“Katër nga tre studentë që mbarojnë në universitetin tim, gjejnë punë”.
Henri Çili: – Më ka mbetur qejfi Kaso, që nuk më ke intervistuar më parë. Nuk mund të ma punoje kështu, ta dish!
Kaso Kosa: – Më falni, zoti Çili, por ju keni qenë i zënë…
– E vërtetë, i zënë kam qenë, por ti duhet ta gjeje kohë dhe të vije. Tek unë vijnë gjithë drejtuesit e vendit, jo më ti.
– Unë ndaj s’kam ardhur, se s’e konsideroj veten drejtues!
– Po të më dojë trapi mua, Kaso, të bëj drejtues. Në cilën parti do të bëhesh figurë politike? Vetëm vendos se ku do e që tani të bëj.
– E di, zoti Çili, e di! E kush nuk ka dëgjuar për trapin tuaj, që kur ju do ta bëni diçka, e bëni?! Si arritët të këni kaq shumë pushtet, xhanëm?
– Po të hapem, Kaso. Unë jam nga fshati Labinot i Elbasanit me origjinë. Që në vegjëli u rrita me historitë për Enver Hoxhën, që në Labinot u zgjodh i pari i partisë. Atëherë mendoja: Ç’ka pasur ky kodosh më tepër se të tjerët!? Vrisja mendjen, derisa e gjeta.
– Çfarë gjetët?
– Kleçkën pra.
– Thashë se gjetët floririn që fshehu në kohën e luftës Enveri, andej nga zona juaj.
– Jo, mo Kaso, ç’flori gjeta unë?! Unë florin e bëra më vonë, pasi gjeta kleçkën se si mund të bëhesh faktor determinues, siç thotë Adami.
– Cili Adem?
– Adaaaami! Adam Smithi, një filozof i madh i rangut tim. Nejse, se s’kam kohë të të iluminoj për Adamin, se edhe ti s’e kupton. Ta kisha llafin Kaso që gjeta kleçkën përse Enveri ua futi të gjithëve. E di pse? Nga ta dish ti, kur s’pëlqen Adamin?! Dëgjomë Kaso dhe mbaje vëth në hundë. Enveri bëri përpjetë, se e kishte mirë me Miladinin. Madje, që në mbledhjen e Partisë Komuniste, në kujtimet e veta, ai thotë që fjeti në dyshek mbërdhe, pranë Miladinit. Të tjerët, nga ai moment, filluan të flinin në dynjanë tjetër. Pra, Kaso, që të ta shkoqit më thjesht: Në shoqëri duhet të të promovojë dikush.
– Më falni, më falni, por ju thoni që ju pëlqen Adam Smithi. Ky Adami rolin kryesor e shikon te konkurrenca e vlerave, jo tek e të futurës. Nejse! Juve, kush ju promovoi?
– Le atë muhabet Kaso! Ja, po të të them që më promovoi Sorosi, ç’ndryshon ndonjë gjë?
– Ju pashë nga larg që po flisnit në telefon… Mund ta di më kë bisedonit, zoti Çili?
– Po flisja me ish-ambasadorin amerikan Uidhers. I thashë që e mbarova atë punë.
– Cilën punë?
– Më kishte mbetur një çelës i bashkisë së Lulit, që nga koha kur aty ishte Luli. Se atëherë, hyja dhe dilja kur të më donte trapi mua dhe derën e hapja vetë. Unë i thashë Erionit: “O Eri, o babuç Berati! Kam një çelës të derës së Bashkisë së Tiranës. Mendoj t’ia japim Uidhersit”.
– Po zoti Veliaj, ç’ju tha?
– “Po ç’e do çelësin ai?”, më tha. “Ne derën e bashkisë e kemi bërë që të hapet me kartë elektronike. M’u desh të këshilloja Erin pastaj. E, mo Kaso, më mbeta jeta duke këshilluar, të mjaftë e të djathtë. “Telefonoji Uidhersit, i thashë Erionit dhe thuaji: Më këtë çelës që po të dhuroj, mund të vish ta hapësh bashkinë kur të duash dhe të rrish si të duash”. Kështu, Uidhersit i bëhet qejfi dhe thotë ndonjë llaf të mirë andej ku jeton. Se mos do t’i themi ne që derën e kemi me kartë elektornike.
– Po zoti Veliaj, ç’ju tha?
– Ç’të më thoshte Kaso! Pranoi. Ore, kur jap ide unë, s’kundërshton njeri se ndryshe u bllokoj procesin e doktoraturave gjithë politikanëve, grave e dashnoreve të tyre.
– Meqë ra llafi te shkolla e lartë që keni? Si po shkojnë regjistrimet?
– Ultra Kaso! U mbytëm me studentë nga të gjitha konkurset e bukurisë që zhvillohen në rang vendi e qytetesh. Po shikojmë si mundësi të marrim edhe Miss-et e fshatrave, por shoqëri konservatore shumë kjo e jona, akoma nuk adamsmithosemi ne.
– Si thatë, zoti Çili?!
– Thashë që akoma nuk adamsmithosemi si shoqëri. Domethënë, akoma nuk liberalizohemi, që të organizojmë spektakle Miss-esh edhe në fshatra dhe aty të sponsorizoj organizimin e tyre e me këtë, thith edhe studentë të zonës.
– Po procesi i punësimit të studentëve, si shkon?
– Më plasi trapi mua, punësohen a jo ata. Ne jemi ekonomi vari trapin, ku më shumë reklamë bën UET-ja, sesa Bankat. Nejse, këtë ti mos e shkruaj Kaso. Ti shkruaj: Katër nga tre studentë që mbarojnë në universitetin tim, gjejnë punë.
– Si është e mundur kjo, zoti Çili?! Gjithë kjo papunësi në vend dhe studentët tuaj arrijnë të punësohen…
– Është meritë e përzgjedhjes, Kaso. Në shkollën tonë, siç të thashë, vijnë përgjithësisht vajzat e spektakleve. E kush nga biznesmenët nuk do të ketë në staf një “Miss”?
Bisedoi me shaka: KASO KOSA
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)