Paradoksale: PD nuk njeh zgjedhjet e 11 majit, por do të marrë pjesë në Kuvendin e dalë nga ato zgjedhje! Do do të bëjë edhe analizat për të zbuluar shkaqet e  humbjes katastrofike në zgjedhje! Vështirë që çrregullime si këto të mund t’i shpiegojnë doktrinat e mendimit apo teoritë e logjikës.

Po cila është e vërteta e krizës dhe e gjendjes katastrofike ku është zhytur kjo parti?

E vërteta fshihet, po aq sa edhe duket qartazi, në historinë e kësaj partie. Gjithnjë ka bërë “analiza” pas humbjeve, por asnjëherë nuk u ka shkuar problemeve në thellësi. Gjithnjë ka humbur dhe po gjithnjë udhëheqësia e saj nuk ka qenë përgjegjëse. Gjithnjë është folur për zgjidhje demokratike të problemeve të brendëshme të saj, por gjithnjë është zhytur në politika dhe veprime ekstremiste e të dhunëshme. Gjithnjë ka thënë se do t’i fitojnë zgjedhjet dhe gjithnjë e më rëndë i ka humbur.

Xhonglerët e elitës drejtuese të PD-së, kur bëjnë fjalë për të gjetur shkaqet e humbjes në zgjedhje, veç armikut të jashtëm e të përhershëm, Ramës i cili “u ka vjedhur”votat, identifikojnë si faktorë të brëndshëm ndonjë aspekt organizativ, propagandistik “që nuk arriti të prekte mëndjet dhe zemrat e njerëzve”. “Nuk u punua sa duhet me elektoratin” – thotë Berisha. “Opozita duhet të mbajë rrethë vetes njerëz të ndershëm e të zotë dhe jo servilë të kryetarëve”- thotë Shehi, që shton se “se ndryshimet kushtetuese të vitit 2009 janë shkaku kryesor i humbjeve dhe apsolutizimi i liderëve të partive”. Salianji e shpie edhe më tej “logjikën” duke e lidhur me disa gabime si “pjesëmarrja në reformën administrative”, “në atë të drejtësisë”, “lënija e mandateve”, “ndryshimi i kodit zgjedhor”, etj.

Duke lexuar këto si shkaqet e humbjes së PD-së në zgjedhje, më shkoi ndërmënd historia e një prifti të “sapoemëruar” në kishën e një fshati të largët. Prifti, i shqetësuar se pse nuk po binte kambana e kishës, pyeti banorët e fshatit. Njëri i tha “arsyen” se nuk kishte shkallë për t’u ngjitur në minare; një tjetër se nuk kishin litarë; dikush tjetër se nuk dinin programet muzikore sipas veçorive të ceremonive fetare. Në fund fare, kryetari i fshatit pranoi se kambana nuk binte sepse “kisha nuk kishte fare kambanë”!

Aktualisht, kambana  e PD-së nuk bie. A thua të jenë këto “arësye” arësyet e mosarësyeve të mësipërme të paraqitura si retorikë nga disa drejtues të PD-së e të opozitës? A thua të jenë vërtet ato “arësye” që shpjegojnë krizën e PD-së, degradimin ekstrem të këtij subjekti politik?

E vërteta është se ato “arësye” nuk janë aq të fuqishme sa të mbajnë barrën e këtij degradimi. Ato janë thjesht sipërfaqësore, teknike, propagandistike e organizative që vetëm se e ledhatojnë por nuk e shpjegojnë humbjen. Janë fiks si “arësyet” e fshatarëve me priftin.

Por më parë se të kërkohet se çfarë i mungon PD-së, duhet shtruar pyetja nëse kemi në Shqipëri një PD të vërtetë, apo kemi imazhin e një partie që vetëm emrin ka të tillë; nëse e djathta Shqiptare e sotme është vërtet e djathtë, apo është monstra e të djathtës natyrale; nëse është një e djathtë reale që frymëzohet dhe udhëhqet nga  programe e ideologji dhe që ka një bazë të qëndrueshme sociale, apo është një grup paramilitar e populist; nëse kemi një parti demokratike me trashëgimi historike e kulturë të djathtë, apo kemi një parti të titulluar si e tillë për të plotësuar kolorin e spektrit politik pluralist nga administrata e kohës; nëse kemi një parti demokratike funksionale, apo një krijesë artificiale, një kukull të pagëzuar si parti demokratike. A janë në sinkron filozofia, programet politike dhe ekonomike, natyra e reformave, ndërtimi dhe baza sociale ku mbështetet ky subjekt politik, apo kemi një amalgamë politike, një kaos mes targës “demokratike” dhe makinerisë pa indentitet dhe përkatësi djathtiste. Çfarë të djathte kemi në Shqipëri: konservatore, liberale, populiste, të djathtën ekstreme e radikale, apo pak nga të gjitha, duke degraduar konceptin e së djathtës së vërtetë.

Partia Demokratike Shqiptare ka zbatuar teori dhe praktika në kundërshtim me filozofinë e doktrinën  e së djathtës së vërtetë, si në ndërtimin dhe funksionimin e partisë, në përdorimin e shtetit, në qëndrimin ndaj çështjeve  kombëtare, në zbatimin e të drejtave të njeriut, në konceptet e ekonomisë së tregut, të familjes, etj. Ndoshta është nga rastet e rralla në botën demokratike që programi i një partie të djathtë nuk ndryshon aspak nga ai i një partie të majtë. Të gjitha këto nuk janë thjesht gabime të rastit, probleme organizative e propagandistike, që vinë nga mungesa e  dijes. Historia rreth 35-vjeçare e kësaj partie, si në pushtet, edhe në opozitë, flet shumë. Kjo forcë politike, edhe pse i’u dorëzua pushteti në tavolinë, nuk hoqi dorë nga përdorimi i dhunës dhe mbështetja te forcat e rrugës, te  populizmi, te agresiviteti i turmave. Ajo kishte më tepër besim te lëvizje të tilla amorfe, pa ide e programe, pa vizione, të rrëmujshme, që nuk donin ligj e shtet, por  anarki dhe kaos.

Edhe në vendet e tjera të Europës Lindore ku u krye përmbysja e sistemit, ushtria populiste ishte prezente . Pas përmbysjes së sistemit socialist, partitë politike, veçanërisht ato të djathta, nuk mbajtën mardhënie partneriteti me turmat, për t’i përdorur si kamikaze kur u duhej vota, apo fuqia fizike ndaj kundërshtarit politik. Ato u diferencuan prej tyre, ndërtuan programe serioze politike të djathta, duke e vendosur partinë në pjesën e spektrit politk, si të djathta të vërteta. Ajo pjesë e turmave që e gjente veten në programet e tyre u mirëpritën, ndërsa të tjerët që nuk kishin interesa dhe nuk e gjenin veten te këto subjekte politike djathtiste, u distancuan prej tyre. Ndërsa në PD-në shqiptare ndodhi e kundërta. Ajo, jo vetëm nuk u distancua nga turmat dhe  politikat populiste, por i përdori ato si ushtri për të realizuar teorinë e nivelit ‘zero”, si në ekonomi, në kulturë, në zakone e tradita, në histori e kudo, duke rrafshuar gjithçka.

Kjo forcë politike mendonte se me  populizëm do të bashkonte rreth vetes  shpirtërisht, ideologjikisht, politikisht, ekonomikisht dhe organizativisht grupime me interesa e histori të ndryshme, duke përfshirë edhe komunistët e pagëzuar në demokratë; edhe atë kategori “politikanësh” që, me mburrje pohojnë se dorëzuan sovranitetin e Shqipërisë te pushtuesit italianë; edhe ata që e quanin “zgjidhje antikomuniste” bashkimin me pushtuesit e vendit në Luftën e Dytë Botërore. Ajo mendonte se edhe ato shtresa shoqërore që punuan për afro 50-vjet me ndërgjegje në ndërtimin e shoqërisë socialiste, do të përziheshin me ata që luftonin prej vitesh për ta shkatërruar e sabotuar ekonominë e vendit; se do të binin në dashuri ideologjike e politike me të burgosurit politikë edhe ata që kishin shërbyer në administratën  shtetërore, si zbatues të ligjit. Vërtet që, me ndryshimin e sistemit politik, u krijuan premisa për  pajtim mes tyre, sepse u hoqën barrierat që impononte lufta e klasave, por kjo nuk do të thotë se në shoqerinë demokratike u kolektivizuan interesat dhe u shua lufta mes kategorive të ndryshme shoqërore, si grupe interesi.

Çorba ideologjike dhe politike që gatoi PD-ja në këto 35 vjet nuk flet për ndërtimin e një të djathte të vërtetë konservatore. Me turmat dhe politikat populiste, PD-ja maskoi nisjen e një lufte të re klasash të zbatuar madje më me egërsi. Po kështu, nëpërmjet tyre, ajo synonte të fshihte grabitjen e pasurisë kombëtare, të justifikonte me dinakëri ndërtimin e një shteti egocentrist, bajraktar, antidemokratik. Goditjet ndaj të djathtës së vërtetë PD-ja duket se i ka nisur që me daljen e saj në skenën politike. Elita që uzurpoi PD-në u trembej trashëgimtarëve të së djathtës natyrale, ndaj edhe ndoqi politikën e përzënies së tyre nga vendi, duke i pajisur me viza për jashtë shtetit. Në kohën kur në Europën Lindore opozitat po ktheheshin në vendet e tyre për të vazhduar luftën politike, në Shqipëri ndodhi e kundërta: opozitarët tradicionalë braktisën vendin, ndërsa ata që ishin jashtë nuk u kthyen kurrë në atdhe.

Edhe ndaj të dënuarëve politikë, si një grupim shoqëror që duhet të përbënte bazën e të djathtës së vërtetë konservatore, populizmi veproi ashpër dhe me synime dashakeqëse. Përzjerja e të dënuarëve politikë me ata ordinerë (për prostitucion, vjedhje, vrasje, kundravajtje ndaj rregullave të shoqërisë,etj.) i zhvleftësoi. Ky lloj masivizimi bëri që zëri i të dënuarve politikë të zbehej, pesha e tyre politike të binte gradualisht, ndërsa vlerësimi si faktor e forcë prioritare në radhët e të djathtës së vërtetë gradualisht u zbeh, duke i çuar për së dyti në kategorinë si “të dënuar politikë”.

E njëjta gjë duket se ndodhi edhe me studentët e dhjetorit, të cilët kanë meritën e pa diskutueshme në ndryshimin e sistemit. Ata, edhe pse ishin produkt i sistemit socialist, u ngritën mbi kohën. Në rrugën e ndryshimit, ata i bashkoi kultura universitare, nevoja për liri të plotë dhe demokraci të vërtetë. Studentët e dhjetorit, edhe pse meritonin të ishin rezerva më e fuqishme e të djathtës shqiptare, u poshtëruan e u goditën nga politikat populiste të qeverisë “demokratike”. Pa kaluar as dy vjet, ata u shmangën nga udhëheqja e PD-së. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe: populizmi nuk mund të bashkëjetojë me dijen, kulturën, me njerëzit reformatorë e të  aksionit, siç ishin studentët e dhjetorit.

PD-ja mund të zerë çfarëdo emri dhe vëndi në spektrin politik, por ajo kurrsesi nuk mund të zëvendësojë të djathtën natyrale. E djathta natyrale i ka munguar dhe i mungon pluralizmit politik shqiptar. Por ajo, sot në kushtet e demokracisë, nuk ka aspak të drejtë t’i ankohet dhe t’i shfaqësohet historisë, se përse i mungon spektrit politik shqiptar. Është papërgjegjshmëri, pazotësi, orientim i gabuar, apo çfardo shkak tjetër subjektiv, por objektivisht Shqipërisë i duhet një e djathtë e vërtetë natyrale. Dhe Shqipëria i ka kapacitetet për ta krijuar këtë marzh politik të domosdoshëm, madje urgjent.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here