Të dashur lexues, besoj se shumica e historive të braktisjes janë treguar nga femrat, se janë burrat ata që i lënë e largohen duke i lënë mes katër rrugëve. Ja, pra, që historia ime është ndryshe nga ato që keni lexuar më parë.
Unë u martova me dashuri me vajzën më të bukur të universitetit. Them “e bukur”, se ashtu ishte. Vërtet bukuroshet të kënaqin sytë kur i sheh, por djemtë e pësojnë gjithmonë nga ato. Në fakt, ne ishim shumë të lumtur. Ajo nuk ishte fare mendjelehtë siç i paragjykojmë të bukurat, por ishte shumë e ndjeshme. Unë u mësova shpejt me këtë delikatesën e saj dhe nuk më bënte më përshtypje. Krijuam një lidhje të bukur dhe shumë të veçantë. Të gjithë na kishin zili. Më pas, u bëmë edhe me fëmijë. Të dy ishim shumë të lumtur, por ajo kishte një gëzim e lumturi që nuk ia kisha parë më parë në sy. Pra, jeta na ishte servirur në një pjatë argjendi. Muajt e shtatzanisë ishin shumë të bukur për ne. Kur morëm vesh se fëmija ishte vajzë, gëzimi na u shtua më tepër. Ajo filloi të blinte fustane dhe gjëra aq të bukura sa kur i shihje, nuk e kuptoje se ç’mund të kishte gjë tjetër më të bukur në jetë. Dhe çasti më i lumtur erdhi. Lindi foshnja jonë, që ishte shumë e bukur, si e ëma. Kishte sytë më të bukur që kisha parë ndonjëherë. Ajo kujdesej shumë për të. E donte dhe i ishte dhënë tërësisht asaj. Kaluan muajt dhe vajza eci para se të fliste. Nganjëherë më shkonte mendja se diçka nuk shkonte te vajza. Më dukej sikur nuk përqendrohej në atë që duhej të shikonte dhe humbte vështrimin diku tutje. Ia shpreha këtë gruas.
– Sa i çuditshëm je dhe ti! Gjithmonë dyshon…
Me gjithë fjalët e saj, unë nuk u qetësova. Pyeta doktoreshën e cila më dha disa udhëzime që duhej t’i ndiqja; të vështroja se si reagonte ndaj fjalëve që i thoje e disa gjëra të tjera. I zbatova ato që më tha doktoresha dhe shkuam të dy tek ajo.
– Edhe mua nuk më duken normale këto, – tha doktoresha, – kështu që do t’ju rekomandoj një psikolog.
Atehere gruaja ime u nevrikos:
– Te psikologu shko ti, që mundohesh t’i sëmurësh njerëzit. Vajza ime është për mrekulli. Kështu bëni ju doktorët, i sëmurni njerëzit pak nga pak derisa t’i çoni në gradë të fundit!
– Qetësohu zemër! Mundohu të jesh e qetë… – i thashë që ta qetësoja pak se dukej shumë e inatosur.
– Ti e ke fajin! Që do ta bësh vajzën të sëmurë pa qenë. Ti je fajtori për gjithçka. Të urrej!
E gjitha kjo ndodhi para doktoreshës, së cilës i kërkova falje disa herë dhe i thashë që do lidheshim me telefon. Pastaj vrapova të arrija gruan e cila nga nervat ishte ngritur me rrëmbim dhe po ecte në rrugë kuturu.
E arrita dhe i thashë: – Pse bën kështu? Nuk të erdhi turp që i fole ashtu doktoreshës?
– Turp të të vijë ty, që bën këto gjëra! Nuk kam për të të lejuar që ta çosh vajzën nëpër spitale e ta bësh të sëmurë mendore. Ajo është për bukuri. Ti do vetëm telashe. Është faji im që u martova me ty.
Debate të tilla vazhduan për shumë kohë. Ajo rrinte me vajzën dhe nuk e lëshonte që ta merrja për vizitë. I ishte fiksuar se mjekët i sëmurin vetë të sëmurët mendorë. I japin ilaçe në fillim qetësuese dhe më pas shtojnë dozën e arrijnë në përfundime fatale. Por koha kaloi dhe vajza u rrit e dha shenja të tjera për gjendjen e saj. Nuk fliste shumë, ishte e mbyllur në botën e saj dhe për më tepër, nuk përqendrohej në atë që i thoje. Pra, dolën të vërteta supozimet e doktoreshës.
Edhe gruaja e kuptoi tani dhe kjo ishte një gjë që ajo nuk ia fali vetes. E gjeja çdo ditë duke qarë dhe nga dita në ditë, ajo u tret. Por një ditë ndodhi edhe ajo që nuk duhej të ndodhte dhe që mua, po të ma kishin thënë se do të vinte jeta kështu, nuk kisha për ta besuar kurrë; ajo kishte ikur e na kishte braktisur. Kishte lënë një shënim, si në filma dhe thoshte se do të ikte që të mos shikonte pasojat e gabimit të saj. Pra, po bënte edhe një gabim tjetër më të madh. Nejse, natyra e saj e ndjeshme ia lejonte këtë. E kështu, vazhdoi për mua një punë e madhe për kujdesin ndaj vajzës sime. Fillimi ishte mjaft i vështirë, ndoshta ngaqë ajo ishte shumë e lidhur me vajzën dhe mua nuk më kishte lënë shumë të kujdesesha për të. Edhe puna, edhe përkujdesja ishin tepër për mua. Megjithatë, sytë e vajzës sime më mbushnin me shpresë e jeta më bëhej optimiste. Ia dola mbanë edhe me ndihmën e mamasë sime, sigurisht, sepse ajo ishte shumë e shqetësuar për mua. Vinte shpesh te shtëpia ime dhe më luste ta lija vajzën tek ajo, kurse vetë të dilja me shokët, por unë nuk doja që vajza të mbetej edhe pa baba.
E kështu vazhduan disa vite të jetës sime. Gjatë këtyre viteve nuk dëgjova asnjë lajm për gruan time. E çfarë nëne mund të jetë ajo që nuk mundohet të lidhet me fëmijën e saj?! Nejse. Vitet kaluan derisa ajo u rrit dhe duhej të shkonte në klasë të parë. Kjo për mua ishte një ditë plot emocione. Edhe pse i kisha vazhduar mjekimet sipas mjekëve dhe tani ajo dukej e përmirësuar, ende vajza nuk ishte në nivelin e bashkëmoshatarëve të saj, por unë isha takuar më parë me mësuesen e drejtoreshën dhe për ta nuk do të kishte problem.
Ajo ditë ishte me emocione edhe për të, kështu që mora edhe nënën time me vete. Vajza ishte lidhur shumë më të pas ikjes së mamasë së saj. Duke shkuar për shkollë, vëreja një shqetësim në sytë e saj. Ndoshta do ta dinte se po fillonte diçka ndryshe për të. Me gjithë shqetësimet tona, si dita e parë, ashtu edhe në vazhdim, gjithçka shkoi shumë mirë. E gjitha kjo për shkak të mësueses së saj, një grua shumë e edukuar dhe mbi të gjitha, shumë e zonja. Mësuesja kujdesej për të sikur të ishte e bija.
Tani gjërat ndryshuan dhe unë kisha kohë që kisha ndryshuar mendim se nuk duhej të dilja fare. Një herë në javë e lija vajzën te nëna dhe dilja për të pirë ndonjë gotë. Shokët i kisha të paktë, se gjatë shumë viteve isha marrë me vajzën, por kjo gjë më pëlqente, sepse sa herë dilja, shkoja në të njëjtin lokal dhe kisha kohë të shikoja banakieren. Ajo nuk ishte një grua shumë e bukur (isha ngopur me të bukurat) dhe më shikonte në një mënyrë që dukej sikur më kuptonte. Dalëngadalë ia gjeta shtegun kur ajo po linte punën dhe bëra sikur kisha rrugën me të. Ajo menjëherë më pa dhe tha:
– Vini shpesh në lokalin tonë…
– E paske vënë re?
– Unë i mbaj mend shumë klientët, sepse kam vite që bëj këtë punë.
– E kam parë që lodhesh shumë, je një grua e zonja. Të gjithë kështu thonë për ty.
– Faleminderit për komplimentin, – qeshi ajo, – po me kë ka rënë muhabeti për mua?
– Ashtu kot! Të vërtetën kanë thënë… – i thashë sepse e ndjeja se diçka do të ndodhte mes nesh.
Natën tjetër kur shkova në lokal, ajo ma ofroi pijen falas dhe kjo do të thoshte se do të rrija prapë dhe ndonëse kisha makinë, do të shkoja me të në autobus, me pretekstin se kishim të njëjtën rrugë.
Kështu lindi mes nesh një lidhje e bukur dhe plot ndjenjë, të paktën nga ana ime, por jo pak dhe nga e saja. Gjithçka po ecte mirë, sepse edhe ajo ishte e divorcuar, por nuk kishte fëmijë, mirëpo unë i druhesha gjithmonë njohjes së saj me vajzën. Nganjëherë mendoja se aq e zgjuar dhe femër e pjekur ishte sa nuk do të paragjykonte, por frika ekzistonte.
Një ditë ajo më tha:
– Kjo lidhja jonë sikur u trash ca. Unë nuk kam me kë të të prezantoj, se nëna dhe babai më kanë vdekur e fëmijë nuk kam. Kur do të më prezantosh ti me familjen tënde e sidomos me vajzën?
Kjo ishte diçka që kisha kohë që e prisja nga ajo dhe nuk e dija se si do t’i shkonte filli lidhjes sonë, pasi ajo ta mësonte se vajza ime ishte ndryshe nga moshatarët e saj. Për gruan i kisha thënë se më braktisi se u dashurua me një tjetër. Nejse, një herë duhej bërë dhe kjo më mirë të bëhej tani sesa të zgjatej. E lamë të vinte te shtëpia ime. Kisha ftuar edhe nënën dhe vajzës i kisha thënë se do të vinte një shoqe. Ajo më pa me ata sytë e saj të ëmbël dhe më aprovoi me kokë. Ishte një fëmijë i rrallë!
Kur e dashura ime u prezantua me të, nuk pati asnjë shenjë reagimi të keq. E puthi vajzën në dy faqet e pastaj në ballë. U ulëm të gjithë në tryezë dhe ajo kishte një sjellje normale, a thua se kishte kohë që ishte pjesë e familjes sonë. U habita në fakt se prisja të paktën një reagim të fytyrës, por asgjë.
Të nesërmen u takuam dhe i bëra pyetjen që kishte kohë që më kishte shqetësuar:
– Si t’u duk familja ime? Po vajza?
– Nuk ka asnjë problem, zemër. Unë e kisha kuptuar se diçka të shqetësonte dhe e dija se kishte lidhje me vajzën. Isha e përgatitur…
– Po nga e more vesh? – e pyeta i habitur.
– Nga sytë e tu. Sa herë flisje për të, sytë e tu reflektonin një dashuri të pamasë, por edhe një brengë që nuk e kuptoja se përse donte të mundte këtë dashuri që ke për të.
– Je një grua e veçantë! – i thashë plot dashuri.
– Ajo për mua do të jetë si një dhuratë nga Zoti, ashtu sikurse edhe ti, zemër! Gjithçka do të shkojë mirë. Ajo tashmë është si vajza ime dhe unë do të jem një mama e përkushtuar për të.
Ja pse isha dashuruar me atë femër; ishte e jashtëzakonshme! Fjalët e saj dolën. Vajza u lidh shumë me të dhe ndjehen si nënë e bijë. Dhe unë, sigurisht, jam super i lumtur.
Mamaja e vërtetë e vajzës nuk e di nga bëhet. Do të vija dita që dhe ajo ta kuptojë se çfarë ka humbur, por do të jetë shumë vonë. Vendi i saj tashmë është zënë nga dikush tjetër!
Advertisement