Përshëndetje! Besoj se të gjithë ju lexues të kësaj gazete, kur të lexoni historinë time, do ta shikoni si një marrëzi, por ju betohem që nuk është e tillë. Në fillim po prezantohem, jam një burrë tashmë pesëdhjetë e tetë vjeç. Që në krye të historisë sime po sqaroj se nuk ju shkrova sepse doja ta ndaja me lexuesit e gazetës suaj dhembjen time, por që këtë letër ta lexojë personi që më ndryshoi jetën dhe të kthehet përsëri tek unë.
Në kohën kur u zhvillua ngjarja unë isha dyzetë e pesë vjeç, i martuar dhe kisha dy fëmijë, kisha mbaruar shkollën për Ekonomi dhe i isha futur biznesit duke hapur disa dyqane në Tiranë dhe në rrethe. Kisha ndërtuar edhe një ekip pune, i cili mbikëqyrte biznesin tim. Furnizimet i bëja në Evropë, por nuk është ky qëllimi i asaj që dua t’ju tregoj. Këtë hyrje e bëra për të thënë se isha shumë në gjendje nga ana ekonomike, mbaja telefon me kontratë, ose ndryshe, kisha numër me njëzet, të cilët i kishin të rrallë në atë kohë. Ishte një mbrëmje dimri kur tek unë lindi një ndjenjë e bukur, që nuk kam aspak turp ta quaj dashuri. Ishte muaji dhjetor dhe unë ndodhesha në Gjermani për të bërë furnizimet me elektro-shtëpiake. Po afronin festat dhe ajo ishte periudha kur kisha më shumë punë. Ishte ora 11 e natës kur më erdhi një zile në telefon. E pashë që ishte një numër i panjohur, por gjithsesi e mora në telefon. Një zë vajze m’u përgjigj: “Alo!”. Kujtimi i zërit të saj, edhe sot ma drithëron zemrën. I hutuar e pyeta se kush ishte dhe ajo m’u përgjigj: “Më fal, i kam rënë gabim”. Në fillim mendova se do të ishte ndonjë nga ato femrat e rëndomta të cilat u binin telefonave me njëzet për të gjetur dashnorë, por nga biseda me të kuptova se ishte vërtet një gabim. Ajo donte të merrte dajën, që kishte gjithashtu një numër me kontratë. Ajo telefonatë më bëri më të lumturin, por edhe më të trishtuarin njëkohësisht. Të them të drejtën, ajo nuk donte të fliste, por unë po këmbëngulja aq shumë…
Në atë dhomë hoteli në Gjermani, ndjehesha aq i vetmuar, saqë zëri i saj m’u duk si ujë në shkretëtirë. Unë u prezantova me një emër ndryshe (sigurisht, doja vetëm të kaloja kohën ato ditë që do të ndodhesha në Gjermani), por në fakt ndodhi ndryshe, me “vajzën e telefonit” ndodhi diçka që unë vetë nuk e kisha parashikuar. Kishte patur raste kur femrat i kishin rënë numrit tim, ndoshta dhe nga reklamat që unë bëja nëpër dyqane, por asnjëherë nuk kisha hyrë në muhabete kaq të thella, me to kaloja vetëm kohën duke folur, por asnjëherë s’kisha dashur t’i takoja, edhe pse shumë prej tyre më luteshin. Po e quaj “vajza e telefonit” engjëllin që më shndriti atë natë të ftohtë dhjetori me zërin e saj fëminor, naiv dhe të padjallëzuar. Ishte aq e ëmbël, aq e butë… Edhe kur nxehej, dukej sikur të përkëdhelte me fjalët e saj. Atë natë ajo disa herë e mbylli telefonin duke më kërkuar që të mos e shqetësoja më, por kjo ishte e pamundur nga ana ime. Ajo, me zërin e saj të pafajshëm, sikur më ndillte drejt saj, më dukej sikur edhe ajo e donte një gjë të tillë. Edhe pse minutat fluturonin sepse unë flisja me roaming, as që doja t’ia dija. Atë natë folëm shumë, unë i thashë vajzës se isha doktor dhe ajo mundohej të më pyeste për shumë gjëra që unë ia shpjegoja, me aq sa dija nga njohuritë e mia. Ajo besonte në çdo gjë që i thoja.
“Vajza e telefonit” jetonte në një fshat malor, shumë larg nga Tirana dhe dukej se bënte një jetë të izoluar. Ajo kishte mbaruar gjimnazin dhe tani rrinte në shtëpi, duke pritur që t’i vinte fati i saj. Dukej sikur e vetmja pasuri që ajo kishte, ishte ai telefon, të cilin ia kishte dhuruar motra e saj që jetonte në Greqi. Ajo tashmë i gëzohej telefonatës sime, isha për të i vetmi shok me të cilin ajo mund të hapej.
Ajo natë u pasua edhe nga shumë net të tjera. Asaj nuk i kisha thënë të vërtetën për jetën time, nuk i kisha treguar se unë isha i martuar dhe me fëmijë, sepse e kuptova se ajo ishte nga ato vajza që, po ta dinte këtë, nuk do të pranonte të fliste më me mua. Ajo më besoi, sepse ajo natë u pasua edhe nga shumë net të tjera pa gjumë. Tashmë ishte bërë ritual i ditës dhe i darkës që unë të flisja me atë engjëll. Si unë, edhe ajo, e dinim se historia jonë nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një histori telefoni dhe unë vërtet nuk i kisha treguar për jetën time, por as nuk i kisha ushqyer ndonjë shpresë se ne mund të ishim bashkë ndonjë ditë. Historia jonë ishte e bukur ashtu siç ishte, pa ngarkesa psikologjike. Me pak fjalë, secili nga ne i dinte kufijtë e tij dhe nuk kërkonim ta lëndonim njëri–tjetrin. Besoj se të gjithë ju jeni duke menduar se si ia bëja që flisja me atë vajzë. Ishte e thjeshtë, ajo më kishte dhënë një forcë të brendshme që edhe vetë kur e mendoj sot, më duket e habitshme. Në shtëpi kisha një studio ku punoja deri vonë dhe ky ishte justifikimi që i thoja gruas, për të folur me “engjëllin tim”. Me orë të tëra i kalonim pa gjumë. Kishte raste kur unë ngrihesha në orën tre-katër të mëngjesit, sepse një zë i brendshëm më thërriste dhe doja të dëgjoja patjetër zërin e saj. Edhe ajo, ashtu e butë dhe e ëmbël siç ishte, nuk u tha kurrë “jo” telefonatave të mia, me orar e pa orar. Kjo më bënte të ndjeja shumë për të. Bisedat tona kishin natyra të ndryshme… Në fillim flisnim shumë për njëri-tjetrin. Unë i tregoja për jetën e fëmijërinë time dhe ajo bënte të njëjtën gjë, vetëm me një ndryshim. Në çdo bisedë të saj kishte vetëm sinqeritet, ndërsa tek unë sinqeriteti linte shumë për të dëshiruar… E adhuroja çdo fjalë që nxirrte nga goja. Zëri i saj i ëmbël kombinohej këndshëm edhe me përkëdhelitë e saj fëmijërore dhe kjo më bënte njeriun më të lumtur në botë. Me çiltërsinë dhe ëmbëlsinë që ajo transmetonte, më dukej sikur çdo ditë e më shumë më thithte mbas vetes si një magnet.
Kishte kaluar gati një vit qëkur ishim njohur dhe telefonatat nuk kishin pushuar asnjë ditë të vetme, faturat e telefonit vinin me çmime shumë të larta, bisedat telefonike ishin shumë të shpeshta, edhe kur isha në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Gjithmonë gjeja një justifikim sikur do shkoja në një qytet tjetër për punët e biznesit dhe qëndroja në hotele dhe gjithë natën thuajse e gdhinim duke folur në telefon.
“Vajza e telefonit” më thoshte gjithmonë se isha duke harxhuar shumë në telefon (atëherë nuk kishte oferta siç ka sot) dhe unë ia ktheja me shaka se me gjithë ato lekë do të kisha blerë një makinë shumë të mirë. Por ajo ishte një njeri që nuk e tërhiqnin gjërat materiale dhe kjo më tërhiqte aq shumë mbas saj. Femrat e tjera, e para gjë që do të kërkonin, do të ishte t’u blije karta telefoni, t’u dërgoje lek e shumë e shumë gjëra të tjera. Mbas një viti komunikimi mes nesh, gjërat kishin ndryshuar shumë, dëshira e madhe për ta patur pranë vetes atë vajzë kishte bërë që edhe ndjenjat e mia për të të ndryshonin. Kisha rënë në dashuri me të pa e kuptuar dhe pa e parë se çfarë paraqitjeje kishte. Unë e kisha krijuar vetë portretin e saj, në bazë të vlerave që ajo kishte. Edhe pse nuk doja t’i ngatërroja ndjenjat e mia në këtë lidhje, tashmë ishte e kotë. Ashtu si pa kuptuar, kisha filluar të kisha një komunikim ndryshe me të, kisha filluar të përdorja shprehjet që përdorin të dashuruarit midis tyre “zemër, shpirt” e shumë e shumë të tjera. Ajo nuk donte t’i dëgjonte këto shprehje nga goja ime, sepse më thoshte “jemi vetëm shokë”, por unë e ndjeja se ajo kënaqej nga këto fjalë, ndjehej e dashuruar dhe e përkëdhelur nga unë. Unë ëndërroja shumë për atë vajzë, doja ta takoja, ta përqafoja, ta ledhatoja fytyrën e saj si të një engjëlli, por kjo ishte e pamundur. E para, nuk doja ta sakrifikoja familjen dhe fëmijët e mi, sepse ata ishin në një moshë delikate dhe kishin nevojë për mbështetjen time dhe e dyta, ne kishim një diferencë moshe. Plus kësaj, isha i sigurt se kur ajo ta merrte vesh se unë isha i martuar, do ta lëndoja shumë dhe nuk do të pranonte të fliste me mua. Unë e kisha pranuar realitetin; më mjaftonte fakti që e kisha njohur atë vajzë dhe që komunikoja me të, pa asnjë lloj kushti.
Mbas shumë kohësh komunikimi me të, bisedat tona ishin bërë më të ngrohta e më intime. Si të thuash, në bisedë ne i ngjanim një çifti që është në krevatin bashkëshortor dhe për të arritur këtë me atë vajzë m’u desh shumë punë, sepse ajo ishte akoma me mentalitetin e fshatit, të fliste për gjëra të tilla ishte “turp”.
Kjo gjë më bënte ta doja akoma më shumë. Me plot gojën po ju them se kënaqësinë që më dhuronte ajo vajzë nuk e ndjeja me asnjë grua në krevat. Besoj se edhe ajo ndjente një gjë të tillë, si të thuash, unë isha i “fejuari i saj virtual”. Ne flisnim për shumë gjëra intime, që ajo as me shoqet nuk i kishte biseduar. Por, si gjithmonë, njeriu kur mendon se ka arritur të gjejë lumturinë, e humbet atë. Kështu ndodhi edhe me mua. Faturat e telefonit i merrja gjithmonë vetë dhe sigurohesha që gruaja të mos i shikonte, por nuk thonë kot “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. Edhe mua aq më mbajti sekreti!
Një ditë, fatura e muajit kishte shkuar në duart e gruas sime dhe asaj sa nuk i kishte ikur mendja. Ishin vërtet shpenzime të mëdha, por kënaqësia që më dhuronte ajo vajzë ishte aq e madhe sa nuk doja t’ia dija për shpenzimet, apo rrezikun që mund të kisha nëse më shkatërrohej familja. Ajo filloi me krizat e saj nervore duke me thënë se prandaj rrija deri vonë në studio, më kërcënonte duke thënë se do t’ua tregonte faturat fëmijëve. Ajo fliste, por unë as që e dëgjoja. E vetmja gjë që më interesonte ishte që të mos e lëndoja “vajzën e telefonit”. Doja të vrapoja drejt saj dhe t’i thoja të ndërronte numrin, po ishte e kotë. E para, asaj do t’i lindnin dyshime. E dyta, atje ishte fshat dhe nuk kishte ku të blinte një numër të ri. Gruaja ime gjithë inatin që kishte me mua e kishte nxjerrë tek ajo vajzë e pafajshme. Ajo i kishte thënë se unë isha maniak femrash, se isha tullac dhe shumë i shëmtuar, se isha gjashtëdhjetë vjeç, i kishte thënë “ta kam falur që ta mbash se asaj nuk i duhesha më” dhe shumë e shumë gjëra të tjera. “Vajza e telefonit” ishte mërzitur aq shumë sa për dy muaj rresht nuk ma hapi telefonin fare. Unë këmbëngulja për të folur me të, derisa një ditë ajo e hapi telefonin dhe duke iu dridhur zëri dhe duke qarë, m’u përgjigj: “Ti je një përbindësh”.
Unë i kërkoja të më dëgjonte, por ajo më tha se i dinte të gjitha dhe më tregoi se çfarë i kishte thënë gruaja ime. Për herë të parë e kam ndjerë veten si një bastard që nuk e meritoja shoqërinë e asaj vajze të thjeshtë. Çdo gjë nisi si shaka, por pasojat po i vuaj edhe sot. Fjalët e mia për ta qetësuar vajzën ishin të pafundme, madje i kisha thënë se nëse ajo më pranonte, unë do të martohesha me të. Përpjekjet e mia për të folur sërish me të ishin të kota; ajo nuk ishte si vajzat e tjera, ajo e ndjente veten fajtore që ishte bërë shkak për prishjen e familjes sime. Mbas asaj që ndodhi me gruan time, nuk jetojmë më si një çift normal, po secili ka dhomën e tij, jetojmë bashkë vetëm për hatër të fëmijëve dhe të pasurisë që kemi vënë. Secili nga ne, në njëfarë mënyre, bën jetën e tij. Sot që po ju shkruaj kanë kaluar njëmbëdhjetë vite nga telefonata e fundit që kam bërë me atë vajzë. Asnjëherë nuk e kam ndërruar numrin, duke shpresuar se ajo një ditë do të më telefonojë.
Kohët e fundit kam marrë një telefonatë anonime… Menjëherë mendja më shkoi tek engjëlli im dhe trupi m’u drodh nga një ndjenjë që kisha vite që e kisha harruar. Mbas asaj telefonate fshihej një njeri, i cili donte të më dëgjonte vetëm zërin. Pa m’u dridhur qerpiku e thirra në emër sepse ma ndjente zemra që ishte ajo. I thashë se kisha vite që e prisja me padurim, por nga ana e saj nuk mora asnjë përgjigje. Nuk e di, ndoshta ajo do të jetë martuar, do të ketë familjen e saj, por unë dua t’i them se kam vite që e pres telefonatën e saj. Dua që ajo të mos ngurrojë asnjëherë për të më telefonuar, në çdo rrethanë që të ndodhet. Unë do ta ndihmoj për çdo gjë që ajo do të ketë nevojë. Ajo ishte njeriu që më ofroi një miqësi të sinqertë dhe unë e lëndova, por gjithë jetën do ta pres…
Kam shpresë se një ditë ajo do të kthehet tek unë duke më telefonuar dhe duke më thënë: “jam engjëlli yt”. Dua që historia jonë të vazhdojë ashtu si e nisëm shumë vite më parë, por këtë herë jo më nga telefoni, por me këmbë në tokë, duke u parë në sy dhe duke u betuar për një dashuri të përjetshme.
E di se ky shkrim do bjerë në dorën tënde, prandaj dua të të dërgoj një mesazh: “Do të të pres deri në frymën e fundit, jetoj me shpresën se ti do kthehesh një ditë e nëse jo, do t’i lutem Zotit të na bashkojë në botën tjetër”.