Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Kirurgjia plastike e pubisit
Vrava një njeri, shkatërrova jetën time, prisha dasmën e vëllait
Blerina Matraku: Të zhvishesh apo të mos zhvishesh?!

Vrava një njeri, shkatërrova jetën time, prisha dasmën e vëllait

 

 

E nderuar redaksi! Me djeg malli për familjen time, për fëmijët e vëllait dhe më vjen turp për egoizmin tim. E vetmja gjë që më ngushëllon është se në atë kohë unë isha shtatëmbëdhjetë vjeç. Qysh nga viti 1996 e deri më sot kam patur vitet e mia të ferrit si dhe vite të bukura, por asnjëherë ditë shumë të lumtura, sepse më mungon tmerrësisht familja ime dhe kjo, për fajin tim.

Advertisement

Kam lindur dhe jam rritur në një fshat të Korçës. Jami katër vëllezër e kemi një motër. Mamaja ime është nga veriu, por kur ka qenë në Shkollën Pedagogjike, është njohur me babanë tim dhe ata janë martuar sapo kanë mbaruar shkollën. Pavarësisht ndryshimeve që kishin në mënyrën e jetesës ata ia kanë kaluar mirë jo vetëm së bashku, por edhe me pjesën tjetër të të afërmve. Mamaja ime flet sikur të ketë lindur e të jetë rritur në Korçë e jo sikur është bërë tetëmbëdhjetë vjeçe në një fshat të veriut. Gjyshërit kanë jetuar me prindërit e mi dhe e mbaj mend që gjithmonë kam fjetur në krahët e gjyshit tim. Motrat e vëllezërit i zinte gjumi në krahët e gjyshes e pastaj i çonin në krevatet e tyre, ndërsa unë zgjohesha në momentin që më ngrinin për të më ndërruar vend. Mbaj mend që gjyshi përpiqej të mbante të qeshurën. Më në fund, dorëzohej ndërsa qeshte, më merrte në gji e me këndonte “Qingji i vogël”. Këto kujtime të mrekullueshme i kam kaluar aq shumë në mendjen time në ditët e zbehta e pa jetë që kam jetuar në burg!

Vëllai i madh vazhdoi shkollën për Ekonomik dhe mbaroi shkëlqyeshëm. Pasi punoi disa vite në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, pas rrëmujave të 1997-ës vendosi të emigronte. Ai iku me bashkëshorten e fëmijët e tij e sot janë të sistemuar në Kanada. Vëllai i dytë punoi në Greqi për dhjetë vite rresht. Kur ai mbushi njëzet e tetë vjeç, i tha babait të mendonte t’i gjente ndonjë çupë, që kur të kthehej nga Greqia, ta shihte vetë. Dhe sigurisht, prindërit u hodhën në sulm për të kërkuar nuse.

Ndërkohë, motra ime që ishte e katërta ndër ne, u dashurua kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme. Djali me të cilin ajo u martua jetonte në fshatin tonë. Ata u fejuan e ndenjën dy vite të fejuar. Sapo motra u martua, ikën me banim në qytetin e Durrësit sepse dhëndrri kishte blerë një shtëpi në qytet dhe kishte filluar edhe punë.

Vëllain e tretë e ndihmoi dhëndrri që të ikte në Itali. Atje u lidh me kushërinjtë tanë që jetonin prej vitesh dhe ata e ndihmuan të fillonte punë e të bënte dokumentet. Sot ai jeton me gruan e dy fëmijët në Itali. Jemi shpërndarë të pestë fëmijët nga njëri cep i botës në tjetrin dhe i vetmi që mbeti në shtëpi isha unë, më i vogli. Unë vazhdoja shkollën e mesme tashmë si më i përkëdheluri si nga prindërit, ashtu edhe nga gjyshi e gjyshja. Në shtëpi ishim goxha mirë, sepse prindërit ishin të dy në punë, vëllai që ishte në Tiranë kishte rrogë goxha të mirë e na ndihmonte. Pastaj në ato vite ishin një vrull ndryshimet për mirë për të gjithë. Vëllai nga Greqia sillte jo vetëm para, por edhe ç’t’i shihte syri gjëra që mund të përdoreshin në shtëpi. Isha djali më i veshur jo vetëm në fshatin tim, por ngado që shkoja, isha i kapardisur. Në shkollë mësoja, por jo sa vëllai i madh. Sapo mbarova gjimnazin, vëllai erdhi nga Greqia dhe nga “kandidatet për nuse” që i kishte gjetur babai, njëra i mbeti në mendje. E takoi dy herë atë pranverë kur erdhi dhe iku se ai vetëm tre javë leje kishte, por çupa i kishte mbetur në mendje dhe ai mori leje sërish e erdhi në verë. Këtë radhë kishte marrë leje pak më gjatë e mbeti më shumë në rrugën e shtëpisë së vajzës sesa në shtëpinë tonë. Para se të ikte, ai vendosi që të lidhnin jetën bashkë. Kështu, prindërit shkuan i kërkuan dorën dhe pas nja dy muajsh, morëm vëllain në telefon dhe i thamë që edhe prindërit e çupës ishin darkod. Sigurisht, i dashuruari erdhi brenda javës.

U bë fejesa e vëllait, një drekë e mahnitshme në shtëpinë e çupës që dukej si zanë mali, aq e bukur dhe elegante ishte. Shndrinte e tëra. Çdo mashkull mund ta quajë një vajzë të tillë vajzën e ëndrrave të tij. Nusja ishte vajzë e mençur, jo thjesht e bukur. Im vëlla duroi edhe pesë muaj në Greqi pasi u fejua dhe pastaj vendosi të kthehej përfundimisht, pasi e shoqja nuk pranonte që të shkonte të jetonte me të në Greqi.

Dhe kështu, im vëlla u kthye në Shqipëri. Vëllai i nuses punonte në Tiranë, ishte person me rëndësi në një dikaster dhe e ndihmoi edhe tim vëlla që të fillonte punë. Im vëlla me paratë që kishte fituar në Greqi bleu një shtëpi në Tiranë. Pas një viti fejese, ai vendosi të martohej dhe datën e dasmës e ndanë në varësi të ardhjes së emigrantëve me pushime, pra, në muajin gusht.

Në shtëpinë tonë filloi muzika tri javë para dasme. Kushërinjtë e ardhur nga Greqia e Italia mblidheshin çdo natë në oborrin tonë e vallja e kënga vazhdonin deri pas mesnate çdo natë. Jo vetëm kërcehej e këndohej, por edhe pihej. Unë, si më karagjozi që isha, më i vogli e më i llastuari, u deha dy apo tri herë. Një natë, gjyshi më bëri për një lek dhe javën e dytë të muzikës ndenja urtë, vetëm kërceva e këndova për tim vëlla, por një natë më erdhi edhe një shok i shkollës që kish ardhur nga Greqia dhe mua më kapi dalldia. Në dalldi e sipër piva aq shumë sa jo vetëm që s’kuptoja në ato çaste, por edhe sot e kësaj dite nuk më kujtohet asgjë.

Më vonë më kanë treguar se ashtu të pirë, bashkë me shokun tim, jemi larguar në drejtim të shtëpisë së shokut. Unë kam ikur me sebepin e përcjelljes së shokut, por rrugës nuk e di se si jemi ngatërruar e jemi zënë me një tjetër bashkëmoshatar. Në zënie e sipër se si dreqin kam patur fuqi nuk e di, por e kam qëlluar aq shumë atë tjetrin sa ai vdiq. Të shkretin djalë njëzet e tre vjeç e përpiu varri vetëm pse unë desha të pija! Aty kishim fjetur në mes të rrugës bashkë me shokun tim, derisa dikush na ka gjetur në rrugë e kish lajmëruar policinë. Të nesërmen, në komisariat kemi marrë vesh se ç’kishim bërë.

Kështu, unë u bëra kriminel për një pesë minutësh. Bashkë me shokun tim i kishim marrë jetën një bashkëmoshatari. O Zot, edhe tani rri e mendoj si duhet të kenë qenë ato çaste për atë të mjerin. U bënë shtatëmbëdhjetë vjet që sa herë mbyll sytë për të fjetur, pamja e parë që më shfaqet është një trup i pajetë që duhet të jetë i mjeranit që vramë ne. Më pas i kthehem jetës sime po aq mjerane, jo vetëm për faktin që bëra dhjetë vite burg, por sepse tashmë e kam mësuar se ç’kam bërë…

Një javë pas vrasjes që kishim bërë, im vëlla do të martohej dhe në shtëpi do na vinte gjeraqina që e kishim zgjedhur vetë, por nuk ishte e shkruar që të këndonim për të ashtu siç e meritonte ajo vajzë.

Pas dy muajsh, kur prindërit e mi erdhën e më takuan në burg, më thanë si kishin rrjedhur ngjarjet. Në shtëpinë e djalit ishte bërë ceremonia mortore e në shtëpinë tonë kishte pushuar kënga. Edhe nusja jonë kishte ardhur në zi, pa nxjerrë zë askush. Dy javë pas ngjarjes familja e viktimës u kishte kërkuar prindërve të mi të largoheshin nga fshati.

– Më fal që po të them këto fjalë, po nuk duroj dot t’ju shoh, ndërkohë që im bir është në tokë, – i kish thënë babai i të vrarit, babait tim. Im atë i kishte kërkuar pak kohë sa të gjente një vend ku të fuste kokën.

– Të kuptoj lum vëllai, të kuptoj që ke hall të madh, po a më jep vetëm tri javë kohë që të iki, – ish përgjigjur babai.

– Dakord, – ishte përgjigje shumë e shkurtër, por shumë e hidhur për babain tim, megjithëse fajin ia kisha unë e jo ai.

Ndërkohë që im atë po përpiqej të gjente një vend për të ikur nga fshati, gjyshi kishte kaluar një krizë në zemër dhe ndërsa e çonin në ambulancën e fshatit, kishte vdekur. Një javë pas gjyshit vdiq edhe gjyshja, kurse unë isha bërë tri herë kriminel. Ata nuk vdiqën nga mosha, por nga hidhërimi e helmi që u futa unë në gjak.

Pas varrimit të dy prindërve, brenda një jave im atë kishte gjetur shtëpi në Elbasan e kishte ikur brenda afatit që kishte caktuar me bashkëfshatarin e tij.

– Do të të japë kohë, kërkoji të të falë edhe ca ditë, – i ishin lutur të gjithë, – ai është burrë i mirë, nuk është delenxhi.

– Jo, im bir është shkaktari i vuajtjeve të tij, i ferrit të tij… I ka ikur djali njëzet e tre vjeç e unë ti rri në sy! – ua kishte prerë im atë duke ikur nga fshati. Edhe sot e kësaj dite ai nuk është kthyer kurrë më atje.

Ndërsa mua gjykata më dha katërmbëdhjetë vjet burg. Prindërit e mi nuk paguan avokat, vetëm atë avokat që të cakton shteti dhe ai ishte i lodhur. E bëra burgun dhe ai i shkretë është i vështirë, por për mua ka qenë më e vështirë të mendoja se ç’kisha bërë.

Tashmë, im vëlla që është në Itali, më ka ndihmuar, më ka gjetur një punë dhe unë jetoj pranë tij. Muajt e parë kunata më ndihmoi shumë, por unë përpiqem t’u rri sa më larg. Më duket sikur ua “infektoj” edhe fëmijët me burgun tim.

Babai më ka gjetur një vajzë nga anët e mia dhe jam takuar me të këtu në Itali. Ma çuan numrin e saj me mesazh dhe unë e mora një të dielë në darkë.

– Mirëmbrëma, jam Mondi. Këtë numër ma ka dhënë im atë e më tha se mund të flas me Matildën.

– Po, Matilda jam, mirëmbrëma, mirë je ti? – nga zëri m’u duk vajzë e ëmbël.

– Para se të zgjasim muhabetin, nuk e di a të kanë treguar që unë kam bërë katërmbëdhjetë vite burg se bashkë me shokun tim kam vrarë një djalë? – e pyeta menjëherë se nuk desha t’i krijoja iluzione tjetrës se po fliste me një engjëll.

– Po, më kanë thënë, por mua më kanë thënë që nuk e ke bërë me paramendim, – dhe heshtja u nder në telefon mes nesh.

– Në fakt, kam qenë i pirë, edhe sot nuk e kujtoj dot atë që kemi bërë atë natë, por desha të ta them që në fillim, që të mos tregohem burracak, – i thashë, ndërkohë që kisha dëshirë të vazhdoja të flisja e ta takoja, por edhe frikë njëkohësisht.

– Mendoj se m’i kanë thënë të gjitha për ty dhe unë ua kam dhënë vetë numrin që të ta jepnin ty.

– Atëherë, a mund të takohemi? – e pyeta dhe zemra sa s’më doli nga kraharori.

– Sigurisht, nëse ti do që të më takosh, ama pa pije alkoolike! – tha dhe sigurisht që pranova si qengj i butë. Isha unë ai që kisha pirë e vrarë! Ishte normale që njerëzit të trembeshin nga pija ime.

U takuam me Matildën pas një jave, ditën e parë të saj të pushimit. Ishte vajzë e këndshme. U takuam e folëm edhe shumë herë të tjera dhe në vendosëm të bashkëjetojmë. Ndër vendimet që mora me Matildën ishte se nëse do pranonin prindërit e djalit që kisha vrarë, unë do t’u jepja si pension çdo muaj dyqind euro.

– Dakord, më tha ajo, nëse ty të vret më pak ndërgjegjja…

Pas kësaj, i thashë babait që do të jetoja me Matildën dhe i kërkova të gjente njerëz e t’i çonte në fshatin tim të prindërit e K., për t’u thënë atë që kisha menduar. Ata prindër tashmë të plakur, edhe pse i ndihmonin fëmijët e tyre, kishin njëqind sëmundje dhe sigurisht, për të shkuar në spital duhen para.

I dërgova paratë tim eti që t’ua çonte së pari për një operacion që i duhej bërë në këmbë nënës së djalit dhe tashmë, kam një vit që u jap çdo muaj shumën e caktuar. Shpresoj t’ua lehtësoj të paktën vuajtjen fizike atyre prindërve.

 

M.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kirurgjia plastike e pubisit

Next Post

Blerina Matraku: Të zhvishesh apo të mos zhvishesh?!

Advertisement