Për origjinën, prejardhjen e Mustafa Qemal Ataturkut, burrë shteti më i madh dhe reformatori më i shquar i shekullit 20-të, babait të kombit turk, çuditërisht ka mjaftë të pavërteta. Pavarësisht faktit që pothuajse të gjithë biografët që janë marrë me jetën dhe veprën e tij e theksojnë origjinën shqiptare, ekzistojnë plotë informacione të kundërta, të pavërteta, të qëllimshme dhe të paqëllimshme, jo vetëm të shkruara në libra e gazeta, por tashmë edhe në faqet e internetit.

Vitet e fundit më është dashur të debatoj fort me miq e intelektualë shqiptarë, për origjinën e vërtetë dhe dashamirësinë e Mustafa Qemal Ataturkut ndaj bashkëatdhetarëve e kombit shqiptar. Pothuajse të gjithë e pranojnë origjinën shqiptare, por shumë rrallë e dinë origjinën e vërtet. Një pjesë, ndër to edhe kryegjyshi botëror i bektashizmit, thonë që është nga një fshat i Jugut të Shqipërisë; një pjesë e dinë që është dibran, por jo konkretisht nga ku; ndërsa pjesa më e madhe nuk e dinë fare se nga ç’krahinë të Shqipërisë është Mustafa Qemali. E pafalshme është se disa «intelektualë», padrejtësisht, e kritikojnë Mustafa Qemalin, këtë «udhëheqës të luftës së parë të dhënë kundër kolonializmit dhe imperializmit», «promovues të shquar të ndjenjës së mirëkuptimit midis popujve dhe paqes së qëndrueshme midis kombeve të botës dhe se ai punoi gjithë jetën e tij për zhvillimin e harmonisë dhe bashkëpunimit midis popujve pa dallim», si antishqiptar. Por ndërsa vlerësimi i veprimtarisë politike apo ushtarake të një personaliteti ka edhe subjektivitet, origjina apo identiteti etnik është fakt historik dhe i padiskutueshëm. Mjafton ta njohësh.  

E papranueshme është se një pjesë e konsiderueshme e të pavërtetave janë të qëllimshme, ndonëse kemi bindjen se e kanë ditur të vërtetën e identitetit të tij, përkatësisë kombëtare shqiptare. Mund të pranohet logjika se për një komb të madh, siç është ai turk, babai i tyre duhet të ishte një bashkëkombës, një turk, dhe kjo jo thjesht për çështje prestigji apo krenarie kombëtare, por edhe për madhështinë e figurës së tij në arenën ndërkombëtare. Dhe për kohën kur biografë turq kanë shkuar se Mustafa Qemali është turk kishte sensin e vetë, se lidhej sa me aspektin patriotik aq edhe me ndjesinë e tij shpirtërore për kombin turk. Ai vërtet ndjehej si biri i atij kombi, se jetoi dhe luftoi gjithë jetën e tij për të mirën e kombit turk. Por sot është koha të thuhet vetëm e vërteta.

Meqenëse Mustafa Qemali, ky gjeni dhe reformator i shquar i shekullit 20-të, i duhej shtetit dhe popullit turk për tu bashkuar rreth kësaj figure udhëheqëse për të krijuar Turqinë moderne, dhe për tu përfaqësuar në arenën ndërkombëtare si një vlerë e kombit turk që përqafonte qytetërimin perëndimor, studiuesit dhe historianët shqiptarë janë treguar të rezervuar dhe ua kanë lënë të huajve të flasin për faktin që «babai i turqve» është me gjak të pastër shqiptar. Në këtë sens edhe diplomacia shqiptare e kohës së sistemit komunist, në respekt të popullit turk, porosiste që të mos i mëshohej këtij fakti të identitetit etnik, por të krenoheshim që biri i kombit tonë kontribuoi kaq shumë për kombin turk.

Por sot është koha të thuhet e origjina e vërtet etnike, se kështu nderohet personaliteti i Mustafa Qemal Ataturkut dhe i shërbehet historisë.

Origjina e vërtet e Mustafa Qemalit – Ataturkut

Të vërtetën e origjinës shqiptare të Mustafa Qemal Ataturkut e shkruan dhe e dokumenton historiani shqiptar Ramazan Hoxha, në një monografi brilante me titull: «Mustafa Qemali – djali nga Stebleva e Dibrës, që u bë Ataturk», botuar në 2018 dhe ribotuar në maj 2022 në Tiranë, në Shqipëri.

Autori nuk është nga ata, që kanë dëshirë që shumë personalitete politike, të shkencës dhe artit të vendeve të tjera që kanë pasur ndonjë origjinë të largët shqiptare, t’i quajmë shqiptarë. Jo. Ai ka ndriçuar plotësisht të vërtetën e identitetit shqiptar të Mustafa Qemalit, si një detyrim i vendlindjes së vetë autorit dhe babait të djalit nga Stebleva e Dibrës, Mustafait. Prandaj, prof. dr. Hasan Çipuri, në parathënien e librit, duke vlerësuar trajtimin shkencor të origjinës, jetës dhe veprës së Mustafa Qemalit, thekson: «Autori Ramazan Hoxha ka sjell një risi në fushën e studimeve historike për këtë figurë madhore, si dhe ia ka arritur qëllimit për të shkruar e botuar një libër të mbështetur vetëm mbi kritere shkencore e historike. Në këtë rrafsh, suksesi i autorit është edhe një sukses për shkencën tonë historike.»

Autori bazohet në dëshmi autentike, kryesisht në arkivin gojor të trashëguar në popullsinë e fshatit të tij të lindjes, Steblevës, por edhe kujtimet e dëshmitë e shumë steblevasve bashkëkohës të Mustafa Qemalit, si: Demir Bales që kishte marrë pjesë në luftën e Çanakalasë, të vitit 1915, nën komandën e Mustafait; Meto Bande- i cili luftoi përkrah Mustafait në Galipoli, si korrier i tij dhe e shoqëroi Mustafain në të gjitha betejat e vitit 1915, qysh në Tekirdag të Rumelisë lindore, në ÇanakKala, e deri në ÇanakBair; Qerim Bojaxhiut shok i ngushtë fëmijërie i Mustafait; kolonel Hasan Stafa shok shkolle e armësh me Mustafain; Mexhit Bale, Zylyf Kita, Vesel Kuçuku, Jonuz Disha, Garip Disha etj., që mësuesi veteran steblevas Islam Hoxha nga Stebleva ka realizuar që në vitet ’30 të shekullit XX me tregimtarë gojorë të krahinës, bashkëkohës të Mustafa Qemalit.

Në monografinë e tij, autori Ramazan Hoxha jep plotë fakte të gjalla dhe autentike se Mustafa Qemal Ataturku ishte shqiptar nga Stebleva e krahinës së Kalabardhës (Gollobordës) së Dibrës, Shqipëri. Ai ishte shqiptar nga të dy prindërit e tij, si nga babai ashtu edhe nga nëna. Ai kishte gjak të pastër shqiptar dhe kjo tashmë nuk mund të vihet në diskutim.

Babai biologjik i Mustafa Qemal Ataturkut ishte Beqir Canka, i biri i Pirush Canka nga Stebleva, i lindur në 1849. Ai ishte më i vogli prej katër djemve të Pirushit, i cili u arsimua në Selanik në shkolla fetare, duke marrë edhe titullin efendi, gjë që i siguroi edhe një punë si nëpunës i thjeshtë, fillimisht në fondacionin e vakëfeve dhe më pas në një kompani duhani. Në Selanik e thërrisnin Beqir Aga Shqiptari, ndërsa nga dibranët e Selanikut thirrej Beqir Stebleva.

Beqiri (babai i Mustafa Qemalit) e filloi punën si kontrollor i fondacioneve bamirëse (vakëfeve), të cilët ishin shpërndarë kudo nëpër Perandori dhe pas martesës me Zubejden, për të qenë pranë familjes, filloi punë në një kompani duhani në Selanik. Këtu, ai mori një sëmundje të rëndë në mushkëri. Kjo është arsyeja për të cilën ai ndërroi punë dhe u fut në doganën e Selanikut, si roje. Por edhe këtu nuk i vajti mbarë. Duke qenë njeri i ndershëm dhe i pakompromentueshëm, në gjaknxehtësi, vrau një bandit kontrabandist dogane dhe për këtë arsye u fut në burg, ku edhe vdiq në vitin 1888.

Text Box:  


Nuk ka qenë Ali Rizai babai i Mustafa Qemalit, siç e ngatërrojnë shumë autorë. Ali Rizai u bë njerku i Mustafa Qemalit, pasi nëna e tij u martua me të, pas vdekjes së babait të tij biologjik dhe i la tre fëmijët e tij në moshë të mitur: dy djemtë Syrejain e Mustafain, si dhe një vajzë, Makbulen. Mbase këta autorë nuk e marrin parasysh faktin që, sipas ligjit të kohës, në perandorinë osmane fëmijët e bashkëshortes që kishte me burrin e parë shënoheshin si fëmijët e bashkëshortit të ri, me qëllim të përgjegjësisë që duhet të kishin për përkujdesje. Vërtet në dokumente ekziston Ali Riza si babai i Mustafa Qemalit, sikurse edhe në pasaportën e tij, por në fakt Aliu është njerku, dhe jo babai biologjik. Shënimi në pasaportë i Ali Rizait si babai i Mustafait është bërë formalisht, sepse faktikisht kështu qëndronte në regjistrin civil. Të vërtetën e babait biologjik të Mustafait e pranon edhe historiani turk Murat Sertologu (me pseudonimin “Eski bir Pehivan”) kur shkruan: ”Babai i vërtetë i Mustafa Qemalit është Beqir Agai. Ai quhej Beqir Aga, shqiptar … Punonte rojtar në doganë. Ishte i ashpër, por njeri i ndershëm.”

(Gazeta Terxhuman, datë 1 prill 1970). Nëna e Mustafa Qemalit ishte Zybejdja, shqiptare nga Sebishti i Kalabardhës së Dibrës, të së njëjtës krahinë me babain biologjik të Mustafait. Biografët, historianët dhe studiuesit turq dhe të huaj, si Jackh, Ernest, (The Rising Crescent, (Goemaere Press, 2007, p. 31), gabojnë rëndë kur thonë se nëna e Mustafa Qemalit Ataturkut ishte turke. Babai i Zybejdes ishte Fejzullai nga Sebishti i Kalabardhës, i shpërngulur në provincën e Langazës, afër Selanikut; nëna e saj ishte Aishja, shqiptare nga Vidini i Maqedonisë. Pra, të dy prindërit e Zybejdes ishin shqiptarë. Zybejdja u lind në vitin 1857 në qytezën e Langazasit në rrethinat e Selanikut në një familje shqiptare, dibrane, që kishin emigruar atje. Kështu nëna e Mustafa Qemalit Ataturkut nuk është as turke e as maqedonase, por është shqiptare e pastër. Është nga Shqipëria, nga Dibra, nga krahina e Kalabardhës, nga Sebishti. Zybejdja u martua me Beqirin në vitin 1871. Zybejdja dhe Beqiri, bashkëshorti i parë, kanë pasur dy djem, Syrejan dhe Mustafain dhe një vajzë, Makbulen. Zybejdja, pasi u martua me Ali Riza efendiun, të tre fëmijët jetim i regjistroi mbi burrin e dytë, sipas ligjit osman asokohe. Pra, siç shkruan autori R. Hoxha “kontributet për rritjen e tij i kaluan njerkut, Ali Riza Efendiut. Tani e tutje ai do të njihej si babai legjitim i Mustafa Qemalit.

Këtu gabuan të gjithë ata që donin të fshihnin atësinë e vërtetë dhe origjinën shqiptare të Ataturkut.” (Ramazan Hoxha, 2022, f. 333).

Këto të vërteta i shkruan edhe historiani Murat Sertogolu, i cili, i bindur në të vërtetën historike dhe me besnikërinë ndaj saj, përfundon: “Unë këto shënime i bëj për t’i shërbyer historisë …”.

Dëshmi të origjinës nga Stebleva e Dibrës të familjes së Mustafa Qemalit

Paraardhësit e Mustafa Qemalit janë nga Stebleva e Dibrës. I pari i familjes ka qenë Mustafa Canka, i cili emigroi familjarisht në Selanik në vitin 1860, bashkë me 30 familje të tjera nga ky fshat, të gjithë të vendosur në lagjen “Pergite” të Selanikut. Mustafa Canka pati për djalë gjyshin e Mustafait, Pirushin, i cili pati 4 djem, që të gjithë të lindur në vendin e origjinës, në Steblevë: Mehmetin, Eminin, Nimetin dhe më të voglin, Beqirin, i cili erdhi në Selanik në moshën 11 vjeç. Mustafa Qemali trashëgoi emrin e stërgjyshit të tij, Mustafait.

Familja e Cankajve ishte me pozitë të gjerë dhe pronare e gjerë tokash në Steblevë. Tokat e Cankajve, të paraardhësve të Mustafa Qemalit, janë edhe sot në Steblevë, poshtë malit Osoj.

Siç e përshkruam më sipër, gjyshërit e Mustafa Qemalit janë shqiptarë, nga krahina e Kalabardhës së Dibrës. Jo siç shkruan Enver Behnam Shapolyo se: “Gjyshërit e Ataturkut janë nga komuna e Dibrës, Koxhshëk …”. Kjo nuk është e vërtetë, por një gënjeshtër. Ky pohim mund të vijë nga disa të dhëna që edhe sot te banorët e Steblevës thuhet se, fillimisht familja e gjyshit të Mustafait u larguan nga Stebleva në Koxhaxhik e pastaj ikën në Selanik. Faktikisht, gjyshërit biologjik të Mustafa Qemalit janë nga Stebleva e Dibrës. Ata që thonë të kundërtën, veçse shpifin me apo pa qëllim. Faktet dhe episodet për origjinën shqiptare dhe nga Kalabardha e Dibrës të prindërve të Mustafa Qemalit Ataturkut janë të shumta, të gjalla, të besueshme dhe të padiskutueshme. Edhe nëse vërtet prindërit e Ali Rizait, njerkut të Mustafa Qemalit, janë nga Koxhaxhiku, ata nuk janë paraardhësit e tij.

Një dëshmi domethënëse për origjinën e tij Mustafa Qemali e tregoi në rastin e qëndrimit që mbajti ndaj bashkëfshatarit të tij Zylyf Kita nga Stebleva, një burrë i gjatë dhe i bëshëm, që vishej me tirq e xhamadan Dibre, qeleshe të bardhë në kokë dhe në mes mbante një brez të gjatë ngjyrë alle, ku mbante të fshehur dhe një alltie turke me 10 fishekë. Ai, prej vitesh, punonte si mjeshtër ndërtimesh dhe restaurator objektesh kulti në Stamboll dhe qytete të tjera të Turqisë. Zylifi ishte bërë fodull, e kishte bërë zakon që, për çdo ditë të premte të dilte rrugëve të Stambollit, duke lëshuar brezin zvarrë, për të provokuar nëse do të dilte ndonjë burrë, që mund t’ia shkelte. Dikush guxoi dhe i shkeli brezin Zylyfit, duke sharë edhe Shqipërinë dhe shqiptarët. Zylyfi nxori alltinë nga brezi dhe e vrau. Policia e arrestoi dhe gjykata e Stambollit e dënoi me vdekje. Fjala vjen në Steblevë, se Zylyf Kita ishte dënuar me vdekje dhe tani pritej vetëm firma e Mustafa Qemalit.

Mblidhet i gjithë fshati dhe vendosi të dërgonin një përfaqësi pleqsh prej tre vetash në Turqi e t’i lutej Mustafait që t’ia falte jetën. Kur Mustafa Qemali u përgjigjet se ligjet duhen zbatuar dhe se ai nuk mund të dilte mbi ligjin, ata i kujtojnë edhe lidhjet e gjakut që kishte ai me Zylyf Kitën, ai u tha: “Për ta vrarë nuk e vrasim, por jam i detyruar ta internoj”. Në shkresën përcjellëse drejtuar gjykatës supreme, Mustafa Qemali nuk kishte asnjë argument për t’ia falur jetën Zylyfit; prandaj, me finokëri, shkruan vetëm postulatin e Kur’anit se: “Të gjitha lidhjet konsumohen, përveç lidhjeve të gjakut, që mbetën për jetë.”, duke u dhënë gjykatësve të kuptonin se me të dënuarin kishte lidhje gjaku.

Në vitin 1926, në rezidencën presidenciale në Stamboll një grup ustallarësh nga Kalabardha, mes të cilëve edhe Dail Ereqi nga Gjinoveci dhe Xhel Agushi nga Stebleva, të Kalabardhës së Dibrës, ndërsa punonin ata kanë marrë përgëzimet e kryetarit të shtetit turk Qemal Ataturkut.

Punë të mbarë, o ustallarë! i përshëndeti Ataturku.

Mbarë e mirë paç, o njeri, i përgjigjen ata me respekt.

Ju lumshin duart, qenkeni mjeshtër të zot e duarartë. Nga jeni ju? i pyeti ai.

Nga Shqipëria, i përgjigjen ata.

Po, nga cila krahinë e Shqipërisë? pyeti më tej ai.

Nga Golloborda, i përgjigjen ata, pak si me mburrje, duke marrë zemër nga lëvdatat dhe komplimentet për punën.

Atje, në krahinën tuaj, ka një fshat që quhet Steblevë? pyeti përsëri Ataturku.

Po, unë jam nga ai fshat, iu përgjigj Xhel Agushi.

Në këtë moment, Ataturku, duke e parë me vëmendje e pyet përsëri.

A ka ndonjë fshatar nga fshati yt që mban mbiemrin Canka?

Po, ka pasur, dikur. Ai ka qenë Mustafa Canka, por para shumë vitesh ka emigruar në Selanik dhe që atëherë nuk ia kemi dëgjuar emrin. Në fshat, sot e kësaj dite, ekzistojnë gërmadhat e mureve të shtëpisë së tij, si dhe pronat: livadhe dhe ara, që dikur i ka pas punuar. Ato njihen nga të gjithë fshatarët si “Ara e Madhe e Cankajve”, rrëzë malit Osoj, që ka qenë shumë pjellore. Këtë arë Cankajt e mbillnin me grurë dhe thekër, mbasi e plehëronin mirë e mirë me pleh delesh. … Arën tjetër, edhe ajo e madhe, e kanë pasur në vendin e quajtur “Ahu i Cankajve” (Cankova buka) dhe e mbillnin vetëm me thekër e tërshërë, ngaqë aty nuk prodhohej gruri, sepse ishte në një lartësi më të madhe.

Po, përse quhej kështu kjo arë? pyeti Ataturku.

Sepse në mes të arës ka pasur një ah shekullor, që ishte shumë i madh dhe me degët e tij të hapura shërbente për të bërë mrizin e deleve të Cankajve, gjatë zhegut të vapës.

Po shtëpia e Cankajve a ekziston? vazhdoi Ataturku.

Jo, shtëpia është rrënuar, por trualli është, bashkë me pirgun e gurëve të rrënojave të shtëpisë. Dikur, ne kemi qenë komshi dhe e kemi pasur shtëpinë pranë shtëpisë së Mustafa Cankës. Kur po ndërtonim shtëpinë e re, unë vajta të marrë disa gurë të gdhendur për qoshe në rrënojat e mureve të shtëpisë së tij. Babai, që më kishte parë, më tha: “Kthe gurët e gdhendur aty, ku i more! Ajo është shtëpia e Mustafa Cankës, gjyshit të Ataturkut. Ai e ka lënë amanet, që gurët e shtëpisë të mos i prekin, se, mbase do të kthehen ndonjë ditë e do ta rregullojnë përsëri.”

Text Box:  
Trualli i shtëpisë së gjyshit të Mustafa Qemalit në Steblevë të Dibrës. 
Ataturku, i mallëngjyer nga ato që dëgjoi, futi dorën në xhep dhe nxori një bllok shënimesh dhe, duke e shfletuar, i thotë me një zë të mekur bashkëbiseduesit:

Edhe unë origjinën nga Stebleva e kam. Mustafa Canka ka qenë stërgjyshi im. Gjyshi im ka qenë djali i tij, Pirushi, i cili më ka lënë amanet pronat, që lidhen me origjinën e familjes sime, që janë, pikërisht ato që përmendët ju dhe, duke lexuar në bllok, shqipton toponimet: “Cankojca ograda” (Arat e Cankajve) dhe “Cankova buka” (Ahu i Cankajve).

Pas një pauze të shkurtër, ai vazhdoi:

Babain nuk e mbaj mend, mbasi ai më ka lënë jetim qysh herët, kur unë kam qenë fare i vogël. Ai ka qenë djali i Pirushit dhe nipi i Mustafa Cankës nga Stebleva dhe emrin e ka pasur Beqir. Edhe ai ka lindur në Steblevë dhe ka ardhur i vogël në Selanik, ku është rritur e shkolluar.

Text Box:  
Çezmja e Ataturkut në Steblevë, sot e rindërtuar nga banorët e fshatit, para truallit të shtëpisë së gjyshit të tij.
Dhe pasi e kaloi leximin në faqen tjetër, të bllokut, shtoi:

Pranë shtëpisë së gjyshit tim, në vendin e quajtur Terzicë ka pasur edhe një çezmë me ujë të ftohtë e të pastër si qelibar. Ajo ka qenë në pronën e tij, por aty mbushte ujë i gjithë fshati.

Mbasi mbaroi së lexuari shënimet, Ataturku e futi bllokun në xhep dhe duke iu drejtuar Xhel Agushit i jep këto porosi:

Kur të kthehesh në Steblevë do t’u thuash pleqësisë së fshatit që arat e Cankajve t’ia japin t’i punojë më i varfri i fshatit; ndërsa rrënojat e mureve të shtëpisë të qëndrojnë e të mos i prek njeri se, ndoshta, do të bëhem mbarë ndonjë ditë e do të kthehem ta rindërtojë.

Çezmja e Ataturkut në Steblevë, sot e rindërtuar nga banorët e fshatit, para truallit të shtëpisë së gjyshit të tij.

Në ikje e sipër, Ataturku futi përsëri dorën në xhep, por kësaj here nxori një qese të vogël me lira turke floriri dhe ia dha Xhelës me porosinë që t’ia jepte pleqësisë së fshatit për të ndërtuar çezmën pranë shtëpisë së gjyshit të tij, që njihet edhe sot e asaj dite nga bashkëfshatarët si “Çezmja e Ataturkut.”

Në fund, Ataturku i pyet bashkëbiseduesit e tij:

  A keni ndonjë nevojë? A dëshironi diçka?

Ishte rasti për tu shprehur. Kishte ardhur e mira tek dera.

Mbetem kurbetçinj, gjithë jetën pa familje, i thanë.

Kaq u desh dhe iu bë menjëherë nënshtetësia turke dhe iu dha banesë bile edhe më të mirë dy mjeshtërve bashkatdhetarë.

Text Box:  
Ataturku duke kërcyer në një dasmë shqiptare në Stamboll një valle dyshe të rëndë burrash, që kërcehet në krahinën e Kalabardhës së Dibrës.
Në vitin 1930 u zhvillua në Steblevë gjyqi për pronësinë e truallit të Cankajve. Gjyqi me gjyqtarë të ardhur nga Tirana dëgjoi deponimet e tre pleqve të fshatit: Vesel Kuçuku, Sadik Avda dhe Jonuz Disha. Vesel Kuçuku, pas kthimit nga Selaniku, vërtetoi se trualli ku është sot shtëpia e Faslli Kuburit (nip tek dera e Cankajve) është trualli i Pirush Cankës, gjyshit të Mustafa Qemal Ataturkut. Jonuz Dishadeklaroi para trupit gjykues:

Kam qenë djalë 20-vjeçar dhe e mbaj mend shumë mirë se kur ka ikur Mustafa Canka familjarisht nga Stebleva për t’u ngulur në Selanik, ka dalë i gjithë katundi me e takuar dhe ai shkoi shtëpi më shtëpi për t’u bërë hallall me bashkëfshatarët. Ky truall është i Mustafa Cankës dhe i takon Faslli Kubures ta trashëgojë si stërnip tek dera e Cankajve dhe në fshat nuk ka më të afërt se ai për ta trashëguar.”

Gjyqi u fitua nga Faslli Kuburi, pasi ky ishte nip tek Cankajt dhe i vetmi i afërt që kishte mbetur.

Mjaftë të moshuar e kanë dëshmuar gojarisht rrënjën nga Stebleva e Dibrës të Mustafa Qemalit. Vait Ereqi dhe Destan Bala nga e Dibra tregojnë se Mustafa Qemal Ataturku është biri i një nënë prej Sebishti, ndërsa i ati i tij ka qenë nga Stebleva. Në vitin 1860 janë larguar nga Stebleva e Dibrës 30 familje për në Selanik, ndër to edhe familja e Pirush Cankës dhe Vesel Kuçukut.

Ataturku duke kërcyer në një dasmë shqiptare në Stamboll një valle dyshe të rëndë burrash, që kërcehet në krahinën e Kalabardhës së Dibrës.

Në tetor të 1984, në kuadrin e 60-vjetorit të formimit të shtetit të ri turk, u hap në Pallatin e Kulturës në Tiranë një ekspozitë kushtuar Turqisë moderne dhe arkitektit të këtij shteti modern, Ataturkut. Edhe në pemën e gjenezës së familjes së Mustafa Qemal Ataturkut vërtetohej origjina e tij shqiptare dhe vendlindja e tij në Selanik. Ciceroni i ekspozitës, shtetas turk me origjinë kosovare, pohoi nën zë se Ataturku është me origjinë nga Dibra e Shqipërisë.

Mjaftë dëshmitarë tregojnë se Mihal Grameno dhe Bajo Topulli (aktivistë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare) u takuan me Mustafa Qemalin në Selanik dhe të tre folën shqip.

Tregimi gojor i Qerim Bales, nga Stebleva, bashkëmoshatar e shok i ngushtë i Mustafa Qemalit, tregon për të kur vinte në fshat:

“Në fshat kishte shumë qen, nga ato të stanit, që ruanin kopetë e deleve. Qentë ishin trupmëdhenj dhe shumë të egër, që kacafyteshin me ujqërit, por Mustafai nuk i kishte frikë, megjithëse ishte djalë nga qyteti. Kur ata turreshin të egërsuar drejt nesh, unë kisha shumë frikë dhe kërkoja vend për t’u fshehur, kurse ai nuk lëvizte nga vendi dhe qëndronte në këmbë para tyre, duke i parë drejt e në sy. Qentë, ashtu si ishin të egërsuar në kulm, stepeshin (hipnotizoheshin) nga vështrimi i Mustafait dhe qetësoheshin, uleshin në bisht para tij, ndërsa ai i kapte për veshësh, u hipte mbi kurriz dhe i kalëronte, deri sa ato shtriheshin për toke të rraskapitur dhe, pastaj, ai qeshte me të madhe, duke u tallur me mua. Nuk kishte ditë që nuk zbrisnim tek përroi i fshatit për të kapur peshq, ndiznim zjarr e i piqnim në prush, pastaj i hanim aty, buzë lumit.” (Qerim Bale, lindur në 1880 në Steblevë). 

Kështu, jo vetëm faktet e gjalla, por janë të shumtë edhe biografët dhe studiuesit vendas dhe të huaj që dëshmojnë të vërtetën e origjinës së Mustafa Qemalit, nga fshati Steblevë i Kalabardhës së Dibrës. Kjo e vërtetë nuk mund të vihet në dyshim.

Edhe rruga hyrëse për në fshat mban emrin e djalit të fshatit, Mustafa Qemalit.

* * *

Mustafai e pohoi edhe vetë gjithmonë origjinën e tij shqiptare. Ja disa prej episodeve pohuese:

Dikur në Stamboll Mustafa Qemali i pat thënë një fisniku të huaj: “Nuk jam fisnik si ju, por kam dalë nga gjiri i një populli fisnik.” (Revista “Bota e Re”, Nr. 7, Korçë, 1937).

Kur ambasadori shqiptar në Turqi, Asaf Xhaxhuli, gjatë paraqitjes së letrave kredenciale filloi t’i lexonte ato në frëngjisht, Ataturku e ndërpreu dhe i tha: “Të lutem, mos më fol frëngjisht, por turqisht ose shqip, se unë kuptoj mirë edhe shqip”!

Një herë sekretari i solli Mustafa Qemal Ataturkut për të firmosur një listë me emrat e disa shqiptarëve, që do të shpërnguleshin nga Turqia. Ataturku, pasi lexoi emrat, mori stilolapsin dhe në krye të listës vuri emrin e tij.

Zotëri, nuk e kuptoj, përse e vutë emrin Tuaj në krye të listës, pyeti sekretari i habitur.

E vura, sepse i pari që duhet të shpërngulet nga Turqia, duhet të jem unë, sepse edhe unë jam shqiptar, u përgjigj Ataturku.

* * *

Muzeu i Koxhaxhikut – një shtrembërim i origjinës së Mustafa Qemalit

Në shtator 2012, në fshatin shqiptar Koxhaxhik të Maqedonisë së Veriut të sotme u hap një shtëpi muze në nder të Mustafa Qemal Ataturkut, me pretendimin se familja e Ali Rizait rrjedh nga ky fshat, në Perandorinë Osmane të atëhershme. Ajo në të vërtetë është një shtëpi monumentale grandioze dhe joreale, por nuk është ajo autentike dhe kjo përbën një falsifikim. Jo vetëm kaq. Problemi shtrohet se sa me vend është ngritja e shtëpisë muze për Mustafa Qemal Ataturkun në fshatin Koxhaxhik? A po spekulohet me të vërtetën? A i bën vërtet nder Mustafa Qemal Ataturkut? Pa folur pastaj për shtëpinë muze të lindjes së Mustafa Qemalit në Selanik nëse është ajo e vërteta.

Në fakt Mustafa Qemali nuk ka lidhje aspak me Koxhaxhikun. Për prejardhjen e familjes së Ali Rizait ka teori të ndryshme, sikurse ajo që thuhet se ai ishte shqiptar (shiko: Andrew Mango, Ernest Jackh, Isaac Frederick Marcosson, Yale Richmond etj.). Kjo me siguri ngatërrohet me origjinën e babait biologjik të Mustafa Qemalit, Beqir Canka, që ishte shqiptar. Që Ali Riza mund të ketë qenë ushtarak vullnetar osman në Kalanë e Koxhaxhikut (1876-1877, si nëntoger i një batalioni vullnetarësh) u takon biografëve të Mustafa Qemal Ataturkut dhe historianëve turq ta thonë. Por kemi bindjen se prejardhja e Ali Rizait nuk është nga fshati Koxhaxhik dhe nuk është shqiptare (shiko: Falih Fırkı Atay,  Vamik D. Volkan, Norman Itzkowitz etj.).

Kështu, edhe ngritja e kësaj shtëpie muze në Koxhaxhik duket e pavend. Ashtu sikurse edhe busti i Mustafa Qemal Ataturkut i ngritur në qendër të Zhupës të Maqedonisë së Veriut duket tërësisht i pavend, sepse të jep përshtypjen e gabuar për prejardhjen e tij. Qëllimi i tij është politik, për ta përvetësuar këtë udhëheqës të ndritur të përmasave botërore, për të mos thënë se qëllimi i vërtet mund të jetë me sfond nacionalist apo për një “pushtim të butë”. Sepse është pa themele të shëndosha. Nëse ngritja e një shtëpie muze do bëhej vetëm se mund të ketë qëndruar aty disa kohë, atëherë duhen ngritur edhe në të gjitha vendet ku Mustafai ka qëndruar.   

Ngritja e një shtëpie muze në nder të Mustafa Qemalit duhet të bëhet te shtëpia e gjyshit të tij nga babai, mbi themelet e vërtetë të shtëpisë së vjetër, e cila prej dekadash nuk ekziston më. Në fshatin Steblevë të Dibrës, në Republikën e Shqipërisë, aty ku i ka rrënjët e vërteta Mustafa Qemali. Te trualli dhe rrënojat e shtëpisë së Pirush Cankës. Aty ku Mustafai në fëmijërinë e rininë e tij, së bashku me nënën e tij, Zyberen, ka ardhur shumë herë dhe rrinte gjatë të gjithë verës tek motra e gjyshit të tij, Makbule Canka, e cila ishte martuar në fshat. Aty ku ka lodruar me bashkëmoshatarët e vendlindjes së babait të tij. Aty ku e kujtonin të moçmit dhe ku janë të gjalla kujtimet te banorët e fshatit dhe gjithë popullsia e krahinës. Se ai shquhej ndër moshatarët e tij për zgjuarsinë, shkathtësinë, energjitë, por edhe për guximin, aq sa edhe qeni më i egër i fshatit zbutej para tij. Cilësi që padyshim i ka nga prejardhja e tij e këtushme. Aty ku ai gjente kënaqësinë dhe lirinë e vërtetë. Në Steblevë ku e presin njerëzit e gjakut të tij, kushërinjtë e kushërirat e tij. Pranë çezmës ku ai ka pirë ujë dhe ka paguar lekë që të rindërtohet. Në këtë fshat të bukur piktoresk, të cilin qeveria shqiptare e ka futur në programin e restaurimit të 100 fshatrave turistik shqiptarë.

Padyshim ngritja e kësaj shtëpie muze në Steblevë do bëhet. Por ajo duhet të prezantohet me pamjen e saj burimore dhe autentike, duke ruajtur origjinalitetin e saj, që të nderoj vërtet Mustafa Qemal Ataturkun. Dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë, veçanërisht qeveria shqiptare dhe qeveria turke, nëpërmjet ministrive respektive të Kulturës dhe Agjencisë turke “TIKA” në Tiranë. 

* * *

Sot nuk ka më asnjë arsye të mos thuhet dhe pranohet e vërteta e prejardhjes, përkatësia etnike e Mustafa Qemal Ataturkut. Të paktën shteti turk duhet ta thotë zyrtarisht të vërtetën e origjinës së “babait” të tyre, jo vetëm si detyrim moral ndaj së vërtetës, por edhe në nderim dhe respekt ndaj personalitetit të Mustafa Qemalit Ataturkut.

Të gënjesh apo spekulosh për Mustafa Qemal Ataturkun sot është një turp, si sakrilegj dhe kjo duhet të dënohet. Të nderosh Mustafa Qemal Ataturkun në Maqedoninë e Veriut, në një fshat “në të cilin ai asnjëherë nuk ka qenë dhe me një shtëpi, e cila sipas ekspertëve dhe formës së saj, nuk ka ekzistuar asnjëherë në vendin ku është ndërtuar sot” është një falsitet i historisë dhe i së vërtetës.

Vetë Ataturku shkruante: “Të shkruash histori është po aq e rëndësishme si të bësh histori. Nëse shkruesi nuk i është besnik bërësit, rezultati do jetë një histori false.”

Tiranë, më 7 nëntor 2025

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here