Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

6 gjëra që shkaktojnë më shumë dhimbje se lindja

Gjatë shtatzanisë së gruas sime, unë vuajta nga një nga gjërat më të dhimbshme që mund të ketë njeriu, gurët në veshka. Për një periudhë disa javore dukej sikur unë dhe gruaja ishim në garë se kush kishte më shumë dhimbje. Që të dy kishim diçka që rritej brenda nesh: Për time shoqe ishte një njeri i vogël, për mua, një copëz e vogël kalçiumi. Ngjashmëritë nuk u ndalën aty. Të dyve na u desh të qëndronim në shtrat për shkak të problemit tonë dhe për disa net, e vetmja mënyrë për të qenë rehat, ishte të flinim në ije, me një jastëk të vogël mes këmbëve. Ndërkohë që bebes i dilnin këmbët dhe duart, gurit tim të veshkave i dilnin thepa rreth e rrotull dhe, ndërkohë që bebja shqelmonte time shoqe me hakmarrje, guri im i veshkave më gërvishtte kanalin e urinës. Bile ne të dy patëm të njëjtin anestezist. Kështu unë fillova t’i bëja vetes pyetjen se cila dhimbje është më e madhe. Tani, nëse do të zemërosh një grua, mjafton t’i thuash se kalimi i gurit në veshka është njëlloj si lindja e një fëmije. Duket kaq absurde. Nëse unë do të kisha një gur 3 kilogramësh, me siguri do të kisha vdekur.

Kështu iu drejtova një specialisteje për dhimbjet, për ta pyetur se cila prej tyre ishte më e madhe. Ajo më shpjegoi se “mënyra se si ne e ndjejmë dhimbjen është shumë personale dhe shumë relative”. “Kjo pyetje është e vjetër, por dalja e një guri nga veshkat mund të jetë po aq e dhimbshme sa dalja e një fëmije nga vagina”. Gjithashtu ajo më tha se një rol të rëndësishëm luante stresi. Ndërkohë që një grua ka mjaft kohë për t’u përgatitur për lindjen e fëmijës dhe ajo e di se çfarë po kalon, një burrë nuk e ka idenë se çfarë ndodh në rastin e gurëve në veshka, si rezultat ai futet në panik, gjë që ekzagjeron ndjesinë e dhimbjes. Duke u nisur nga eksperienca ime, kam pasur gurë në veshka dy herë dhe, megjithëse herën e dytë guri ishte më i madh, eksperienca e parë ishte më e keqe, sepse unë mendova se po vdisja. Proçesi neurologjik që shkakton dhimbjen është pak a shumë i njëjtë në të dyja sekset, por ndryshimet në durimin e dhimbjes janë të mëdha mes tyre. “Dhimbja është më e fortë tek gratë, ndërsa burrat e ndjejnë atë më me pak intensitet”, shton përsëri specialistja. Pra, nëse eksperienca në vetvete është e njëjtë, çfarëdoqoftë ajo që e shkakton dhimbjen, gratë e ndjejnë atë në mënyrë më akute sesa burrat”. Kjo nuk do të thotë se dhimbja është më e madhe, vetëm se gratë e ndjejnë më shumë. Kështu pra, doktoresha nuk arriti t’i jepte një përgjigje të prerë se kush shkaktonte më shumë dhimbje, por më këshilloi të flisja me një grua që i kishte provuar të dyja. Kështu, pyeta time motër dhe përgjigjia e saj ishte kjo “Gurët në veshka, pa dyshim, por edhe dhimbjet e lindjes ishin shumë të forta”. Pasi pyeta specialisten, zbulova se gurët në veshka nuk ishin dhimbja e vetme që krahasohej me dhimbjet e lindjes. Ja edhe pesë të tjera që janë po aq të dhimbshme sa lindja dhe nganjëherë më keq se ajo.

 

Advertisement

  1. Dhimbjet e përqëndruara të kokës

Specialistja i quan ato si “dhimbjet më të këqija që ekzistojnë. Kam pasur pacientë që thoshin se ishin më të këqija se dhimbjet e lindjes, apo ato të djegies”. Bëhet fjalë për disa dhimbje të përqëndruara në njërën anë të kokës, zakonisht rrotull syrit, që shpesh shkaktojnë edhe enjtje të syrit, rrjedhje hundësh dhe lotim të tij. Kjo lloj dhimbjeje mund të zgjasë deri në tre orë, ose më shumë dhe prek më shumë burrat sesa gratë.

 

  1. Nevralgjia Trigeminale

Kjo dhimbje ngjan pak me atë më lart. Nevralgjia Trigeminale, e njohur edhe me emrin sëmundja e Fothergill, është një çrregullim neurologjik i shkaktuar nga inflamacioni i nervit trigeminal (që është përgjegjës për ndjeshmërinë dhe lëvizjen e fytyrës, si përtypjen, kafshimin, etj), që është i lokalizuar “në kokë dhe nga syri deri poshtë në nofull”. Doktoresha e quan këtë lloj dhimbje “të njëjtë me atë të një thike që të ngulet në mish”. Dhe, ndryshe nga dhimbjet e lindjes, nuk varet nga ti nëse mund t’i durosh ato dhimbje, apo jo. “Mundësitë e trajtimit janë të kufizuara”, thotë doktoresha “Nuk mund të bësh një gjilpërë epidurale për t’i qetësuar këto dhimbje. Ka njerëz që duan të vrasin veten, bile që e vrasin për shkak të kësaj dhimbjeje”.

 

  1. Sindroma e dhimbjes komplekse rajonale

Ajo është “një dhimbje që shkaktohet si pasojë e një dëmtimi dhe që mund të fillojë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale”, thotë doktoresha. “Në vend që të shërohet, dhimbja papritur del jashtë kontrollit”. Simptoma kryesore e saj është një “dhimbje e mprehtë, që të bën të brishtë. Tek disa njerëz mund të jetë kaq e fortë, sa njerëzit shkojnë tek doktori dhe i kërkojnë atij t’i presë krahun apo këmbën dhe, në daç besojeni apo jo, nganjëherë është mundësia më e mirë e trajtimit”.

  1. Djegiet e rënda

Nuk flasim këtu vetëm për ato të shkallës së tretë, çdo lloj diegieje mund të shkaktojë dhimbje të mëdha dhe të vazhdueshme. “Ato krahasohen me dhimbjet e lindjes”, thotë doktoresha dhe “proçesi i kujdesit të ushtruar pas diegies është i vështirë, sepse përfshin pastrimin e plagës, ndërrimin e fashove, transplantin e lëkurës dhe tërheqjen e saj”. Edhe shtatzania shkakton tërheqje të lëkurës, por të paktën prej saj bëhesh me fëmijë, kurse ai/ajo që digjet mund të bëhet vetëm me një lëkurë të re.

 

  1. Nevralgjia Pudentale

Një emër i bukur për një dhimbje të madhe në të pasmet. Bëhet fjalë për një shtypje të nervit pudental që ndodhet në zonën e pelvisit dhe që mund të shkaktohet edhe nga një rrëzim i thjeshtë. Është problematike për të gjithë, por veçanërisht për burrat “sepse mund të ndikojë tek penisi”, thotë specialistja. Ky problem shkakton një mpirje të penisit dhe testeve dhe gjithashtu një dhimbje të vazhdueshme në penis.

 

Lajme shkurt

Një shëtitje në pyll largon depresionin

Sipas një studimi amerikan, një shëtitje e vogël në pyll mund të na evitojë depresionin. Gjatë fundjavës, por edhe në darkave, janë të shumtë ata që vendosin të shëtisin, vetëm, apo me familjen. Kjo shërben si çlodhje pas një dite të gjatë pune. Disa zgjedhin një shëtitje në pyll, në mes të pemëve, të tjerë preferojnë të dalin dyqaneve. E njëjta gjë ndodh edhe me pushimet, janë “minjtë e qytetit dhe minjtë e fshatit” (sipas një përralle të njohur). Deri më sot mendonim se shëtitja (pavarësisht se ku bëhej), i bënte mirë një personi aktiv dhe të lodhur. Megjithatë, duket se pylli është më i mirë për shëndetin tonë dhe kjo është provuar shkencërisht nga një studim amerikan, i kryer nga universiteti i Standfordit. Sipas këtij studimi, shëtitja në qytet favorizon edhe më shumë depresionin, ndërsa shëtitja në fshat na bën mirë për trurin.

Këto rezultate janë publikuar kohët e fundit nga revista shkencore PNAS. Është e kuptueshme, qarkullimi i veturave, zhurma, turma e qytetit janë më stresuese sesa qetësia e fshatit dhe pyllit. Për të arritur në këtë konstatim, studiuesit i kanë kërkuar një grupi personash të bënin një shëtitje 90 minutëshe. Gjysma e tyre e bëri shëtitjen nëpër fusha, ndërsa të tjerët, në një bulevard shumë të frekuentuar në qytet. Gjatë këtij aktivititeti, secilit prej pjesëmarrësve iu bë një matje e aktivitetit trunor, frymëmarrjes dhe pulsit. Në fund, të gjithë mbushën nga një pyetësor përsa i përket gjendjes së tyre shpirtërore pas kësaj eksperience. Bilanci ishte i qartë: Ata që patën fatin të shëtisnin në mes të gjelbërimit gjatë një ore e gjysmë kishin një aktivitet më të paktë në zonën e trurit të lidhur me depresionin. “Këto rezultate janë të rëndësishëm, sepse, megjithëse nuk përbëjnë një provë, tregojnë lidhjen mes përparimit të urbanizimit dhe shtimit të nivelit të sëmundjeve mendore”, thotë njëri nga autorët e studimit. Ndërkohë që numri i njerëzve që jetojnë në qytet vjen duke u shtuar, këto rezultate mund të ndikojnë në organizimet urbane në të ardhmen, duke shtuar sa më shumë hapësirat e gjelbra. Atyre që ndjehen të shqetësuar nga rezultatet e studimit, u këshillojmë t’i kalojnë sa më shpesh fundjavat në mes të gjelbërimit.

 

 

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Petrit Selmani: “Sekreti im: Ushqimi i shëndetshëm”

Next Post

Redona Koçi: Pushime me Redonën…

Advertisement