Nuk mund të dua përsëri
U përballëm pas shumë kohësh
Ti dhe unë, si atëherë
Ti nuk munde të më njohësh
Unë të njoha, menjëherë…
Dorën dhamë si dy të huaj
Me kokë ulur, fjalët prerë
Por diçka nisi të luajë
Në stomak, si atëherë…
Flutura trupin e përshkuan
Toka tundej poshtë ndër këmbë
Ç’dreqin donin që ngacmuan
Atë plagë që aq shumë dhëmb?!
Por s’i lashë të fluturonin
I ndalova, qëllimisht
Mos më pyesni se si munda
Nuk përshkruhet, natyrisht…
Ti më the ”sa kam ndryshuar”
Ikin vitet the, si era
The që nuk më ke harruar
E të tjera, e të tjera!
Dhëmbët fort, shumë fort shtrëngoja
Ti kërkoje nga unë fjalë
Por unë vetëm të dëgjoja
E së fundmi thashë ”më fal”
Më duhet të iki, thashë nxituar
Sytë s’i ngrita që përdhe
S’isha gati për të zgjuar
Atë çka në shpirt më fle!
S’mund t’harroj as unë vërtet
E ti nga unë, s’i ndaje sytë
Të desha njëherë në këtë jetë
Nuk mund ‘të dua’ për herë të dytë! Bledi Ylli
Sikur…
Sikur të isha një poezi
Dhe çdo damar i imi varg
Të isha pjesë në gjuhësi
mesazh që shkon afër dhe larg.
Të isha libër të më shfletonin
Faqe të mbushura me histori
Në çdo mesazh veten t’shikonin
Të jesh për njerëzit një Gjithësi
Një Gjithësi ndryshe nga ditët
Një fole ndryshe nga bota
Një poezi ndryshe nga ç’flitet
Shumë larg, shumë larg fjalëve të kota.
Të jesh një varg që të përlotësh
Të prekësh zemra kudo që janë
Në rrugë të dal, t’u thërras njerëzve
Ej, ju jeni gjithçka që kam. Auror’a CM
Hiri i lotëve
Shtegtarët shtegtimet s’i nisën në pranverë,
ndaj dhe cicërimat s’u dëgjuan këtij moti,
stinët të katra në dimërake janë kthyer,
edhe ndonjë lule, kur çel, ka shije loti!
Gurët e bardhë kanë krisur prej mallit,
gurrat s’rrjedhin ujë si dikur, por lot,
zër’ i bilbilit si grahma e fundit e të gjallit
duket sikur jep shpirt dhe shpirt nuk jep dot!
Lisi i moçëm lendet prej dhimbjes shkërmoq,
kërrusur si pikëpyetje prej pritjes së gjatë,
ka kohë që degëve të tij nuk ulen më zogj,
veç kukuvajkat vajtojnë, për çdo natë.
Hiri i lotëve prej mallit të djegur
shpirtrat spërkat me brymë t’acart’,
për-përtej shtegtarët frymëmekur,
për-këtej, hijet mbi dhe varret hapë! Skënder Lazaj, nga vëllimi me të njëjtin titull
Duet (Ylli Jahaj – Aida Previzi Kule)
PIRATI DHE SIRENA
Ylli
E di vajzë e bukur?
Unë jam veçse hajdut,
nuk vjedh shtëpi,
as gjëra me vlerë monetare,
nuk vjedh makina,
unë vjedh…,
veç zemra e shpirtëra
jo mëkatare.
Aida
Duhet të kem frikë?
Zemrën djalë e kam të shtrenjtë,
shpirtin, ta dish sa të brishtë,
ti mund të kesh patur në dorë
zemra të arta e shpirtra qelibar,
por të siguroj, si të mitë,
as në ëndërr nuk ke parë.
Mund të kesh plaçkitur
zemra të pafajshme e shpirtra plot,
por mos të të gënjejë mendja djalë,
zemrën time nuk e arrin dot.
Ylli
Të më kesh frikë?
Mua?…
Jo… aspak!
Kush vidhet, frikën nuk e njeh,
Veç hajduti është frikacak,
prandaj veç në errësirë vjedh
e nëse lind dielli,
cipë nuk i mbetet aspak.
Zemra në qoftë e shtrenjtë,
e dua pa kusht,
shpirti në qoftë i brishtë,
me shumë kujdes do ta përkund.
Eh… i tillë jam unë,
Çfarë s’kam njohur,
Çfarë s’kam dashuruar,
shumë më kanë vrarë,
tepër kam lënduar!
Ah, sa i dua zemrat e vështira,
shpirtërat plot jetë e pranverorë,
aty ku përballë më del e vështira,
unë veç dua të hedh hapa,
nuk ka gjë që më ndalon!
Aida
Mund të thuash sa të duash
fjalë të bukura,
të thurësh vargje plot diell
e lule plot,
por zemrën e kam të kyçur djalë,
çelësin humbur në det
nuk e gjen dot,
duhet të jesh notar e jo pirat,
madje… të dish mirë not.
Ylli
Ah, për dreq, nuk jam notar,
jam veç pirat pa anije,
për zemrën tënde,
nga njeri
kthehem në palombar,
këtë gjë,
ti vajzë
mire dije!
Aida
Ah… të ka shpëtuar një detaj,
unë nuk jam njeri,
jam një sirenë deti,
kush si ti e provoi më parë,
humbi thellësive,
nuk doli gjallë i shkreti…
Ylli
Sa dua të mbytem në thellësinë e bukur,
të vdes atje duke qenë gjallë,
në shpirtin e sirenës
të rrija i strukur,
përjetësisht në robërinë e saj.
Aida
Por…
Sirenat kanë lindur për të qenë të lira,
dashuri tjetër veç detit nuk njohin,
nëse për to ke dëgjuar legjenda,
a përralla me të tilla çudira,
dije se në jetë…
legjendat nuk ndodhin.