Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

E doja dhe e urreja fëmijën tim!

Nuk e di nga duhet t’ia nis, por di se ndjehem shumë keq për këtë që do t’ju rrëfej. Po të nis t’i them hollësisht gjërat që më kanë ndodhur, e di që nuk do kishte fund dhe do të duheshin faqe të tëra gazete, por do t’ju them thelbin e historisë time dhe ato çfarë kam kaluar 8 vitet e fundit.

Gjithçka filloi kur po ndiqja një kurs profesional. Duke e pasur të pamundur të filloja universitetin, u regjistrova në një shkollë profesionale disa mujore, që më jepte mundësinë të gjeja ndonjë punë të paktën si sekretare. Isha vajza e madhe e shtëpisë dhe kisha një vëlla të vogël pas meje. Babain e kisha gjysëm të paralizuar nga një aksident në punë dhe ai merrte vetëm pension kempi, ndërsa mamaja punonte në rrobaqepësi. Vëllai i vogël ishte në shkollë dhe e kishim si dritën e syve. Megjithëse në gjendje ekonomike jo të mirë, ishim një familje shumë e rregullt dhe kishim shumë harmoni. Për të ndihmuar mamin dhe babin tim, punoja edhe unë, veç shkollës. Nuk ishin punë zyrtare, por punë që të fitoja diçka të paktën për të mbajtur veten dhe familjen. Një ditë, ndërsa po shkoja në shkollë, pashë një djalë që po më ndiqte nga mbrapa. Nuk e kisha parë më parë, por çuditërisht, ai më thërriti në emër. E quanin Arjan dhe, sipas asaj që më tha, më kishte parë disa herë në autobus, por s’kishte pasur guximin të më fliste. Më tha që kishte dëshirë të njihej me mua dhe unë, si vajzë e ndrojtur e me një lloj kompleksi prej provincialeje, i thashë: “Nuk dua të të njoh!”. Përgjigjja e tij ishte me një lloj ashpërsie që dhe tani kur e kujtoj, qesh pak me veten sepse në fund të fundit ai nuk më ndaloi me forcë, u tregua i interesuar të më njihte. Kaluan ditët dhe vazhdimisht e shikoja në rrugë rastësisht ose dilte enkas, siç e mora vesh më vonë, por nuk më fliste. Fillova ta simpatizoja, sepse tregohej shumë i matur dhe i qetë në sjelljen e tij. Kisha filluar të lutesha që të më ndalonte përsëri, aq shumë po më pëlqente. Për këtë i isha shprehur dhe shoqes time të ngushtë, Zanës dhe ajo gjithnjë tallej me mua, duke më thënë: “Ja si të dridhet zëri kur flet për atë… Budallaqe, ke rënë në dashuri dhe nuk e njeh fare”.

Unë e pashë një ditë sërish kur po shkoja në shkollë dhe këtë herë i ngadalësova hapat e mi, bëra sikur e pashë padashje dhe ai më buzëqeshi. M’u afrua, më përshëndeti dhe ia ktheva përshëndetjen. Më pyeti për shkollën dhe pastaj më kërkoi sërish të dilnim për kafe. Këtë herë, sigurisht që pranova. Dolëm në kafe dhe kjo ka qenë një nga ditët më të bukura që kisha kaluar ndonjëherë. Folëm për tema të ndryshme, më pyeste vazhdimisht mua, ishte i interesuar për gjithçka që kishte të bënte me mua. Ai punonte dhe kishte një familje normale e me tradita, siç shprehej ai. Kështu vazhduan takimet tona të përditshme, derisa e kuptuam që duheshim. Gjithçka lindi kaq natyrshem sa u lidhëm pa e kuptuar. Unë i tregoja dhe ai më tregonte gjithçka për jetën e tij, për punën, për planet për të ardhmen. Kështu kaluan disa muaj, unë e mbarova shkollën dhe duhej të gjeja patjetër një punë. Shpesh i thoja edhe Arjanit të më ndihmonte të gjeja një punë. Si për çudi, Arjani më kishte gjetur një variant pune. Ai erdhi shumë i gëzuar drejt meje dhe më tha:

Advertisement

– Zemër, të kam gjetur punë në një firmë private. Do të punosh si asistente dhe rroga është shumë e mirë. E njoh shefin sepse dikur punoja agjent në ato zyra dhe është fantastik fare.

– Faleminderit Arjan, nuk e di se çfarë do të bëja pa ty, sinqerisht, të dua shumë.

– Ej, mos u bëj kaq sentimentale tani, duhet të punojmë të dy shumë sepse duhet të ndërtojmë një të ardhme bashkë, do formojmë familje.

– Çfarë? Ti po më propozon apo po më bëjnë veshët mua? – i thashë.

Ai më përqafoi fort dhe më tha se më donte shumë e donte të fejohej me mua. Në ato momente, nuk pushoja së qari nga gëzimi. Nuk e prisja kaq shpejt, aq më tepër që ai nuk më kishte folur kurrë për planet e tij në lidhje me mua. Një ditë lamë takim me familjen e tij dhe ai më prezantoi. Gjithë gëzimi që kisha për t’u fejuar, atë ditë sikur m’u thye pak, jo nga Arjani, por nga mamaja e tij. E lexova në sytë e saj që nuk ishte dakord me këtë fejesë. Megjithëse Arjani nuk shprehej, ia lexoja në sy trishtimin, çdo ditë që kalonte. Një ditë nuk e mbajta dot dhe e pyeta hollësisht duke këmbëngulur. Doja të dija me çdo kusht se çfarë kishte ajo kundra meje. Nuk më donte sepse vija nga një familje jo intelektuale dhe e varfër, nuk isha në nivelin e saj. Ajo kishte dashur ta fejonte me një tjetër. Megjithatë, Arjani ia kishte bërë të qartë ndjenjat për mua, sado që ajo i kishte thënë: “Nuk të kam më për zemër si djalë, siç të kam pasur”.

E çuditshmja ishte se Arjani më jepte zemër mua dhe nuk e tregonte aspak trishtimin që i kishte shkaktuar nëna e tij. Unë ndërkohë fillova punën e re, që më dukej e përshtatshme. Në fillim e pata të vështirë të mësoja, por shefi u tregua shumë i komunikueshëm dhe i gatshëm të më ndihmonte. Ishte tip i qeshur dhe me shumë humor. E kisha menduar të vjetër, por ishte i ri dhe i fejuar me një vajzë shumë të bukur. Arjani vinte dhe më merrte çdo ditë nga puna. Ndonjëherë vihesha në siklet, sepse sa dilja unë te dera, ai më puthte e më përqafonte dhe shefi im gjithmonë bënte humor me ne:

– Ja si përvëlon rinia, dashuria… Kështu po, ka lezet, si dy pëllumba jeni. – dhe përshëndetej me Arjanin gjithnjë.

Bëra një vit punë dhe hyja e dilja në shtëpinë e Arjanit si e fejuara e tij. Në këtë kohë më filluan problemet më serioze në jetën time private. Me Arjanin kisha filluar të gërricesha sepse na fuste gjithnjë në sherr e ëma e tij duke më përbuzur mua. Ishte krijuar një gjendje pak e acaruar mes nesh. Jo sepse e ngacmoja unë, por ai rrinte gjithnjë pa folur dhe unë i flisja sepse nuk doja ta shikoja ashtu të mërzitur. Gjendja ime jo e mirë shpirtërore ishte shfaqur tashmë dhe në punën time. Rashë dhe në sy të shefit tim, saqë një ditë, megjithëse nuk kishim shumë konfidenca, ai filloi të më pyeste…

– Eva, e di që unë jam punëdhënësi dhe jo miku apo shoqja jote, por e kuptoj që nuk je mirë. Nëse ka ndonjë gjë për të cilën unë mund të të ndihmoj, shoqërisht ose si koleg pune, por pa të vënë në siklet, jam i gatshëm. Po Arjani, nga bëhet që nuk vjen më?

– Faleminderit që më pyet, por s’kam asgjë, jam mirë. Jam vetëm pak e lodhur, asgjë më tepër.

– Në rregull, unë po të jap disa ditë pushimi, çlodhu pak. Pa merak, punën tënde do ta bëj unë.

Fjalët e tij më ngrohën shumë, pasi kisha kaq shumë kohë që ndihesha keq shpirtërisht dhe nuk dija si ta falënderoja për gjestin që po bënte.

– Të falenderoj sërish, por më mirë të punoj, kështu do ta heq mendjen. – i thashë.

Kaluan edhe disa muaj të tjerë dhe Arjani i kishte harruar premtimet që më kishte bërë, që do të martoheshim atë verë. Përkundrazi, sa vinte e po ftohej, nuk ishte më ai djali i dashur dhe i ngrohtë që kisha njohur. Edhe në shtëpinë e tij nuk shkoja më sepse gjithmonë do të shpërthente ndonjë debat nga ana e mamit dhe e motrave të tij. Edhe ato kishin filluar të ishin kundra meje. Ndonjëherë i dëgjoja teksa flisnin për mua, duke i thënë: “Ku e gjete këtë ngordhalaqe? Ajo është thëngjill i mbuluar, rrezik ta dredh edhe me shefin se sekretarja e tij është!”. Këto dhe fjalë të tjera, pa fund, më çuan në një gjendje psikologjike shumë të rëndë dhe plasi një sherr aq i madh saqë desh u vramë të dyja familjet sepse babai im, edhe pse ishte invalid, kishte burrëri dhe fisnikëri e më mbronte shumë.

Përfundimisht, u ndava nga Arjani dhe kalova një gjendje depresioni shumë të rëndë, të cilën s’do ta harroj kurrë. Ai asnjëherë s’më pyeti se si isha, por vetëm ankohej për gjendjen e krijuar në familjen e tij. Sikur të mos mjaftonte kjo, pas ndarjes, mësova se isha shtatzënë. Për këtë fola me shefin tim, të cilin kisha filluar ta shikoja si shokun tim më të mirë. Ai më këshilloi që të flisja me Arjanin, sepse vetë nuk komunikonte më me të pas një grindjeje në rrugë ngaqë Arjani ishte bërë xheloz për mua.

Kështu, unë i tregova Arjanit, por nuk do ta besoni këtë që po ju them; ai nuk pranonte kurrsesi që ai fëmijë ishte i tiji. Bëra një debat shumë të madh me të, por aty m’u vërsulen të gjithë si familje; mamaja e tij, motrat dhe babai, duke më akuzuar se e kisha me shefin. Sa nuk më ra tavani mbi kokë! Nuk dija çfarë të bëja me atë fëmijë. Shkova në familje dhe mami im u skandalizua, sepse i trembej fisit tim dhe kishte frikë se mos do bëhej gjëma. Dajallarët i kam shumë fanatikë dhe po ta merrnin vesh, ata mund ta vrisnin Arjanin. Më duhej të merrja një vendim, sa e doja këtë fëmijë e sa doja ta hiqja. Duke marrë mendimin e shoqes time të ngushtë dhe të shefit tim ose më mirë, shokut tim, le të themi sepse tashmë e kisha vërtet shumë shok dhe nuk e shikoja më si punëdhënësin tim, duhej ta mbaja fëmijen, ama të ikja në një shtet tjetër. Me ndihmën e Armendit emigrova në Itali. S’e merrni dot me mend se si e lashë familjen time, babain tim, duke qarë te porta sepse ai kishte ëndërruar gjithnjë që unë të isha afër tij, por i premtova se një ditë do të kthehesha sërish pranë tyre. Fëmijën duhet ta mbaja, me shpresën se një ditë Arjani do të pendohej dhe do të kthehej pranë meje e bebit tonë.

Muajt e parë të emigrimit kanë qenë një torturë për mua. E imagjinoni dot një vajzë të vetme, shtatzënë, të braktisur nga i fejuari i saj, që e la familjen mes gjithë atyre problemeve… si mund të ndihesha? Ndihesha tmerrësisht e shkatërruar nga nervat dhe malli për familjen. Armendi më kontaktonte gjithnjë dhe më qëndronte pranë me këshillat e tij prej një miku shumë të mirë. E them me plot gojën se ai ishte dhe është një njeri shumë i mirë. Dhe të mendosh që ndonjëherë më dukej i rrezikshëm, mendjemadh dhe aventurier, por nuk ishte aspak kështu. Ai ishte i mirë me gjithë punonjësit e tij, por e pranonte që për mua kishte krijuar një respekt të veçantë, pa më keqkuptuar, thjesht, respekt shoqëror, sepse ai tashmë ishte i martuar me Anjezën, gruan e tij të bukur, e cila nuk dyshoi kurrë në shoqërinë tonë. Ndërsa familja e Arjanit shpërndanë fjalët më të ulëta për mua dhe Armendin, por nuk ia vlen të flitet për to. Pavarësisht kësaj, e doja përsëri Arjanin, por edhe e urreja njëkohësisht. E merrja ndonjëherë në telefon, por përsëri nuk i mbushej mendja që ai fëmijë ishte i tij. I thoja që do bënim të gjitha analizat, që kisha nevojë për të, që isha e vetme, por nuk donte t’ia dinte. Kisha arritur në muajin e shtatë dhe isha në një gjendje psikologjike më të rëndë sesa kur u ndava me Arjanin. E di që do të më gjykoni, ndoshta do më mallkoni, por fillova ta urreja fëmijen që kisha në bark. S’e doja më! Ashtu siç urreja Arjanin, nuk e doja më as fëmijën tim. Qaja me dënesë, bërtisja dhe shfaqja shenja depresioni. Për këtë arsye, më shtruan disa herë në spital. Flisja edhe me familjen dhe vetëm zëri i tyre më qetësonte, por përsëri bëhesha keq kur e mbyllja receptorin. Erdhi dita e lindjes, u shtrova dhe linda një djalë të shëndetshëm, të bukur, të ëmbël. Në fillim, kur e pashë, qeshja dhe qaja me zë saqë edhe infermierët dhe doktorët habiteshin nga ulërimat e mia. E shtrëngoja thua se doja ta vrisja, i shpreha gjithë dashurinë time atij fëmije një javë rresht, por edhe urrejtjen time për të. E dija që po bëja gabim, por tashmë nuk isha e ndërgjegjshme për ato që bëja. Doktorët më thonin që kisha depresion paslindjeje sepse kisha shfaqur shenja jo të mira, me veprime prej krimineleje, por pas disa trajtimesh, më nxorën nga spitali. Jetoja vetëm në një pallat të vogël dhe nuk kisha fuqi të kujdesesha për vogëlushin tim të gjorë. Vetëm i bërtisja dhe i qëndroja larg sepse nuk e shikoja dot. E doja shumë, por kur e shikoja, më kujtonte Arjanin. E kuptova që nuk isha e zonja ta rrisja këtë fëmijë, pastaj më ishte fiksuar diçka që kishte shprehur një nga doktoreshat në maternitet. Unë isha si e përgjumur dhe dëgjova t’i thoshte doktorit: “Ky fëmijë është në rrezik të madh nëse e lëmë të vetëm në duart e kësaj nëne. Ajo është e sëmurë dhe jeton vetëm. Nuk mund ta lëmë vetëm”…

E kuptova që ajo kishte pasur të drejtë. E merrja Arbrin tim, e puthja, e shtrëngoja fort saqë ai qante nga dhimbjet që i shkaktoja e pastaj e përplasja pas krevatit. Edhe tani që po shkruaj këtë histori po çmendem me veten nga këto që i kam bërë shpirtit tim të vogël, zemrës, jetës time, për të cilin tani jam gati të jap jetën. Duke e parë gjendjen time kaq të mjerë dhe të rrezikshme për vogëlushin tim të gjorë, vendosa ta braktis. Mes një dhimbjeje shumë të madhe, e lashë te porta e një kishe dhe u zhduka përgjithmonë nga ai vend. Tashmë kanë kaluar 4 vjet dhe e di që ai është shëndoshë e mirë, në një familje që e duan, ndërsa unë vuaj akoma për gabimin më të madh të jetës time; që e braktisa vogëlushin tim. Do jepja gjithçka që ta kisha përsëri në krahët e mi, por e di që tashmë është vonë. Në fund të fundit, e meritoj këtë dënim që vuaj e vetmuar dhe s’ka natë që nuk qaj për vogëlushin tim, Arbrin. Ajo çfarë më mban gjallë është vetëm ideja që një ditë, kur ai të rritet dhe të jetë pjekur, do bëj një përpjekje thjesht për ta takuar, për ta puthur me shumë mall, ndoshta për herë të fundit. Shpresoj vetëm që Arbri të më kuptojë dhe ta falë këtë nënë mizore sepse nuk mendoj kurrësesi t’i shkaktoj dhimbje duke e ndarë edhe nga familja e cila e ka mirëpritur dhe rritur. Jam e sigurtë që ai është shumë mirë pasi ka prindër të mrekullueshëm që po e rrisin… vetëm kjo gjë më qetëson!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Pse i sheh të tjerët gruaja ime?

Next Post

Pyetje-përgjigje për seksin…

Advertisement