Anketa e fundvitit: Si ishte 2025 për ju dhe ç’prisni nga 2026?
VILMA KËRÇIKU/ GAZETARE, TOP CHANNEL
Kjo është pak, por e sigurt se çdo vit që kalon të bën të reflektosh më shumë. Të gjithë priremi t’i marrim më të mirën çdo viti, por përgjatë 365 ditëve përjetova sfida që më testuan durimin dhe forcën, por edhe arritje që më treguan se jam më e fortë sesa mendoja!
Kam kuptuar se momentet e vështira, më mësojnë dhe më ndihmojnë të rritem ndërsa sukseset të vogla apo të mëdha qofshin më dhanë besim për të vazhduar përpara. Megjithatë unë kam një moto në jetë: Bëj mirë! Nëse nuk bën mirë, të paktën mos bëj keq!
Çfarë pres nga 2026?! Së pari dua shëndetin, ai është i vetmi që na vë në s’prova se sa të fortë dhe të dobët jemi ne si qenie. Së dyti do të doja t’i kisha pranë të gjithë njerëzit e zemrës në momente gëzimi dhe hidhërimi dhe sigurisht sukses në punën time në atë që di të bëj më mirë, në profesionin e gazetarit.
2026 nuk e di nëse do jetë viti im, por sigurisht do të jetë viti që do luftoj për të arritur objektivat që dua! Mua më pëlqen të eci me hapa të ngadaltë, por të sigurtë (qesh).







