Ulur përballë hipokrizisë njerëzore po buzëqeshja e heshtur dhe po shikoja se si plot shtirje dhe fallcitet po mundohej të më bënte njeri të luajtur. Sa më tepër buzëqeshja, aq më tepër po sforcohej e aq më tepër po ma shtonte paqen time të brendshme. Papritur fillova të ndjeja keqardhje të madhe teksa po e lija se si zvarritej dhe lëpihej si një lypës që kërkon lëmoshën e vet, por jo si ata lypësit që e kanë shpirtin e dlirë, sepse ata brenda tyre kanë paqen dhe thjeshtësinë dhe nuk dinë se si të lëpihen, por si ata lypësit e rëndomtë që lëpihen deri në atë pikë saqë janë të gatshëm për të lëpirë edhe këmbën për të arritur qëllimin e tyre. O Njeri! Pa më thuaj vallë përse po krimbesh dhe krimb njerëzinë për gjëra të pavlera, kur ti vetë je i ndërgjegjshëm që do të vet-shkatërrohesh nga zilia, cmira, vogëlsia dhe inati i përzier me mllef që nën maskat e hipokrizisë di të maskohesh aq bukur saqë bëhesh për tu ardhur keq për mëshirë??? Pa më thuaj vallë pse?? Qenka më e lehtë për ty të vet-shkatërrohesh se sa të ujisësh paqe, butësi dhe njerëzi brenda thellësisë së qenies tënde? Qenka më e lehtë për ty të dëgjosh dhe veprosh sipas fjalëve të të tjerëve duke ikur nga frynë era se sa të dëgjosh zemrën tënde në rrugën e duhur dhe të patrazuar nga turma?