Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ketlina: Jo çdo gjë është si në televizion!

Është shkodrane, e bukur, e talentuar, por mbi të gjitha, një karakter që shpërndan mirësi. Të tillë e kemi parë edhe në skenën e Këngës Magjike, ku ajo vjen me një këngë rege që, edhe nëse këtë vit nuk do të marrë çmim, një gjë është e sigurtë: tashmë i ka pushtuar zemrat e publikut, ashtu si edhe zëri që e përcjell atë! Në këtë intervistë, Ketlina na tregon edhe më shumë, për këngën dhe për veten…

 

Blerina Çizmja: – Ketlin, fillimisht, më shuaj një kureshtje… Të kesh mbiemrin Pjalmi, do të thotë të jesh edhe vetë e tillë?

Advertisement

Ketlin Pjalmi: – (Qesh) Me të vërtetë kam pas fat ta kem këtë mbiemër se, përveçse tingëllon bukur, e kam pëlqyer që në momentet që kam kuptuar domethënien e fjalës. Madje, kënaqem kur njerëzit më thërrasin shpeshherë “Pjalmi”.

– Ke ardhur hareshëm në Këngën Magjike, me ritmet e këngës tënde… Mendon se do të dalësh po kaq hareshëm prej saj?

– Qëllimi i pjesëmarrjes në Këngën Magjike ishte të krijoja kontakte, të kisha mundësinë të debutoja në skena të tilla të mbushura me artistët më në zë e të bëja qejf, ndaj sido që të jetë fundi, unë sërish do të jem shumë e lumtur.

– Shpreson në ndonjë çmim të çfarëdoshëm, apo beson te çmimi i madh?

– Rrëmbimi i ndonjë çmimi do të ishte fantastik, por sido që të jetë, jam shumë e kënaqur me pritjen që i ka bërë publiku këngës.

– Më thuaj diçka… pse duhet ta fitojë kënga jote Këngën Magjike? Çfarë ka magjike në të?

– Përcaktimi i fitores u takon kolegëve të mi dhe publikut; unë nuk mund të flas.

– “Po hyna mo nuk dal”, thua ti në këngë kur flet për “zemrën e tij”… Ke pushtuar ndonjë zemër aktualisht?

– Teksti nuk është i shkruar nga unë, ndaj nuk lidhet me mua, unë thjesht kam përcjellë fjalët e tekstshkruesit.

– Por mos më thuaj që zemra jote, nuk ka ngelur ngat gjëkundi?

– Zemra ime është me mua dhe më e fortë se kurrë, për të përballuar emocionet e të papriturat që skena, muzika sjell. (Buzëqesh)

– A mund të themi “po hyna mo nuk dal”, edhe nëse flasim për hyrjen tënde në muzikë?

– Më ke lexuar mendjen! Unë, ngaqë nuk kam ndonjë dedikim personal për të bërë, tekstin ia kushtoj publikut, në sensin që, po më deshën dhe pranuan, unë do të punoj fort që të mos dal më! (Buzëqesh)

– Mund të themi se i ke hyrë muzikës me kokë, duke patur parasysh se, megjithëse fare e re, tashmë ti ke karrierën tënde në të, duke nisur që nga “Gjeniu i vogël”?

– Realisht, karriera ime ka nisur edhe më herët në Shkodër, që në moshën 4 vjeçare, por duhet ta pranoj se “Gjeniu i vogël” ishte një trampolinë për karrierën time në vazhdim.

– Çfarë ka ndryshuar te Ketlina që nga vajza e vogël e Gjeniut?

– Ajo që edhe vihet re shumë dukshëm, është që kam rënë nga pesha. (Qesh) Kanë ndryshuar shijet muzikore… Isha aq e dhënë pas muzikës latine saqë Adrian Hila më thoshte me të qeshur: “Ketlin, ti, televizorin te Tv Barcelona e lë gjithë ditën?”. (Qesh) Sot ndjek rryma për të cilat atëherë nuk bëhej fjalë, siç mund të jetë edhe rasti i reges, që është edhe stili i këngës time te Kënga Magjike.

– Ndërkohë që, në familjen tënde këndohet muzikë lirike… Mund të themi se i ke “rrëshqitur” paksa traditës?

– Po, shumë e vërtetë! Nuk do të thoja “rrëshqit”, pasi unë e pëlqej shumë muzikën klasike, por mund të them “deviju pak”, pasi nuk e këndoj atë. Them se mami e ka thënë fjalën e fundit në muzikën lirike dhe unë e kisha pak frikë konkurrencën e saj. (Qesh)

– Dhe, meqë jemi te mamaja… Ke thënë se ajo nuk donte që ti të merreshe me muzikë. Përse?

– Po, duke qenë se ka qenë vetë pjesë e artit, ajo e di se si janë vështirësitë, pasi duhet ta pranojmë që jo çdo gjë është aq e bukur sa duket në televizon. Dhe, si çdo prind që do të “ruajë” fëmijën e tij nga diçka që e ka kaluar edhe vetë, këtë tentoi të bënte edhe mami im, por nuk ia doli, pasi ishte ajo vetë që e kishte kultivuar dashurinë time për muzikën, duke më marrë me vete në prova, koncerte etj.

– Është ajo e kënaqur tashmë me rrugën që ti e zgjodhe vetë?

– Jo vetëm që është e kënaqur, por edhe është pranë meje në çdo hap timin. Jo vetëm ajo, por e gjithë familja ime.

– Përveçse “vajzë muzike”, ti je edhe “vajzë ekrani”…

– E vërtetë… që në moshën 8-vjeçare m’u propozua të isha pjesë e televizionit dhe të drejtoja një emision fëmijësh. Aty nisi e gjithë “çmenduria”… E them kështu, pasi isha një fëmijë që drejtoja fëmijë, ndonjëherë edhe me të mëdhenj se vetja… (Qesh) Pastaj, së bashku me mua, u rritën edhe formatet e emisioneve…

– …deri më sot, kur ti drejton një emision mbi stilin e të jetuarit…

– Po, emisioni televiziv Living konsiston në stilin e të jetuarit dhe është i ndërthurur mes një vajze adoleshente e cila shkon në shkollë e mundohet të jetojë moshën e saj dhe një tjetre, që duhet të impostohet si më e rritur për hir të ekranit dhe që nuk ka thuajse aspak kohë të lirë nga aktivitetet.

– Mirë, Ketlin, meqë të njohëm paksa sa i përket asaj që na tregon nga ekrani, na thuaj diçka për Ketlinën e përditshme… Cilën cilësi e ke me tepricë dhe cilën nuk e ke fare në karakterin tënd?

– Më e saktë do të ishte që këtë ta përcaktonte dikush që më njeh mirë… Unë vetë mund të them se me tepricë kam guximin. Nga ana tjetër, nuk mund të them se nuk kam fare ego, por besoj se duhet të kisha pak më tepër.

– Për çfarë e quan veten me fat?

– Që kam një familjë të shëndoshë, njerëz nga të cilët marr dashuri dhe mund të jap pa kushte, që më kuptojnë dhe më mbështesin.

– Është e vërtetë se femrat mendojnë më shumë për anën e fshehtë të një pyetjeje sesa për vetë pyetjen?

– Do të thoja se kjo varet më tepër nga tipi sesa nga gjinia.

– Për shembull, nëse unë të pyes se si i kalon netët, sipas teje, çfarë dua të di në të vërtetë?

– Ti do të dish nëse unë fle herët apo vonë…  (Qesh)

– Nëse nesër do të ishte fundi i botës, çfarë do të të ngelte peng që nuk e bëre dot kurrë?

– Që “fundi i botës” nuk më la të mbaja premtimet që kisha dhënë.

 

 

Çfarë duhet të ketë më së shumti…

 

…një vajzë e bukur?

– Zgjuarsi, për të qenë paketë e plotë.

…një vajzë e dashuruar?

– Besoj se fat.

…një këngëtare e suksesshme?

– Talentin.

…një shkodrane?

– Humorin.

…një prezantuese?

– Oratorinë.

…një politikane?

– Ndershmërinë.

…një gazetare?

– Guximin dhe lirinë e fjalës.

…Ketlina?

– Dashamirës, njerëz që e mbështesin.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Lamtumira jote më la plagë…

Next Post

Im shoq tentoi të më vriste. Çfarë rruge ligjore të ndjek?

Advertisement