E do muzikën dhe e shikon si pjesë të tijën për gjithë jetën, ndoshta prej faktit që e kanë në gjen familjarisht ose sepse edhe bashkëshortja e tij është një emër i njohur i muzikës shqiptare, Erisa Dragoshi. Donald Shqalshi ka studiuar për fizarmonikë dhe piano që në lice dhe kjo e ka ndihmuar të jetë një nga emrat me të kërkuar në eventet e muzikës popullore dhe në gëzimet familjare…
Fabjola Kuburi: – Donald, përshëndetje dhe mirë se erdhe në faqet e gazetës sonë!
Donald Shqalshi: – Përshëndetje dhe mirë se ju gjej! Uroj të jeni mirë dhe të keni një vit të suksesshëm në punë.
– Muzikën e ke nisur si pasion apo ajo ka lindur bashkë me ty? Na trego, si nisi karriera jote?
– Muzika dhe unë jemi takuar në vitet 2000-2001. Jam marrë me muzikë qëkur kam qenë i vogël. Nuk u nisa me mendimin për të bërë karrierë, por sepse e doja muzikën vërtet. Unë kam studiuar në lice për fizarmonikë dhe piano. Fizarmonikën e kam pasur instrumentin e parë dhe punoj me të edhe sot, por gjithashtu, edhe me organon.
– Sa të lidhura janë këto dy instrumente me njëri-tjetrin?
– Secili ka rëndësinë dhe bukurinë e vet. Unë i dua të dyja shumë dhe bëj muzikë shumë të mirë me secilën prej tyre.
– Pse e do kaq shumë muzikën?
– Kam lindur dhe jam rritur me muzikën sepse unë rrjedh nga një familje që e ka në gjen atë. Nëpërmjet saj, unë shpreh botën time të brendshme, dhimbjen, gëzimin, dashurinë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me ndjeshmëritë njerëzore.
– Në cilën rrymë e gjen veten?
– I bëj të gjitha ose pak nga të gjitha, por popullorja është origjina dhe vatra ime.
– Çfarë mendon se të dallon nga muzikantët e tjerë?
– Jo se dua të bëj dallime, por unë jap maksimumin dhe jam shumë i dashur me publikun…
– Bën muzikë vetëm për pasion apo janë përfitimet financiare ato që të shtyjnë më shumë?
– I pari është pasioni; bëj muzikë për pasion. Paranë pastaj e do edhe mbreti, është arma më e fuqishme në botë dhe nuk do të dukesha shumë i sinqertë po të thoja që nuk ka edhe ajo ndikimin e vet. E rëndësishme është që unë punoj gjithmonë njësoj, me shpirt dhe me dashuri.
– Ti je i lidhur me muzikën edhe familjarisht, sepse edhe bashkëshortja jote është një këngëtare me emër në muzikën shqiptare…
– Po, është e vërtetë dhe ashtu siç thashë edhe më sipër, unë vij nga një familje që e do muzikën, por nga ana tjetër edhe bashkëshortja ime Erisa Dragoshi, është një këngëtare që ka krijuar emrin e saj në muzikën tonë…
– Të pëlqejnë ndryshimet si në jetë, ashtu edhe në profesion?
– Në profesion, në muzikë dua të ndryshoj, të kërkoj dhe të gjej më të mirën.
– Ti ke vite që punon live në lokalet më të mira muzikore, por edhe në evente dhe gëzime familjare, në Shqipëri dhe Evropë. Cili është vendi apo ambienti ku je ndier si në shtëpinë tënde?
– Po, në të vërtetë, punoj më tepër jashtë sesa në Shqipëri… Kam punuar në Greqi, Itali, Kosovë, Maqedoni, Francë, Gjermani dhe, të them të vërtetën, kudo ku kam qenë, më kanë pritur mjaft mirë, por do veçoja Francën, ku jam ndier mrekullisht mirë.
– Je i lodhur nga të punuarit natën?
– Si çdo punë, edhe puna jonë ka anët e saj pozitive dhe negative. Lodhja është një nga këto negativet, por kur jeton me atë që bën, mësohesh, përshtatesh dhe e bën ashtu siç të vjen.
– Gjëja më e bukur që të kanë thënë kur ke interpretuar ndonjë pjesë që ta kanë kërkuar në ndonjë gëzim familjar?
– Janë shumë, por më mbeten në mendje ato fjalë, ndonjëherë edhe me lot në sy, kur njerëzit janë përmalluar…
– Për çfarë do të hiqje dorë nga muzika?
– Vetëm për familjen; ajo është gjëja më e shenjtë në botë për mua, por shpresoj të mos jem asnjëherë në pozitë për të zgjedhur.
– Më thuaj tri gjëra që i ke të domosdoshme në jetë…
– Vetë jetën, familjen dhe muzikën. Këto janë të domosdoshmet për mua, pastaj të tjerat vijnë vetë. (Buzëqesh)
– Ku janë fokusuar ambiciet e tua?
– Ambiciet i kam të fokusuara në muzikë. Do të sjell shumë gjëra të bukura për publikun dhe do të jap maksimumin, ashtu siç kam bërë gjithmonë.
– A ka diçka që do ta shtosh në këtë intervistë?
– Dua të përshëndes të gjithë kolegët e mi, kudo që ndodhen. Në tregun muzikor shqiptar ka shumë muzikantë të paaftë dhe në krahun tjetër, ka shumë talente të panjohura. Për këtë fenomen, duhet bërë patjetër diçka. Ju falënderoj përzemërsisht për intervistën dhe ju uroj suksese. Respekt për të gjithë.