E nderuar redaksi dhe ju, të nderuar lexues! Po shkruaj për historinë time të dashurisë së ndaluar për shkak të së cilës kam pesëmbëdhjetë vjet që nuk flas me të shtrenjtit prindërit e mi. Po e tregoj këtë histori me shpresën që prindërit e mi do ta lexojnë dhe do ta pranojnë ndjesën time.
Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë në një familje të qetë e me gjendje ekonomike të mirë. Babai im ka qenë oficer, ndërsa mamaja ime ka qenë mësuese fizike. Unë jam fëmija i madh dhe kam edhe një vëlla shtatë vite më të vogël se unë. Mbaj mend se kur lindi vëllai im, ka qenë festë e vërtetë jo vetëm në familjen tonë, por edhe në familjen e xhaxhait, i cili ishte më i madh se babai im dhe kishte gjashtë vajza. Festa sigurisht u zhvendos te gjyshi dhe gjyshja që jetonin në shtëpinë e tyre private në një nga rrugicat e Tiranës ku janë luajtur edhe filma nga Kinostudioja. Por nuk është se jam ndier keq apo xheloze siç ndodh me fëmijët në këtë festë, sepse prindërit, gjyshërit dhe xhaja na kanë përfshirë në gëzimin e tyre me përkëdhelitë më të mëdha e të mundshme për kohën edhe neve që ishim vajza. Na kanë llastuar njësoj, si mua që isha vajzë, ashtu edhe vëllain tim, i cili ishte i vetmi djalë në shtëpinë tonë. E kam ndier pak dallimin vetëm në shtëpinë e dajave sepse ata e shikonin vëllain tim me frikën se mos vritej apo mos sëmurej akoma më shumë sesa në shtëpinë tonë, por gjithsesi, i kam dashur shumë të gjithë.
Shkollën tetëvjeçare dhe atë të mesme i kam mbaruar me rezultate shumë të mira. Sapo fillova shkollën e mesme mora një zhvillim fizik dhe u zgjata përnjëherësh. Isha e hollë dhe e gjatë, në fytyrë i kam ngjarë babait me tipare të rregullta. Pa mburrje dhe pa frikë, mund të them se isha ndër vajzat më të bukura të shkollës dhe sigurisht, rashë në sy të djemve që ishin në shkollë e rrotull shkollës. Por njëri nga djemtë që më sillej rrotull ishte shoku im i lagjes me të cilin kishim luajtur sa e sa herë.
Në fillim përshëndetesha me të sepse ne kishim luajtur para pallatit me qindra herë bashkë, por kur fillova të shoh ndryshimin e bisedave të tij në fillim u tërhoqa. Ai, shoku im i lojërave, ishte djalë i shkathët, jo shumë i bukur, por i përkëdhelur sepse kishte një defekt të lindur. Ai çalonte dhe për këtë shkak jo vetëm familja e tij, por edhe lagjja silleshin e flisnin më me kujdes me të. Në adoleshencën e tij të jepte idenë e djalit haram dhe kjo për shkak të llastimit. Ai kishte dy vëllezër dhe dy motra. Ishin goxha mirë ekonomikisht sepse prindërit e tij ishin maniakë të punës. Sapo erdhi demokracia, i ati filloi të bënte dy punë, kurse e ëma, një grua qelibar e pastër punonte në trikotazh dhe kur u mbyllën ndërmarrjet shtetërore ajo filloi të punonte me shtiza, me grep e qëndisma nga më të ndryshmet. Ashtu ata martuan dy vajzat, që ishin më të mëdhatë e pastaj djali i madh u iku në emigracion. Me sa duket shoqëria që zuri atje e futi në një rrugë pa krye, por ai as nuk u mor me vjedhje apo prostitucion, as me vrasje apo drogë, por pati diçka që s’shkonte në jetën e tij, ndoshta për shkak të një vajze italiane me të cilën u dashurua atje. Për disa vite nuk e ndihmoi familjen e tij dhe kuptohet, kjo në Shqipëri u interpretua si mos më keq. Ndërsa flitej lart e poshtë pa pushim për familjen e tyre (ata banon dy pallate larg pallatit tim) prindërit e mi i dëgjonin të gjitha. Babai im, si ushtarak që ishte, krijoi një përshtypje jo të mirë për ta për shkak të thashethemeve.
Gjithsesi, djali i dytë i kësaj familjeje, pavarësisht gjithçkaje që ndodhte në shtëpinë e tij e pavarësisht qëndrimit tim, nuk më la rehat asnjë moment. Ai vinte e rrinte poshtë ballkonit tim sapo kthehesha nga shkolla e derisa errësohej, më rrinte para e mbrapa kur shkoja në shkollë e kur kthehesha nga shkolla. S’linte rast pa shfrytëzuar që të më afrohej e të fliste me mua. Pavarësisht se përpiqesha të isha vajza që prindërit kanë ëndërruar; mësoja në shkollë e nuk dilja me shoqe, në “grackën” e dashurisë rashë. Shoku i fëmijërisë ishte rritur e zbukuruar. Pavarësisht se çalonte, ai më linte pa frymë kur më fliste me ato fjalë. Ëmbëlsia e tij ishte pa fund dhe më në fund u theva e me shumë dëshirë pranova të bëhesha e dashura e tij.
Fjala mori dhenë që unë isha e dashura e tij dhe askush nuk guxonte të më fliste në rrugë, por mua s’më bënte përshtypje, isha e lumtur në qiellin e shtatë. I dashuri im e kishte zemrën flori, pavarësisht thashethemeve që është sakat apo rrugaç. Kujdesej që të takoheshim në vende ku nuk na shihnin shumë njerëz dhe, veç kësaj, ishte maniak i pastërtisë, si e ëma. Kur unë mbarova vitin e dytë të gjimnazit, ai vendosi të më kërkonte dorën në shtëpi.
– Nuk dua të takohemi cepave, e kuptoj që jemi të rinj të dy, por ne e kemi vendosur që duam të jetojmë bashkë. Kështu, nesër në darkë, babai im dhe xhaja do të vijnë në shtëpinë tënde, – më tha, ndërsa duart e tij më përkëdhelnin në gjithë trupin.
– Jo, se nuk do pranojë babi im, – i thashë e trembur, – jam akoma e vogël për t’u fejuar.
– Po më mirë të vijmë të të kërkojmë në shtëpi, sesa takohemi në këtë mënyrë. Nuk më pëlqen të quhesh dashnorja ime, dua të jesh e fejuara ime, – më tha dhe më puthi.
Dhe kështu u bë. Të nesërmen në darkë në shtëpinë time erdhi babai dhe xhaja i tij dhe folën me prindërit e mi. Ndër të tjera, dëgjova që babai i tij tha se ne të dy e kishim vendosur dhe duheshim, kështu që më mirë të ishim nën kontrollin e prindërve sesa të takoheshim rrugëve.
Babai im nuk reagoi në atë moment, i tha që do të mendohej.
– Gjithsesi, sipas zakonit thuhet faleminderit që doni të merrni vajzën time nuse, por ne duhet të mendohemi, – i tha babai im.
E pashë që i kishte shkuar nervi në minus, por nuk e dha veten para miqve. Ata ndenjën edhe pak dhe ikën. Pasi ikën ata, do të fillonte fatkeqësia ime. Ndërsa babai dhe xhaja i të dashurit tim dolën, vëllai im u kthye në shtëpi, por ai ishte akoma i vogël për të kuptuar.
– Tani nisu e ço këtë pakon te gjyshi dhe nëse do, mund të flesh atje sonte – i tha babai vëllait.
Ai gjithë qejf mori pakon, puthi mamin e iku.
Të dashur lexues, të gjithë e keni parë në televizor sesi luanët kapin prenë e tyre. Vetëm me atë mund t’i krahasoj ato lëvizje të babait. Nuk di se si më përplasi mua dhe mamanë njëkohësisht në dhomë të gjumit. Nuk mbaj mend të zihen prindërit e mi, por atë natë pashë tim atë të qëllonte mamanë e pas saj, më rrahu mua paq.
– Si ka mundësi që nuk e sheh vajzën me kë flet, nga shkon, kur vjen? – i kërcënohej mamasë ndërsa na qëllonte herë mua e herë atë. – E dëgjove ç’tha ai, “më mirë të jenë nën kontrollin tonë sesa të takohen cepave, ata e kanë vendosur”?! E ç’mendon se ke vendosur, – m’u drejtua mua ndërsa më qëllonte ku i vinte për mbarë, – mendon se ne s’kemi të drejtë të pyetemi për ty, s’kemi aq mend sa të të mësojmë apo s’jemi të denjë që të të rrisim, duhet të të rrisin rrugaçët e rrugëve?!
Ndërkohë që përpiqej të fliste me zë jo shumë të lartë, për të mos u bërë qepaze në veshët e komshinjve nuk di sa shpulla kam ngrënë. Të nesërmen nuk shkova në shkollë sepse më ishte nxirë njëri sy. I dashuri im më kishte pritur në rrugën e shkollës për të më pyetur se ç’kishin thënë prindërit e mi, por si nuk kalova, e kishte kuptuar që nuk kishte shkuar mirë. Kur erdhi poshtë pallatit e fishkëlleu, largova pak perden dhe me shenja i tregova që nuk dilja dot. Ai iku për të mos acaruar gjendjen nga frika se mos në shtëpi ishte babai im.
Pas një jave shkova në shkollë dhe sigurisht, u takuam në korridoret e shkollës me të dashurin tim. I tregova gjithçka dhe i thashë se për ca kohë, sa të qetësohej gjendja, nuk do të takoheshim. Me të vërtetë nuk doja që edhe mamaja ime ta pësonte nga nervat e babait për çfarë kisha bërë unë. Për dy muaj rresht, babai jo nuk u qetësua, por vetëm u acarua. Nëpërmjet një kushëririt tonë i ktheu përgjigje familjes së të dashurit tim se unë isha akoma e vogël dhe veç të tjerash, se kishin pretendime për mua se do të më çonin në shkollë të lartë. Gjendja mes prindërve të mi ishte e nderë, sa flisnin përfundonin në zënka, po të paktën shyqyr që dajakun e haja vetëm unë.
Kështu, dy vitet e tjera të shkollës së mesme i kalova mes sherrit e shamatës, por në shkollë mësoja, që të mos i jepja tjetër mundësi sherri babait. Me të dashurin tim takoheshim në shtëpinë e motrës së tij, që të mos na shihnin. Kur mbarova shkollën e mesme dhe babai pa dëftesën time, të cilën e lexoi tre-katër herë se nuk i besonte syve, më tha:
– Domethënë paske vënë mend. Të paska bërë mirë dajaku. Kjo është vajza që dua! – më hodhi dorën në sup, por nuk më përqafoi.
Kështu konkurrova dhe fitova shkollën për Bio-Kimi. Fakulteti ishte pak larg nga shtëpia, por gjithsesi, nuk isha në konvikt. Atëherë fillova të isha më e lirë edhe për shkak të largësisë dhe për faktin që tim eti sikur iu kthye besimi tek unë. I dashuri im vinte e rrinte gjithë ditën në oborrin e fakultetit. Takoheshim e rrinim bashkë sa herë kisha orë pushimi unë, por tani ishte zhvendosur sherri nga shtëpia, tek ai. Filloi të bëhej shumë xheloz, ndoshta ngaqë ndihej keq me veten e tani u shtua edhe ndryshimi në arsimim. Prindërit e tij erdhën edhe disa herë të tjera në shtëpinë time me të njëjtën kërkesë.
E gjendur mes zjarrit, mes frikës nga babai, dëshirës për shkollë, por edhe dashuria për të, po më ikte truri. Isha gati të bëja ç’të më thoshte, veç boll me sherre. Sapo mbarova provimet e vitit të parë, edhe ato me rezultate të mira, i dashuri im më tha që duhej të zgjidhja ose atë, ose shkollën.
– Shkollën do ta mbarosh edhe nëse vjen në shtëpinë time, të premtoj, por sinqerisht, nuk mund të duroj kështu. Do vij të të takoj nesër dhe dua një përgjigje.
Sigurisht që përgjigjja ime ishte që doja të isha me të.
– Atëhere, qysh sot do të vish në shtëpinë time. Xhaxhai im do të shkojë në shtëpinë tënde dhe do të tregojë, pastaj ata si të duan, të të flasin apo jo, është vendimi i tyre.
U tha, u bë. Hipa në makinën e tij dhe për pesë minuta, arritëm në shtëpinë e tij. E pashë që po na prisnin se ishin të gjithë aty dhe kishin bërë goxha drekë. Ashtu, e turpëruar, e hutuar dhe e trembur se ç’do të thoshte babai, s’e kuptova se si kaloi ajo ditë. Të nesërmen herët ne u nisëm për në jug, për muaj mjalti. Ndërkohë, në shtëpinë time kishte rënë zia. Më tha komshia ime që e takova rastësisht në plazh, pas disa ditësh, por unë zgjedhjen e kisha bërë. Tashmë bashkëshorti im bënte gjithçka për të më bërë të harroja, për të më bërë të lumtur. Ditët e plazhit mbaruan dhe u kthyem në Tiranë. Nga prindërit e bashkëshortit tim mora vesh se babai im kishte thënë që nuk kishte patur kurrë vajzë. Zoti i kishte dhënë vetëm një djalë dhe s’kishte asgjë ç’të fliste me ta. Trishtimi që më shkaktoi mohimi që më kishte bërë babai ishte më i madh sesa gëzimi dhe dashuria që më jepte bashkëshorti.
Vera mbaroi dhe unë fillova fakultetin në vitin e dytë. Vazhdova shkollën me atë boshllëkun që krijohet nga mungesa e dashurisë së prindërve, sigurisht, për fajin tim. Kështu shkonte jeta ime për ato tre vite në shtëpinë e bashkëshortit. Përveç mallit që kisha për familjen, edhe bashkëjetesa me vjehrrinë dhe kunatin e vogël ishte e vështirë. Nuk rrija më me shoqe se duhet të kthehesha me vrap në shtëpi për të bërë punët e më pas të mësoja. Vjehrra, duke qenë se vetë ishte maniake pastërtie, filloi të më bezdiste me ironitë e vazhdueshme. Im shoq punonte nga mëngjesi në darkë dhe jeta m’u kthye përmbys.
Kur isha në vitin e fundit të shkollës, mbeta shtatzënë. Kjo është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një gruaje, por unë nuk e ndjeja gëzimin që duhet të ketë një grua me shtatzaninë e parë. Ishte njëfarë ngushëllimi në situatën e sherrit të vazhdueshëm ku isha, por prapë doja më shumë gëzim. Isha shumë e re për të jetuar me ritmin e jetës së vjehrrës dhe vjehrrit. Asnjëherë nuk e kuptuan dhimbjen dhe mallin tim, unë i kisha braktisur prindërit për dashurinë time, por ata a nuk mund të flisnin pak më pak, për hir të djalit të tyre?!
Sigurisht, unë duhet të paguaja për dhimbjen që u shkaktova prindërve të mi. Unë linda një djalë të shëndetshëm dhe e rrita mes gjithë të mirash. Nga gjendja ekonomike vazhdojmë të jemi shumë mirë, por malli për prindërit e mi dhe sherri i pleqve në shtëpi po ma hanë shpirtin. Sot punoj në një laborator privat dhe kam punë të mirë, por kam pesëmbëdhjetë vite pa folur me prindërit e mi. Edhe nëse i shoh në rrugë, se ne banojmë dy pallate larg, jam unë ajo që ndërroj rrugën dhe iki me vrap. Kam frikë edhe të hedh sytë nga ballkoni i tyre se mos më sheh babai dhe i bën sherr mamasë. Djali im, sot dhjetë vjeç, më pyet vazhdimisht: “Përse nuk më do gjyshi tjetër?”, po përgjigjja ime është vazhdimisht një tymnajë. Shpresoj që prindërit të më falin. Tani që jam prind vetë i shoh gjërat me tjetër sy, shpresoj të kem edhe një herë mundësinë të flas me ta dhe t’u them se sa shumë i dua.
Advertisement