Shkencëtarët kanë gjetur shkaqet pse nxihen muret e monumentit të njohur. Tashmë ata do të dinë si të veprojnë për ta ruajtur më shumë atë nga ndotja. Taxh Mahali është monumenti emblematik i Indisë dhe muret e tij të bardhë e kanë bërë të futet në panteonin e pasurisë së njerëzimit. Për fat të keq edhe ai, si shumë ndërtesa historike, nuk i ka shpëtuar dot degradimeve të ndryshme dhe bardhësia e tij kërcënohet nga ndotja. Një studim është publikuar në revistën Environmental Science & Technology, me qëllim që të kuptohet më mirë shkaku pse nxihen muret e mauzoleut. Fenomeni nuk është i ri, sipas specialistëve, pasi mermeri i bardhë i monumentit rregullisht zverdhet, apo nxihet. Në përgjithësi, autoritetet indiane presin disa vjet, pastaj aplikojnë një shtresë argjili mbi monument për ta pastruar. Kjo «maskë bukurie» funksionon, por ajo nuk rregullon shkakun e problemit dhe duhet riaplikuar rregullisht. Pasi kanë konstatuar se kjo nuk ishte e mjaftueshme, autoritet kanë reduktuar trafikun e makinave dhe lëshimin e gazrave industriale rreth e rrotull. Megjithatë, muret dhe minaretë e tij vazhdonin të nxiheshin. Një ekip studiuesish amerikanë, është munduar të identifikojë llojin e substancave që shkaktonin këtë problem, një etapë e nevojshme kjo për të vendosur një plan veprimi efikas. Ndërkohë që mendohej se fajtor ishte acidi sulfurik, studiuesit gjetën në mure praninë e grimcave të vockla të karbonit, të prodhuara nga djegia e mbeturinave dhe karburantit. Ata dalluan brenda një karbon të zi dhe një karbon kafe. Ky i fundit prodhohet nga djegia e materialeve organike dhe thith më shumë ngjyrën ultravjollcë. Ai është shkaktar i resë kafe të Azisë, një shtrese ndotjeje, tre kilomentra e trashë, që mbulon një territor me një sipërfaqe sa SHBA nga janari, në mars, nganjëherë edhe më gjatë. Pastaj vjen shiu që ndihmon çdo vit për të pastruar ajrin nga këto ndotës. Me këto të dhëna shkencore në dorë, shpresohet se autoritetet indiane do të dinë të marrin masat e duhura për të ruajtur këtë pasuri dhe, njëkohësisht, të përmirësojnë edhe shëndetin e qytetarëve të vet.