Skandali Saljanji në burgun e Fierit i plotëson të gjithë elementët e figurës së krimit. Madje edhe i tejkalon ato, pasi kemi një bashkëpunim te një krimineli ordinër me strukturat shtetërore, me një skenar të mirëmenduar për ta kryer, mbrojtur dhe shmangur ndëshkimin në rast zbulimi të krimit. Tani të dy të bashkëkriminuarit, Salianji dhe strukturat shtetërore, kanë kaluar në fazën e tolerimit të krimit.
Në një shtet normal, nga dy të bashkëkriminuarit, përgjegjësi përkatës i strukturës shtetërore, ose duhet të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen, ose duhet të detyrohej ta jepte atë. Nuk po ndodh që Manja të dorëhiqet. Me sa duket, e sheh postin e ministrit si dhuratë të përhershme nga kryezoti, jo si detyrë të kushtëzuar nga rezultatet, nga pastërtia morale dhe ligjore.
Por, çudia është se dorëheqjen e tij nuk e kërkoi as PD-ja, as partiçkat e tjera. Sidomos kjo PD-ja, e shquar për të kërkuar djallin atje ku nuk është, ka kërkuar dorëheqje edhe në ato raste kur i shënjestruari i tyre ka qënë në kulmin e një suksesi, të një zhvillimi pozitiv, një projekti me vlera të dukëshme kombëtare, apo që s’ka patur lidhje me akuzat e ngritura. Ka fabrikuar e falsifikuar “prova” përmes intrigave dhe mashtrimeve të tipit babale. Ka kërkuar dorëheqje për ministra apo edhe kryeministra jo vetëm për gabime njerëzore, por edhe për fenomene natyrore, se pse kanë rënë tërmete; pse na janë “dërguar” epidemi të ndryshme; pse ka pllakosur ngrohja globale; pse është çmendur moti, etj.
Ndërsa për krimin ordiner me emrin “Salianji” ka heshtur, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ndërkohë, deputeten Sara Mile, e zgjedhur me votë plebishitare në Elbasan, e kanë anatemuar, poshtëruar e bullizuar vetëm se përse të burgosurt kanë votuar atë dhe jo Partinë Demokratike! Pra, në rastin e deputetes Sara Mile, PD-ja merret me të burgosurit, ndërsa në rastin “Salianji” nuk merret me komandantët që drejtojnë këta të burgosur, me piramidën që e drejton sistemin e burgjeve, me vetë ministrin e drejtësisë që ka përgjegjësi kryesore në këtë skandal.
Pse po hesht PD-ja? Vetëm se Salianji është produkt politik i kësaj partie, apo se duan t’i ulin atij kokën që të mos pretendojë për lidership partie? Se në këtë skenar janë përfshirë edhe struktura brenda këtij subjekti politik? Apo, se ky skenar është vepër e përbashkët e PD – Ministër i Drejtësisë?
Popullit nuk i intereson fare se çfarë pozite do të ketë apo do të marrë Salianji në PD. Populli di një gjë: që Salianji është kriminalizuar. Por populli është i interesuar se cila është pozita e shtetit në këtë krim. Dhe do të duhet të ishte PD-ja që të kërkonte dorëheqjen e ministrit. Këtë ajo nuk e bën sepse, po ta bëjë, i zbulohen kompromiset e nëndheshme si brenda saj, edhe me shtetin. Në këtë mënyrë, me një gur ajo vret dy zogj: Salianjit i ul kokën, duke i prerë krahët që të mos fluturojë lart, ndërsa mban hapur portën e kompromisit me pushtetin për një ditë tjetër të zezë.
PS-ja, me heshtjen e saj, duket se e mori në mbrojte një krim të tillë, edhe pse rrezikshëmria shoqërore, morale dhe institucionale është më e madhe se ajo ligjore. I takonte kësaj force politike të mbronte të drejtën, ligjin, drejtësinë e re, shtetin. Ndaj kërkesa për dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë duhet të buronte pikërisht nga PS.
Nga kush ka frikë PS-ja që nuk e ndërmerr një hap të tillë?
Si Berishës, edhe Ramës iu thyen shpatat për këtë skandal. Me sa duket, këtyre të dyve duhet t’iu ruhesh jo kur shahen dhe bërtasin ndaj njeri-tjetrit, por atëhere kur komunikimi i tyre është memec, me figura, pa zhurmë, pa gjeste, me mimikë dhe pantomimikë. Por, të paktën Berisha e ka të shkruar në diagnozën e tij politike, se nuk e njeh dorëheqjen, si për vete, ashtu edhe për sektin e tij politik. Siç është deklaruar, dorëheqja e tij politike do të ndodhë në të njëjtën orë me atë të shuarjes së tij fizike, kohë të cilën e di vetëm zoti në qiell.
Çudia qëndron me Edi Ramën. Ai njeh shumë mirë moralin që sundon në Europë edhe në raste gabimesh, jo më krimesh: dorëheqje e menjëhershme! Pse iu errësuan sytë dhe mendja përpara një ministri, nën hundën e të cilit janë kryer vepra penale. Po guxon të japë urdhëra dorëheqjeje masive për pushtetin vendor, që ndoshta mund të jenë të diskutueshme në raport me ligjin, ndërkohë, druhet të urdhërojë dorëheqjen për një ministër i cili, të paktën moralisht, është përfshirë në krim!
Popullit nuk i duhet nëse Manja do të jetë apo jo në listën e qeverisë së re. Popullit i duhet që Manja, sot është përfshirë në skandal dhe, për këtë skandal, duhet ndëshkuar sot. Ky është moral politik. Kjo është Europa ku kërkojmë të shkojmë.
Kështu, një ministër i bashkëpërfshirë në skandal ligjor, mbrohet nga nga të gjitha krahët politikë. Që do të thotë se deviza “Opzitarë, por vëllezër” ka marrë formën shqiptarçe “Opozitarë, por të vëllazëruar në krim”.