Pas një muaji në vetë izolim,
tani jemi futur në fazën e përshtatjes,
edhe pse shqetësimet e ndryshme emocionale janë prezente.
Çdo familje tani ka formuar një rutinë të caktuar, ku secili ka mënyrat dhe zakonet e veta për të kaluar kohën. Megjithatë çdo ditë, shtëpia ka angazhimet e saj duke nisur që nga mbajtja pastër, sistemimi, gatimi etj. Nëse më parë një pjesë e ditës kalonte jashtë shtëpisë, tani qëndrimi brenda iu ka kthyer barazinë të gjithëve në kuptimin ku askush nuk mund të justifikohet se punon më shumë, apo lodhet më tepër. Madje e gjithë kjo situatë të bën të mendosh në mënyrë pozitive, ku ka ndërgjegjësuar burrat, apo edhe i ka detyruar të merren me gatim, apo me kujdesin e fëmijëve, apo me pastrim etj. Pavarësisht se duhet theksuar se ka dhe burra që edhe më parë, kanë qene përfshirë më së miri në mbarëvajtjen e shtëpisë.
Për të kuptuar nëse disa zakone kanë ndryshuar apo jo, u shpërnda një sondazh online. Pjesëmarrësit në sondazh iu shtrua një pyetje konkrete duke iu renditur më pas disa alternative.
Pyetja e sondazhit:
Si ndahen detyrat në familje midis burrit dhe gruas në mbarëvajtjen e shtëpisë në kohë izolimi?
Pjesa më e madhe ishte shprehur se gruaja angazhohet më shumë. Pjesa tjetër me një përqindje të njëjtë ishin dy alternativa:
I ndajnë punët në mënyrë të barabartë 20%
Vetëm gruaja punon në shtëpi 20%
Alternativat e tjera nuk ishin përzgjedhur asnjë herë.
Për ta plotësuar këtë çështje, përveç sondazhit më poshtë janë renditur edhe disa pjesë nga disa intervista me gra të cilat donin të ndanin pikëpamjen e tyre.
S, 44 vjeçe: “Pavarësisht se jemi të gjithë në shtëpi, unë jam ajo që zgjohem e para, diku një orë para vajzave dhe burrit, që të vë në vijë gjërat. E kam provuar të jem edhe indiferente, por shtëpia shkon në kolaps.”
I, 32 vjeçe: “Burri im edhe më parë angazhohej në disa punë shtëpie, por nuk mund të themi se i kemi ndarë në mënyrë aq të barabartë. Unë sërish bëj më shumë.
E, 28 vjeçe: “Unë punoj dhe iki fizikisht në punë. Burri im nuk ka punë për momentin. Kur shkoj në shtëpi nuk di çfarë të bëj më përpara. Fëmija do të ushqehet, shtëpia duhet sistemuar, enë për të larë. Më përpara ai justifikohej se lodhej në punë se bënte punë fizike, kurse tani thotë nuk kam nerva. Kur shkoj për të fjetur në darkë vonë, më zë frika sesi do zgjohem përsëri dhe më presin gjithë ato punë.”