– Jam emigrant në Milano, që prej vitit 1999 dhe më bëhen rreth 10 vite me sigurime. Kam punuar në aeroportin Malpensa dhe tani jam pa punë sepse kanë bërë shkurtime të personelit të shërbimit. Kam dëgjuar se kanë dalë rregulla të reja për pagesën e punonjësve që mbeten pa punë. Sa mund të paguhem dhe për sa kohë zgjat pagesa?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, nga 1 maji 2015 hyn në fuqi sistemi i ri i masave kundër papunësisë, të përcaktuara me dekret legjislativ 23/2015, në zbatim të ligjit për tregun e punës (Jobs Act). NASPI është një mbështetje financiare për të përballuar situatën e papunësisë që rezulton nga 1 maj 2015 (ata persona që kanë rezultuar më parë, mbeten të administrohen nga sistemi i amortizatorëve socialë të mëparshëm) dhe që zëvendëson përfitimin e papunësisë ASPI dhe Mini-Aspi. Është miratuar me dekretin numër 23/2015, në zbatim të Ligjit 183/2014, me të cilin parashikohet riorganizimi i rrjeteve të sigurisë sociale. Naspi mund të jepet për punonjësit e punësuar privatë (me përjashtim të punonjësve të bujqësisë për të cilët zbatohet mbështetja ligjore aktuale) dhe të punonjësve me kohë të përcaktuar të sektorit publik. Naspi u jepet punonjësve që do të kenë humbur punësimin pa vullnetin e tyre, të cilët paraqesin bashkërisht këto kërkesa: a) të qenit i papunë në mënyrë të pavullnetshme; b) të paktën 13 javë me kontribute në katër vite përpara të qenit i papunë; c) të paktën 30 ditë pune efektive në 12 muaj para fillimit të papunësisë. Mund të përfitojnë Naspi edhe punonjësit që kanë dhënë dorëheqjen për një çështje të drejtë dhe të kenë zgjidhur me konsensus raportin e punës, si pjesë e procedurës së zgjidhjes së detyrueshme. Shuma e përfitimeve të Naspi do të jetë në raport me shumën e të ardhurave të tatushme për sigurimet shoqërore (ato mbi të cilat janë derdhur kontributet) të realizuara në katër vitet e fundit. Faktikisht, shuma do të jetë e barabartë me këto të ardhura, pjesëtuar me numrin e javëve të kontributeve dhe shumëzuar me numrin 4.33 (për t’i kthyer në të ardhura mesatare mujore), me kufijtë e mëposhtëm: 1) në rast se të ardhurat nuk i kalojnë 1.195 euro mujore (e dhëna e përcaktuar për vitin 2015, e cila rivlerësohet çdo vit), përfitimi mujor do të jetë i barabartë me 75 % të këtyre të ardhurave. 2. Në rast se të ardhurat i kalojnë 1.195 euro mujore, përfitimi mujor do të jetë i barabartë me 75 % të të ardhurave plus 25 % të diferencës ndërmjet të ardhurave reale dhe të ardhurave kufi 1.195. Përfitimi mujor në çdo rast nuk mund ta kalojë 1.300 euro mujore (e dhëna e vitit 2015, që rivlerësohet çdo vit). Nga muaji i katërt i përfitimit, ky përfitim ulet në 3% në muaj. Naspi nuk do të jetë me zgjatje fikse; ai do të jetë, efektivisht për një numër të javëve, të barabartë me gjysmën e javëve kontributive të kredituar nga punonjësi në katër vitet e fundit. Pra, ai mund të zgjasë deri në një maksimum prej dy vjetësh. Për rastet e papunësisë që do të rezultojnë që nga 1 janar 2017, kjo periudhë nuk mund të tejkalojë 78 javë (18 muaj).
– Që ju ta keni sa më të qartë, po marr një shembull. Le të marrim një shembull kur shuma e të ardhurave të realizuara është më e madhe se 1.195 euro; Një punëtor ka realizuar të ardhura në 200 javë, gjithsej 140.000 euro për katër vitet e fundit. Fillimisht, do të llogarisim shumën mesatare javore të të ardhurave duke pjesëtuar shumën totale të të ardhurave me numrin e javëve: 140.000 : 200 = 700 euro mesatarisht në javë. Për ta kthyer në të ardhura mesatare mujore, e shumëzojmë me koeficientin 4.33 (koeficient i përllogaritur javë – muaj ); 673 x 4.33 = 3.031 euro mesatarisht në muaj. Bazuar në pikën “2”, kjo shumë është më e madhe se shuma e miratuar prej 1.195 euro. Për këtë arsye, bëjmë diferencën; 3.031 – 1.195 = 1.836 euro. Por shtesa që duhet bërë sipas pikës “2” do të jetë për 25 % e kësaj shume; 1.836 x 25% = 459 euro (për t’u shtuar). Por në pikën “1” kërkohet që të përllogaritet me 75 % të shumës së miratuar për vitin 2015, pra, për 1.195 euro; 1.195 x 75 % = 896.25 euro. Llogaritja përfundimtare do të jetë: 896.25 + 459 = 1.355.25 euro. Shuma prej 1.355.25 euro është më e madhe se kufiri maksimal i miratuar prej 1.300 euro. Në këtë mënyrë, shuma e përfituar do të jetë 1.300 euro dhe do të jepet për ½ e javëve të punuara katër vitet e fundit, pra, për 100 javë.
– Në rast se ju do të më kishit dhënë pagën mesatare mujore dhe periudhën e saktë të punës, do të llogarisja saktësisht shumën që mund të përfitonit. Në këtë shembull duhet të kemi parasysh: 1) Duke filluar nga muaji i katërt i përfitimit, pagesa do të ulet me 3 % në muaj. 2) Pagesa e përcaktuar, nuk mundet që në asnjë rast të tejkalojë shumën 1300 euro; 3) Duke nisur nga viti 2017, kohëzgjatja e përfitimit të NASPI nuk mund të kalojë 78 javë (18 muaj). 4) Shuma e 1195 euro do të jetë e vlefshme për vitin 2015 dhe është e rivlerësueshme çdo vit. Kushtet: Për të përfituar amortizatorët socialë është e domosdoshme të paraqitet një kërkesë në INPS brenda 68 ditëve nga data e ndërprerjes të marrëdhënies së punës. Dhënia e përfitimit Naspi do të jetë e kushtëzuar me pjesëmarrjen e të papunit në iniciativa dhe aktivizim pune, ose rikualifikim profesional duke iu referuar një dekreti ministerial që rregullon këtë detyrim dhe me sanksione përkatëse. Përfituesi mund të punësohet me raport punësimi me kohëzgjatje të pakufizuar, nëse të ardhurat e realizuara nuk do të jenë më të mëdha se ai minimum që përjashtohet nga detyrimet fiskale (d.m.th 8 mijë euro). Nëse të ardhurat janë më të ulëta, punonjësi mban të drejtën e përfitimit, me kusht që, brenda një muaji nga fillimi i aktivitetit, të komunikojë me INPS për të ardhurat vjetore që pritet të realizojë. Në këto rrethana, përfitimi reduktohet me një shumë të barabartë me 80 për qind të kompensimit të parashikuar, në raport me kohën në vijim, ndërmjet datës së fillimit të aktivitetit dhe asaj të përfundimit të periudhës së përfitimit të pagesës. Reduktimi është objekt i rregullimeve të zyrës përkatëse në momentin e deklarimit të të ardhurave. Kufiri 8000 euro mund të tejkalohet pa dhënë ndonjë pasojë uljeje, vetëm nëse përfituesi rezulton i punësuar me një kontratë punësimi për një periudhë jo më shumë se gjashtë muaj. Në këtë rast, pagesa pezullohet për periudhën e punës në fjalë. Naspi mund të shfuqizohet dhe ndërpritet për: a) humbje e statusit të papunësisë; b) mungesë e pjesëmarrjes në iniciativa për aktivizim pune ose rikualifikim personal; c) fillimi i një aktiviteti si i punësuar ose i vetëpunësuar pa marrë kumunikimin me Inps si theksohet më lart. d) arritje e një të drejte për pension pleqërie ose për pension të parakohshëm; e) marrja e së drejtës për paaftësi të zakonshme. Në këtë rast, ruhet e drejta e punonjësit për të zgjedhur ndërmjet Naspi dhe përfitimit të lindur. Mund t’u lindë e drejta për Naspi edhe atyre personave që mbajnë njëkohësisht shumë marrëdhënie pune me kohë të pjesshme, në qoftë se një nga këto aktivitete ndërpritet për një nga çështjet që i japin të drejtë për këto përfitime. Është e domosdoshme, megjithatë, që të ardhurat totale të marra, duke përfshirë edhe të gjitha marrëdhëniet e tjera me kohë të pjesshme, të jenë më të ulëta se kufiri i nevojshëm për ruajtjen e statusit të papunësisë. I nderuar letërshkrues, ju rekomandoj që për të marrë një ndihmë konkrete, të paraqiteni në zyrën më të afërt të Patronato INAS, ku do të kryeni të gjitha procedurat e duhura.
Advertisement