– Jam emigrante në Itali, 56 vjeçe, me leje qëndrimi të rregullt. Në ekstratokonton që kam marrë, më rezultojnë gjithsej 780 javë pune të plota. Gjithsesi, vazhdoj të punoj me kohë të plotë. Në Shqipëri kam gjithsej 17 vite me kontribute, por në librezën e punës në ish-Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, në Tiranë nuk më është shënuar, firmosur dhe vulosur largimi i punës. Unë jam larguar nga puna muajin qershor 1992. Po pension të parakohshëm, a përfitoj në Shqipëri? Sqarimet që kërkoj nga ju janë: Me vjetërsinë që kam në Itali, me sa vite më llogariten javët që kam me sigurime shoqërore? A përfitoj pension me vitet që kam dhe nëse jo, sa vite më duhen për të përfituar pension në Itali? Po në Shqipëri, si mund të veproj për librezën e punës që e kam të pambyllur? A përfitoj pension në Shqipëri me këtë vjetërsi?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar letërshkruese, bazuar në legjislacionin italian, viti i plotë i punës, si vjetërsi kontributive llogaritet me 52 javë kontributive. Në rastin tuaj, 780 javë, janë të barabarta me 15 vite kontributive (780 javë : 52 = 15 vite). Për t’u përfshirë në kushte pensioni do t’ju duhen jo më pak se 20 vite pune me vjetërsi kontributive. Duke qenë se vazhdoni të punoni dhe moshën tuaj e keni relativisht të re, keni mundësinë që deri në moshën 67 vjeç, që do të jetë mosha e daljes në pension për ju, të plotësoni vjetërsinë e nevojshme për të përfituar pension. Megjithatë, ekziston dhe një mundësi tjetër, në rast se nuk plotësoni vjetërsinë kontributive prej 20 vitesh. Në këtë rast, nëse jeni regjistruar dhe keni paguar kontribute mbas periudhës 01.01.1996 mund të përfitoni pension me vjetërsinë që keni, mbas moshës 70 vjeçare.
– Përsa u përket problemeve që keni në Shqipëri, sqarojmë sa më poshtë: Për librezën e punës që e keni të pambyllur, mund të na dërgoni fillimin dhe lënien e punës, për të bërë konfirmimin e vërtetësisë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin kemi një marrëveshje. Në rast se në regjistrin themeltar të Kombinatit kjo periudhë do të rezultojë e mbyllur, ky problem është i zgjidhur. Në rast se mund të ndodhë që në regjistër nuk është e mbylluar periudha e punës, do të bëhet verifikimi nëpërmjet listëpagesave. Sipas konfirmimit që neve na vjen në rrugë zyrtare, ky problem konsiderohet i zgjidhur, kur vjetërsia është konfirmuar si më sipër. Në rastet kur mungon dokumentacioni përkatës, për konfirmim mund t’i drejtoheni gjykatës, ku nëpërmjet jo më pak se dy dëshmitarëve, mund të vërtetoni periudhën përkatëse të punës. Me vjetërsinë kontributive që deklaroni, ju përfshiheni në kushte pensioni, bazuar në nenin 16-të ligjit 104/2014, ku përcaktohet: “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”.
– Pension të parakohshëm, që në ligjin 104/2014 konsiderohet pensioni i reduktuar, nuk mund ta përfitoni, mbasi sipas nenit nr.17 të ligjit 104/2014, përcaktohet: “Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur: a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92; b) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar”. Aktualisht, ju mund të dilnit në pension në moshën 57 vite e 6 muaj në vitin 2017, por si kusht është edhe plotësimi i vjetërsisë së plotë sipas nenit 92, që për vitin 2017, është 36 vite vjetërsi kontributive. Nisur nga sa më lart, kuptohet se nuk i keni kushtet për pension të reduktuar, sepse nuk plotësoni vjetërsinë e nevojshme. Me moshën që keni, ju lind e drejta për pension pleqërie në vitin 2019, ose në vitin 2020 (në varësi të muajit të lindjes), në moshën 60 vjeç e 10 muaj, ose 61 vjeç (në varësi të muajit të lindjes), ku kërkohet një vjetërsi për pension të plotë prej 37 vite. Ju falënderoj për besimin. Naim Balluku.