Vendosa të shkruaja në rubrikën tuaj, pasi një qytet i tërë me njerëz më njeh si mëkatare, ndonëse unë nuk jam…
Jam njëzet e gjashtë vjeçe. Kam mbaruar Universitetin këtu në Tiranë, por kam bërë edhe një master në Londër. Këto dy studime janë ato që ndryshuan shumë gjëra tek unë, që nga mentaliteti e deri te gjërat banale, siç mund të jetë veshja apo krehja.
Unë linda në një familje super të rregullt. Babai im ishte oficer, ndaj rregulli në familje ishte gjithçka. Zbatonim me përpikmëri orare dhe urdhëra të sakta, ndonëse babai shumicën e kohës nuk ishte aty. Si unë, ashtu edhe dy vëllezërit e mi i donim shumë prindërit. Ata nuk më janë dukur asnjëherë të rreptë. E dija që çdo gjë që bënin e bënin për të mirën time.
Unë u rrita duke qenë e përkëdhelura e tyre, duke qenë se isha vajza e vetme dhe fëmija më i vogël. Sidomos babai më kishte pikë të dobët. Gjëja që ai kishte më shumë merak ishte shkollimi ynë, sidomos i imi. “Je vajzë”, më thoshte, “nuk mund të bësh çfarëdolloj pune”. Ndaj dhe unë u rrita duke qenë pjesën më të madhe të kohës mbi libra. Vetëm mësoja dhe kur kisha kohë të lirë, lexoja libra jashtëshkollorë. Doja që prindërit e mi të ishin krenarë për mua. Gjimnazin e mbarova me rezultate shumë të mira. Në universitet dola me medalje ari. Gjatë katër vjetëve të shkollës së lartë, nisa të kisha një jetë ndryshe nga ajo që kisha pasur.
Qëkurse shkela ditën e parë në shkollë, u ndjeva ndryshe. Mami vazhdonte të më vishte sipas shijes së saj dhe deri në atë kohë, mua më ishte dukur e mirë, por kur pashë ata që kisha në klasë, me bluza të vogla, të ngushta, me funde të bukur dhe më pas hodha sytë nga pantallonat e mia të stofit, trikoja e punuar me shtiza nga mami dhe flokët e kapur gërshet, më erdhi për të qarë. E ndieja se të tjerët qeshnin pas shpinës sime.
Kështu, e kuptova se shumë gjëra që për mua vlenin më parë, tani nuk më hynin më në xhep. Duhej të ndryshoja, të zija miq, të isha më e hapur. Në fillim ndryshova veshjen. Duke zgjedhur ato që doja, ndihesha më e sigurtë. Më pas, miqtë erdhën vetë. Duke qenë studentja më e mirë e klasës, e dija që shumë shpejt do të mblidheshin rreth meje. Nisi për mua një periudhë e shkëlqyer, ku më dukej vetja si vajza më e lavdishme e shkollës.
Gjatë kësaj kohe, u njoha me Klodin. Ai studionte në Universitetin tim, por në degë tjetër. Më pëlqente sepse ishte garip, i guximshëm dhe aspak i turpshëm.
Në fillim, nisëm të dilnim. Pastaj u puthëm. Më pas, ai më kërkoi të kishim marrëdhënie bashkë. Kisha frikë. Jo vetëm sepse përpara jo shumë kohësh për mua virgjëria ishte me vlerë, por edhe sepse nuk doja të dukesha si idiote në sytë e tij. Unë nuk dija të bëja dashuri.
Por Klodi u tregua i mirë dhe i ëmbël. Ndonëse hera e parë nuk më pëlqeu, vazhduam të kishim marrëdhënie. Kjo gjë bëri që të kuptonim njëri-tjetrin dhe të ishim perfektë. Pas njëfarë kohe, gjërat ishin kthyer anasjelltas. Isha unë ajo që doja të bëja dashuri me të, në çdo vend, në çdo orë, në çdo çast. E nxirrja nga orët e mësimit dhe i hidhesha përsipër. Isha bërë si macet kur u vjen stina e shumimit, por nuk më vinte turp, as e quaja si sëmundje. Unë thjesht merrja kënaqësi.
Nuk e shtyva dot gjatë me Klodin. Zbulova që më tërhiqnin shumë meshkuj të tjerë. Kishte raste që mund të më pëlqenin edhe disa në të njëjtën kohë. Kështu kaloi universiteti, por duhet të them se nuk i lashë pas dore mësimet. Zoti më ka dhënë një inteligjencë natyrore. Dola me medalje të artë, gjë që më krjioi kushte për të shkuar jashtë shtetit. Babai ishte aq i lumtur sa qante nga gëzimi. Ndërsa për mua ishte diçka që duhej ta bëja edhe aq. Zgjodha Londrën. Vajta atje për master, pasi kisha parë në internet dhe kisha dëgjuar se ishte qytet shumë interesant. Atje pësova një ndryshim tjetër.
Londra është e madhe, e zhurmshme, shumë e bukur. Aty kam takuar njerëzit më interesantë të jetës sime. Arrita edhe ëndrrën time në sirtar, që të flija me një zezak. Ishte mrekulli. Askush nuk të gjykonte, askush nuk të tregonte me gisht. Mund të bëja jetën që doja, pa pasur frikë se njerëzit do të më quanin “kurvë”. Unë nuk isha ndonjë idiote që e merrnin nëpër këmbë. Isha e ndërgjegjshme që isha vajzë e bukur dhe këtë e vinin re edhe të tjerët. Nuk shihja asnjë gjë të keqe në fakti që doja të bëja seks me njerëzit që më tërhiqnin. Pasi mbarova masterin, u ktheva sërish në Tiranë. Mamaja ime u habit që kisha nisur të vishesha në mënyrë ekstravagante. Nisa një punë të mirë dhe tani banoj në një shtëpi me qira, por jam e palumtur. E di që sa herë që ndonjë djalë futet në shtëpinë time, komshinjtë janë afër derës së tyre duke përgjuar. E di që ata që njohin lidhjet e mia, më quajnë të përdalë. Është për të ardhur keq, sepse Tiranën e quajnë edhe metropol, por këtu seksi është akoma tabu. Këtu ka akoma frikëra të ngulitura te njerëzit që në vegjëli. Dhe e keqja është se askush nuk ndërgjegjësohet. Ndihem si peshku pa ujë këtu, ndaj dhe jam duke bërë të gjitha përpjekjet që të shkoj sërish në Londër. Kam shpresa, pasi kam pasur përgjigje pozitive nga disa vende. E di që atje do të jem vetja ime, do të jem e lirshme, do të jem më e lumtur…