Në teori Shqipëria është një shtet unitar me qeverisje të decentralizuar. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton në mënyrë të qartë autonominë e qeverisjes vendore. Sipas nenit 113 të Kushtetutës së Shqipërisë, bashkitë gëzojnë të drejtën për të rregulluar dhe administruar çështjet vendore në mënyrë të pavarur, brenda kufijve të ligjit. Kjo autonomi përfshin autoritetin për të organizuar administratën e tyre, për të miratuar strukturat e brendshme dhe për të emëruar ose shkarkuar zyrtarët brenda juridiksionit të tyre, pa ndërhyrje nga qeveria qëndrore. Në këtë logjikë ligjore, çdo udhëzim ose direktivë nga Kryeministri drejtuar qeverive vendore në lidhje me emërimin ose shkarkimin e zyrtarëve bashkiakë jo vetëm që është politikisht i papërshtatshëm, por është edhe jokushtetues.

Por kohët e fundit, duket se Kushtetuta është më shumë një sugjerim i sjellshëm sesa një dokument detyrues.

Në episodin e fundit të “Një Njeri, Një Mandat” (tani për të katërtën herë), Kryeministri u ka urdhëruar publikisht bashkive të pastrojnë shtëpinë, konkretisht, të shkarkojnë drejtorë të caktuar nga organika e tyre. Arsyeja zyrtare? Ata dyshohet se janë të korruptuar, të paaftë ose nuk janë në përputhje me “higjienën morale” të kërkuar nga një mandat i katërt radhazi. Mesazhi i vërtetë? Autonomia lokale është në rregull, për sa kohë që i bindet komandës qendrore.

Le të ndalemi këtu. Kryeministri, i cili as nuk punëson dhe as nuk paguan drejtorët lokal (ose drejtues të njësive administrative), tani po lëshon në mënyrë aktive udhëzime për shkarkimin e tyre. Është njësoj si komshiu juaj që ju thotë të pushoni nga puna dadon e fëmijëve. Do të qeshnit, përveç rastit kur sigurisht, komshiu juaj kontrollon energjinë elektrike, furnizimin me ujë dhe perspektivat tuaja të ardhshme të punës.

Ky sistem qeverisës nga lart poshtë nuk do të ishte i papërshtatshëm në Rusi, ku guvernatorët rajonalë funksionojnë si menaxherë pikash shitjeje për Kremlinin, ose në Turqi, ku kryetarët e zgjedhur të bashkive ndonjëherë zëvendësohen krejtësisht kur nuk arrijnë të ndjekin koreografinë kombëtare. Këto nuk janë sisteme të njohura për demokracitë e tyre të lulëzuara. Megjithatë, Shqipëria, me njërën këmbë në dhomën e pritjes së BE-së dhe tjetrën të ngulitur fort në traditat politike ballkanike, duket se është rehat duke luajtur të dy rolet.

Dhe ku janë kryetarët e bashkive në të gjithë këtë? Kryesisht të heshtur. Disa përqeshen me bindje, të tjerë pëshpërisin pakënaqësi pas dyerve të mbyllura, por pak guxojnë të ngrihen dhe t’i kujtojnë qeverisë qendrore se u zgjodhën për t’i shërbyer qyteteve të tyre, jo për të vepruar si degë lokale të Burimeve Njerëzore për Zyrën e Kryeministrit. Autonomia, me sa duket, nuk është diçka që e ushtron – është diçka për të cilën kërkon falje.

Pra, çfarë do të thotë kjo për demokracinë në Shqipëri? Kur një qeveri mban pushtetin për 12 vjet dhe kërkon edhe 4 të tjera, sistemi i kontrollit dhe balancimit të pushteteve fillon të duket më shumë si pseudo-kontroll dhe balancë që anon vetëm nga një anë. Qeverisja vendore largohet nga konteksti “qeverisës” dhe afrohet me më shumë me reflektime të një shpelle Platonike: një valle e kujdesshme hijesh, ku çdo hap duhet të projektohet nga pishtari i pronarit të shpellës.

Parimet kushtetuese janë aq të forta sa kultura politike që i mbështet ato. Nëse autonomia lokale reduktohet në një titull ceremonial, si një ambasador pa pasaportë, atëherë decentralizimi i Shqipërisë është vetëm një tjetër artikull në një raport progresi të pluhurosur të BE-së. Po qytetarët? Ata mbeten spektatorë në një demokraci që po fillon të ndihet më shumë si lumë i ngecur, me ujë të mbetur e të ndotur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here