S’ke ç’bën. Kështu janë sistemet. Kështu janë sundimet pushtetare, kur në një shtet mungojnë ligjet dhe kur ai që vjen për të drejtuar, i bie gjoksit: “Do të bëhet kështu si them unë. Ashtu si dua unë. Tani jam unë. S’ke ç’bën. N’daç voto, n’daç jo, procesverbalin e firmos partia”.
E atillë ishte edhe partia në vitin 1970. Përziheshin zakonet jetësore me ligjet. Vendoste partia, vendoste frika. Ndryshe, duhej të largoheshe nga puna. Jo vetë, jo me dashje, por… “Kujdes. Mos shkil në kallo, se në darkë mund të mendohesh kur ta vendosësh kokën në jastëk, duke i thënë vetes: “Ç’kam bërë sot? Mos kam dalë kundër vijës së partisë? Mos kam debatuar me ndonjë që është me detyrë pushteti?”. Ndoshta, edhe me drejtorin e shkollës”. Ja, kështu jetonim ne në atë kohë. S’ke ç’bën. Kështu ishin e janë këto punë, por njeriu duhet të kujdeset që gjithsesi, pas gjithë këtyre të mos hyjë në mëkat. Unë, në fakt, desha s’desha, nga frika e ligjit hyra në mëkat me një ish-nxënësen time, edhe pse kisha opinion të mirë njerëzor në të gjitha drejtimet për të. Sa herë e tregoja këtë ngjarje, shokët e mi qeshnin me të madhe, por do s’do, frika është frikë. “Ajo ruan dhe vreshtin”, thonë.
Ndoshta hyrja e rrëfimit është e gjatë, por, në fund të fundit edhe Balzaku, Tolstoi, etj. (edhe pse unë s’jam si ata), kështu bënin. Edhe unë, për letërsi kam mbaruar prej vitesh, kështu që më falet…
Ishte viti 1970 kur pata filluar punën si mësues në fshatin Çizmeli të Shijakut, fshat me një toponomi tepër interesante që në origjinë. Ndërkohë, që nga viti 1967, pikërisht më 6 shkurt, qe bërë një plenium i tërë, gjoja për të luftuar shfaqjet e huaja me moton: “të digjen e shkatërrohen kisha e xhamia; digjen Kur’ane e Bibla”, ndonëse nga shpirti nuk shkuleshin. Pra, do s’do, jetonim e punonim me frikë, me një fjalë “ishalla s’na ndodh gjë”, por ndodhirave nuk u shmangesh.
Ishte pak pas mesit të janarit të vitit 1971. Kisha klasë të parë dhe të tretë. Ishte ora e dytë e mësimit. Në momentin kur po vendosja mungesat në regjistër trokiti dera. E dëgjoj. Shkoj dhe e hap. Një grua, pak a shumë moshë e thyer, me një napë të bardhë në kokë, pasi u përshëndetëm, më tha me dialektin e saj:
– Du Zylen, se kemi një drekë emri në fshatin Kërçukje (këtë emër të dytë e mban edhe sot fshati Eminas i Vogël).
Kërkesa e saj më habiti, megjithatë u kujtova se, sipas zakonit, në vënien e një emri, zilja do të përdorej në vend të trokitjes së lugëve kur të shpërndahej bukëvalja në ngjitjen e emrit të fëmijës. Mua zilja (që ajo, në dialektin e saj i thonte “zyle”) më duhej për të filluar e mbyllur orët e mësimit, aq më tepër që ajo e kërkonte për një zakon që mund të quhej shumë mirë shfaqje e huaj. U mendova pak i habitur dhe më në fund i thashë:
– Jo, s’ta jap zylen se e duam në shkollë për orët e mësimit.
Ajo u skuq dhe tha: – Un e du se s’bon, se do t’i vemë emrin fëmijës së vogël.
Kur unë ngulja këmbë në timen, u nxe më shumë dhe tha: – Un nuk iki prej knej pa e mor Zylen.
Nuk ia dhashë. Iku e mërzitur, ndoshta edhe duke më sharë, por për mua kjo kërkesë bënte pjesë në shfaqjet e huaja, që politika e asaj kohe ma ndalonte. Si mund t’ia jepja unë mjetin shkollor një banori të fshatit, aq më tepër për një shfaqje të huaj si zakoni i bukëvales në vënien e emrit? Si pasojë të hiqnin nga puna apo të fusnin edhe në burg. Dihet, si edhe sot, që politika është e mbushur plot budallallëqe, edhe në atë kohë, këto të fundit nuk ishin të pakëta. Kështu u largua shoqja Sabrie nga shkolla.
Gjithë natën mendja më rrinte tek ajo ngjarje. I thoja vetes: “Ndoshta veprova keq, ndoshta mirë”, por kur shkova të nesërmen në mëngjes në shkollë, shoku im i punës, Samiu, me një të qeshur që nuk përmbahej më tha:
– O Mustafa, Sabria ka kërkuar Zylen, vajzën e Bakiut që ke ti nxënëse dhe jo zilen e shkollës!
Ai qeshte, por fillova edhe unë të qeshja për budallallëkun tim. Aty mora vesh që Zylja e kërkuar ishte nxënësja ime, që unë e njihja me emrin zyrtar, Zyra.
Ja pra, si bëra edhe unë një mëkat. Mërzita një nënë e mërzita edhe nxënësen sime. Si rezultat i këtij mëkati, si ish-mësues pensionist sot, i kërkoj të falur kësaj vajze që sot është e martuar në Shijak dhe i uroj që Zoti t’ia bëjë jetën në familje bashkë me fëmijët e saj, mbarë e më mbarë!
Mustafai, nga Shijaku.