Gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin për herë të parë në Shqipëri, ndoshta dhe në botë, të një ministrie shteti të ndërtuar mbi bazën e Inteligjencës Artificiale.
Në qendër të kësaj risi do të jetë “Diella”, imazhi zyrtar i ndihmëses virtuale të portalit e-Albania, e cila do të shërbejë si instrument inovativ në proceset e qeverisjes.
Rama theksoi se kjo strukturë e posaçme do të garantojë transparencë dhe integritet në prokurimet publike, duke e përjashtuar ndërhyrjen e ministrive nga tenderat.
“Tenderat janë nxjerrë përfundimisht jashtë ministreve. ‘Diella’ do të jetë shërbyesja e prokurorimeve publike. Tenderat 100 për qind të pakorruptueshëm, çdo fond është 100 për qind i lexueshëm. Kjo është një nga detyrat e saj”, u shpreh Rama.
Me këtë hap, qeveria synon të fusë teknologjinë e avancuar në shërbim të qytetarëve dhe të luftës kundër korrupsionit.