– Në ëndërr pashë ish-të fejuarën time, që vazhdoj ta dua ende. Po ecnim rrugës dhe ajo ishte aty para. Pashë se ajo kishte lyer flokët. Mua kjo gjë s’më pëlqeu, prandaj iu afrova dhe e pyeta se çfarë u kishte bërë flokëve. Ajo nuk m’u përgjigj, por u largua nga unë. Ju lutem, më tregoni ç’kuptim ka kjo ëndërr, sepse kureshtja po më mbyt.
– Ju e keni pohuar vetë që e doni akoma ish-të fejuarën tuaj. Kjo është një nga arsyet pse e shihni në ëndërr. Ndërsa përsa i përket parashikimit, ëndrra tregon se ajo ka ndryshuar shumë si njeri. Nëse do ta takoni një ditë rastësisht ose edhe qëllimisht, nuk do t’ju pëlqejë njësoj si më parë. Ëndrra këshillon që t’i hidhni sytë diku tjetër. Harrojeni atë vajzë, sepse ajo nuk ushqen aspak ndjenja për ju, ndaj ju po e torturoni veten kot në lidhje me të. Ëndrra nuk parashikon ndonjë ribashkim tuajin.