Klima botërore ka arritur në një pikë vendimtare dhe vitet që po jetojmë, 2015-a që po ikën dhe 2016-a, që po vjen do të jenë më të nxehtit, sipas një raporti nga zyra meteorologjike britanike.
Ciklet natyrore klimatike në Oqeanet Paqësor dhe Atlantik po kthehen mbrapsht dhe do të përforcojnë ngrohjen globale të shkaktuar nga njeriu. Kjo do të ndryshojë motin në botë, duke shkaktuar më shumë valë të nxehti. “Në të ardhmen, kur të bëjmë bilancin, do ta shohim këtë periudhë si një moment vendimtar”, tha profesori Adam Skaife, që ka drejtuar analizat e bëra. “Kjo është arsyeja pse ne e theksojmë këtë gjë, pasi po ndodhin shumë ndryshime njëkohësisht. Ky vit dhe viti që vjen do të mbajnë rekord për temperaturat e larta”. Rekordi për vitin më të nxehtë u thye së pari në vitin 2014, kur valë të nxehti pushtuan Kinën, Rusinë, Australinë dhe një pjesë të Amerikës së Jugut. Por, megjithëse emetimet e gazit me efekt serrë e mbajnë nxehtësinë brenda atmosferës së Tokës, në dekadën e fundit është parë një ngadalësim relativ i ritmeve të ngrohjes globale, gjë që disa e kanë quajtur si “pauzë” në ndryshimin klimatik. Tani, sipas të dhënave, “pauza” fallco ka marrë fund dhe ritmet e ngrohjes globale do të përshpejtohen në vitet që vijnë. Këto paralajmërime shoqërojnë edhe samitin e OKB-së për klimën, që po zhvillohet aktualisht në Paris.
Ndërkohë, ka filluar cikli natyral i El Ninjo-s (rrymë e ngrohtë uji në lindje të Oqeanit Paqësor), për ngrohjen e Paqësorit ekuatorial. Pritet të jetë El Ninjo më i fortë që prej vitit 1998 dhe të rrisë temperaturat globale. Ai ka zbutur që tani monsunin (erëra) indian dhe sezonin e uraganëve në Atlantik. Në kontrast me këtë, ka shenja se cikli natyral në Atlantikun verior po lëviz në një periudhë më të ftohtë. Kjo gjë ka më pak ndikim në temperaturat globale sesa ndryshimet e klimës, të shkaktuara nga dora e njeriut, ose ciklet e Oqeanit Paqësor, por ndikon në klimën e Britanisë së Madhe dhe të Evropës Veriore.