Arritjen më të madhe? Po e planifikoj….
Sajmir Marku është një djalë i cili edhe pse është vetëm 20 vjeç, posedon një zë të madh me të cilin ka bërë për vete shumë dashamirës të muzikës së tij. Sajmiri çdo pyetje të kësaj interviste nuk e sheh thjesht si një pyetje, por si një bisedë me lexuesit ku tregon gjerë e gjatë edhe për veten e tij. E nëse kjo është hera e parë që dëgjoni për Sajmirin, me siguri në vazhdim do të dëgjoni më shpesh për të sepse ai po planifikon arritje të mëdha për jetën e tij.
– Sajmir, netët live janë të vetmet që mbushin jetën tënde artistike?
– Netët live mbushin vetëm një pjesë e jetës time, por sot për sot, mbushin të gjithë jetën time artistike pasi për mua, artist duhet të jesh në çdo frymëmarrje.
– Nëse do të m’i përshkruaje ti vetë, çfarë do më thoje?
– Në plazh ka muzikë, deti të frymëzon. Në studio ka muzikë dhe aty ngacmohesh, në palestër gjithashtu ka muzikë. Muzika t’i rrit muskujt… (Qesh)
– Po për veten tënde?
– Quhem Sajmir, jam 20 vjeç, gjatësia 1.67, ngjyra e flokut zi, sytë kafe në të errët dhe… kërkoj një të dashur. (Qesh)
– Çfarë mundohesh te sjellesh me performancat e tua?
– Dua që ai publik që më njeh të kënaqet me mua po aq shumë sa unë kënaqem me atë që bëj. Kuptohet, unë jam fare i ri për publikun mirëpo me punë dhe pasion do përpiqem t’i jap publikut kënaqësi.
– Mendon se këngëtarët e rinj kanë mjaftueshëm hapësira sot?
– Mendoj se po, ndryshe nga ç’ka qenë 20 vjet më parë! Mirëpo mundësitë dhe suksesi nuk janë e njëjta gjë, pasi sot ka shumë artistë që kanë mundësira, por nuk kanë sukses. Mundësitë dhe suksesi jo gjithmonë udhëtojnë bashkë. E thënë ndryshe; mund të kesh mundësi për të bërë një material shoqëruar me një video, por nuk është e thënë të të ndjekë suksesi. Megjithatë mua më vjen mirë që sot ka hapësira më shumë dhe secili nga ne provon me talent fatin e tij.
– Si i përgjigjesh dashamirësisë së publikut shqiptar ndaj muzikës tënde?
– Unë jam “djali i natës” sepse darkave në live unë iu përgjigjem njerëzve me muzikë të shumëllojshme ndoshta duke kapur shijet e gjithsecilit. Të kënaqësh njerëzit me tortë është kollaj, me muzikë nuk është dhe aq e thjeshtë. Jam aq dashamirës ndaj publikut saqë në çdo këngë unë vë zemrën.
– Kujt i je më tepër mirënjohës për atë çka ke arritur deri tani?
– Mendoj se kam arritur shumë pak. Megjithatë, Zoti është i pari, më pas familja, miqtë dhe shoqëria.
– Je tip që i llogarit gjërat apo thjesht jeton momentin?
– Nuk mund të jetosh sikur çdo ditë të bie telebingo. Jeta ka përgjegjësi dhe patjetër që nuk mund të ecësh pa bërë llogari, plane etj etj. Unë e jetoj momentin, por gjithmonë e lë një sy hapur për të parë dhe projektuar atë çka do vijë pas. Çfarë mbjell, korr.
– Cilat janë ato gjëra që të japin më tepër bezdi?
– Ka shumë gjëra, nga më të voglat e deri te ato më të mëdhatë. Fajin për këto e ka njeriu. Kafsha sillet mirë me mua, njeriu jo. Kjo më bezdis mua, që njeriu është bërë shumë mosmirënjohes, shfrytëzues dhe i pabesë.
– Me çfarë syri e sheh çdo gjë që realizon?
– Me syrin pozitiv. Nisem nga e mira për të nxjerrë një të mirë nga e cila mos të kënaqem, vetëm unë. Sidoqoftë, nuk mjaftohem, jam në kërkim….
– Çfarë të ofron tregu muzikor shqiptar?
– Tregu muzikor shqiptar t’i ofron të gjitha. Mendoj se janë aty të gjitha: suksesi, fama, paraja, dështimi etj etj…. Mirëpo duhet të dish t’i marrësh. Duhet gjetur çelësi dhe unë jam në kërkim të tij. Ai mund të jetë dhe brenda meje. (Buzëqesh)
– A do te sakrifikoje gjithçka për muzikën?
– Jo sepse edhe muzika nuk është se më ofron mua gjithçka. 😛
– Çfarë të mjafton për t’u ndjerë i lumtur?
– Besimi në Allah është i pari. Pastaj, lumturia lidhet me shumë gjëra. Familja, shokët, dashuria, puna, karriera, udhëtimet, sporti, noti ose dhe kur shkoj në tualet sepse edhe aty këndoj. (Qesh)
– A e perjetojnë muzikantët ndryshe nga njerëzit e thjeshtë dashurinë?
– Jo. Unë mendoj që secili person në këtë botë e përjeton në mënyrë unike dashurinë dhe nuk varet nga fakti që dikush është muzikant e dikush tjetër jo. Ne vetë jemi të ndryshëm… Para se të merresha me muzikë unë kam dashuruar dhe tani që merrem me muzikë prap dashuroj. Jam i njëjtë, vetëm se tani kur dashuroj, edhe i këndoj. (Qesh)
– Çfarë sheh të përbashkët mes muzikës dhe femrave?
– Që të dyja janë të bukura dhe magjike. Vetëm se njërën mund ta shohësh dhe tjetrën mund ta dëgjosh. Megjithatë, pa femër nuk ka muzikë.
– Nëse unë them: femrat sot……. Ti si do e vazhdoje fjalinë?
– …janë si frutat, përpara se ti kafshosh, shikoji njëherë mirë. Pa to nuk rrihet dhe s’ka kuptim as jeta, por i gjithë problemi qëndron tek çfarë zgjedhim.
– Femra që të frymzon?
– Më saktë, mua më frymëzon dashuria, dashuria për Zotin, prindërit dhe çdokush në këtë botë që meriton pakëz dashuri, mund të jetë frymëzim për mua,,,,
– Si është për ty një person të cilin nuk do doje ta humbisje kurrë?
– Një njeri që ka dashuri, sinqeritet, zemërmadhësi, qetësi, mirënjohje, tolerancë, durim, që bën për shoqëri, që i kalon testet e ditëve të mira dhe të atyre të vështira, që të përgjigjet me zemër të pastër, nëse ka një njeri me këto cilësë, atëherë këtë njeri nuk do doja ta humbisja. Pyetja është: A ekziston një njeri i tillë në ditët e sotme, përvec pjesëtarëve të familjes?! Unë besoj se po, por numërohen me gishtat e dorës.
– Çfarë të jep siguri dhe çfarë pasiguri në këtë fazë në të cilën ndodhesh?
– Nuk kam ndonjë pasiguri në këtë situatë në të cilën ndodhem. Jam i rrethuar nga njerëz të mirë dhe kaloj këndshëm me ta. Po pata ndonjë pasiguri, do të të shkruaj. 😛
– Sa perqind të asaj që ke dëshiruar gjithmonë e ke realizuar sot?
– Unë jam në moshë të re, mirëpo mendoj se jam në rrugën e duhur në gjetjen e çelësit të suksesit për t’u ngjitur lart. Nuk dua ta ndaj me përqindje, thjesht dua t’iu them se kam informacion se ku mund të gjendet çelësi. (Buzëqesh)
– Çfarë konsideron si arritjen tënde më të madhe?
– Çdo hap është një arritje më vete, pavarësisht se sa i vogël apo i madh është. Të bashkuara të gjitha bashkë, të çojnë tek arritja më e madhe të cilën unë po planifikoj.
– Janë ëndrrat dhe këmbëngulja fort në to apo talenti ai që sjell sukses?
– Janë të gjitha nga pak. Pa talent, këmbëngul sa të duash, prapë je i humbur. Imagjino përshembull kafen pa ujë, të shkosh për të pirë një kafe dhe të kesh vetëm ujin dhe sheqerin. (Qesh)
– Ke ndonjë talent të fshehur?
– Po. Unë luaj shum kalceto. Të mos që për futbollin e kisha lënë fare muzikën. 😛
– Si po shkon kjo verë, me muzikë apo pa muzikë?
– Kjo verë kishte muzikë patjetër, por më shumë se kaq kishte lojëra, not, futboll, ushqim dhe dashuri… 😛 Ah… edhe kala prej rëre tek bregu. (Qesh)
– E mban mend këngën tënde të preferuar në fëmijëri?
– Qingji vogël rri mendueshëm.
– E di që këngëtarët e dasmave janë ata që sot kanë fitimet më të medha? A ke menduar ta praktikosh diçka të tillë?
– Ndoshta, por muzika nuk është vetëm lekë. Të bëjmë muzikë dhe të shkojmë aty ku ka lekë më shumë. Secili e gjen veten diku pa e prekur zgjedhjen e tjetrit. Unë do doja të isha në skenë, në Tv, kudo…. edhe në dasma.
– Duke u kthyer pas në kohë me mendime, për çfarë mendon se duhet t’i kishe kushtuar më shumë kohë apo të kishe bërë ndryshe?
– Futbollist kam dashur të jem, por jo në vendin tonë pasi ky sektor nuk të ofron shumë këtu ose e thënë ndryshe; nëse je një lojtar i mirë, është më mirë të jesh diku jashtë. Mendoj se andej ka më shumë interes nëse spikat, pa dashur të them ndonjë gjë për vendin tonë të dashur dhe respekt për të gjithë futbollistët tanë. Ah, jam dhe tifoz, e ndjek kombëtarën.
– Nëse ndodh që të mos jesh në formë, si ia bën për të fituar energji?
– Palestra është një mënyrë e mirë, por ka dhe një mënyrë tjetër: futja murit me kokë.(Qesh)
– Cilat janë projektet e fundit me të cilat po merresh aktualisht?
– E kam në plan një video. Nuk e di nëse do jem vetëm apo me një bashkëpunim. Unë të thashë që nuk eci pa plane. Tani të shohim se çdo mund të bëjmë. Nuk dua të flas më shumë se kaq sepse bërja e planeve dhe të treguarit e tyre, nganjëherë ndodh që nuk realizohen.
Advertisement