Kushdo që e ka njohur, është habitur kur e ka parë në skenën e “Dancing with the Stars”, si kërcimtar, por a mund të habitesh me zgjedhjet e Mitros?! Nga një njeri që rimartohet në moshën 60-vjeçare me të njëjtën grua, mund të presësh gjithçka! Ai pranoi të bënte me ne këtë bisedë origjinale në lidhje me spektaklin, punën e tij si gazetar, ish-deputet dhe ekonomist i njohur. Me të, asnjë bisedë nuk është larg humorit, ndaj, jeni të paralajmëruar!
Blerina Çizmja: – Mitro, të kemi njohur si gazetar, politikan dhe ekonomist, por ja që erdhi dita të të shohim edhe si kërcimtar. Si ndodhi?
Mitro Çela: – Një të diel isha ulur për qejfin tim te Blloku. Pija kafe dhe rrotulloja kokën lart e poshtë që të shikoja ndonjë bjonde, kur më ra telefoni. Ishte Olta Dulaku. U takuam te Sheratoni dhe, meqë kafen e kisha pirë, mora një lëng portokalli. “Mitro, do të të ftoj te programi im “Dancing with the stars””, më tha dhe mua më ngeli gota në dorë. “Je në të? Unë tani jam 67 pranvera”, i thashë. “Prandaj të dua”, më tha. “Unë s’kam kërcyer asnjëherë, bile e kam pasur inat kërcimin”. “Prandaj të dua”, vazhdoi. Për të gjetur një sebep, i thashë: “Unë jam në një punë, te “Fiks fare”, kam një shef”… Kur erdha në shtëpi, i tregova ezmerkës sime (gruas). “Ç’të duhet ty të vesh atje? Je i sëmurë me diabet e me tension”, më tha. Nusja e djalit, që është nga Kosta Rika dhe që e ka në gjen kërcimin, “Jo, don Mitro, shko, të ndihmoj unë”, më tha. Edhe një mbesë tjetër më premtoi të më ndihmonte. Kështu, i thashë Filipit (Çakuli). “Ore, tha, dëgjo mua, që ke rrjedhur ti, e di unë, por po rrimë bashkë e do thonë se kam rrjedhur edhe unë”. Të gjithë ata që ishin aty, balerina e të tjerë më thoshin shko se të ndihmojmë ne e të mbështesim me vota.
– Dhe kështu, vendose të shkoje!
– Jo, erdhi një ditë e vendosa të mos shkoja, jo për frikë, por sidoqoftë, kur është një gjë që s’e ke bërë ndonjëherë… I thashë Denisa Haxhiajt (zëvendëse e Filip Çakulit) se s’do të shkoja se kisha edhe punë, por ajo më tha se për sa kohë do të isha në spektakël, qytetarët do t’i priste ajo. E kështu, shkova unë në Dancing, si cjapi te kasapi…
– Domethënë, njëherë vendose të mos shkosh, por pastaj shkove! Çfarë të bëri të vendosësh?
– Dëgjo, njeriu nuk e ka në dorë moshën, por ka në dorë shpirtin. Shpirti, ose do të jetë sa trupi, ose më i madh se trupi, ose mund ta ulësh. Unë u martova të dytën herë me të njëjtën grua dhe u bëra dhëndërr 60 vjeç. Kjo më bëri shumë mirë, më përtëriu shpirtin… Në Shqipëri janë rreth 700 mijë pensionistë. Pjesa dërrmuese e tyre e kanë lëshuar veten, ose shkojnë nga liqeni e luajnë me letra… Për të mos folur si politikan, se unë jam një politikan i dështuar (buzëqesh), pjesëmarrja ime në spektakël ishte si një lloj mesazhi që njeriu në çdo moshë mund ta gjejë një mundësi që ta përtërijë shpirtin e tij. Unë punoj në një zyrë me Koço Devolen, që është 72 vjeç, por punon dhe puna e mban gjallë. Vëllai im, Polikron Çela, pediatër, që është 82 vjeç, i ka vdekur gruaja e jeton vetëm. Dy vajzat, njëra në Izrael e tjetra në Çeki i thonë të shkojë tek ato, por ai thotë se “po lashë punën, do vdes”. Njeriu ndihet më mirë kur jep, sesa kur merr.
– Megjithatë, nuk besoj se e ke patur aq të lehtë në “Dancing With the Stars”?
– Ishte shumë e vështirë se duhet që për pesë ditë të mësosh një vallëzim. Unë kisha tangon, vals dhe një rok end roll. Pata fatin e mirë që balerina ime, Ermira Behari, është pedagoge te Shkolla e Baletit dhe është mësuar të punojë me kalamajtë…
– Me kalamajtë?
– Po, sepse Mao Ce Duni thoshte se mosha fillon në 60 vjeç; duke qenë 67, unë 7 vjeç i bie të jem! (Qesh) Mira më bërtiste ndonjëherë, por unë i thosha “mos bërtit, se unë shkoj prapa pastaj”… Ajo ka vuajtur shumë me mua, sepse nuk kisha asnjë lidhje me kërcimin, ndryshe nga të gjithë konkurrentët e tjerë.
– Natën e parë, ti kërceve një vals…
– Po, si dru me pre, po hajt më… Më tha Ilir Shaqiri: “Ti Mitro shkruan habere. Po të shkruaje një haber sot, çfarë do të shkruaje?”. I thashë: “Do shkruaja: Mitro xhani, ç’t’u desh kjo punë?!”. Në kërcimin e parë dhe të dytë, truri im nuk e regjistronte dot koreografinë. Pasi bëja provat, në shtëpi me mua merrej nusja, pastaj vinte mbesa… Në kërcimin e tretë truri filloi të vihej në lëvizje. Si duket u mësua edhe trupi dhe nuk ndjeja lodhje gjatë stërvitjes. Siç thonë gojët e liga, edhe mund të mos kisha ikur kësaj radhe… Unë kam 43 vjet që shkruaj në gazetë, nga “Zëri i Popullit”, te gazeta “Bashkimi”, “RD” e me radhë… Procedura ime e punës është kështu: I mbledh faktet, i shkruaj. Pastaj duhet të shtrihem njëzet minuta që t’i “shkruaj” në kokë dhe më vonë, t’i hedh në letër. Aty, arrita avash-avash që edhe koreografinë ta hidhja në tru. Atëhere kur erdhi koha që unë diçka bëja, u skualifikova (buzëqesh)… Gjithsesi, më shumë nuk rrija!
– Pse?
– E para, sepse është shumë e lodhshme. Unë humba 4 kile, megjithëse ulja 8 centimetra e barkut ishte gjë e mirë. E dyta, nuk duhet të jesh në punë, të paktën ata muaj. Unë bëja stërvitjen diku afër Spitalit dhe pastaj duhet të shkoja në punë në Kashar. Isha shumë i angazhuar. Megjithatë, për mua, kjo ishte një nga përvojat më të bukura dhe e falënderoj Oltën që më ftoi. Më janë shtuar shumë miq e shokë. I gjithë grupi më trajtonin si të barabartë, edhe pse jam gjysh… Bisedonim, më thonin hallet e tyre, më ndihmonin, më korrigjonin. Jam ndier shumë mirë; është një nga përvojat më të mira që kam…
– Aq e mirë sa do ta përsërisje, po të të jepej mundësia?
– Me thënë të drejtën, jo… aq më tepër që do të shkoja 70 vjeç atëhere! (Buzëqesh) Pas Viktor Zhustit, 68 vjeç, unë isha i dyti në moshë të madhe që kam marrë pjesë. Vështirë t’i futesh prapë, s’do t’ia këshilloja më vetes sime se, çdo e mirë e ka një të keqe. Si thoshte Nonda Bulka: “Më vdiq vjehrra, gjë e mirë… Do bëj shpenzimet e varrimit, gjë e keqe”. Sa ndikon për mirë te diabeti lëvizja, aq ndikon për keq te tensioni… Ama, të marrësh pjesë një herë, është fat.
– Unë them se është fat që ata të kishin në kastin e konkurrentëve…
– Jo, ata më nderuan që më ftuan mua! Sa i përket fatit, siç i thashë edhe maestros, “fati më ka ndjekur gjithë jetën mua, qëkur linda. Ishte me barrë lopa dhe mamaja. Atë ditë që më lindi mamaja mua, lindi edhe lopa. Lopa bëri dy viça, bashkë me mua u bënë tre viça”…
– Përtej kënaqësisë që more dhe që na dhe, ke ndonjë sugjerim për spektaklin në përgjithësi?
– Kam vënë re se ky spektakël ndiqet nga mosha 35-40 vjeç e sipër, ndaj mendoj se mund të bëhet një politikë që në spektakël të ketë grupmosha edhe më të mëdha. Për shembull, është më mirë kur merr në kërcim jo një VIP, por një “rrip” si puna ime (qesh) sesa të marrësh ata që janë të kësaj pune. Është më mirë të marrësh njerëz që mësojnë aty, që e nisin kërcimin nga A-ja.
– Tani që ke mësuar të kërcesh, do t’ia besosh një vals gruas?
– S’kam kërcyer fare unë me ezmerkën time…
– Ke bërë dy dasma dhe s’ke kërcyer?
– Po ia kam thënë: “Do mësosh të kërcesh, se pastaj s’kam ç’të bëj, do kërcej me të tjera unë”. Leqë më mbytën gocat! Erdhi një ditë njëra më tha “më jep një autograf”. “Ou, i thashë, unë s’kam dhënë as në rini!”… U them edhe atyre gocave te Top-i që janë shumë të bukura: “Ç’t’i bëj mamasë unë që më ka lindur në vitin 1948?!”. (Qesh)
– Mitro, si e ke “rregulluar” me gruan që nuk mërzitet, kur ti vazhdimisht flet për femrat?
– Kjo gruaja ime lexon vetëm shkrimet e mia për ekonominë, të tjerat nuk i lexon. Kur isha i ftuar tek “Opinion”-i, më njoftoi gazetarja se emisioni do të transmetohej atë natë në orën 10 e 20. “Mirë bëre që më lajmërove, i thashë, t’i them gruas të flejë që në dhjetë”. (Qesh) Atë natë gruaja donte të shihte “Opinion”-in, por unë i thashë se ishte më mirë të shikonim ndonjë gjë tjetër… Dëgjo, për mua familja është e shenjtë. Duhet ta njohësh njeriun që ke në krah, të kuptohesh. Unë jam i hapur dhe flas hapur. Unë kam shkruar për ekonominë, nga viti 1991-1997. Kur dola nga parlamenti, ndryshova stil dhe thashë: “Do shkruaj në një mënyrë të tillë që, në fund fare, lexuesi të qeshë dy herë”. Dhe shkrova njëzet faqe. Ia dhashë ezmerkës. Kur i lexoi, më tha: “Më vjen turp nga shoqet, mos i boto”. Ia nisa edhe djalit. Ai më tha se ishin mirë. Ylli Rakipi qeshte dhe ia lexonte Spartak Ngjelës në telefon. Pas asaj, unë shkruaj edhe dy habere në ditë. Kam shkruar katër libra të kësaj natyre, me pak sarkazëm, humor, ironi, por gruaja nuk i ka lexuar, kështu që jam në rregull.
– Nejse, në përgjithësi, thuhet se ata që nuk flasin për femrat janë më keq…
– Çfarë thua? Ata janë më të rrezikshëm!
– Kur flitet për ty, të gjithë përmendin faktin që je martuar së dyti, me të njëjtën grua! Si të lindi ideja?
– Ideja nuk ishte e imja, por e gruas. Tre vjet gërr-mërr, gërr-mërr. Ne jemi martuar në vitin ’81, kur s’kishte kisha dhe ajo donte të vinim kurorë në kishë. U rimartuam në vitin 2009, kur unë isha 60 vjeç dhe kishim rreth 30 vjet martuar Ka qenë një gjë shumë e veçantë. Pasi ndodhi, e kuptuam se kishte qenë thyerja e një tabuje… Në kishë ishin rreth 350 vetë, pastaj bëmë dasëm tamam, me kurorë të bardhë, u puthëm atje e të gjitha… Pas kësaj, s’më pyet më njeri për ekonominë, por si u martova, tek u martova… Një herë bile më pyetën se ku ndryshonte martesa e parë nga e dyta. “Epo, i thashë, martesa e parë kishte seks, e dyta s’kishte”.
– Nusja është katolike, ndërsa ti, ortodoks…
– Po, po… Tashti themi të bëjmë edhe një dasmë te Kisha Ortodokse, po përpara e kemi, të rinj jemi… (Qesh)
– Ju jetoni prej pesë vjetësh në një shtëpi me djalin, nipin dhe nusen e huaj. Si është bashkëjetesa me të?
– Djali im ka qenë në Japoni dhe u njoh në master me nusen që ka. Djali do të vazhdonte doktoraturën edhe tre vjet të tjera, por na tha se nusja do të vinte të jetonte me ne. Mua m’u kujtua mamaja që thoshte: “djali ushtar e nusja xhandar”, por kur erdhi nusja, pashë se ajo është shumë e veçantë, e edukuar, e dashur. Ishte shtatzënë e na bëri një djalë. Ne po shikonim për një shtëpi për ta, kur djali më tha se nusja kishte dëshirë të jetonte me ne. Nusja jonë është shumë e veçantë. Nuset zakonisht e kanë zakon të shpojnë djemtë, kurse kjo, edhe kur djali im e thotë një llaf, thotë “ule zërin”. Kemi pesë vjet e s’kemi shkëmbyer një fjalë. Ngaqë ka vuajtur vetë të mësojë shqipen, i flet shqip djalit. Në Kosta Rika kanë qenë familje e madhe si ne, kanë vuajtur, me sakrificë prindërit i kanë çuar në shkolla dhe e di ç’është familja. Ka mësuar shqip, sa disa mendojnë se është shqiptare. Jemi aq mirë sa unë mezi pres të shkoj në shtëpi për nipin e vogël…
– Pas spektaklit, të kemi parë shumë aktiv në televizione… Ishe tek “Opinion”, do të jesh tek “E diell”…
– Do të jem edhe tek “E hënë”… (Buzëqesh) Unë kam mbaruar Ekonomikun, shkruaj dhe nuk kisha nevojë për reklamë, sepse nga jeta jam ngopur, jetës në shtyp ia kam marrë të gjitha. Kam qenë gazetar me emër, u bëra shef, deputet, kam shkruar katër libra, kam punuar në televizione e gazeta. Kjo që bëra, të bën të përtërihesh dhe të të trajtojnë si të barabartë, edhe pse nuk jam ai që kam qenë. Prandaj them se është një mesazh që të mos e lëshojë njeriu veten. Një shok i imi më tha një ditë se unë kisha fat, ndërkohë që mua jo rastësisht më ftuan. Njeriu duhet të gjejë kënde, mundësi, në çdo moshë mund të gjejë diçka të veçantë. E që thua ti, ky shoku im nuk dinte as të ruante një numër në telefon… (Buzëqesh) Më kujtoi atë që tregonte Agron Duka… Kur ishte ministër, i kishte ardhur një shok klase për t’i kërkuar vend pune. E kishte pyetur: “Di anglisht?”. “Jo”. “Di kompjuter?” “Jo”. “Epo, i kishte thënë Duka, ti qenke për ministër!”.
– Të gjithë ata me të cilët kam folur për këtë intervistë, më kanë thënë: Do të kënaqesh, Mitroja është shumë i këndshëm…
– Ia kanë fut kot fare! (Qesh)
– Tani jam e bindur që jo! Si i bëhet për të qenë kaq simpatik në sytë e të gjithëve?
– Unë kam pasur ca parime të miat në jetë, mundohem të bëj mirë. Kam ndihmuar kë kam mundur dhe më bëhet qejfi që të gjithë, që te drejtori e te polici, vijnë tek unë pa ndrojtje dhe unë mundohem t’i ndihmoj pa dallim. Pastaj, duke qenë në shtyp, shumë gazetarë kanë qenë si nxënësit e mi. Sa i përket tipit pastaj… Mamaja ime ka qenë me shumë humor. Kur u fejova me gruan time, që ishte shumë e bukur (Më mori nga halli, e zeza, se do të më merrte mua, Mitron e shkurtër, gazetar të “Zërit”, ose do të shkonte me punë në Shëngjin. Ajo më zgjodhi mua!), e pyeta mamanë, në atë kohë 65 vjeçe, se si iu duk nusja. Më tha: “Mirë, mirë, po e kishte të vogël gjoksin. Po mos u mërzit, se po t’ia fërkosh, i rritet…”. Mua më kanë bërë shumë mirë kontaktet e shumta që kam patur me njerëzit dhe jeta parlamentare…
– Çfarë të ka dhënë më shumë jeta parlamentare?
– Unë nuk doja të bëja karrierë. Më thanë të bëhesha zëvendës kryeministër, pastaj ministër, por kur i thashë ezmerkës, m’u përgjigj: “E ç’të duhet? Një çikë je i hutuar ti, do vesh në burg”. Më thanë të shkoja ambasador në Romë, por nuk pranova. Kur i thashë ezmerkës, “ti je kot fare, më tha. Pse të mos vemi? Të isha edhe unë, gruaja e ambasadorit…”. Jeta parlamentare më ka shtuar elementë të gazetarisë. Unë kam ndenjur një herë dy vjet pa folur në parlament, ama rrogën muaj për muaj e merrja. Tani e di ç’do të thotë të jesh deputet. Ka ca privilegje… Në pension del 55 vjeç… Kur shkova të merrja pensionin, më tha njëra: “Kur do vijë ai xhaja të marrë lekët?”. “Xhaja jam vetë!”, i thashë unë.
— Kam një pyetje së cilës, më mirë se ti, nuk mund t’i përgjigjet askush: A bëhet gazetari sot?
– Me thënë të drejtën, nuk bëhet. A-ja e gazetarisë është lajmi. Nuk duhet të na gjejë, por ta gjejmë lajmin dhe për këtë duhet të lëvizësh këmbët, kontaktet, njohjet. Sot, ç’bëhet? Marrin shënim vetëm ato që thotë kryeministri dhe të kalosh nga njëri ekran te tjetri, të gjithë janë njësoj. Po të mos dalin spikeret e bukura për t’i lexuar lajmet e sotme, nuk bëjnë, se i shkruajnë me këmbë. Më erdhi një gazetar mua e më solli një lajm. E pyeta: Ku e ke kokën e lajmit? Çfarë koke shef, më tha, lajmi s’ka kokë”. “Po çdo gjë e ka një kokë”, i thashë. Te “Fiks fare” bëhet gazetari. Sot janë nisur në mëngjes një grup pune në orën 5 për Gjirokastër. Nesër nisen dy grupe, një për Sarandë e tjetri për Tropojë. Gjen sot gazetarë të tillë në televizione të tjera?
– Në fund, një kuriozitet kam… Jeni paguar nga spektakli?
– S’i kemi marrë akoma, por do të na japin nga 1000 euro. E pashë ezmerkën me kontratë në dorë unë një ditë. Kishte lexuar vetëm se në fund të muajit do merrnim 1000 euro. Ato vuajtjet e mia s’i kishte parë fare ajo…