudhës së izolimit t’i argëtoj njerëzit, përmes rrjeteve sociale me muzikë. Kjo e fundit është një shkarkesë e mirë e të gjithë emocioneve negative.
Cilat janë projektet, që keni në duar ?
Sa i përket projekteve të reja mund t’ju them se kam disa nëpër duar. Ato po punohen në Prishtinë. Kam bashkëpunuar dhe me kolegun tim Kastriot Kolen, me te cilin bashkepunoj prej vitesh dhe jemi kudo bashke ne evente, mbremje, dasma dhe gezime familjare. Ne vijim do kete projekte te reja ne bashkepunim me te. Kastrioti eshte solist ne ansambin “Mirdita” prej 30 vjetesh.Gjithashtu edhe me kolegun Arben Pacani me te cilin kam projekte dhe realizojme edhe mbremje artistike dhe jemi te ftuar ne dasma apo gezime familjare. Për të gjithë ata që e duan muzikën time duhet të qëndrojnë gati, pasi produksionet e reja do të jenë mjaft të veçanta.