Anketa e fundvitit Si ishte 2025 për ju dhe ç’prisni nga 2026?
Egla Xhemali/ Gazetare dhe moderatore, Syri Tv
Ju faleminderit që komunikimin me lexuesin e bëni kaq të bukur, pasi të shkruarit mbetet forma më e veçantë e shprehjes së ndjesive dhe mendimeve.
Ky vit ka qenë i mbushur me surpriza të bukura dhe sfida që më kanë formësuar. Kam mësuar, jam përlotur, kam qeshur me gëzim emocione që zgjojnë brenda meje njëkohësisht vajzën e ndjeshme dhe vajzën e fortë. Dua të ndaj me ju momentet që kanë rrënjosur ditë të mbushura me ngazëllim, sytë gjithnjë në pritje të çasteve ndryshe.
Viti 2025 ka qenë një udhëtim i bukur pune dhe përkushtimi. Kam intervistuar artistë nga fusha të ndryshme, duke u përpjekur të hyj thellë në veprat, krijimet dhe gjurmët që ata lënë përmes magjisë së artit te publiku, te kundruesit dhe te ata që e ndjekin me ëndje.
Kam qenë pjesë e aktiviteteve të shumta kulturore, kam shkëmbyer ide, kam bërë kritika të argumentuara dhe kam përjetuar me emocion botimin e librave, si të autorëve të konsoliduar ashtu edhe të zërave të rinj. Jam përpjekur të jem kudo ku flitet për librin, pasi aty pulson mendimi.
U bëra pjesë e jurisë së medias në garën e bukur të filmit, që zhvillohet çdo vit me produksione nga më të mirat nga e gjithë bota. “Dea Open Air” më dha kënaqësinë e veçantë për të vlerësuar atë që prodhohet sot, si në kinemanë tonë, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Ishte një përvojë që më ftoi të thellohem mbi fuqinë e tregimeve vizuale dhe ndikimin që filmi ka në mënyrën se si perceptojmë botën dhe historitë e saj. Muzika më ka shoqëruar gjatë gjithë këtij viti, opera dhe baleti kanë qenë udhëtarë të pandashëm, njëkohësisht tokësorë dhe hyjnorë. Një vrap i këndshëm nëpër copëzat e kulturës, kudo ku investohet për të krijuar diçka të bukur.
Ardhja në Shqipëri e grupit tim të preferuar “Scorpions” ka qenë një nga ngjarjet më të mezipritshme kulturore. Për të dhjetin vit radhazi si gazetare kulture, kam jetuar nga afër ëndërrimet e ditëve të panairit të librit, kam biseduar me lexues, shkrimtarë e përkthyes dhe u kam dhënë hapësirë botuesve të flasin për të bukurën, por edhe për vështirësitë.
Ky vit më solli edhe një dhuratë të veçantë. U shpalla fituese e edicionit të parë të Festivalit të Poezisë për të rinj, organizuar nga grupi letraro-artistik “Në gjurmët e Dodonës”. Poezia ime, “Triptiku i Kujtesës”, u prit shumë mirë dhe me vlerësim nga juria e pjesëmarrësit. I ruaj ende emocionet e asaj dite. Kush më njeh e di mirë sa e dua poezinë ta lexoj, ta shkruaj, ta ndiej. Në çdo varg gjej një pjesë të asaj që jam, dhe një mundësi për të ndarë me të tjerët ato që dua të shpreh. Në përfundim të këtij viti, ndërsa kthej kokën pas, e ndiej se e kam shijuar plotësisht, pavarësisht sfidave të mëdha. Jam kënaqur me detajet dhe kam përjetuar gjithçka ashtu siç doja. Kthimi te vetja mbetet gjithmonë qetësia më e madhe që njeriu i dhuron vetes, edhe në kohë gri. Kam reflektuar gjatë dhe kam mësuar ta kërkoj lumturinë me vetëdije.
. Jini kritikë, të fortë dhe mos rreshtni së besuari në ëndrrat tuaja.







