Pas një periudhe të gjatë, është kënaqësi të kemi në Intervista.al për të ndarë me ju rrugëtimin e tij më të fundit. River Durra, gjatë kësaj kohe, ka qenë i angazhuar në projekte të ndryshme që pasqyrojnë pasionet e tij si elektronika, makinat elektrike, marketingu digjital dhe natyrisht, kërcimi latin. Secila prej këtyre fushave ka kontribuar në zhvillimin e tij personal dhe profesional, duke e sfiduar dhe frymëzuar në mënyra të ndryshme. Flasim më tej me River…

River, ritakohemi në Intervista.al pas goxha kohësh. Ç’është bërë me Riverin këto kohë?

Është vërtet kënaqësi të rikthehem në Intervista.al, pasi krijoni atë ndjesi të rrallë ku çdo bisedë rrjedh natyrshëm, pa ndjesi formale,  si me miq që të kuptojnë vërtet.

Në fakt, jam marrë me shumë gjëra kohët e fundit. Kam qenë aktiv në disa projekte paralelisht, kryesisht në fushën e elektronikës dhe makinave elektrike, dy pasione që më sfidojnë intelektualisht. Kam eksploruar gjithashtu më thellë marketingun digjital, që më jep një këndvështrim kreativ mbi biznesin. Dhe sigurisht, kërcimi latin mbetet një pjesë thelbësore e përditshmërisë sime, një mënyrë për të mbajtur gjallë lidhjen me trupin dhe emocionin.

Inxhinier, kërcimtar, model, i apasionuar pas motorave dhe adrenalinës së tyre, në një ditë të zakonshme, cili sistem ndizet i pari tek ty, ai i lëvizjes, i logjikës apo ai emocional?

Zakonisht ndizet logjika. Më pëlqen të planifikoj ditën dhe të krijoj strukturë, më jep qartësi. Menjëherë pas saj, vjen emocioni,  sidomos kur mendoj për kërcimin apo ndonjë ide të re që më frymëzon. Të them të drejtën, këto tre sisteme tek unë shpesh punojnë paralelisht. Ndërtoj me mendje, lëviz me trup dhe ndjej me shpirt.

A ka ndonjë moment kur ke dashur të fikësh të gjitha sistemet për pak, thjesht të qëndrosh në qetësi?

Po, dhe jo rrallëherë. Edhe pse funksionoj me intensitet të lartë, më ndodh që ndiej nevojën për një pauzë të pastër. Ka raste kur dua vetëm të jem me veten, të ec në heshtje, të lexoj, të dëgjoj muzikë pa ndërprerje, apo thjesht të mbyll sytë dhe të mos jem askund. Kjo më ndihmon të rihy në ritmin tim të brendshëm.

Kërcimi është emocion, inxhinieria është strukturë. A ke ndonjë hap të preferuar që ndjen se bashkohen të dyja?

Po, ka momente gjatë improvizimit kur krijoj një sekuencë që funksionon si një formulë e saktë matematikore, por e gjallë. Kur çdo lëvizje ka një logjikë të brendshme, por edhe emocionin e duhur pas saj. Aty e ndiej që dy botët, ajo e strukturës dhe ajo e ndjesisë, takohen në mënyrën më të natyrshme.

Nëse do të krijoje një robot që vallëzon, çfarë ndjesie do doje të shprehte ai në skenë?

Do të doja të shprehte ndjeshmëri. Të mos ishte thjesht një makineri me lëvizje të sakta, por një qenie që “kupton” ritmin, emocionin dhe historinë pas muzikës. Që publiku të pyeste veten: “A po ndjen vërtet ky krijim, apo thjesht po ekzekuton lëvizje?”

Kur të shikon publiku në skenë, çfarë do të doje që të lexonte përtej koreografisë?

Do të doja të ndienin se unë jam aty për ta. Që çdo lëvizje që bëj është një ftesë për të ndjerë, për të qenë më pranë vetes, për të frymëzuar. Dua të lexojnë sinqeritetin tim, jo vetëm si kërcimtar, por si njeri që jeton me pasion.

Cila është ajo fjali që i thua vetes para se të ngjitesh në skenë dhe ajo që i thua pas performancës?

Para se të ngjitem në skenë, i them vetes: “Jepu gjithçka, tani është momenti yt.”
Pas performancës, them me vete: “Faleminderit, trupit që më mbajti, shpirtit që ndjeu dhe publikut që më pranoi.”

Si është të jetosh me shumë “versione” të vetes në një trup të vetëm? E ndjen ndonjëherë sikur po bën multi-tasking me shpirtin?

Po, dhe është një ndjesi e pazakontë. Ka ditë kur jam më shumë inxhinier, i përqendruar tek zgjidhjet dhe strukturat. Ditë të tjera, jam një artist i zhytur në ndjesi. Dhe ka momente kur më vjen të ulem dhe të hartoj strategji si një sipërmarrës. Kjo shumësi më lodh ndonjëherë, por më pasurojnë. Më lejon të ndërtoj ura mes botëve që zakonisht nuk takohen.

Salsa apo bachata? Kujt do i mësoje njërën dhe kujt tjetrën?

Salsa është zjarr, ritëm dhe sfidë, do t’ia mësoja dikujt që ka energji të madhe dhe dëshirë për t’u shprehur në mënyrë eksplozive. Bachata është ndjeshmëri, lidhje, komunikim i heshtur, do t’ia mësoja dikujt që kërkon të ndjejë më shumë se sa të tregojë. Dy gjuhë të ndryshme emocionale, të bukura secila në mënyrën e vet.

Çfarë ka jeta e natës me bazë latine në brendësinë e saj, që duhet ta dijë kushdo para se të vijë në një nga ambientet ku ti performon?

Ka një shpirt që nuk shpjegohet me fjalë, është bashkim i zemrave përmes muzikës. Nuk ka rëndësi kush je, çfarë pune bën, apo nga vjen. Kur hyn në një natë latine, hyn në një realitet paralel ku njerëzit komunikojnë pa barriera, thjesht përmes lëvizjeve dhe ndjenjave të çliruara.

A ka ndonjë këngë që kur vihet “play”, s’ka rëndësi kush është pranë thjesht ngrihesh e kërcen?

Po, ka disa, por një nga to është “Obsesión” nga Aventura, sapo e dëgjoj, trupi nis të lëvizë vetë. Është ajo ndjesia që muzika flet direkt me muskujt, jo me mendjen.

Çfarë nuk duhet të bëjë dikush që kërkon të kërcejë me ty në një lokal nate?

Të jetë arrogant apo i pasjellshëm. Kërcimi është një partneritet i përbashkët dhe kërkon respekt. Nëse dikush më tërheq me forcë, më ndërpret muzikën shpirtërore apo tenton të imponojë veten, ajo nuk është më vallëzim, por kontroll, dhe aty unë largohem menjëherë.

Netët latine janë si një provë vallëzimi apo një terapi pa fjalë?

Janë terapi pa fjalë. Një mënyrë për të shfryrë gjithë energjinë, për të ndarë emocione pa pasur nevojë të flasësh. Aty gjen edhe ata që kanë pasur një ditë të lodhshme, edhe ata që duan vetëm të ndihen të gjallë, të gjithë vallëzojnë shpirtin e tyre.

Nëse jeta do ishte një koreografi, cili do ishte titulli i saj?

“Ritmi i të pamundurës.”, sepse gjithçka që kam arritur, ka ardhur përmes punës me sfidat dhe strukturimit të kaosit me pasion.

Mes ritmit të kërcimit, zhurmës së motorëve dhe strukturës inxhinierike që e organizon përditshmërinë tënde, ku qëndron dashuria në gjithë këtë dinamikë? Është për ty një ritëm i përbashkët, një rrugë me kthesa, apo ndoshta një sistem më vete që të riorganizon gjithë brendësinë?

Dashuria, për mua, është një sistem më vete një botë që nuk funksionon me rregullat e zakonshme të logjikës apo të emocioneve të përditshme. Është si një frekuencë që nuk kapet nga radarët teknikë, por që kur ndodh…të riorganizon gjithçka brenda.Tani jam në një lidhje ku ndjej saktësisht këtë një lloj harmonie që nuk e kam përjetuar më parë. Nuk është thjesht ndjenjë, është ritëm. Një vallëzim ku nuk udhëheq gjithmonë unë, dhe kjo më pëlqen. E kemi gjetur një ritëm që nganjëherë është i egër si salsa, plot pasion dhe liri, e herë të tjera butësisht i ngadalshëm si një bachata që flet me zemrën. Por është gjithmonë i sinqertë, i ndërtuar mbi besim dhe përkushtim.Kjo dashuri më ka vendosur shpesh në “neutral”, jo për të më ndalur, por për të më kujtuar se nuk kam pse eci gjithmonë me shpejtësi. Më kujton pse vlen të ndalem, të dëgjoj, të ndjej, dhe për këtë, i jam thellësisht mirënjohës asaj që është në krahun tim. Ajo nuk është thjesht pjesë e jetës sime, ajo është një arsye pse e jetoj më thellë.

Si person i apasionuar pas makinave dhe motorave, çfarë ndjen kur i ndez, a janë si një performancë tjetër por në rrugë?

Po, është një performancë intime mes meje dhe rrugës. Si një koreografi spontane që nis me tingullin e parë të ndezjes motorit te mjetit. Një skenë që nuk ka publik, por ka shpirt.

Ka ndonjë rrugë që të flet më shumë se skena? Një itinerar që të duket si koreografi në asfalt?

Po, ka një rrugë malore që e bëj shpesh, ku çdo kthesë është një hap i vallëzimit, çdo ndalesë një frymëmarrje dhe çdo përshpejtim një shpërthim i lirë. Aty ndjej se vallëzoj me natyrën, jo me njerëzit. Kjo rrugë është Qafë Krraba.

Motorët janë ndonjëherë rebelë, ndonjëherë meditativë. Cili version i Riverit del në pah kur je në motor?

Del versioni më i sinqertë. As rebel, as i qetë, por një përzierje e pastër e mendimit të thellë dhe dëshirës për të ndjerë më shumë nga jeta. Një River që nuk ka nevojë të shpjegohet, vetëm të ecë dhe të ndjejë çdo centimetër të forcës se fërkimit mes gomës dhe asfaltit dhe çdo palosje e motorit nga njëri krah në tjetrin, në formën më perfekte të mundshme.

A ka një këngë që e dëgjon gjithmonë kur je në motor dhe ndihesh i paprekshëm?

“Lose Yourself” nga Eminem. Në momentin që e dëgjoj, rruga përpara bëhet një mundësi për të përqafuar gjithçka që jam dhe çdo kthesë është një “now or never”.

Çfarë të mësoi motori që nuk ta mësoi as vallëzimi?

Të dëgjoj rrezikun si një mësues. Vallëzimi më mësoi të komunikoj me të tjerët, motori më mësoi të dëgjoj instinktin tim dhe të respektoj momentin, sepse në një sekondë çdo gjë mund të ndryshojë dhe po i njëjti sekond ndan jetën nga vdekja.

Nëse do të përshkruaje jetën tënde si një udhëtim me motor, çfarë do të ishin kthesat më të forta dhe rrugët më të sheshta?

Kthesat më të forta do ishin momentet kur më është dashur të marr vendime të mëdha të lë diçka pas, të filloj nga zero, të sfidoj të panjohurën. Rrugët më të sheshta janë çastet kur jam vetvetja, kur kërcej, kur krijoj, kur frymëzoj. Ato janë pjesët ku ndjej se rruga dhe shpirti im bëhen një.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here