Bombola e gazit
– Kam parë në ëndërr sikur në shtëpinë time po pëlciste bombola e gazit dhe nga frika, po organizonim mënyrën si të iknim. Unë, bashkë me motrat e mia, po përgatisnim valixhet me rrobat tona më të mira, ndërsa babai kishte ndezur makinën dhe po na priste bashkë me mamin. Kur po hipnim në makinë, dëgjova mamin që po thoshte: “Shpërthimi i bombolës do të shkatërrojë gjithë pallatin” dhe po mendoja pastaj për njerëzit e tjerë që ishin brenda e s’po iknin, si puna jonë. Ashtu, e trishtuar për ata, u zgjova nga gjumi. A mund të më thoni ju lutem çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Anisa.
– E dashur Anisa, ëndrra ka lidhje me familjen tuaj dhe tregon për një situatë jo të mirë që do t’ju krijohet. Në shtëpi do t’ju dalë një problem që do të diskutohet shumë dhe për momentin do të tmerroheni nga lajmi që do të merrni. Kjo s’do të thotë që bëhet fjalë për ndonjë vdekje, hiqeni nga mendja. Bëhet fjalë për një muhabet familjar që do të bjerë si bombë, por sipas asaj që keni parë, ju do ta kaloni këtë gjendje shumë lehtë dhe pa panik. Nuk do t’i largoheni problemit, por do ta zgjidhni pa e bërë shumë të madh dhe do të rigjeni ekuilibrin familjar që e mendonit të humbur.
Kantier pune
– Unë isha në një kantier pune që ishte nën tokë dhe shefi më kishte lënë mua si kontrollues të punës. Shikoja punëtorë me shumicë, por s’e kuptoja natyrën e punës. Ata bërtisnin me të madhe dhe ishin të nxirë. Unë mundohesha t’i kontrolloja, por nuk ia arrija dot. E pashë që nuk po bëja dot gjë dhe i thashë drejtorit se nuk ia dilja dot. Ai më mori për krahu, më vuri sipër një piedestali dhe më tha: “Vetëm kështu mund t’i kontrollosh”. Ashtu, duke i vështruar nga lart, më doli gjumi. Artani.
– I nderuar Artan, në fushën e punës do të keni disa diskutime të cilat për momentin mund t’ju vënë me shpatulla pas murit. Do t’ju jepet mundësia të keni një pozicion të mirë pune, por për shkak të konfliktit që do të keni që në hapin e parë, do të trembeni dhe do të distancoheni. Ju mendoni shumë, por asnjëherë nuk i vini në jetë aftësitë tuaja. Qëndroni më shumë i mënjanuar dhe i tërhequr edhe atëhere kur e dini se është më mirë të veproni kështu. Prandaj edhe ëndrra ju fton me këshillën e saj se duhet të nxirrni në pah pozicionin tuaj. Vetëm duke ruajtur qetësinë dhe duke vepruar në praktikë, do të merrni atë pozicion që e kishit ëndërruar prej kohësh. Dhe përfundimi i ëndrrës tregon një të ardhme pozitive me të ardhura të mira.
Dy gra që ziheshin
– Ëndrra që kam parë është vërtet e çuditshme. Isha në oborrin e pallatit dhe pashë dy gra që po ziheshin. Njëra ishte e bardhë dhe tjetra jevgë. Jevga po i thoshte: “Jeni racë e keqe, përfitoni nga shtresat e varfëra” dhe shumë gjëra të tjera negative që i shprehte me agresivitet, ndërsa e bardha po i thoshte: “Ju jeni racë e pisët, hajdutë dhe shumë të zhurmshëm”. Aq shumë po ziheshin sa desh filluan të rriheshin, por u hyra unë në mes dhe u ndanë. Nuk mbaj mend më asgjë. Ç’do të thotë? Ermira.
– E dashur Ermira, të dyja këto gra përfaqësojnë anët tuaja të brendshme që shpesh nuk e dini që i keni brenda vetes. Gruaja e bardhë tregon ndërgjegjen e pastër dhe të drejtpërdrejtë që i thotë gjërat ashtu siç i shikon, ndërsa gruaja jevgë përfaqëson atë lloj karakteri që shpreh ashpërsi dhe vulgaritet në të njëjtën kohë. Këto dy lloj karakteresh ngrenë krye sipas situatave të ndryshme brenda jush dhe ju mundoheni t’i sheshoni me njëra-tjetrën që të nxirrni më të mirat e mundshme prej vetes. Pra, ëndrra ka lidhje më shumë me psikologjinë dhe mënyrën se si e drejtoni ju veten. Mendoj se jeni person shumë i thellë në mendime dhe gjithçka e analizoni në jetë.
Prifti dhe rrëfimi
– Ishim në kuzhinë dhe ishte krijuar një atmosferë shumë e trishtuar. Mami im ishte me një prift dhe po rrëfehej. Prifti donte që ne të rrëfeheshim të gjithë. E mbylli dritaren kur filloi të rrëfehej mami dhe ai po sillej shumë ashpër me të. Pastaj filloi me motrën time dhe sillej në të njëjtën mënyrë. Unë s’doja të rrëfehesha, sepse më dukej shumë antipatik ky prifti. Mami im ishte komplet e zverdhur dhe dukej shumë keq. Më tha motra: “Duhet të rrëfehesh dhe ti”. I them: “Unë s’kam bërë mëkate që të rrëfehem te ky prift koti” dhe ika me vrap, kur shoh që mbrapa meje po vraponte prifti që të më kapte. Herë pas here e ndjeja që më kapte bluzën dhe i bërtisja që të më lëshonte. Ashtu, e frikësuar, u zgjova nga gjumi. Pres një parashikim se kam shumë frikë. Eni.
– E dashur Eni, prifti përfaqëson atë çfarë ju keni më shumë frikë. Keni frikë nga diçka që ju mbase e keni bërë dhe mendoni se do të kuptohet në shtëpi. Mendoni se keni bërë mëkat dhe do të ishte mirë ta mbani për vete e të mos e mësojë familja. Më shumë se ndaj askujt, ju ndiheni fajtore ndaj mamit. Keni frikë për mamin se mos sëmuret më shumë nëse merr vesh atë çfarë ju e quani të ndaluar. Gjithashtu, ëndrra tregon një siklet shëndetësor që ka mamaja juaj dhe të dyja këto lloj gjendjesh të krijuara në familje, kanë ndikuar shumë në gjendjen tuaj psikologjike dhe shpirtërore. Dëshironi ta ndihmoni mamin tuaj që ta kalojë këtë siklet, por ndiheni e pafuqishme dhe jo personi i duhur. Nuk është nevoja të ndiheni fajtore për të ashtuquajturat “mëkate” njerëzore, por mundohuni t’i qëndroni pranë, duke i ofruar dashurinë tuaj. Ajo, më shumë se kurrë, ka nevojë për këtë. Mos u ndjeni fajtore për asgjë në lidhje me jetën tuaj private sepse s’ka lidhje. Mos kini frikë se mund të gjykoheni nga familja. Gjithë të mirat!