Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U përpoqa të vrisja veten…

Më është dashur shumë kohë të marr guximin e ta shkruaj këtë histori. Jo se më vjen turp nga ajo që doja të bëja, por kisha frikë se do të më zgjoheshin ato ndjesi që mendoj se i kam kaluar. Jam një grua e martuar e me tre fëmijë. Jam martuar e re, por edhe pse nuk mbarova një shkollë të lartë, gjithmonë kam punuar. Kam patur fat në punë dhe kështu, kam siguruar një jetesë normale, mesatare, me ndihmën e burrit tim, sigurisht.

Fëmijët janë të gjithë të shëndetshëm dhe me mësime, shkojnë mirë. Shtëpinë e kemi të thjeshtë dhe komode për të gjithë, pra, deri këtu, s’ka asnjë problem. Në fakt, nuk duhet të ketë problem sepse shëndeti i fëmijëve dhe mbarëvajtja e tyre është ajo për të cilën merakoset çdo prind. Përveç këtyre, njoh njerëz që nuk kanë shtëpi, që paguajnë qira e kanë plot probleme si ekonomike, ashtu edhe shëndetësore. Më duket se njeriu nuk kënaqet asnjëherë me atë që ka; është gjithmonë i pakënaqur. Kështu isha edhe unë. Jo se nuk ndjehem ashtu edhe tani, por meqenëse pi një qetësues nervor, jam mirë.

Advertisement

Para pak kohësh më ishte bërë fiksim se burri nuk më donte. Ai në fakt është një tip shumë i mbyllur dhe nuk është aspak tip që të afron, kur ti ke nevojë apo ndjehesh keq. Kur kthehet nga puna, pasi ha, ai ulet në divan me telekomandë në dorë dhe fillon të ndërrojë stacionet. Herë e merr gjumi e herë jo, varet sa është lodhur në punë. Po t’i ulesh pranë për të bërë ndonjë bisedë për fëmijët, të thotë: “Ti je fajtore për të gjitha gabimet që ata bëjnë, ti duhet t’i edukosh”. Në qoftë se bëja ndonjë bisedë për farefisin thoshte: “Ti merresh me llafe, më shan njerëzit e mi” e lloj-lloj gjërash që as nuk i mendoja. Në qoftë se bëja ndonjë bisedë për komshinjtë, më thoshte: “Je xheloze se ato janë më të zonjat” ose “je xheloze për mua”, etj., ndërsa kur i flisja për punën, më thoshte: “Do të të heqin, ti nuk je e zonja për asgjë”. Pra, çdo fjalë që thoja unë, atij i dukej bombë me sahat, siç thotë edhe populli.

Unë largohesha dhe shkoja në dhomë te fëmijët e kur mërzitesha edhe aty, shkoja në dhomën e gjumit e merrja një libër të lexoja, por kisha nevojë të hapesha e të bisedoja me të, të më këshillonte e të më thoshte se ku po gaboja e ku kisha të drejtë. Kjo ishte e pamundur. Ai, këtë anë të vetën e shfaqte vetëm në shtëpi se jashtë saj ishte shumë i dashur dhe merrej vesh mirë me çdo njeri.

Po të isha një grua aventuriere, këto gjëra nuk do të kishin fare rëndësi, por mua, që kryesore kisha familjen, veprimet e tij më rëndonin shumë. Kështu, fillova të bëhesha shumë nevrike dhe mërzitesha shumë. Çdo ditë e më tepër po i përjetoja këto. Kishim filluar të ziheshim shumë dhe shpesh. Edhe fëmijët ishin nganjëherë pjesë e këtij debati.

Si njeri shumë delikat, një ditë pushimi të të dyve bëra një veprim që do të më kujtohet gjithë jetës, por ai vazhdonte po njëlloj. Atë ditë ai ishte i sëmurë më grip. Unë flisja me të e ai s’e kishte mendjen as tek unë, as te fjalët e mia. Debatuam rëndë. Ai më tha: “Mallkuar qoftë dita që u martova me ty, më ke nxirë jetën”.

Atëhere, thashë me vete: “Pse të mos e lë të lirë?” dhe mendova t’i bija shkurt; do të ikja nga kjo botë dhe nga jeta e këtij njeriu që po mërzitej nga unë dhe po e shqetësoja e siç thoshte ai, po ia nxija jetën. Vendosa të vrisja veten. Po si? Nuk e kisha vendosur mënyrën se si do ta bëja, por kisha vendosur ta bëja pikërisht atë ditë.

Në mendje kisha vetëm këtë gjë. Nuk e mendoja se ku do t’i lija fëmijët, si do të ishte jeta e tyre, ç’do të bënte nëna dhe babai im të cilët më donin aq shumë, sepse isha kisha qenë një fëmijë i urtë dhe nuk u kisha sjellë kurrë probleme. Për njerëzit e burrit nuk më shkonte fare në mendje. Ata nuk më kishin dashur kurrë dhe nuk do të ishte ndonjë tragjedi e madhe, ndërsa për burrin tim isha e sigurtë se ishte një gjë që nuk do t’i linte ndonjë trishtim të madh e të gjatë në kohë. Ai nuk kishte ndërgjegje, që ta vriste më pas. Ai asnjëherë nuk ishte mësuar t’i mbante përgjegjësitë e gabimeve të tij. Mbartësja e këtyre gabimeve isha unë; gomari që i mbante mbi kurriz e në ndërgjegje. Për çdo gjë të gabuar, faji binte mbi mua pa asnjë kundërshtim, aq sa tashmë më ishte ngulitur edhe mua në mendje një gjë e tillë.

Nejse, mendja ime e sëmurë e kishte vendosur fatin fatal. Të gjitha sa thashë më sipër nuk më interesonin; në mendjen time tashmë endej vetëm mendimi se si do ta kryeja këtë vetëvrasje. Nuk rrija as në një dhomë me fëmijët dhe lidhjet me të afërmit kisha kohë që i kisha shkëputur. Te prindërit e mi shkoja një herë në dy javë e nuk arrija të qëndroja më shumë se një orë. Asgjë nuk më interesonte më.

Atë ditë që thashë më sipër, kishte ardhur çasti që e kisha menduar shumë kohë më parë. Ky çast u afrua edhe nga debati që ne kishim dhe mënyra se si ai më fliste. Fëmijët ishin në dhomën e tyre dhe po shihnin televizor, ai doli të blinte një paketë cigare duke më thënë: “për shkak të mërzisë tënde po helmoj veten time”, se nuk llogariste tymin që e thithnin fëmijët. Për atë njeri ekzistonte vetëm trupi i tij.

Kur ai doli, unë shkova mbas shtëpie dhe me një litar që më parë e përdorja për të bërë ushtrime që të mbaja trupin në formë, formova një lak dhe fyta kokën brenda. Në atë çast, fillova të përkulja avash-avash gjunjët. Laku më ngushtoi fytin, në atë moment diç më kërciti në fyt dhe më dhembi shumë, por nuk ndalova, e kisha vendosur. E kisha shkruar vetë fundin tim. Filluan të më errësoheshin sytë dhe një ndjesi e ëmbël më erdhi në atë çast. Nuk kisha asnjë dhimbje, vetëm pak laku më vriste lëkurën e qafës dhe ishte një dhimbje e durueshme. Këtë veprim po e kryeja përballë dritares së dhomës së fëmijëve, por perdet i mbanim gjithmonë të mbyllura. Në atë çast, burri hapi perden dhe thirri:

– Mira!

Menjëherë ai doli nga dritarja, më kapi, hoqi lakun nga fyti e më futi brenda në dhomë nga dritarja. Nuk i mbaj mend fytyrat e fëmijëve kur panë atë skenë tmerri, pasi isha në sekondat e frymës së fundit. Instiktivisht u shtriva në krevatin e njërit prej fëmijëve dhe kisha mbetur ashtu. Duhej pak kohë që të merrja veten. Fëmijët ishin bashkuar dhe më shihnin, por nuk m’u afruan, ishin të tmerruar, ishin pjesëmarrës të një filmi horror të servirur “live” nga nëna e tyre. Ai nuk u fut në dhomë në ato momente. Ishte tip i veçantë, por të paktën më shpëtoi jetën… Jo se më dhimbsej, sepse edhe në këto momente nuk më dhimbset aspak, por për hir të atyre fëmijëve.

Qëndrova ashtu për pak kohë. Fëmijët ishin të ngrirë në atë pozicion që kishin qenë qëkur më panë në fillim; u kisha dhënë një mësim të “shkëlqyer!”. Pastaj u ngrita dhe nuk fola fare. Nuk kisha ç’të flisja! Në këto rrethana, këto lloj veprimesh nuk kanë nevojë për komente. Dola nga dhoma dhe shkova në kuzhinë. Ç’t’ju them?! Ai kishte shtruar tavolinën për herë të parë në jetën e vet dhe po hante. Kisha gatuar pilaf me mish. Sa uri kishte! U ula në divan dhe e vështroja ndërsa ai hante. Nuk po mendoja asgjë të keqe për të. E çuditshme, apo jo? Ai mbaroi së ngrëni, ngriti tavolinën dhe u shtri në divanin tjetër, si gjithmonë, me telekomandë në dorë. Nuk kam ç’të them për këtë situatë; komentojeni vetë si të doni.

Të nesërmen erdhi motra ime, që është më e vogël se unë. Bëra një gabim të madh dhe i tregova. Nuk doja, por ajo pa që mezi kapërdija kafen që po pinim bashkë. Pastaj, kisha nevojë që një njeri ta dinte. Ajo ia plasi të qarit. Nuk dija se si t’i ndaloja lotët e saj. Ishte e pamundur. Mendova se çdo njeri që kishte kryer një vetëvrasje duhet të ringjallej e ta kuptonte dëmin që po bënte, ta shikonte me sytë e tij se sa plagë po hapte, duke menduar vetëm për veten. Nuk i tregova askujt tjetër për këtë. Fëmijëve u kërkova të falur dhe u thashë se për asnjë arsye nuk duhet ta bënin këtë që panë duke bërë nëna e tyre, por a kishte fjalë që ta korrigjonte këtë? Jo! Asnjë fjalë, asnjë sjellje nuk e kthente mbrapsht këtë. Asgjë! Asgjë! Nuk e di se ç’dëme mund t’u këtë sjellë kjo që u bëra, në jetën e tyre. Shpresoj dhe lutem çdo natë që ta kenë harruar. Lus Zotin që të mos ndikojë në jetën e tyre. Gjithë atë punë që kisha bëra me fëmijët gjatë gjithë jetës së tyre qëkur lindën, e hodha në kosh për një çast, në më pak se 30 sekonda. A ia vlente?

Pas kësaj, doli në televizor kënga e një këngëtari që nuk po e përmend, me titullin “S`të fal”, e cila kishte të njëjtin subjekt me atë që kisha bërë unë, por me përfundim; vdekjen. Sa herë që shfaqet në televizor, fëmijët e ngrenë lart zërin. E dini të gjithë se ç`po më thonë ata me këtë. E meritoj dhe kjo këngë është një ndëshkim për mua që të ma kujtojë sa më shpesh ç’kam shkaktuar. Të vjetrit thonë: “Të gjitha lahen në këtë botë”. Mirë mua që e meritoj, por kjo këngë torturon edhe motrën time që akoma qan, sa herë e dëgjon! Të gjithë u lënduan, përveç atij. Ai tha vetëm një gjë: “Nuk merrem me të sëmurë mendorë”. Ta mendosh mirë, është një fjalë me mend. Jeta vazhdon!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si vuajtëm nga sëmundja e burrit tim

Next Post

Nuk u zë dot besë meshkujve!

Advertisement