– Përshëndetje! Jam një vajzë 14 vjeçe, shumë e fiksuar pas një ylli (këngëtar me famë botërore). Ky fiksim më është shndërruar në një brengë, çdo ditë mendoj për të. Edhe prindërit më kanë vënë re që jam ndonjëherë e hutuar. Për ta harruar lexoj libra, luaj lojëra, por përsëri nuk më hiqet nga mendja. A dini ndonjë mënyrë për ta larguar këtë nga mendja sepse më është shndërruar në një brengë që nuk më le të qetë?
– E dashur 14 vjeçare, në moshën tuaj, në njëfarë mënyre, është normale të keni fiksime të tilla ndaj këngëtarëve të huaj, të vendit, aktorëve etj. sepse këtë fazë e kalojnë të gjithë. E kam kaluar edhe unë që po ju shkruaj. Unë personalisht mbaja fotografinë e një këngëtari spanjoll gjersa u rrita dhe tani kur e shikoj, nuk më bën më përshtypje dhe qesh me vete se sa e fiksuar isha pas tij. Pra, është një fazë e cila do t’ju kalojë me kalimin e kohës dhe me rritjen tuaj. Ju bëni shumë mirë që lexoni libra, lozni, por mundohuni të dilni edhe me moshatarët tuaj, të krijoni pse jo simpati për ata që njihni realisht, sepse fiksimi që keni vetëm sa do t’ju lodhë dhe do t’ju largojë më shumë nga të jetuarit e jetës që keni në realitet. Pastaj, VIP-at që shikoni, në shumicën e rasteve, ndryshe janë në realitet ndryshe janë në televizor siç i shohim ne. Ndoshta po ta njihni realisht, nuk do t’ju pëlqejë kaq shumë. Gjithsesi, mos u dëshpëroni, është një fazë që do ta kaloni. Të gjithë adoleshentët e moshës suaj kanë ndonjë fiksim, i cili me kalimin e viteve u është zbehur dhe më pas kanë arritur të qeshin me fiksimet e tyre. Ajo çfarë do t’ju thoja unë është që të mos e lini veten të bini në brenga dhe dëshpërim për një fiksim të kotë, por jetoni adoleshencën tuaj me shoqërinë aktuale, zëreni kohën tuaj dhe shikojeni këngëtarin tuaj duke shijuar këngët e tij, por jo duke i ushqyer vetes ndjenja për të, sepse vetëm dëm vetes i bëni. Ndaj jepini kurajo vetes dhe mos e lëshoni veten për një fiksim kalimtar. Jetoni jetën tuaj reale me ata që keni rreth e rrotull jush. Ju uroj fat.