Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kështu vdiq dashuria ime e vetme…

Jam Beni, nga një fshat i vogël i një rrethi në Shqipëri.

Jeta nuk është e lehtë për askënd e as për mua.

Sot jam 30 vjeç, por rrëfimin do ta nis kur po mbaroja gjimnazin dhe duhet t’i jepja një drejtim jetës sime. Në shkollë të lartë nuk shkoja dot sepse nuk isha në gjendje të mirë ekonomike. Kisha edhe dy motra. Njëra ishte e fejuar, ndërsa tjetra, e vogël. Unë isha fëmija i dytë, isha më i shkathëti dhe më i interesuari për shkollë. Motra e madhe nuk e kishte vazhduar shkollën e mesme, ndërsa unë isha drejt përfundimit të saj. Në provimet e maturës dola nxënësi më i mirë, duke marrë rezultatet më të larta në gjithë nxënësit e rrethit. Të gjithë ishin krenarë dhe këmbëngulnin që unë të vazhdoja studimet e larta. Vetëm familja ime e kundërshtonte me forcë këtë gjë. Prindërit u kërkuan si nder dajave jo lekë për të vazhduar shkollën, por që të më merrnin në Itali sapo të mbaroja gjimnazin. Kështu, unë mbarova shkollën dhe iu bashkova dajave në Itali. Italishten e flisja pak, por e kuptoja. Arrita edhe të gjeja punë sapo kisha arritur dhe ky ishte fat i madh, siç thoshte familja ime. Po kaloja ditë të qeta, por edhe të lodhshme sepse nuk isha mësuar të punoja. Një ditë kur po ikja në punë, në metro, sytë e mi ndeshen me shikimin e një vajze të ëmbël. Ishim ngjitur me njëri-tjetrin dhe dora ime preku të sajën. Në italisht i kërkova falje, por ajo uli sytë dhe zbriti nga metroja. Këto shikime të para dhe ajo prekje dore do të ishin fillimi i trazimit të ndjenjave të mia. Isha një det i qetë dhe mjaftoi vetëm një goditje me shikimin e kësaj vajze që ai të dallgëzohej. Fillova të mendoja më shpesh për të. A do të mund ta takoja më? Isha shumë i bindur se vetëm rastësia do të më takonte me këtë vajzë. Nuk kisha asgjë të sajën, vetëm imazhin e dy syve dhe ndjesinë e një përkëdheljeje. Sa mirë do ishte po të ishte shqiptare! Tani lusja Zotin jo që të kisha punë, lutje që i bënin zakonisht emigrantët, por të më jepte mundësinë ta takoja sërish këtë vajzë. Emrin nuk ia dija, por e pagëzova me emrin Xhesika. Ku do ishte tani Xhesika?

Advertisement

Kisha arritur një mirëqenie ekonomike dhe kisha marrë edhe letrat. Tani isha me dokumente të rregullta dhe mora një shtëpi me qira më vete. Nuk po jetoja më me dajat. Bleva edhe një makinë të përdorur. Edhe letrat, edhe patentën, i kisha marrë. Po kalonin ditët dhe kisha arritur që në dy vite të krijoja një gjendje të qëndrueshme ekonomike. Kishte ditë që punoja edhe me dy turne apo kisha zënë edhe dy punë. Në pak kohë, kisha arritur atë për të cilën shumë të tjerëve do t’u duheshin vite, por jo më kot thotë populli: “Tahmaja e madhe të lë pa gjë”. Ishte data 30 korrik dhe isha shumë i lodhur nga puna sepse kisha punuar dy turne dhe u shtriva shumë herët për të fjetur. E mbaj mend ëndrrën që pashë atë natë… Ëndërrova sikur më ishin rritur flokët, sikur i kisha të gjata dhe të zeza. Kisha hipur në makinën time dhe brenda kisha edhe një vajzë. Ajo ishte bukuroshja që unë e kisha pagëzuar me emrin Xhesika. Po ecja shumë shpejt me makinë dhe, nga shpejtësia, humba kontrollin e rashë në një greminë. Pas shumë rrokullisjesh, makina arriti në fund të humnerës dhe atje, shpërtheu. Ditën tjetër kisha ankth dhe nuk doja ta merrja makinën për punë, por në fakt, isha zgjuar shumë vonë dhe duhet të nxitoja. Ashtu nxitimthi mora makinën dhe po e ngisja shumë shpejt. Për fat të mirë apo të keq, rruga nga kaloja unë ishte rrugë pa shumë policë dhe mund të ecja edhe shumë shpejt.

Rrugës më doli përpara papritur një fëmijë dhe, për të shpëtuar atë, dola nga rruga dhe u përplasa me një pemë. Kur u përmenda, e gjeta veten në spital dhe mbi kokë, kisha infermiere. Doktorët më operuan krahun dhe këmbën, pasi kishin dëmtime. Më shumë më ishte vrarë këmba. Unë u përmenda pas një dite dhe, si një vegim, m’u shfaq para syve, e veshur si infermiere, Xhesika. Fërkoja sytë dhe mendoja se mos ishte nga efekti i anestezisë dhe operacioneve. Italisht, më tha:

– Mos u mërzit se do bëhesh më mirë…

Këtu kuptova se ishte shenjë e Zotit të më takonte me atë. Nga shënimi që kishte në bluzë, vura re se quhej Xhulia. Sa i lumtur ndjehesha, edhe pse kisha shumë dhimbje në trup!

Kërkova që ajo të kujdesej për mua. Çdo ditë që kalonte, ajo dukej më e mërzitur. Një ditë mora guximin dhe e pyeta nëse ishte e lidhur apo e fejuar. Ajo më tha “jo”. Si vazhdim të asaj përgjigjeje, më tha se nuk i pëlqente shqiptarët se ishin njerëz të egër dhe nuk dinin të silleshin me femrat. Më tha se nuk donte të njihej më shumë me mua, pasi e dinte se isha shqiptar. Sa më lënduan këto fjalë! Nuk e prisja këtë reagim nga kjo vajzë. Si t’ia shpjegoja asaj se unë ndjeja për të? Më shkëlqenin sytë sa e herë e shikoja. Një ditë po më vinte serumin dhe vura re se duart po dridheshin. E pyeta se çfarë kishte, por nuk m’u përgjigj dhe u largua kokulur. Edhe ajo ndjente për mua, por frika ishte më e madhe se ndjenja. Kaluan disa ditë dhe i thashë se kisha rënë në dashuri me të. Mua më duheshin edhe disa ditë të dilja nga spitali, por ky qëndrim më dukej me tepër si sezon pushimesh sepse kisha pranë atë që kisha kohë që e kisha kërkuar. Isha i bindur në vetvete se nuk do të dilja nga spitali pa u lidhur me këtë vajzë. Ditën që do të dilja, shkëmbeva numrin e telefonit. E pyeta ku jetonte, me kë dhe më e rëndësishmja kur do të takoheshim, kur do mund t’i shihja sërish sytë e saj. Pasi dola nga spitali, në Itali erdhi edhe familja ime, që e kishin marrë vesh se kisha bërë aksident. Dalëngadalë po e merrja veten. I kërkova Xhulias të takoheshim. Ajo ishte e vetme atë ditë në shtëpi dhe punë nuk kishte në spital. Për fat të mirë, jetonim të dy në një qytet. Pimë kafe në një lokal në qendër të qytetit. Mezi po prisja ta shikoja sërish. T’i shihja sytë, t’i prekja dorën, ndoshta…. Ne kishim kohë që kishim folur në telefon kur isha në spital, një njohje dhe prezantim e kishim bërë. Për këtë ditë kisha përgatitur në mendje një “plan djallëzor”. Mezi po prisja të mbaronte takimi. Dolëm jashtë, i bleva një trëndafil dhe përballë luleshitësit, e putha për herë të parë. Ishte ndjesi që s’e kisha provuar asnjëherë.

Mendova se do të merrja një shuplakë prej saj, se do të reagonte shumë ashpër, por sa larg parashikimeve të mia ishte sjellja e saj! Ajo më përqafoi fort dhe aty e ndjeva se edhe ajo e pëlqeu këto puthje. Pas kësaj, më tha:

– Më fal për racizmin ndaj shqiptarëve, por edhe unë jam shqiptare nga babi. Vetëm se im atë e mashtroi nënën time dhe e la për një tjetër. Ai na braktisi…

S’e përshkruaja dot emocionin që ndjeja. Aty, i thashë: “Kurrë nuk do të të braktis, hëna ime. Ti do jesh gjithmonë me mua. PËRGJITHMONË, do jemi bashkë”.

Që aty, u nisëm për në shtëpinë time. E dija që familja ishte brenda dhe do ta mirëprisnin atë që unë në mendje e zemër e kisha vendosur që do ta kisha gruan time për gjithë jetën. Ajo po habitej dhe i thashë: “Vetëm më beso sepse tani po ikim në shtëpinë tonë!”. Sa u lumturua ajo, sa e qetë dhe e gëzuar dukej! Familja ime e priti krahëhapur dhe i pëlqeu shumë Xhulia ime. Edhe ajo u ndje mirë në shoqërinë e tyre. Ditën tjetër ikëm në shtëpinë e saj. Jetonte me të ëmën, që e kishte doktoreshë. U fejuam dhe për shumë pak muaj vendosëm të martoheshim. Gjithçka po shkonte për mrekulli. Ishim të gëzuar e të qetë mes punës dhe dashurisë. U martuam para Vitit të Ri. Familja ime, pas dasmës, u kthye në Shqipëri. Shtëpinë që kisha me qira, e bleva. Ajo vazhdonte punën në spital. Pas tre muaj martese, Xhuli më dha lajmin më të bukur për një çift: Do bëheshim me një djalë. Sa u gëzuam të gjithë! I kërkova Xhulias që ta merrte nënën e saj të jetonte në shtëpinë tonë, që të mos ishte vetëm, plus që ajo shumë shpejt do dilte në pension dhe kjo do e bënte më të vështirë jetesën e saj në vetmi. Ajo do ishte ndihmë për Xhulian kur të lindte fëmija dhe në fakt, kështu ndodhi. Shtatzania e saj po kalonte pa shumë probleme. Fëmija ishte i shëndetshëm. Mezi po prisnim ditën kur ai të vinte në jetë. I kishim blerë shumë rroba të bukura. Xhulia ishte në muajin e nëntë të shtatzanisë. I duhej edhe një javë për të lindur, por në fakt, bebi ynë nuk po duronte dot të vinte në jetë. Kur po nisesha për të dalë nga shtëpia për në punë, asaj i nisën dhimbjet e lindjes. Ashtu, hipëm në makinë dhe me shpejtësi, shkuam në spital. Aty më thanë se gruaja ime nuk mund të bënte lindje natyrale, por me operacion. Më shpjeguan se fëmija ishte në pozicion të keq dhe kishte shumë mundësi që njëri nga të dy, të mos jetonte. Më thanë se duhet të zgjidhja mes jetës së time shoqeje dhe tim biri. I thashë t’i shpëtonin të dy, por e dija që kjo ishte e pamundur. I kërkova që përpara se të vendosja dhe se ta fusnin në operim, të shkoja ta takoja. Ma dhanë këtë leje. Sapo hyra, pashë dhimbjen, frikën e mallin në sytë e saj. Më kujtohen si sot fjalët e saj: “Të dua mbi gjithçka e gjithkënd. Je dashuria e parë dhe e vetme e jetës sime. Je gjëja më rëndësishme dhe e shtrenjtë që kam, por të lutem, nëse të kërkojnë të zgjedhësh mes jetës sime dhe të fëmijës sonë, shpëto fëmijën. Shpëto frytin e dashurisë sonë!”.

Sytë m’u mbushën me lot dhe i thashë të mos mërzitej se të dy do të shpëtonin dhe do të ishim shumë të lumtur. Aty i thashë se edhe ajo ishte e para femër dhe dashuri e jetës sime. Gjithashtu, e vetmja. Kur dola, i thashë doktorit se zgjidhja jetën e gruas sime. Nga ora dy nisi operacioni. Ai po zgjaste. Shkoi ora katër, kur papritur u hap dera e sallës dhe ata më thanë:

– Na vjen keq, por nuk mundëm ta shpëtonim…

– Kë? – pyeta dhe më thanë se isha bërë me djalë, por gruaja ime kishte vdekur. Ajo nuk kishte arritur ta përballonte operacionin. Aty mbaroi edhe jeta ime. Ndjenjat dhe ndjesitë për femër, aty u shuan. Bashkë me to, u shua edhe mundësia për të qeshur e për të qenë sërish i lumtur në këtë botë. Kisha edhe një peng tjetër, se nuk bëra atë që më tha ajo. Më sollën fëmijën ta mbaja, por nuk e prekja dot. Të gjithë u habitën nga ky refuzim. Vjehrra ime ishte e shkatërruar e unë, po ashtu. Familja ime ishte e habitur dhe e sikletosur se nuk dinin si të më ngushëllonin. Pas dy ditësh, bëmë varrimin. Si do ta shtyja jetën time tani? Si do ta përkëdhelja atë qenie që ishte fajtore për vdekjen e personit më të shtrenjtë në jetën time? E quajta Xhulio, si dashuria ime. Me të u mor vjehrra ime, edhe pse shpesh vinte edhe nëna ime kur unë i nxirrja vizën për të ardhur në Itali. E ëndërroja çdo natë, sikur ishte me mua dhe pranë meje. E ëndërroja njëlloj si atëherë kur ishte ende enigmë për mua. Ëndërr ishte edhe jetesa me të, ëndërr që mbaroi shumë shpejt. Ishte ëndrra më e bukur që kam jetuar, ëndërr që do ta jetoj derisa të mbyll sytë e të bashkohem me të në botën tjetër.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

I dashuri më ka mbyllur brenda!

Next Post

A rrezikohen të gjitha gratë nga osteoporoza?

Advertisement