Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Manjola Nallbani: Fuqia më e madhe, është dashuria!

Anila Kadija: – Në albumin tënd më të ri që doli kohët e fundit, përveç këngëve të reja, ke futur edhe disa “të vjetra”. Pse e ke bërë këtë?

Manjola Nallbani: – Nuk e kisha menduar këtë në fillim. Albumi nisi me krijime të reja, por shpesh, kur zgjidhja këngët për të, qëllonte që admirues të këngëve ndër vite, më thoshin: ”Sa të bukur e ke pasur këtë, apo atë këngë!”… Ishin këngë që edhe për mua kanë qenë, jo vetëm pjesë e suksesit tim ndër vite, po dhe krijime që, vetëm me një riorkestrim tingëllojnë sikur janë shkruar sot, sepse për muzikën e vërtetë nuk ekziston koha, apo moda. Nëse ai është një krijim i vërtetë dhe emocion shpirtëror, jeton përgjithnjë. Kështu u riorkestruan “Kur humba një dashuri”, “Eja në ëndërr”, “Përse të dua”, “Udhëtoj e menduar” që së bashku me krijimet e reja përbëjnë diskun e ri me 12 këngë të lehta që shoqërohet me diskun tjetër me 9 këngë popullore nga treva të ndryshme. Se, albumi im i ri përmban 2 CD me 21 këngë…

– U bë një jetë e tërë që këndon… Ç’është jeta për ty dhe përse jeton?

Advertisement

– Së pari, jetoj për vajzat e mia dhe pastaj për çdo gjë tjetër. Ato janë dy gjysmat e shpirtit tim dhe natyrisht, më të çmuara se vetja ime. Ndërsa jeta mendoj se është një letër e bardhë që ti e shkruan çast pas çasti dhe e ndërton në bazë të inteligjencës, punës, zgjedhjeve të gabuara ose të drejta, talentit dhe natyrisht, meqenëse unë besoj shumë në Zot, besoj dhe te fati (por jo të jem fataliste)… Por, kjo është temë e gjatë për t’u diskutuar.

– Çdo udhëtim ka një rrugë. Ai drejt suksesit, cilën rrugë ndjek?

– Dola prapë te fati. Unë besoj që suksesi im ka nisur nga “rruga e fatit”, sepse Zoti më dha një dhuratë të çmuar, zërin apo talentin, por pastaj udhëtimi ka kaluar nga “rruga e punës” e ka vazhduar gjatë gjithë jetës time me shumë djersë, sakrifica dhe vullnet, për t’u rritur si njeri, së pari, si grua dhe pastaj si artiste. Puna dhe dëshira për të bërë, jo më të mirën me çdo çmim e duke shkelur të tjerët, por duke bërë më të mirën për vete e për të tjerët.

– Nga këto që thua duket të jesh tip emotiv…

– Në fakt, nuk di nëse vjen nga të qenit artist, apo thjesht nga natyra ime, po unë emocionohem fort edhe nga gjërat në dukje të vogla apo të thjeshta! Për shembull, ato çfarë më kanë emocionuar më tepër kanë qenë letrat që vajzat dhe Sokoli, im shoq, m’i shkruajnë në çdo ditëlindje! Sa fillon fjala e parë, filloj të qaj dhe me duket sikur më kanë dhuruar gjithë botën kur i lexoj ata rreshta. Pastaj unë kam pasur fatin që, për shkak të profesionit, më kanë dhënë emocione të forta dhe dashuri edhe njerëz krejt të panjohur me forma nga më të sinqertat.

– Je shumë e lidhur me vajzat? Të ndjekin ato në jetën tënde artistike?

– Gjithnjë kam ëndërruar që jeta ime artistike të ishte si një tren që ecën vazhdimisht në shina, ku në vend të udhëtarëve të kem fëmijët që më ndjekin pas nëpër turne. Unë tërë jetën time artistike e kam ndarë me vajzat. Fillimsht Megi, vajza e madhe që tani studion në Vienë, më ndiqte pas si një shoqëruese besnike nëpër koncerte në vende të ndryshme. Tani më ndjek vajza e vogël. Kohët e fundit bëra tre koncerte ne SHBA, por kësaj here më shoqëroi e vogla.

Kam dashur gjithmonë që ato ta njohin nga afër punën time, të ndjejnë emocionin pas perdes së një skene, të bëhen bashkëndarëse të buzëqeshjes sime ndaj publikut.

– Ke sakrifikuar për to?

– Në çdo rast që më është dashur të zgjedh mes artit, karrierës dhe vajzave, gjithmonë prioriteti ka qenë për ato. Gjithnjë kam menduar se skena më priste, ndërsa koha që duhej të kaloja me vajzat, jo. Ndaj përpara çdo gjëje gjithmonë kam vënë familjen. Dhe ja, ato u rritën e unë kam kohë plot për karrierë dhe koncerte.

– Megjithëse vitet kalojnë, mbetesh një femër e bukur. Si ia arrin?

– Besoj se kujdesi për veten është respekt për veten dhe jam e bindur që, edhe nëse nuk do të kisha qenë artiste, përsëri këtë kujdes do ta kisha patur për veten. Kushdo që më njeh mirë, apo edhe ata që kujdesen për mua, e dinë që unë harxhoj kohë në qendra estetike ndoshta shumë më pak se femra që nuk kanë lidhje me skenën…

– Po si ia arrin, atëherë?

– Sekreti është gjetja e asaj që të shkon për shtat, duke filluar nga veshja, grimi, ngjyra e flokëve etj. Shtoji kësaj edhe faktin që unë kujdesem shumë për paraqitjen time skenike. Kam parimin që figura në skenë, imazhi, etj. janë gati po aq të rëndësishme sa dhe zëri dhe interpretimi. Vetëm kështu, artisti mund të jetë një “markë”, një lloj frymëzimi për të tjerët, apo pse jo, edhe tendencë mode. Më pëlqen kur njeriu i dedikon vetes respekt. Ana e jashtme është pasqyrë e asaj çka ti ke brenda teje. Mua më ushqen e bukura edhe kur e shoh te të tjerët! Adhuroj çdo gjë të bukur, edhe atë që ndoshta për dikë duket e zakontë. Kur kaloj rrugës dhe shikoj një ballkon me lule, kjo e veçantë kaq e thjeshtë, më lë pa frymë…

– Ti je një artiste e kompletuar, interpreton muzikën e lehtë e këngët popullore, ashtu sikurse lirikën. Më thuaj të drejtën, cilën preferon më shumë: skenën e një opere, një koncert, apo një festival të muzikës së lehtë?

– Po të kujtoj një shprehje të mikut të mirë, artistit Ardit Gjerbrea, që një herë më tha: “Ti je si filmat 3 D në muzikë”. Pra, me pak fjalë, duke i dhënë të drejtë Arditit, unë i preferoj të trija zhanret: muzikën lirike, popullore dhe të lehtë. Por, jam edhe realiste kur them se interpretimin e një pjese nga “Traviata” nuk mund ta bëjë çdokush. Duhet Konservatori, punë dhe sakrifica, orë dhe orë pa fund vokalizash. Këtë e them nga eksperienca e viteve si soliste në Teatrin e Operas e Baletit, por edhe nga puna sot si pedagoge në Institutin e Arteve, dega e Kantos.

Ndërsa, të interpretosh një këngë popullore apo të muzikës së lehtë duhet talenti për të kënduar, i cili nuk është një çështje studimi në konservator. Mendoj se sot jeta është e vrullshme, me ritme shumë të shpjeta, ndaj preferohet më shumë një këngë e cila për tre minuta të fal energji aq sa të jetë e mjaftueshme të përballosh ditën. Opera i takon një tjetër shtrese publiku e cila kërkon stil jete më të qetë dhe që është më e pakët.

– Ka një muzë arti Manjola?

– Selin Dion, Lara Fabian janë emra që adhurohen pa dyshim, por unë s’e fsheh adhurimin që kam për Xhenifer Lopezin. Ajo është një binjake e stilit të jetës sime. Tek ajo shikoj gruan e bukur me cilësitë e një artisteje të kompletuar…

 – Më thuaj një motiv me vlerë që një e re apo i ri të bëhet këngëtar?

– Thjesht do thoja që të ndjekin ëndrrën e tyre dhe të mos harrojnë se tingujt që dalin nga zëri dhe shpirti yt, zbukurojnë qoftë dhe disa minuta të jetës së njerëzve dhe kjo nuk është pak.

– Asnjëherë nuk je bërë pishman për zgjedhjen tënde?

– Në vitet kur u turbullua arti në Shqipëri, të gjithë i thamë vetes: “Përse zgjodhëm këtë profesion?” dhe u ngatërruan keq në një vorbull konfuzioni, por tani gjërat kanë marrë një tjetër rrugë. Të ndalojnë shpesh të njohur e të panjohur e të mbulojnë me komplimente dhe kjo më sjell një ndjesi pozitive, kënaqem dhe them se njerëzit gjithsesi nuk i harrojnë artistët dhe artin e vërtetë.

– Urimi për lexuesin e “Intervistës”?

– I pershëndes me këngën “Ti linde për mua”, klipi i realizuar me dashuri dhe mjeshtëri nga Erald Nallbani dhe Ogi Poda. Muzika dhe teksti: Endri Mucaj.

“Sa më shumë vitet kalojnë, më shumë të ndjej

ëndrra ime po t’thërras, aty të gjej

se linda të të dua e ti linde për mua.

Jemi Unë dhe Ti!”

Është kjo këngë për të gjithë ata që e ndjejnë se e kanë gjetur shpirtin e tyre binjak si dhe për ata që janë në kërkim me urimin që edhe ata ta takojnë atë, ashtu siç e kanë ëndërruar. Për secilin nga ne, jeta ka vështirësitë e veta, por fuqia më e madhe e njeriut është dashuria; të duash dhe të të duan! Gëzuar, me dashuri shumë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (2) View Comments (2)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Isha e martuar kur dashurova kolegun...

Next Post

15 shenja paralajmëruese të divorcit

Advertisement