Një mikrokërmill është zbuluar në provincën Guangxi të Kinës. Kërmilli në fjalë është kaq i vogël, sa 10 prej tyre do të mund të futeshin në vrimën e një gjilpëre.
Angustopila dominikae, emri shkencor i kërmillit, ka një guackë me madhësi vetëm 0.86 mm dhe ka gjasa të jetë kërmilli më i vogël në botë. Ai është një nga shtatë speciet “mikrokërmill” që janë zbuluar në bazën e disa shkëmbinjve prej guri gëlqeror në provincën Guangxi, në jug të Kinës. Për çudi, Angustopila dominikae ka disa kushërinj shumë gjigandë, si kërmilli gjigand afrikan, i cili ka një vëllim 9 milionë herë më të madh. Një tjetër specie e sapozbuluar, Angustopila subelevata, ka një madhësi prej 0.87 mm.
Shkencëtarët, të udhëhequr nga profesoresha Barna Pall-Gergely, nga universiteti Shinshu e Japonisë, deklaruan në revistën “ZooKeys”: “Këto madhësi trupi ekstreme jo vetëm tërheqin vëmendjen e publikut, por edhe nxisin interesin përsa i përket përshtatjes së tyre me mjedisin. Studimi i kërmijve të veckël të tokës është i rëndësishëm për të kuptuar biodiversitetin dhe historinë e natyrës, si edhe për të studiuar evolucionin e zhvillimit të qenieve mikroskopike te jovertebrorët”.
“Mikrokërmij” quhen zakonisht speciet me një guackë më të vogël se pesë milimetra. Kërmijtë më të vegjël janë ata që jetojnë në det. Rekordin e mban një specie e quajtur Ammonicera minortalis, që ka një gjatësi nga 0.32 mm-0.46 mm.