Unë që po ju shkruaj jam një grua 40 vjeçe. Jam martuar në moshën 20 vjeçare me shkuesi.
Sipas meje, këto martesa paragjykohen, sepse martesa ime në 10 vitet e para ishte një martesë e mrekullueshme.
Edhe po ta kisha njohur vetë burrin tim, nuk do ta doja aq shumë. Nuk isha vetëm unë ajo që ndjeja dashuri (të paktën kështu mendoj unë), por edhe ai më donte shumë e më respektonte. Ne jetonim me familjen e tij dhe ishim shumë të lumtur. Unë punoja në një fabrikë këpucësh dhe ai ishte saldator. Kishim një jetë të thjeshtë e të bukur. Zoti na bekoi me dy fëmijë; dy djem e çdo gjë shkonte vaj. Por, siç thonë, se nuk duhet të shkojë vaj sepse rrëshqet. Të paktën, kështu po e justifikoj unë atë që na ndodhi ne të dyve…
Pas gati 10 viteve martesë, ai ndryshoi shumë, nuk ishte më ai i pari. Unë ia vija fajin vetes dhe mendoja se isha unë shkaku që diçka nuk po funksiononte. Kjo ide m’u fiksua sepse ai ndryshoi sjellje vetëm me mua e jo me fëmijët a prindërit e tij. Në këtë kohë, neve na ndodhi një fatkeqësi; vdiq vjehrri im. E doja shumë, prandaj edhe u mërzita shumë. Edhe burri im u mërzit shumë. Edhe vjehrra, po ashtu. Ajo ishte një grua shumë e mirë dhe e dashur. Sa herë burri acarohej, ajo mbante anën time dhe unë ndjehesha shumë e sigurtë afër saj. E doja më shumë se nënën time.
Çdo ditë që vinte, ai bëhej më i keq. Këtë hall të madh që kisha, ia shpreha një shoqes sime në punë. Ajo më tha se duhet të ndahesha ose të paktën t’i thoja atij se po të mos më trajtonte mirë do të ndahesha prej tij, në mënyrë që ta frikësoja. Kështu bëra. Kur i thashë fjalët që kishim menduar me shoqen time, ai më tha: “Je e lirë, mund të ndahesh kur të duash!”. Unë fillova të qaja me të madhe dhe u xhindosa. Bëra rrobat gati dhe u nisa për te shtëpia e prindërve të mi. Fëmijët i mora me vete. Vjehrra qante në derë dhe më lutej të mos ikja, por shprehja e fytyrës së tij, e cila thoshte: “ik sa më shpejt”, i mundte lotët dhe përgjërimet e vjehrrës. Ajo e shante dhe i thoshte se duhet të më lutej për të mos ikur, por ai nuk bëri as gjestin më të vogël për të më ndaluar. Ika.
Te prindërit e mi nuk gjeta ngrohtësinë që prisja sepse aty komandonte nusja e vëllait dhe asaj i dukeshin barrë mbi supe prindërit tanë e jo më unë, që isha kunata. Fëmijët u mërzitën shumë shpejt, ndaj nuk më mbetej gjë tjetër vetëm të kthehesha nga kisha ardhur. Mirë thonë: “Vajza lind në shtëpi të huaj e shkon në shtëpi të vet”. Si t’ia bëja? Ai nuk ishte interesuar fare për mua, madje nuk i kishte rënë ndërmend as për fëmijët e tij, por unë nuk kisha zgjidhje tjetër. Mora fëmijët dhe shkova te shtëpia e burrit. E gjeta vjehrrën në oborr. Ajo, sapo më pa, shtangu në vend. Unë po prisja të vinte, të më hidhej në krahë e të përqafonte nipërit e saj, por ajo kishte ngrirë e gjallë.
– S`po më njeh? – i thashë me shaka, por as kjo shaka nuk e bëri të lëvizte. Sa po i afrohesha afër ta përqafoja e ta “shkrija”, dëgjova një zë gruaje:
– Mama, ku t’i lë këto perimet?
Në derë u shfaq një vajzë e bukur, shumë e re. Në fakt, edhe unë e re isha, por ajo ishte shumë më e re se unë. Edhe ajo shtangu aty në derë e nuk foli më.
– Kush je ti? – i thashë sikur të mos e njihja. Ajo ishte fqinja jonë. E kisha parë për gati 10 vjet çdo ditë e gati çdo orë, po s’e kuptoja pse ajo po i thërriste “mama” vjehrrës sime. Atëhere vjehrra “e mori veten”, si duket, u kapërdi e foli:
– Qëkur ike ti, kam patur nevojë për një femër të më ndihmojë në punët e shtëpisë, kështu që… – donte të fliste, por nuk arriti sepse në oborr u fut burri im. Ai, në të vërtetë, nuk ishte i njëjti që kisha lënë. Dukej sikur mezi priste të futej në shtëpi, ndërkohë që herët e tjera i tërhiqte këmbët sikur t`i kishte të këputura. Ai, sapo më pa, u ngrys, sikur të kishte parë ndonjë fantazmë. Fëmijët iu hodhën në qafë dhe po e mbysnin me të puthura. Ishte një skenë shumë mallëngjyese. Menjëherë në mendjen time fajësova veten si gjithmonë se ç`u kisha bërë fëmijëve që i kisha mbajtur larg babait të tyre, por harrova përsëri veten, harrova se ç`ishte e mirë për mua.
Ai bëri dy hapa drejt meje dhe më dha dorën e më tha:
– U ktheve?
– Po – iu përgjigja instiktivisht.
– Mirë bëre! – më tha dhe përshëndeti nënën e tij e cila nuk e kishte marrë ngjyrën e fytyrës normale akoma dhe bëri nga dera, ku rrinte vajza, fqinja jonë.
– Mirëdita! Si ia kalove? U lodhe? – i tha.
– Jo. Po ti? – ia preu shkurt ajo.
– Hajde, – më tha mua, – futuni brenda! Mos rrini në oborr.
Ashtu bëmë. U ulëm. Ajo na solli kafet mua, vjehrrës, burrit tim, ndërsa fëmijëve u solli nga një lëng. E pimë kafen të gjithë pa folur. Na duhej ajo kafe për të na forcuar të gjithëve zemrën, që për çudi, rrihte akoma, në vend që të kishte pushuar së rrahuri. Fëmijët kërkuan leje të dilnin të luanin. Ai ua bëri me kokë në shenjë pohimi. Mbetëm unë, vjehrra, burri dhe fqinja. Ai foli:
– Siç e sheh, punët kanë ndryshuar që kur ike ti. Ti e ke parë që lidhja jonë ka kohë që nuk po ecën dhe kjo jo për fajin tonë. Faji është i prindërve tanë që na martuan pa dashuri. Kjo gjë nuk mund të rregullohet sepse kanë kaluar kohë e s`mund të kthehemi pas. Meqenëse këtë nuk e bëjmë dot dhe unë padashur kam gjetur dashurinë e jetës sime, kam menduar të mos e çoj dëm këtë dashuri. Ti je e lirë të bësh ç`të duash. Dije se edhe ty të dua, por në një mënyrë tjetër. – ai tha shumë fjalë… Dukej sikur ishte një tjetër njeri që po fliste dhe jo ai saldatori i thjeshtë me të cilin isha martuar.
Kuptova se e doja shumë atë njeri dhe duke e ditur se nuk kisha ku të shkoja e ku të përplasesha i thashë:
– Unë mund të iki që tani, por a mund të jetosh ti pa fëmijët e tu? A do mund të jetojnë ata pa babanë dhe gjyshen e tyre? Në oborr ata të shtrënguan e nuk të lëshonin vetëm se s’të kishin parë për një javë, po sikur të rrinë më shumë? Po më lejove ti, unë do të jetoj këtu.
Ai ngriti sytë i befasuar. Këtë s`e kishte menduar. E vërteta ishte se unë e dashuroja, por nuk ia thashë që të mos e ulja veten time. Në fakt, unë po e zhysja në llum veten time, por ja që e bëra. Në moment, m`u duk se shpëtova që thashë ato fjalë, por nuk e dija se ai do të kishte qenë çasti më i lehtë nga ata që do ta pasonin.
Ditët në vazhdim ishin normale. Ai flinte në dhomën e miqve ku kishte vënë një krevat. Fëmijët më pyesnin se pse fqinja rrinte te ne dhe unë u thoja se ajo ishte jetime dhe nuk kishte ku të rrinte. Ndihmonim njëra-tjetrën në punët e shtëpisë. Unë në punë nuk shkova më sepse nuk doja të përballesha me shoqet, por i takoja në rrugë e ato nuk më pyesnin për asgjë. E ç’do më thonin? “Sa e trashë je treguar”? Nuk kishte fjalë që do ta përshkruante atë që bëra. Ai nganjëherë vinte në dhomën time e më trajtonte sikur të isha një princeshë. Vjehrra vuante shumë. Ajo nuk dilte si më parë të rrinte me shoqet. Edhe kur dilte, nuk vonohej shumë. Asnjëherë nuk e bëmë bisedën që duhet të bënim, por vitet kaluan dhe të gjithë u mësuan më këtë gjë. Çdo gjë ishte normale për të gjithë ne. Ai bëri dy fëmijë të tjerë me atë, një vajzë e një djalë dhe unë e ndihmova shumë që t’i rriste. Ajo ishte e re dhe duke qenë jetime, nuk kishte patur se kush ta mësonte për asgjë, prandaj edhe kishte gabuar, madje më besoni, më dhimbset se mund të jetë penduar me mijëra herë për atë që bëri. Po nejse, vetë e kërkoi. Jeta vazhdoi normalisht, sidomos për burrin tim i cili ishte si veshka mes dhjamit. Vjehrra ime vdiq pas 5 vitesh. Tani, djali i madh është në shkollë jashtë shtetit dhe mëson shumë mirë, por vjen shumë rrallë. Djali tjetër është duke mbaruar gjimnazin dhe do të shkojë tek i vëllai të studiojë atje. Me mua nuk e di ç’do të bëhet, ndoshta do të shkoj edhe unë tek ata, sepse veç ata kam në këtë jetë. Prindërit e mi nuk jetuan shumë gjatë dhe me vëllain e nusen më ndan një humnerë e madh, një humnerë që më shkatërroi jetën. Megjithatë, jeta vazhdon. Nuk ka gjë të mirë apo të keqe, varet se si e sheh. Çdo e keqe ka brenda edhe një të mirë.