Unë që po ju shkruaj jam një grua që mund të më quani me fiksime dhe në fakt, keni të drejtë, ashtu jam, përderisa më hoqën nga puna për një fiksim koti. Në fakt, kur isha më e re, nuk kam qenë kështu, madje kam qenë shumë e padjallëzuar, naive. Nuk më shkonte kurrë ndërmend se do të kishte njerëz të cilët flisnin ndryshe e mendonin ndryshe, bënin një veprim për të nënkuptuar një tjetër. Po nejse, kjo ishte për të kaluarën. Tani unë shoh se jam tjetërsuar dhe kjo mund të mos jetë për mirë, por as për keq nuk është. Nuk është për keq se në botë ka më shumë njerëz të këqinj sesa të mirë. Sa të ma hedhin mua ata, le t’ua hedh unë atyre. Po a është e mundur që unë të arrij të ndryshoj tani? Ata njerëz që janë në gjen të tillë, mund të bëjnë gjëra e mund të dalin të fituar, si në këtë rast.
Isha në punë në një firmë prej 5 vjetësh si pastruese. Nuk kam shkuar në shkollë të lartë se ashtu më erdhën punët dhe nuk isha mirë me notat. Në këtë kompani vërtet punoja si pastruese, por të gjithë më donin e më respektonin. Mundohesha të isha gjithmonë korrekte e të mos lija punën pas dore. Kur ndodhi që sekretarja jonë u largua jashtë shtetit se i doli viza për në Amerikë, na erdhi një vajzë e re. Ditën e parë kur e pashë, mbeta e ngrirë. Ajo i ngjante tërësisht një vajze e cila kishte qenë për shumë kohë makthi im. Ju do të habiteni, por dhe unë ashtu u habita. Ajo ishte si sozia e saj. Kur më shtriu dorën të prezantohej, nuk e mora veten derisa ajo më tha emrin e saj. Aty reflektova dhe i thashë emrin tim si dhe e përgëzova për punën e re. Isha thjesht një pastruese dhe kjo nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe për të, por siç ju thashë, ajo ishte informuar se për mua kishin të gjithë një respekt të madh.
Kalova në një dhomë tjetër që të mbushesha me frymë. Vajza së cilës kjo i ngjante tmerrësisht, kishte qenë shumë e fiksuar pas burrit tim. Ai asnjëherë nuk e pranoi se kishin patur një lidhje, por unë e kam ndjerë se ata të dy kishin një tërheqje të fortë mes njëri-tjetrit. Ajo i telefononte shpesh dhe në punë ai harxhonte gati të gjithë kohën me të (kështu më kishte thënë rastësisht një punonjës që punonte me ta). “Nëse do një punë, paraqitu te këta të dy se e ke të kryer”, më kishte thënë ai, pa të keq, por unë më vonë e mendoja këtë gjë dhe e lidhja me gjëra të tjera e më dilte rezultati se ata të dy ishin shumë të lidhur. Pastaj, në atë kohë, burri më kishte marrë shumë inat e gati po divorcohej, por në një moment, papritur u kthye nga unë. Më pas mora vesh se në atë kohë ajo ishte martuar dhe ndoshta lidhja e tyre kishte marrë fund.
Fytyra e kësaj vajzë më bëri të kthehesha prapa në kujtimet e mia. Sa herë e shikoja, më dukej sikur shikoja ish-të dashurën e burrit (tani kështu do ta quaj, që dhe ju ta kuptoni më mirë historinë). Ndoshta edhe ajo e kishte kuptuar, se një ditë më tha:
– Nuk je shumë e afrueshme me mua. Kam vënë re se je shumë miqësore me të gjithë, por me mua sillesh pak ftohtë. – për fjalë ajo ishte e zonja. Pak kohë kishte në kompani dhe i kishte bërë të gjithë për vete. – Ndoshta ngaqë jam punëtore e re dhe akoma nuk më ke njohur mirë.
– E ke kuptuar gabim. Mua më pëlqen shumë se je shumë miqësore. Pastaj, ç’rëndësi ka gjykimi im? Unë një copë pastruese jam!
– Më fal, nuk doja të të ofendoja. Të gjithë njerëzit kanë mendim shumë të mirë për ty. Unë vetëm doja të afroheshim më shumë, prandaj ta thashë këtë.
– Dhe unë të vërtetën thashë. S’ke përse më kërkon falje. Ajo që ka rëndësi për ty tani është të ngulësh këmbët mirë këtu.
– Po, po, faleminderit! Kjo është shumë e rëndësishme për mua, se më pëlqen shumë kjo kompani e dua të shkoj sa më mirë me të gjithë.
– Mos e vrit mendjen se të gjithë të kanë me sy të mirë. – i thashë shkurt, se nuk doja ta vazhdoja më tepër bisedën me të.
Nga njëra anë edhe më vinte keq për këtë vajzë se nuk e meritonte një sjellje të tillë, por nuk mundesha të bëja ndryshe. Mirëpo ja që nuk më gënjeu instinkti; ajo kishte të njëjtat sjellje me ato të së dashurës së burrit tim. U afrohej burrave aq shumë sa nuk do t’i afrohej as burrit të saj dhe i kishte magjepsur fare disa burra të martuar dhe në moshë. Edhe pse ishte vajzë e re, kishte shumë qejf të rrinte me të gjithë, por sidomos me një burrë rreth të 50-tave që punonte në administratë. E dija se ishte i martuar e kishte edhe fëmijë. Ishte pak si qejfli, por nuk e kisha parë kaq të afruar me ndonjë femër tjetër sa me këtë vajzë. Orë e minutë, siç i thonë asaj fjalës, ajo ishte në zyrën e tij. Ai kishte makinë dhe në disa raste, shkonin bashkë në shtëpi ose të paktën niseshin nga puna së bashku. Më vinte keq për këtë burrë se ia njihja edhe të shoqen. Ishte një grua e lezetshme dhe shumë e dashur. E kisha takuar në një mbrëmje që kishte bërë kompania dhe më pëlqeu.
Më vinte aq keq sepse mendoja se asaj po i ndodhte tamam ajo që më kishte ndodhur mua me burrin tim. Ishte gati e njëjta histori. Nga dita në ditë, ata po afroheshin edhe më shumë. Më vinte çudi se ajo ishte e fejuar dhe e kuptoja se ishte vetëm interesi ai që e shtynte drejt këtij burri në moshë dhe mbi të gjitha, të martuar. E dija se kjo histori nuk më përkiste mua, por nuk e di se çfarë më shtynte të lajmëroja të shoqen e tij. Këtë më duket e bëja më shumë nga ajo që më kishte ndodhur mua. E kisha të lehtë ta bëja këtë gjë se e dija ku i punonte e shoqja. Kalova një ditë, gjoja rastësisht dhe ajo, sa më pa, më ftoi për kafe.
– Burri im flet shumë mirë për ty. Je si përgjegjëse në atë kompani… – më tha kur u ulëm.
– Eh, tani nuk është kompania ashtu siç ishte më parë. Kanë ndryshuar shumë gjëra…
– Pse? Unë nuk di gjë. Në fakt, edhe burrin e shoh shumë të acaruar këto kohë. Nuk do as të flasë kur vjen nga puna. “Jam shumë i lodhur thotë, mos më lodh dhe ti”.
– Në fakt, puna nuk nuk ka ndryshuar. Njësoj punojnë të gjithë, por qëkur erdhi kjo sekretarja e re, seç e prishi kolektivin tonë.
– Oh, po, është ajo vajza që nuk di të bëjë asgjë vetë, siç thotë burri im.
– Po pse, kështu thotë ai? – e pyeta unë me ironi për atë burrë që kishte dy fytyra. Në punë qeshte gjithë ditën me atë fyçkë e në shtëpi sillej si i lodhur, për të mos folur me të shoqen.
– Po, se e çmendi në telefon. Gjithë ditën e pyet për gjithçka. Edhe pushimet im shoq nuk i ka bërë tamam e një e dy binte telefoni me pyetjet e saj.
– Në fakt, për këtë kam ardhur. – kur thashë kështu ajo u habit. – Kjo gjë më ka ndodhur edhe mua më parë dhe e kam hedhur pas krahëve.
– Çfarë gjëje, se nuk po të kuptoj…
– E di se po bëj gabim, por po të flas troç. Burri yt rri gjithë ditën me këtë vajzë e telefonat e saj nuk kanë lidhje me punën, se ajo ka tjetër seksion e burri yt, tjetër.
Në këtë moment ajo u shtang dhe nuk ishte e zonja të më thoshte asgjë. I ra si bombë dhe në fakt m’u dhimbs, por mendoja se dikush duhej t’ia thoshte se po e mashtronin.
– Ndoshta nuk ka asgjë të keqe. Pse duhet të mendoj për keq? – tha ajo, pasi u mendua.
– Se kështu është. Gjithë punëtorët vetëm për këtë flasin. Ata të dy vijnë bashkë e ikin bashkë. Nëpër panaire shkojnë bashkë kudo. Madje, edhe kur ka ndonjë punë në qytete të tjera, bashkë shkojnë.
– Po si mund t’i lërë pronari? – ajo ende nuk besonte. M’u duk si unë kur nuk doja ta besoja atë që po bënte burri im.
– Ai nuk di gjë, se ata i ruhen.
– Po ajo është e fejuar! E si ka mundësi të dojë burrin tim e të tradhtojë të fejuarin që e ka edhe më të ri?
– Po me anë të kësaj, ajo mban punën. E pastaj, burri yt i përkushtohet asaj kokë e këmbë. Të gjithë e dinë se ai e mbron e nuk mund t’i thotë asnjë fjalë njeri se e zë puna keq me tët shoq. Unë po të paralajmëroj e ti mund të bësh çfarë të duash.
– Faleminderit nga ti, por nuk di çfarë të them pa e vërtetuar. Nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje se burri im do më tradhtonte…
U mundova më pas të flisja dhe për gjëra të tjera e më në fund u ndamë. Ishte shokuar e tëra. Më vinte keq, por këtë doja ta kishte bërë edhe me mua ndonjë në kohën kur im shoq më tradhtonte. M’u duk se ia kisha punuar qejfin asaj lozonjares që kishte futur në grackë atë burrë, por të nesërmen, shefi i madh më thirri në zyrë.
– Kam dëgjuar se po merresh me thashetheme. Thashethemet nuk i bëjnë mirë kompanisë.
– Nuk po ju kuptoj shef…
– Mundohu të kuptosh! Unë të kam trajtuar mirë e të kam paguar si nuk paguhet asnjë sanitare në Shqipëri e ti më kalon ditën duke shpifur për të tjerët.
– Më fal, shef, por ende nuk e di se përse e keni fjalën. – unë në të vëretë e dija, por u habita se pse më kishte thirrur mua e jo ata të dy që kishin lidhje brenda kompanisë, një gjë të cilën ai e kishte ndaluar kategorisht.
– Ja, prit pak, – tha ai dhe kërkoi të vinin në zyrë ata të dy. – Ta shpjegojnë më mirë këta të dy!
– Ç’ishin ato gjëra që i kishe thënë gruas sime mbrëmë? E di ti se ajo është xheloze e sëmurë dhe në mes të natës mori në telefon këtë vajzë të shkretë e cila nuk i bën keq asnjë mize dhe e çmendi me idiotizmat e saj?
Në fakt, u ndjeva tmerrësisht keq. Këtij i vinte keq se kishte shqetësuar vajzën e gjorë e jo gruan e tij!
– Nuk e di se çfarë ka thënë gruaja jote, por unë kam mjaft hallet e mia pa u marrë me të tuat. Dhe për këtë vajzën e gjorë, më ardhka keq, se nuk ka asnjë faj. – e shtova ironinë, që edhe ajo ta kuptonte se ia kisha bërë me dashje.
– Ja, shef, – u hodh ajo. – Me këto gjëra merret kjo. I fejuari im është duke luajtur mendsh, se ai e di sa besnike jam unë, por kjo po na prish fejesën. Këto që ka shpifur kjo janë totalisht të pavërteta. Ne të dy as kemi lidhje pune e jo më lidhje të tjera. Ja, mund të pyesësh kë të duash në kompani.
– E di moj vajzë, – tha shefi i cili nuk kishte si ta besonte, aq bukur e lunate ajo pjesën. – Po kështu shkelet e mira. Unë e kam mbajtur si jo më mirë, aspak si sanitare e ja ku më çoi mirësia ime.
Kjo nga njëra anë dhe ai burri idiot i asaj gruaje të mrekullueshme nga ana tjetër folën aq bukur sa ia mbushën mendjen shefit se unë isha llafazane. Nga kjo, më hoqën nga puna, duke më përbuzur si një grua të ulët e thashethemexhie. Në fakt, mirë m’u bë. Ai që e ka ndërmend t’i bëjë ato punë, di edhe si të dalë nga situata. Atë ditë që ishte edhe dita e fundit, u futa te zyra e këtij burrit budalla dhe i thashë:
– Turp të kesh! Ti nuk e meriton atë grua që ke. Kjo vajzë po të përdor dhe shpejt do të të kujtohen fjalët e mia.
– Këto fjalë i nxjerr nga pezmi që ke brenda që të hoqën nga puna. – tha ai qetë, se mendonte se e kaloi lumin.
– S’e kam nga ajo, jo, po e kam nga ato fjalë që the për gruan tënde në zyrën e shefit, duke e quajtur “xheloze e sëmurë” dhe për këtë rrugaçen “vajza e gjorë”. Shijoje edhe pak këtë aventurë, se pastaj do të vijnë ditë të vështira për ty.
Dola nga ajo zyrë e mërzitur për punën që humba, por dhe m’u duk vetja e çliruar se nuk mund të punoja më aty. Kjo ishte historia e fiksimit tim. Uroj të më kuptoni e të mos më kritikoni.