Megjithëse në ditët tona numri i martesave është ulur, psikologët thonë se martesa është gjëja më e mirë që mund të bëni për veten tuaj. Në gazetën “Nju Jork Tajms”, kohët e fundit u publikua ky konkluzion: “Martesa i bën njerëzit më të lumtur dhe më të kënaqur me jetën e tyre, veçanërisht gjatë periudhave më stresante të jetës, si kriza e moshës së mesme”. Por, si mund të kesh një martesë të suksesshme? Ne pyetëm Piter Pirsonin, terapist çiftesh dhe bashkëthemelues i Institutit të Çifteve në Menlo Park, Kaliforni dhe, ja përgjigjja e tij:
Së pari, duhet të ekzistojë ajo që quhet kimi
“Kimia nuk është gjithçka, por nëse ajo nuk ekziston, është e vështirë të zëvendësohet. Nëse kimia ekziston më shumë te njëri prej partnerëve, prapë është e vështirë të kapërcehet. Është shumë e vështirë të krijosh pasionin, kur ai nuk ekziston që në fillim. Nëse unë do të isha i aftë ta bëja pasionin të lindte aty ku ai nuk ekziston, do të isha më i pasur se Bill Gejtsi”. Por, sipas Pirsonit, nuk bëhet fjalë vetëm për kimi seksuale. Një rol të rëndësishëm luan edhe kimia tjetër, ajo që ndjen kur je pranë personit tjetër. Nga eksperienca e tij, kur njerëzit kanë lidhje jashtëmartesore, ky nuk është thjesht epsh, por edhe mënyra si ndjehesh pranë atij personi. Kuptimi i saj është shpjguar më mirë nga psikologu kanadez, Erik Bern. Në teorinë e tij të viteve ’50 dhe ’60, Berni shpjegon se çdo person ka tre “ego” të ndryshme:
- Prindi: Ajo që të kanë mësuar prindërit.
- Fëmija: Ajo që ke ndjerë në fëmijëri.
- I rrituri: Çfarë ke mësuar.
Kur dy njerëz janë të pajtueshëm me njëri-tjetrin, ata kuptohen mirë në çdo nivel. Pirsoni na dha disa pyetje pë të kuptuar pajtueshmërinë në çdo nivel:
- Prindi: A keni vlera dhe parime të njëjta për botën?
- Fëmija: Zbaviteni së bashku? Mund të jeni spontanë? Mendoni se partneri juaj është seksi? Ju pëlqen të udhëtoni së bashku?
- I rrituri: Mendoni se partneri juaj është inteligjent? Përbëni një ekip të mirë për të zgjidhur problemet?
Idealja do të ishte të kishin përgjigje pozitive të gjitha këto pyetje, por kjo, vështirë të arrihet. Ndërkohë, Pirsoni thotë se njerëzit shpesh “lidhen së bashku për të ekuilibruar njëri-tjetrin”. Njëri nga partnerët mund të jetë zbavitës dhe aventurier, ndërkohë që tjetri merr përsipër rolin e përkujdesjes dhe është i përgjegjshëm. Ndërkohë që ndarja e roleve është e mirë për komeditë romantike, kjo nuk është e tillë për jetën reale. “Kjo gjë funksionon derisa njëri lodhet, thotë Pirsoni, derisa ai fillon të bërtasë: “U lodha duke qenë i vetmi njeri i përgjegjshëm në çift!”.
Kur kjo ndodh (ose idealisht, para se të ndodhë), çifti duhet të kalojë procesin e “diferencimit”.
Gjatë kësaj faze me shumë tension, partnerët duhet të përballen me realitetin: “Ne jemi njerëz të ndryshëm. Ti je ndryshe nga ajo që mendoja ose doja unë. Ne kemi ide të ndryshme, ndjenja dhe interesa të ndryshme”.
Diferencimi ka dy përbërës
- Vetëdiferencimi
“Kjo është ajo që jam dhe kjo është ajo që dua”. Kjo arrihet me anë të shtimit të pjekurisë, domethënë, të dish se çfarë do, mendon, ndjen dhe dëshiron…
- Diferencimi nga tjetri.
Kur ky proces është i suksesshëm, partnerët kanë aftësinë të jetë të ndarë nga njëri-tjetri dhe të bashkuar në të njëjtën kohë. Që çifti t’i mbijetojë procesit të diferencimit, sekreti janë përpjekjet që duhet të bëjnë të dy partnerët.
Por, pavarësisht nga këto modele teorike, Pirsoni thotë se pajtueshmëria mes dy partnerëve është më shumë një ndjesi, sesa diçka që ka të bëjë me arsyen. Ai na jep një test të tillë: “Nëse partneri/ja është larg jush për disa ditë dhe ju shihni nëpër shtëpi një shall të preferuar, një palë këpucë, ose një objekt tjetër të rëndësishëm për të, si e ndjeni veten? Ndjeni bezdi se tani duhet të rregulloni gjëra që tjetri i ka lënë andej-këtëj, apo ju sjell ndërmend kujtime të lumtura?”.
Përgjigjja e kësaj pyetjeje ju jep shumë të dhëna për të kuptuar si shkoni me partnerin/en…