– I nderuar Dr. Demiri, unë që po ju shkruaj jam një sanitare që punoj te Psikiatria. I lexoj rregullisht përgjigjet tuaja dhe besoj se do t’i përgjigjeni edhe kësaj pyetjeje: a është e mundur që të dashurohen dy të sëmurë psikikë? Pyeta një psikiatër, por ai më tha se kjo nuk ishte e mundur. Kur e pyeta pse, më tha duke qeshur: “Pak i kemi këta, që të merremi edhe me ty tani?!”. Nuk e zgjata, por unë shoh gjëra shumë të çuditshme, ndonjëherë ndjenja shumë të bukura e plot gjëra të mençura te këta të çmendurit, ndaj po ju pyes: A mund të dashurohen ata? Vali.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara punonjëse e psikiatrisë, lexuese e rregullt e gazetës sonë, nuk besoja se do të më bënte ndokush një pyetje të tillë, por më vjen mirë që ti paske kuptuar se shpeshherë midis jonormalëve ka plot sjellje të bukura që të çudisin, ashtu siç gjejmë te më normalët, plot gjëra jonormale. Siç e ka shpjeguar Profesor Hamit Beqja, ndjesë pastë, te libri “Edhe Engjëlli, edhe Djalli janë brenda tek i gjalli”, psikikë sterilë, krejt të pastër nuk ka, ashtu si edhe te psikikat e sëmura mund të gjejmë gjëra të çuditshme, të bukura e deri të rangut për çmim “Nobel” siç ka ndodhur me një të sëmurë me skizofreni i cili është pasqyruar edhe në film.
Tani, le t’i përgjigjem pyetjes suaj nëse mund të dashurohen midis tyre të çmendurit. Gjithçka varet nga shkalla e sëmundjes, por midis të çmendurve, realizimi i dashurisë është thuajse i pamundur, jo për faktin se janë të shtruar në psikiatri, por sepse në të shumtën e rasteve, skizofrenia mbart me vete një lloj frike gati tmerruese për dashurinë. Në çdo rast, pikë së pari duhet parë rrezikshmëria e skizofrenisë, pasi te kjo sëmundje, në mjaft raste, urrejtja për të tjerët dhe për dashurinë e të tjerëve “përkthehet” në rrezik dhe dihet se tek ata, pikërisht dashuria dhe urrejtja e kërcënojnë deri në shkatërrim unin e të sëmurit. Shumë mite kanë lidhje me këtë çështje, aq sa disa mendojnë se dashuria nuk është shëruese për ta, pasi sapo uni e “fërgëllon” paksa, ai dëshiron që të dashurohet e mbase mund të rikuperohet… Mirëpo, te të sëmurët me unin e copëzuar, dashuria nuk sjell dobi, pasi frika nga dashuria është gjithnjë më e fortë sesa vetëdija, pra, edhe e “mbyll” vetëdijen në harresë e pamundësi funksionimi, ose e sulmon atë me frikëra edhe me të mëdha. Është pra thuajse e pamundur kjo dashuri ndërmjet dy personaliteteve të krisura, por edhe nëse vetëm njëri është i sëmurë, përsëri të dashuruarit me të çmendurin është përsëri e pamundur, pasi ai s’mund të jetë njëlloj si tjetri dhe as nuk mund të ndjehet i tillë e të humbasë veten.
– Pra, është një iluzion të thuash se edhe të çmendurit dashurojnë. Ata thjesht mund të “imitojnë”. Edhe pse të tjerëve u duket sikur ata e kanë të nevojshme fuqinë e dashurisë për t’iu larguar sëmundjes, mos u nxitoni. Ata mund të na çudisin me fjalët që thonë, me veprimet që bëjnë, aq sa ato mund të jenë edhe ca imitime “hamletore” që as artistët ndonjëherë nuk i bëjnë aq bukur, mirëpo në të vërtetë ata nuk e kanë atë “zjarrin” qoftë edhe të heshtur që mund t’ua ngrohë shpirtin. Dëshira edhe mund të lindin, sidomos tek ata që me gjithë ilaçet, e kanë libidon të shprehur, por vetëm se ato janë të vështira për t’u realizuar. Ata edhe mund të premtojnë gjëra normale e të mençura sa nuk u vete mendja as më të mençurve që t’i thonë, por imagjinoni se kështu mund të veprojë edhe një i dehur ose një fëmijë i cili më pas nuk mban mend fare se çfarë ka thënë. Janë ca “vegime” ato, njëlloj si rrezet e diellit pranveror në Antarktidë, që s’kanë ç’i bëjnë fare akullnajës. Na kanë ndodhur ca raste të çuditshme kur prindërit ia fshehin “botës” sëmundjen e djalit nga frika se nuk u jep kush nuse dhe e kanë martuar me shkuesi(!). Dhe, dhëndrri, edhe pse ishte nën ndikimin e barnave, ditën e dasmës ia ka dhënë ulërimës si ujk duke i trembur të gjithë dasmorët, pasi britma ka qenë e përvajshme. Në këto raste, është e kotë që t’i thuash pse na e bëre këtë gjëmë. Fajin këtu nuk e ka ai, por prindërit të cilëve u isha lutur të mos e martonin duke marrë në qafë edhe bijën e botës. I sëmuri më tha se dasmorët iu dukën ujqër dhe nusja si dele që ata ia kishin marrë. Prindërit më thanë se ai kishte pasur “gjëra” të tjera, por jo ulërima, ndërsa ne psikologët, shkencërisht, e dimë se tërë njerëzit normalë janë normalë gati njëlloj, ndësa çdo i çmendur, çmendet sipas mënyrës së vet. Pastaj erdhi “çmenduria” e të “mençurve” të cilët flisnin me plot “bindje” sikur dhëndrrit i paskëshin bërë “magji” apo atë e kishte “plasur syri i keq”. E besonin këtë edhe vetë prindërit e tij, të cilët i kishin dhënë prej vitesh rispolept dhe alanzapinë fshehurazi. Dhe ja, nëpërmjet martesës, duke dashur që t’i vinin vetullat, ia nxorën sytë. Imagjinoni sikur të martosh atë të sëmurin psikik i cili i mori jetën oficerit të policisë në Shkodër, kur ai bën “luftë” imagjinare e që mund të “shohë” edhe skena “tradhtie” në forma halucinative… Këta njerëz duhen mbajtur nën kontroll e pse jo, edhe në izolim, sepse ja se ç‘ndodh: ndërpresin jetën e tjetrit pa e kuptuar se çfarë po bëjnë! Këtu nuk e kam merakun e madh te trashëgimia e sëmundjes, se ajo mund edhe të mos ndodhë, por te mosfunksionimi e deri edhe të rreziqet. Vetëm pasi të jetë shëruar i sëmuri plotësisht e psikiatri të na thotë se sëmundja i ka ikur matanë malit, mund të mendohet edhe për martesë, por duke ia treguar të gjitha të vërtetat kandidatit e kandidates për martesë e duke mos neglizhuar sipas nevojës edhe mjekimin mbajtës, ose sigurues, si një “rrufepritës” i së keqes. Gjithsesi, të dhunshmit e sëmurë, duhen përjashtuar e shëruar, qoftë edhe me detyrim.